Gjashtë vite më parë, në një ditë nëntori, Hashim Thaçi dhe Agim Çeku kishin shkruar emrat në një listë të aplikimeve. Të shoqëruar nga liderët e organizatave të veteranëve të luftës dhe persona të tjerë, ata u bënë njerëzit e parë që plotësuan aplikacionet për të marrë statusin zyrtar të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në atë kohë, në fund të vitit 2012, Thaçi ishte Kryeministër e Çeku ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK). Të dy kishin qenë figura të larta të UÇK-së gjatë luftës, dhe në këtë ceremoni që u mbajt në zyrat e organizatave të dala nga lufta, ata nisën një proces që kishte për qëllim t’u ofronte mbështetje nga shteti veteranëve që kishin marrë pjesë në luftë.
Më shumë se gjysmë dekade më vonë, integriteti i procesit është vënë në dyshim të madh dhe pasojat mund të jenë të mëdha.
Çeku është një nga 12 personat që po përgatiten të përballen me një aktakuzë të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, pasi që dhjetëra mijëra emra janë pranuar në listat zyrtare të veteranëve të luftës, duke tejkaluar parashikimet për numrin e njerëzve që kanë qenë pjesë e UÇK-së gjatë luftës.
SI rezultat, buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh duke rrezikuar edhe pasoja të tjera të mëdha financiare, ndërkohë që procedura ligjore për këtë rast kishte hyrë në një rrugë pa krye pasi prokurori special që kishte hetuar këtë çështje kishte dhënë dorëheqje në muajin gusht dhe kishte thënë që ishte përballur me presion e kërcënime edhe nga niveli më i lartë i politikës dhe i sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë që polemika me listat e veteranëve të UÇK-së duket që do të vazhdojë edhe në një të ardhme të afërt, K2.0 shpalos shumë elemente nga kjo çështje, si erdhëm deri këtu dhe çfarë dimë e çfarë jo për krejt këtë problematikë.
Pse u bënë listat e veteranëve?
Të gjithë që kanë mundur të faktojnë se kanë marrë pjesë në luftë si pjesëtarë të UÇK-së gëzojnë përfitime materiale nga shteti, duke përfshirë pension, shërbime shëndetësore pa pagesë dhe përparësi në skema sociale të banimit, ndërkohë që kategori të tjera të veteranëve gëzojnë sipas ligjit edhe përfitime të tjera si përparësi punësimi në sektorin publik, udhëtim pa pagesë ose të mbështetur nga shteti dhe edukim universitar pa pagesë.
Personave që kanë kontribuar në luftë u garantohen këto përfitime nga shteti përmes dy ligjeve kryesore.
Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre ishte miratuar në dhjetor të vitit 2011 dhe rregullon kategori të ndryshme të qytetarëve të cilëve u garantohen përfitimet nga shteti, duke përfshirë pensionin nga shteti.
Ligji i dytë, Ligji për Veteranët luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, që kishte hyrë në fuqi në prill të vitit 2014, specifikon më tutje përfitimet e veteranëve të verifikuar. Ky ligj ndan veteranët në gjashtë nënkategori – Veteranë invalidë, veteranë luftëtarë, veteranë të dëbuar, veteranët ushtarë të zhdukur, veteranët pjesëtarë dhe veteranët pjesëmarrës të luftës së UÇK-së. Për secilën kategori parashihen përfitime të ndryshme për kategori të ndryshme por me dallime të vogla.
Në bazë të ligjit të vitit 2011, u formua një Komision Qeveritar që mandatohej të pranonte dhe të rishikonte të gjitha aplikacionet nga qytetarët që pretendonin të jenë veteranë të UÇK-së.
Komisioni, që përbëhej me anëtarë nga Zyra e Kryeministrit dhe disa ministri, si dhe me përfaqësues të organizatave të ndryshme të veteranëve, kishte për detyrë të përpilonte listën përfundimtare dhe të verifikuar të veteranëve të UÇK-së dhe t’i ndante nëpër kategori të ndryshme.
Gjithçka duket e qartë. Përse gjithë ky pështjellim?
UÇK-ja ishte forcë guerile dhe asnjëherë nuk kishte lista të qarta dhe të plota që tregonin se kush ishte e kush nuk ishte pjesë e saj.
Nëpër pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës vepronin shtatë zona të ndryshme operative. Ushtarët në përgjithësi merrnin pjesë në bazë vullnetare dhe numri i ushtarëve ndryshonte nëpër zona. Ideja ishte që këto zona të udhëhiqeshin nga Shtabi i Përgjithshëm, organi më i lartë ushtarak që ndahej në dy segmente të ndryshme – drejtoria politike e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe shtabi ushtarak i drejtuar së pari nga Azem Syla, më pas nga Sylejman Selimi dhe në fund nga Agim Çeku.
Në realitet, zinxhiri komandues nuk ishte i qartë ashtu siç ishte në teori dhe koordinimi në mes të zonave dhe Shtabit të Përgjithshëm nuk ishte i definuar qartë si nëpër ushtritë e rregullta.
Me intervenimin e NATO-s që solli përfundimin e luftës, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – që ishte nënshkruar më 10 qershor 1999 – parashikoi çarmatimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të UÇK-së, një proces që u rregullua edhe më detajisht përmes një marrëveshje të nënshkruar më vonë nga Thaçi, Çeku dhe Komandanti i NATO-s, Michael Jackson.
A kishte listë të ushtarëve të UÇK-së atë kohë?
Mund të ketë pasur, por është pothuajse e pamundur të verifikohet.
Paralelisht me marrëveshjen për çarmatim, UÇK iu nënshtrua edhe një procesi tjetër – transformimit në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e UÇK-së u anëtarësuan në TMK pasi që disa prej tyre u përfshinë në projekte të ndryshme me qëllim të trajnimit dhe të riintegrimit.
Detyrat e TMK-së përfshinin ndihmën në rast të katastrofave natyrore apo aksidenteve, dhënien e ndihmës në zona të rrezikuara dhe ndihma në operacionet e largimit të minave, si dhe ofrimi i ndihmës në projekte të rindërtimit. Forca drejtohej nga Gjenerali Agim Çeku, për të cilin shumë raportime të mediave thonë që ka pasur një listë të ushtarëve të UÇK-së nga të gjitha zonat operative.
Sipas këtyre raportimeve, në këto lista – që nuk u publikuan ndonjëherë – thuhej që Shtabi i Përgjithshëm kishte 39 anëtarë, Zona e Drenicës kishte 2,611 ushtarë, Zona e Pashtrikut 1,715, Zona e Dukagjinit 1,537, Zona e Shalës 1,253, Zona e Llapit 4,532, Zona e Nerodimes 1,253 dhe Zona e Karadakut 347 ushtarë.
Në total, lista e Çekut për të cilat është raportuar thuhet të kenë pasur rreth 13 mijë ushtarë të UÇK-së.
Vlerësimet origjinale të numrit të veteranëve të vërtetë të UÇK-së pas luftës u vendosën në rreth 13,000, por ky numër është rritur ndjeshëm gjatë viteve. Foto ilustrim.
Pra, mund të supozojmë që ky është numri i përafërt i veteranëve?
Këtu fillon të mjegullohet paksa çështja. Disa figura të larta të UÇK-së, duke përfshirë Hashim Thaçin dhe Sylejman Selimin, kanë thënë që kjo shifër është pak a shumë e saktë dhe paraqet numrin e përafërt të ushtarëve të armatosur që kanë luftuar për UÇK-në.
Por, lista e Çekut nuk konsiderohet si numërim zyrtar i veteranëve të UÇK-së, madje edhe ekzistenca e saj nuk është vërtetuar asnjëherë.
Për ta komplikuar edhe më shumë situatën, disa numërime të tjera të veteranëve që ishin bërë menjëherë pas luftës thonë që numri i ushtarëve të UÇK-së kishte qenë më i madh se kaq.
Në muajt pas luftës, Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), në bashkëpunim me liderët e UÇK-së, kishte regjistruar ushtarët që kishin dorëzuar armët dhe kishin shprehur gatishmërinë për t’u riintegruar në shoqëri përmes regjistrimit në TMK, në forcën policore apo në profesione të tjera pas përfundimit të trajnimeve relevante.
Në fund të procesit të regjistrimit, raportime nga mediat dhe punime universitare që citojnë një raport të papublikuar të IOM-it nga viti 2000, sugjerojnë që organizata kishte një listë me 24,577 ish-ushtarë të UÇK-së. K2.0 ka kontaktuar IOM-in në tentim për të verifikuar këtë shifër, por nuk janë përgjigjur.
Ndërkohë që numri i veteranëve është rritur përgjatë viteve, sidomos pas miratimit të ligjeve për veteranët më 2011 dhe 2014, shifra e IOM-it është marrë në shumë raste si numri i vërtetë i veteranëve të UÇK-së.
Megjithatë, të tjerë thonë që procesi i regjistrimit të luftëtarëve nga IOM ishte kryer në bazë vullnetare, duke bërë që lista e kësaj organizate të mos jetë përfundimtare.
Një Komision qeveritar u formua më vonë për të çuar deri në fund këtë çështje…
Po, me miratimin e ligjit në vitin 2011, një komision qeveritar u themelua me qëllimin për të vlerësuar të gjitha aplikacionet e njerëzve që pretentonin të kenë qenë pjesë e UÇK-së. Ky komision, që udhëhiqej nga Agim Çeku, përbëhej nga 14 anëtarë dhe ishte mandatuar të përdorte çdo informatë dhe dëshmi në dispozicion – nga shtabi i përgjithshëm, organizatat e veteranëve, ministritë dhe komunat e ndryshme – për të verifikuar të gjitha aplikacionet e personave që kishin aplikuar për të marrë statusin zyrtar të veteranit.
Komisioni e hapi procesin e aplikimit më 15 nëntor të vitit 2012 dhe e mbylli zyrtarisht më 28 shkurt të vitit pasues.
Formularët e aplikimit ishin shpërndarë nëpër zyrat e organizatave të dala nga lufta nëpër komuna të ndryshme, me qëllim të lehtësimit të qasjes nëpër gjithë Kosovën, ndërkohë që çdo qytetar i Kosovës kishte të drejtë të tërhiqte një formular dhe të aplikonte.
Pra, në çfarë përfundimi erdhi Komisioni qeveritar? Sa veteranë doli të ketë pasur UÇK-ja?
Në periudhën fillestare katër muajshe në të cilin procesi i aplikimit qëndroi i hapur, 47 mijë persona aplikuan për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së.
Kjo shifër është dyfish më e lartë se shifra e IOM-it që raportohet që ishte 24,577 ndërsa është gati katërfish më e lartë se shifra që figuronte në listën e Çekut, e cila përbëhej nga 13 mijë ushtarë. Numri prej 47 mijë ushtarësh ishte kontestuar menjëherë dhe ishte thënë që është shumë më i lartë se numri real i veteranëve, madje edhe nga njerëz që ishin vet pjesë e UÇK-së gjatë luftës.
Por, as ky nuk është numri përfundimtar. Pas kalimit të afatit fillestar për dorëzimin e aplikacioneve, Komisioni vazhdoi të pranonte aplikime për veteranë.
Në një mbledhje të qeverisë të mbajtur më 27 nëntor 2014, kryetari i Komisionit, Agim Çeku, njoftoi që deri në këtë datë Komisioni kishte shqyrtuar 66,339 aplikacione. Nga kjo shifër, 49,307 aplikime ishin pranuar kurse pjesa tjetër ishin hedhur poshtë.
Por, ky numër do të rritej sërish. Gazmend Syla, udhëheqës i Zyrës për Çështje të Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka thënë për K2.0 që në total Komisioni qeveritar gjatë tërë punës së tij kishte shqyrtuar rreth 100 mijë aplikacione të personave që kanë aplikuar për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së, një numër për të cilin Syla thotë që është tej mase i lartë.
Syla nuk e di me saktësi se sa nga aplikantët janë aprovuar, pasi që dokumentet e zyrës së tij ishin konfiskuar nga prokuroria si pjesë e hetimeve, por në vitin 2016, Qeveria e kaluar e kishte vënë këtë numër në rreth 53 mijë.
Diçka nuk është në rregull me numrat…
Nuk është sekret që listat e veteranëve janë të mbushura me veteranë të rremë. Për këtë pajtohen edhe zyrtarët më të lartë të shtetit.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë disa herë që UÇK-ja kishte më së shumti rreth 15 mijë ushtarë, ndërkohë që disa deputetë dhe anëtarë të partive të ndryshme politike kanë thënë publikisht që mijëra njerëz janë duke përfituar pa të drejtë nga skema e pensioneve për veteranët.
Në një intervistë në gusht të vitit 2012, Muharrem Xhemajli – që në atë kohë ishte kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – kishte thënë që komandantët e zonave të ndryshme operative të luftës janë përgjegjësit kryesorë për rritjen e jashtëzakonshme të numrit të ushtarëve. Sipas Xhemajlit, komandatët e zonave kishin përpiluar listat bashkë me ushtarët e tyre pas përfundimit të luftës.
“Ata janë përgjegjës. Menjëherë pas luftës ishte bërë një listë dhe më pas edhe dy të tjera dhe asnjë prej tyre nuk ishin të njëjta”, thoshte ai. “Dy listat e fundit ishin plot me veteranë të rrejshëm, invalidë e dëshmorë. Në këto tri kategori kishte njerëz që nuk kishin qenë kurrë në UÇK”.
Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së pajtohej më këtë konstatim.
“Fajtorë kryesorë për fryrjen e numrit të veteranëve janë komandantët e zonave dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm”, thoshte ai. “Kjo fryrje është bërë nga eprorët. Nuk ka mundur ta bëjë këtë gjithkush”, kishte thënë Qeriqi.
Nëse dihet që numri i veteranëve nuk është i saktë, atëherë çfarë po bëhet për ta rregulluar këtë çështje?
Në qershor të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Kosovës nisi hetimet në çështjen e veteranëve, e cila iu ngarkua Prokurorit Special, Elez Blakaj.
Blakaj përgatiti një aktakuzë me 900 faqe – disa pjesë u publikuan nga gazeta e përditshme Koha Ditore – në të cilën 12 anëtarë të Komisionit qeveritar akuzoheshin për keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare.
12 personat e akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Të gjithë ish-komandantë të UÇK-së, shumica prej të cilëve kanë mbajtur ose ende mbajnë pozita publike si ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, deputetë të Kuvendit apo udhëheqës të shoqatave të veteranëve.
Sipas raportimeve nga mediat, aktakuza e Prokurorit Blakaj përfshin elemente që implikojnë drejtëpërdrejtë Çekun në keqpërdorimet me lista. Madje, në aktakuzë pretendohet që Çeku kishte sajuar një arsyetim për numrin e madh të veteranëve në listën e Zonës së Dukagjinit.
“Nëse na bëhet pyetja se ku i ka pasur zona e Dukagjinit 15 mijë ushtarë, ne si komision u themi se UÇK-ja nuk i ka pasur të gjithë këta ushtarë të rreshtuar në një ditë, por 45 mijë ushtarë kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe se fluksi më i madh i hyrje-daljeve ka qenë në zonën e Dukagjinit dhe atë të Pashtrikut në kufi me Shqipërinë”, u kishte thënë Çeku anëtarëve të tjerë të Komisionit, sipas aktakuzës.
Aktakuza gjithashtu thotë që personat që kanë përpiluar listat e veteranëve kishin shpikur Brigadën Hasan Prishtina, një segment i UÇK-së që nuk kishte ekzistuar kurrë dhe për herë të parë ishte dëgjuar më 2016. Aty thuhet që dy prej të akuzuarve – deputeti i PDK-së Nuredin Lushtaku dhe ish- kryetari i Zyrës për Çështje të kategorive të dala nga UÇK, Faik Fazliu – e kishin pranuar që kjo brigadë nuk kishte ekzistuar kurrë.
Tash që këtë çështje e ka marrë në duar drejtësia, a mund të presim ndonjë përgjigje konkrete?
Mos pritni ndonjë përgjigje së shpejti.
Më 15 gusht, para se lënda të dërgohej në Gjykatë, u kuptua që Prokurori Blakaj kishte dhënë dorëheqje dhe kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë që ishte përballur me presion nga njerëz brenda sistemit prokurorial, si dhe kishte thënë që kishte pranuar shumë mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga njerëz që kërkonin nga ai të ndalte hetimet.
Pas një buje të madhe në media, më 20 gusht, Blakaj u përgjigj me një letër të hapur të publikuar në Facebook, ku shpjegoi më detajisht përse kishte dhënë dorëheqje dhe e akuzoi eprorin e tij, Aleksandër Lumezin, për presion gjatë procesit të hetimeve për veteranët e rremë.
Konkretisht, ai tha që Lumezi e kishte ftuar urgjentisht në zyrën e tij për ta pyetur për një intervistë që Blakaj e kishte zhvilluar me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si pjesë e hetimeve të tij.
“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksandër Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e veteranëve, duke u arsyetuar se “ata kanë imunitet, nuk ka nevojë m’i thirrë”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”, shkroi Blakaj.
Pas akuzave se ka ndërhyrë në hetimin e listave të veteranëve, ka pasur thirrje për dorëheqjen e prokurorit kryesor të Kosovës, Aleksandër Lumezi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Lumezi u përgjigj ndaj këtyre akuzave duke thënë që Prokurori Blakaj ishte joprofesional dhe qyqar. “Unë mendoj se nëse ai ka mendu që ka prova të forta dhe të kryejë punë profesionale ai është dashur që të rrijë në Kosovë”, tha Lumezi në një intervistë me Gazetën Express.
Kryeprokurori e pranoi që e kishte ftuar Blakajn në zyrë për të diskutuar për intervistën me Veselin, duke thënë që “është absurde të intervistohet një person që flet nga foltorja e Kuvendit”.
Shqetësimet për ndërhyrjen e nivelit më të lartë të politikës në drejtësi u shtuan kur u mësua që Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një letre, i kishte kërkuar Prokurorit Blakaj raport për hetimet dhe konstatimet e tij në rastin për veteranët.
Gjithashtu, Haradinaj ishte kritikuar shumë për një numër ofendimesh drejtuar Blakajt. Ndër të tjera, Haradinaj e kishte quajtur Blakajn qyqar për faktin që kishte qenë refugjat gjatë luftës. Ndërkohë, kolegu i kryeministrit në partinë AAK, deputeti Shkumbin Demaliaj, që është një ndër anëtarët e Komisionit qeveritar të përfshirë në aktakuzë, ishte arrestuar pasi kishte kërcënuar Blakajn në një intervistë televizive, ku iu referua atij si “tradhtar, hajn, idiot” dhe tha që do të “merrej privatisht me të”.
Gjithçka ka filluar të mjegullohet…
Gjatë kësaj kohe, lëvizja qytetare protestuese ‘Protestoj’ u riaktivizua, pasi që ishte formuar fillimisht më 2016 në përgjigje të skandalit ‘Pronto’ ku u zbulua një rrjet i madh i korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të lartë në qendër të një prej partive politike në pushtet, PDK-së.
Nën banerin #Protestoj, qindra qytetarë dolën në rrugë në disa protesta për të kërkuar dorëheqjen e Lumezit, pastrimin e listave të veteranëve dhe nisjen e procesit të verifikimit të pasurisë së zyrtarëve publikë. Lumezi hodhi poshtë mundësinë për të dhënë dorëheqje nga posti kurse protestat u shuan pas pak javësh kur u bë e qartë që partitë politike të opozitës nuk ishin të interesuara për të vazhduar protestat.
Ndërkohë, Greg Delawie, që atëkohë ishte Ambasador i SHBA-së në Kosovë, reagoi duke thënë që dorëheqja e Blakajt shënon një ditë të errët për sundimin e ligjit në Kosovë dhe shtoi që çështja e listave të veteranëve duhet të zgjidhet nga sistemi i drejtësisë pa kërcënime e intervenime politike.
Në një ligjëratë para një grupi të studentëve në Pallatin e Drejtësisë të mbajtur në muajin gusht, Delawie tha që Shtetet e Bashkuara kishin kryer hetime të veta për numrin e veteranëve të UÇK-së gjatë luftës dhe që numri i aplikacioneve të pranuara për veteranë është i fryrë tej mase.
“I kemi hulumtuar arkivat në Washington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15.000 luftëtarë të UÇK-së. Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria”, kishte thënë ai.
Para se të dorëhiqej, Prokurori Blakaj kishte përgatitur një aktakuzë…çfarë ndodhi me të?
Kur Prokurori Blakaj u largua në muajin gusht, la prapa aktakuzën duke thënë që kishte pasur presione për të mos e dorëzuar në gjykatë. Aktakuza pretendon që numri i njerëzve që jashtëligjshëm marrin pensionin e UÇK-së është më i lartë se 19,000.
Prokuroria tha që do të çonte përpara aktakuzën dhe e dërgoi atë në Gjykatën Themelore të Prishtinës në fillim të shtatorit. Presioni rreth aktakuzës u rrit edhe më tej kur një portal online publikoi lista për të cilat raportoi që janë listat e njerëzve të përfshirë në aktakuzë si veteranë të rremë.
Publikimi i listave shkaktoi reagime të mëdha pasi që në lista gjendeshin disa emra të personave për të cilët dihet që kanë qenë pjesë e UÇK-së, siç është rasti me deputeten e Kuvendit, Time Kadrijaj. Për ta faktuar këtë, ajo reagoi menjëherë duke publikuar disa fotografi nga zonat e luftës, ku ajo kishte kontribuar si mjeke.
Ish-Prokurori Special Elez Blakaj dha dorëheqje dhe u shpërngul në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar presion të lartë politik dhe ndërhyrje në hetimet e tij. Foto: Creative Commons License.
Disa analistë kanë thënë që në aktakuzë nuk janë të përfshirë vetëm personat që kanë marrë pa të drejtë statusin e veteranit, por edhe veteranët legjitimë të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pensionin e veteranit. Një dispozitë e tillë parashihet në ligj, ku thuhet që veteranët e verifikuar të cilët janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të marrin pensionin e veteranit, ashtu siç nuk kanë të drejtë as personat e përfshirë në ndonjë skemë tjetër pensionale të financuar nga shteti.
Ndërkohë, në listat e publikuara gjendeshin një numër i madh i njerëzve për të cilët pretendohet të jenë veteranë të rrejshëm të UÇK-së, më shumë se sa që kishin qenë në aktakuzën fillestare të Blakajt. Vërtetësia e listave të publikuara nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur dhe ka pasur zëra që kanë thënë që ky ka qenë një tentim për ta delegjitimuar tërë procesin nga njerëz të afërt me rastin.
Nga jashtë shtetit, Blakaj tha që ai nuk merr përgjegjësi për emrat që janë shtuar në aktakuzë pas dorëheqjes së tij. Për ta bërë krejt rastin edhe më intrigues, në ditët e para të nëntorit Gjykata e ktheu aktakuzën në Prokurori me arsyetimin që ka nevojë për plotësim duke shkaktuar kështu vonesë të fillimit të procedurës gjyqësore.
Duket që na pret një rrugë e gjatë përpara. Çka po ndodh në ndërkohë?
Prokuroria ka afat prej 30 ditësh që ta rishikojë aktakuzën para se ta dërgojë sërish në Gjykatë.
Ndërkohë, sapo të nisë procedura gjyqësore për këtë aktakuzë, Gjykata mund të vendosë të ndalë dhënien e pensioneve për emrat e përfshirë në aktakuzë si masë të përkohshme, edhe pse është e vështirë të përcaktohet se sa kohë do t’i duhej Gjykatës që të përmbyllte procedurën për një rast kaq voluminoz. Disa raste të tjera të korrupsionit të nivelit të lartë janë zvarritur me vite të tëra nëpër gjykata.
Tash për tash, veteranët që janë në lista vazhdojnë të marrin pensione nga shteti në vlerë prej 170 eurosh çdo muaj (përveç familjeve të dëshmorëve që marrin nga 119 euro në muaj).
Numri i njerëzve që marrin këto pensione, si dhe shuma e parave që shteti shpenzon për ta, po rritet çdo vit. Sipas të dhënave zyrtare që K2.0 mori nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, më 2016, viti i parë i plotë kur veteranët kishin marrë pensione, 47.9 milionë euro u ishin paguar 28 mijë veteranëve.
Gjatë vitit 2017, kjo shumë u ngrit në 65.9 milionë euro që u ndanë në formë pensionesh për më shumë se 36 mijë pjesëmarrës në këtë skemë pensionale.
Këtë vit, deri në muajin nëntor, numri i njerëzve që kanë marrë pensionet e veteranëve është ngritur për rreth 1,900 persona krahasuar me vitin 2017. Vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2018, shteti ka paguar 63.5 milionë euro në formë pensionesh, shumë që pritet të ngritet edhe për 13 milionë euro të tjera deri në fund të këtij viti.
Prokuroria kosovare thotë që shuma totale e pensioneve që marrin veteranët e rrejshëm të UÇK-së është 38 milionë euro për çdo vit.
Këto janë shumë para që po i paguan shteti…
Pensionet e veteranëve janë bërë barrë e madhe për buxhetin, pasi që numri i veteranëve e kishte kapur në befasi qeverinë e kaluar të udhëhequr nga Isa Mustafa nga LDK-ja, në koalicion me PDK-në.
Çështja nxiti edhe shqetësime dhe reagime nga partnerët ndërkombëtarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur kundërshtimet e tyre për implikimet buxhetore që shkaktojnë pensionet e veteranëve.
Në nëntor të vitit 2016, gjatë një takimi me Mustafën, përfaqësuesi i FMN-së, Jacques Miniane, kishte kërkuar nga qeveria që të mos tejkalohet masa e mjeteve për veteranët e luftës në buxhetin për vitin 2017. Madje, Kosova ishte afër që të dilte jashtë kornizave të marrëveshjeve me FMN-në, duke rrezikuar që të humbë rreth 100 milionë euro nga investimet përmes këtij institucioni. Problemet financiare që kanë shkaktuar listat joreale të veteranëve ishin reflektuar edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën për vitin 2016.
FMN dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar bënë presion të suksesshëm mbi qeverinë e Mustafës duke shtyrë qeverinë që t’i kufizojë ligjërisht pensionet e veteranëve të luftës përmes amandamenteve në ligjin e vitit 2014 për Veteranët e UÇK-së, që u miratua nga Kuvendi në dhjetor të vitit 2016.
Amendamentet i rikategorizuan edhe më tej veteranët e luftës së UÇK-së, duke vënë edhe shuma fikse të kompensimit bazuar në nivelin e pjesëmarrjes në luftë, gjë që me ligjin paraprak bazik ishte paraparë të caktohej për çdo vit nga qeveria. Gjithashtu u përcaktua që shuma e buxhetit që shpenzohet për veteranët të mos e kalojë vlerën 0.7 përqind të Bruto Produktit të Brendshëm (GDP).
Megjithatë, ky kategorizim ende nuk është zbatuar në praktikë.
Ndërkohë, shefi aktual i FMN-së, Ruud Vermeulen, e vizitoi Kosovën në muajin tetor dhe shprehu hapur shqetësimet për skemat e ndryshme pensionale të qeverisë, duke përfshirë skemën e veteranëve.
Në një intervistë, Vermeulen tha që Kosova rrezikohet nga një krizë fiskale nëse vazhdon të zbatojë “skema të pakuptimta sociale”, ku përmendi pensionet e mësimdhënësve, policëve e minatorëve të Trepçës. Ai shtoi që FMN-ja kishte parashikuar që Kosova të përkrahte rreth 12 deri në 13 mijë veteranë me mbi 25 milionë euro në formë pensionesh, para këto që tani nuk mjaftojnë për shkak të rritjes së paparashikuar të numrit të veteranëve.
“Ne kemi përcaktuar edhe nivelin maksimal të fondit për pensione dhe kemi kërkuar që veteranët të riklasifikohen, por fatkeqësisht një proces i tillë nuk ka filluar ende”, tha Vermeulen.
Çfarë do të ndodhë më pas?
Hapi tjetër ka gjasa që të jetë dorëzimi i aktakuzës në Gjykatë nga Prokuroria, diku në fillim të dhjetorit.
Megjithatë asgjë në këtë çështje nuk ka qenë e qartë sa duhet deri më tash, kështu që priten edhe shumë kthesa të tjera para se çështja të zgjidhet përfundimisht.K
Edituar nga: Jack Butcher
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Shënim i redaksisë: Aktakuza e cila përmendet në artikull, është dorëzuar e plotësuar nga prokuroria sipas kërkesës së gjykatës, të premten më 7 dhjetor.