Javët e fundit në Kosovë janë shënuar me një rritje alarmuese të raporteve mediale për vdekjet e grave në Kosovë. Ndonëse fokusi kryesor gjatë këtyre javëve ka qenë tek ajo, se si autoritetet shtetërore janë marrë me këto vdekje dhe kanë reaguar ndaj tyre, ndoshta është koha ta kthejmë fokusin tek ajo se si shoqëria në përgjithësi reagon kur ndodhin vdekje të tilla – jo vetëm nga kurioziteti sociologjik apo antropologjik, por mund të na mësojë më shumë se pse ndodhin këto vdekje.
Si grua, feministe e vetëshpallur, aktiviste, ajo vajza që s’ndalet së foluri për të drejtat e grave, reagime të caktuara priteshin prej meje. Duhet të jem në dispozicion gjatë gjithë kohës për të dhënë deklarata për fuqizimin e grave, për pjesëmarrjen politike të tyre, për pozitën e tyre në shoqëri si akterë ekonomikë, për atë se si sistemet e vlerave ndikojnë tek marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet burrave dhe grave dhe për gjithfarëlloj politika shtetërore dhe efektet e tyre në jetët e grave dhe vajzave në Kosovë (oh ndonjëherë edhe në Ballkanin Perëndimor, pra ajo pjesa homogjene e botës ku gratë dhe vajzat i kanë të njejtat nevoja).
Pritet prej meje të kem opinion të informuar që nuk është tepër ekstrem apo tepër i butë dhe është politikisht korrekt. Kjo ka krijuar një barrë që më rri në krahë kurdo që e shprehi një mendim mbi një temë, për të cilën të gjithë e shprehin mendimin aq lirshëm.
Dua të tregoj se jam person me histori, me një qëllim, e ndikuar nga përvojat e së kaluarës dhe pritjet për të ardhmen. Në një botë ku disa pseudo analistë dhe ekspertë po rriten si këpurdha në një dhomë me lagështi, është e rëndësishme ta kuptojmë këtë tani më shumë se kurrë më parë. Për më tepër, dua t’i personalizoj tregimet që gjatë historisë janë depersonalizuar dhe harruar aq shumë. Kështu që, më duroni.
Ka shumë çështje këtu: A kanë të gjitha jetët rëndësi të njëjtë? Sa thirrje duhen bërë për tu marrë seriozisht disa njerëz të caktuar? Dhe a është ky numër i njëjtë për të gjithë? Çfarë rrethana duhet të jenë që shoqëria të shokohet, zemërohet dhe të mërzitet për vdekjen e një personi, e shkaktuar nga një person tjetër? Si merren institucionet shtetërore me këto lloj fenomene dhe a mund t’i ndajmë këto institucione nga shoqëria në përgjithësi, sa i përket kësaj çështjeje?
Ta ilustrojmë me një shembull:
“Prej nga jeni?”
“Jemi nga Prishtina. Kemi ardhur në Gjakovë sot për ta protestuar vrasjen e Valbonës dhe të bijës së saj.”
“Ah po, shumë pikëlluese çfarë i ka ndodhur fëmiut të saj të vogël. Por ajo vet ka qenë pak e përdalë…”
Kjo ishte një bisedë ndërmjet një protestuese dhe një gruas që punon në një furrë në Gjakovë, ku u ndalëm për të ngrënë pak para se të ktheheshim në Prishtinë, pasi protestuam pas vrasjes së Valbona Nrecaj dhe të bijës së saj nëntë vjeçare – bashkëshorti i saj dhe babai i vajzës, Pjetër Nrecaj, është i mbajtur nën arrest si i dyshuar për vrasjet.
Më 10 gusht, organizatat për të drejtat e grave në Gjakovë dhe aktivistë individual, me mbështetje të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), organizuan një protestë kundër vrasjeve, por edhe kundër paaftësisë së policisë, që nuk e mbrojti Valbonën dhe të bijën e saj.
Më 7 gusht, disa orë para se bashkëshorti i saj ta merrte pushkën për t’i dhënë fund jetës së saj dhe të bijës, Valbona kishte marrë një mesazh kërcënues nga ai.
Valbona, për të cilën sjelljet e dhunshme të bashkëshortit të saj nuk ishin diçka e re, e raportoi këtë çështje në polici, të cilët dështuan të marrin masat e duhura për t’i mbrojtur jetët e tyre. Policisë së Gjakovës iu deshën tri orë përpjekje që ta gjejnë dhe kontaktojnë autorin e krimit, të shkojnë në shtëpinë e tij, ta thërrasin në telefon dhe ta kërkojnë në lokacione të tjera. Pikëpyetje mbetet, se pse lokacioni i Valbonës dhe të bijës së saj në kohën e krimit nuk ishte subjekt i mbikëqyrjes policore.
Kjo nuk ishte hera e parë që autoritetet shtetërore ishin në kontakt me autorin e krimit. Prokuroria Shtetërore deklaroi se një procedurë penale veçse ishte duke u zhvilluar kundër tij. Për më tepër, ai u mbajt në arrest më herët gjatë këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje.
Mediat më vonë raportuan se autoritetet gjithashtu posedonin raporte të abuzimit seksual që akuzohet ta ketë kryer ai kundër Valbonës. Megjithatë, kjo pjesë e deklaratës që e dha ajo gjatë seancës gjyqësore në të cilën u gjykua bashkëshorti i saj për akuza të dhunës në familje nuk u përfshi në padinë e Prokurorisë në Gjakovë. Në deklaratën e saj, Valbona i kishte thënë Prokurores Monë Syla se “ai gjithmonë ka kërkuar të ketë marrëdhënie seksuale pavarësisht prej meje se a jam e sëmure, a jam me vullnet, dua apo nuk dua, kam qenë e detyruar që t’i nënshtrohem kërkesës së tij për marrëdhënie edhe atëherë kur unë e kam kundërshtuar, ai këtë proces e ka kryer ndaj meje dhunshëm”.
Për shkak të çështjeve të ngritura dhe presionit të bërë nga platforma mediale KALLXO, Zyra e Kryeprokurorit Shtetëror do ta njoftojë Njësitin për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve për këtë rast dhe ka kërkuar që Prokurorja Monë Syla ta hetojë mundësinë e përmirësimit të padisë kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj.
Pra pas gjithë kësaj, a kam nevojë të vazhdoj më tej? Me sa duket për policinë e Kosovës dhe për gruan në furrë, po. Fatmirësisht, për organizatorët dhe numrin e madh të njerëzve që morrën pjesë në protestën në Gjakovë dhe atë në Prishtinë që u mbajt të nesërmën, nuk ka nevojë. As për aktivistët që e organizuan një protestë tjetër në Ferizaj më 17 gusht.
As për mediat s’kam nevojë; prej kur ndodhi vrasja, media të ndryshme kombëtare e kanë mbuluar rastin, apo siç përmendëm më lartë, kanë qenë akterë aktiv që kanë punuar për t’u siguruar që rasti trajtohet në mënyrë të duhur.
Fatkeqësisht, Valbona Nrecaj nuk ishte rasti i parë i këtij lloji në Kosovë, e as në vitet e fundit. Shumë para saj kanë pësuar njëjtë, ndonjëherë në heshtje, e ndonjëherë të shoqëruara nga kritikat publike. Por asnjëherë me zemërim publik. Dhe pikërisht kjo mungesë e reagimit të zemëruar publik është e çuditshme.
Shtatë vite më vonë, nuk ka drejtësi
Jo shumë kohë më parë, u zbuluan informata të reja për një rast që ka ndodhur para shtatë vitesh. Në vitin 2011, Antigona Morina nga Rahoveci vdiq nga gjakderdhja e rëndë tre ditë pasi u martua me Hilmi Zenën. Sipas raporteve të ndryshme, përfshirë këtu deklaratat e tij, ai vazhdoi të kryente marrëdhënie seksuale me Antigonën, përkundër faktit se ajo kishte gjakderdhje të rëndë në pjesën e organeve gjenitale dhe nuk e dërgoi tek doktori pavarësisht gjendjes së saj. Në vend të kësaj, ai dhe familja e tij e dërguan atë te një Sheh, për t’i performuar rituale islamike, duke supozuar se kjo do ta shëronte.
Prokuroria akuzoi Zenën për “shkelje të detyrimeve familjare” (Neni 251 i Kodit Penal të Kosovës). Disa ditë pasi u shpall i pafajshëm nga dega në Rahovec e Gjykatës Themelore të Gjakovës, Prokuroria Themelore e Gjakovës e dorëzoi një apel që në mënyrë të mistershme humbi për më shumë se një vit dhe nuk arriti kurrë deri te Gjykata e Apelit. Sipas deklaratave të degës në Rahovec të Gjykatës Themelore të Gjakovës, personi në krye të administrimit të apelit thjeshtë e bëri një gabim të paqëllimshëm. Por më pas, mediat zbuluan se kjo Gjykatë Themelore kishte hetuar mbi atë se çfarë ndodhi me këtë apel dhe mësoi se në sistemin elektronik, apeli doli si i procesuar, ndërsa dosja fizike nuk gjindej askund.
Në fillim të vitit 2018, Prokuroria e dërgoi përsëri apelin tek Gjykata Themelore, e cila më pas e dërgoi tek Gjykata e Apelit në vitin 2018, shtatë vjet pas vdekjes së Antigonës dhe shtatë vjet pasi Prokuroria kishte dorëzuar apel kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila e shpalli bashkëshortin si të pafajshëm edhe pse nuk e dërgoi gruan e tij te mjeku, gjë që shkaktoi vdekjen e saj.
Gjatë kësaj kohe, mediat kryesisht folën për atë sesa skandaloz u tregua sistemi i drejtësisë, i pakujdesshëm me veprimet administrative. Përsëri nuk kishte reagim publik në lidhje me rrethanat që shkaktuan vdekjen e kësaj gruaje. Reagim kishte vetëm nga familja e Antigonës, e cila besonte dhe ende beson, se për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të tij, bashkëshorti i saj ishte shkaktar i vdekjes të bijës së tyre.
Reagim pritet nga RrGK. Pritet që të jep deklarata për raste të tilla dhe të organizojë protesta kur një grua përsëri rrahet rëndë nga bashkëshorti i saj, apo si në rastet e përmendura më lartë, përfundon e vdekur. Dhe këtë e bëri.
RrGK organizoi një protestë para Gjykatës Themelore të Gjakovës në Rahovec në ditën kur rasti u kthye në gjykatë pas shtatë vitesh. Megjithatë, shumë pak njerëz morrën pjesë. As mediat nuk u dukën shumë të interesuara këtë herë. Sidoqoftë, RrGK vazhdoi betejën e kërkimit të drejtësisë për Antigonën dhe e angazhoi një avokate, Fehmije Gashi Bytyqin, për ta përfaqësuar familjen e Antigonës në gjykatë; më 4 shtator, kur të kthehet rasti në gjykatë.
Duhet t’i kthehem një prej pyetjeve të para që shtrova në këtë artikull. A kanë të gjitha jetët rëndësi të njëjtë? Nëse e krahasojmë reagimin publik dhe mënyrën se si është performuar në të dy rastet, si do të përgjigjeshit? Çfarë e shtyu publikun të reagojë ndryshe në rastin e Valbonës, në krahasim me atë të Antigonës?
A ishte arma e zjarrit, e cila shoqërisht dhe ligjërisht pranohet shumë më shumë si armë e dhunshme, në krahasim me dhunën seksuale që u detyrua ta përjetonte Antigona? Apo ndoshta është fakti se në rastin e Valbonës u morr edhe jeta e një fëmiut, ndërsa në atë të Antigonës ishte vetëm jeta e saj?
Ndoshta reagimi publik i shprehur në rastin e vdekjes së Valbonës lidhet më shumë me faktin se dështimi i shtetit për të reaguar në mënyrë të duhur ishte më i dukshëm dhe mungesa e reagimit për vdekjen e Antigonës vjen si rrjedhojë e faktit se nuk ka lidhje që gjykata e shpalli të pafajshëm bashkëshortin e Antigonës dhe më pas i humbi dokumentet që mund ta kundërshtojnë atë vendim.
Sa i përket këtij shpjegimit të fundit, që përfshinë vlerësimin e performancës së autoriteteve shtetërore që janë ligjërisht përgjegjës për t’u marrë me këto lloj raste, nuk duhet të harrojmë se këto autoritete janë pjesë e publikut që nuk shprehë reagim publik. Janë pjesë e një mendësie të caktuar, një mendësi që, nëpërmjet veprimeve indirekte dhe ndonjëherë të drejtpërdrejta, i ka shndërruar gratë në qytetarë të klasës së dytë në shoqërinë tonë.
Kjo mendësi e ka shtyer gruan e furrës në Gjakovë të mendojë se është në rregull ta etiketojë Valbonën si “pak e përdalë” dhe se ndoshta për këtë arsye nuk është aq pikëlluese që e ka humbur ajo jetën, sa është fakti që e ka humbur e bija e saj. Kjo mendësi e ka bërë atë nëpunësin të papërgjegjshëm kur e humbi apelin e Prokurorisë në rastin e Antigonës. Është kjo mendësi që ka shkaktuar një mungesë të reagimit publik për faktin se integriteti seksual dhe trupor i Antigonës u shkel aq rëndë nga bashkëshorti i saj.
Ashtu siç nuk është feminizmi një bashkësi e besimeve apo ideologji, e rezervuar të ndiqet dhe predikohet vetëm prej grave, as vrasja e grave nuk është çështje që i prekë vetëm gratë dhe që duhet të trajtohet vetëm prej grave apo organizatave që punojnë për të drejtat e grave. Ka ardhur koha që shoqëria, pjesë e së cilës janë institucionet shtetërore, të reagojë në mënyrë të duhur. Duhet të kemi reagim publik për dëmtimin strukturor që po i bëhet gjysmës së popullsisë tonë.
Unë nuk kam përvojë ligjore, e as nuk kam studiuar dhunën në familje dhe vrasjen e grave në një mënyrë që më lejon ta quaj veten – apo të më quajnë të tjerët – eksperte e kësaj fushe. Megjithatë, kam folur me plot gra që më kanë treguar me mirëbesim për marrëdhëniet e dëmshme që i kanë ose i kishin me bashkëshortët apo të dashurit e tyre. Kam folur me gra që kanë ardhur në zyre për të kërkuar këshilla për situatat e dhunshme në të cilat e gjenin veten. Kam kaluar kohë me gra të qyteteve dhe fshatrave të ndryshme nga Kosova, i kam parë fytyrat e tyre dhe i kam dëgjuar zërat e tyre kur janë shprehur, në mënyrën e tyre, për atë se si mosbalancimi i pushtetit brenda familjes ndikon tek jetët e tyre çdo ditë.
Pra përderisa nuk jam eksperte, e kuptoj në bazë të intuitës. Dhe në bazë të saj e kuptoj se përderisa e shohim vrasjen e grave pas viteve të abuzimit psikologjik dhe fizik thjeshtë si çështje të grave dhe jo si problem shoqëror dhe shkelje të rëndë të një të drejte themelore njerëzore, ne si shoqëri nuk do të zhvillohemi kurrë në mënyrë të shëndoshë. Shtresa e trashë e të këqijave do të vazhdojë të trashet dhe kohezioni shoqëror do të shkatërrohet.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.