Dëshironi të dini se sa të komplikuara janë femrat ballkanase? Le të supozojmë se Mourinho merr frerët e Barcelonës, ndërsa Guardiola të Real Madridit. Messi bëhet sulmues i Realit, ndërsa Cristiano Ronaldo zë vendin e tij te Barcelona. Më pas, vjen Roman Abramovich dhe i blen që të dyja klubet. Kaq të komplikuara jemi ne.
Në përgjithësi, janë katër lloje femrash që mund t’i gjeni në Ballkan:
Femra e dhënë pas lidhjes
Tradicionale, apo të paktën në kërkim të një marrëdhënieje tradicionale, ajo ndien një lidhje speciale me ju që nga momenti që jua ngul sytë. Për të, kjo është një lidhje e vërtetë, dhe, përderisa ju ende jeni duke menduar a të dilni në një takim të dytë me të, ajo tashmë është duke planifikuar martesën me ju dhe emrat për fëmijët tuaj. Ajo dëshiron të takojë familjen tuaj herët. Ajo është mjaft e sjellshme dhe di si të sillet me prindërit. As mos keni gajle që ta sillni në shtëpi; ajo do t’i bëjë ata për vete sa hap e mbyll sytë. Ajo ju llaston ju deri në atë pikë ku e tërë ajo vëmendje do ta irritonte një mashkull të rëndomtë ballkanas. Ajo mund të jetë shumë kërkuese, por me qëllime të mira.
Femra që e ka fobi lidhjen
Jotradicionale dhe në njëfarë mënyre feministe, ajo i mëshon vijë martesës prej kohës së çerdhes. Ajo çartet kur ju përpiqeni ta paguani llogarinë. Nganjëherë, në momente të rralla të çmendurisë, ajo do të përpiqet të imagjinojë veten para altarit me ju. Ky përfytyrim, i ndjekur pas menjëherë nga përfytyrimi i të qenit e ngujuar në kuzhinë, duke punuar fort për të ushqyer disa gojë të uritura dhe të padurueshme, mund t’i sjellë asaj një sulm në zemër. Atëherë ajo do të ndëshkojë veten me shkuarje në diskoteka dhe flirtime të shfrenuara me meshkuj të tjerë për të hequr shijen e hidhur të një lidhjeje të mundshme.
Femra me qasje racionale ndaj lidhjes
Ajo është, pra, racionale dhe neutrale. Ajo nuk e bën listën e mysafirëve të dasmës një minutë pasi të takohet me ju, e as nuk e shpërfill dëshirën tuaj për një lidhje serioze me të. Asaj nuk i bie të fikët nga gëzimi kur ju i thoni se e doni atë, dhe as nuk angazhon vrasës me pagesë për t’ju eliminuar nëse ju i thoni se nuk e doni. Ajo me racionalizëm do ta shqyrtojë idenë e martesës, pasi të kalojë një kohë të konsiderueshme në bashkëjetesë me ju. Nuk arrini asgjë nëse i flisni ëmbël, prandaj gjithmonë jini të sinqertë me të.
Femra imagjinare
Ajo është femra që të gjithë ju e dëshironi dhe ajo që asnjëri nga ju s’mund ta keni – sepse ajo nuk ekziston. E përkryer, fizikisht dhe mendërisht, dhe e kalitur sipas standardeve tuaja të pazakonta. Ajo është ekuivalentja femërore e mashkullit perfekt. Praktikisht, ajo është po aq e vërtetë sa Narnia. Në fakt, keni më shumë gjasa të hyni në një dollap për të mbërritur në një vend hyjnish dhe nimfash, sesa ta takoni femrën imagjinare.
Jini të kujdesshëm, sepse ekzistojnë dy nënlloje të femrave të dhëna pas lidhjes: ato që i shprehin haptas qëllimet e tyre dhe ato që i mbajnë gjërat për vete.
Femra që s’dihet se është e dhënë pas lidhjes
E marrshme për ta pranuar atë që ndien, ajo me gjasë prezantohet si version i moderuar i femrës që e ka fobi lidhjen. Kjo mund t’ju hutojë, sepse ju keni menduar se e keni ftuar në takim dikë që është për një lidhje të lirshme, por e kuptoni se jeni ngatërruar me dikë që është krejtësisht e kundërta kur të pranoni mesazhin e dhjetë “Hej, çka po bën?”, pas takimit tuaj të parë.
Femra me qasje racionale e përzier me femrën e dhënë pas lidhjes
Në raste të rralla, femra me qasje racionale mund shndërrohet përkohësisht në femrën e dhënë pas lidhjes. Kjo zakonisht ndodh kur asaj i kërkohet të bëhet shoqëruese e nuses, dhe veçanërisht nëse ajo kap një buqetë që të sapomartuarit e hedhin në dasmë. Mos u shastisni apo mos u ndani nga ajo për shkak të kësaj; ajo në thelb ende është femër me qasje racionale, dhe do të kthehet në gjendjen paraprake sapo të kthehet në shtëpi dhe t’i gjejë çorapet tuaja të ndyra mbi laptopin e saj (më poshtë do të lexoni më shumë për rrobat e palara).
Meshkujt vazhdimisht e bëjnë gabimin e njëjtë. Ju takoheni me një femër të dhënë pas lidhjes, me një femër që e ka fobi lidhjen apo me një femër me qasje racionale ndaj lidhjes dhe e mashtroni veten se ajo është femra imagjinare. Kur ajo nuk i përmbush parashikimet e juaja, juve ju thyhet zemra dhe atë e cilësoni si zemërlig që ju ka çrregulluar krejt. Prej atij momenti, ju e fajësoni atë për dështimin e çdo lidhjeje të ardhshme (“Ti je krejt si filania; ia kam parë sherrin asaj. Ju femrat krejt jeni njësoj!”). Jo, nuk jemi. Dhe, ish-e dashura juaj e përkryer nuk ka qenë e përkryer, dhe sigurisht se ajo nuk është arsyeja pse ju nganjëherë silleni aq keq me femrat e tjera. Prandaj, më lini t’jua them këtë edhe një herë: femra imagjinare nuk ekziston. Femra e përkryer është mit, sikurse mashkulli i përkryer.
* * *
Kemi parë se shumë probleme këtu kanë të bëjnë me fjalën që nis me shkronjën “m”. Me martesën, pra. Prandaj, të mos shtiremi se ajo nuk përbën problem, sepse të gjithë e dimë se ajo përbën të vetmin problem në Ballkan.
Do t’jua them një sekret të vogël: Martesa ua mundon trurin edhe femrave. I vetmi dallim është se ne e analizojmë idenë dhe kuptimin e martesës në detaje, ndërsa shumica prej jush mundoheni të mos mendoni për të fare. Kjo bën që ne të dukemi gabimisht sikur jemi vazhdimisht në kërkim të burrit.
Natyra na ka dhënë neve një mitër, ndërsa shoqëria na ka dhënë role të frikshme për të luajtur. Të qenët bashkëshorte dhe të qenët nënë përbëjnë sfida të mëdha, dhe ne mendojmë shumë në lidhje me to sepse duam të jemi të përgatitura nëse përballemi me ndonjërën prej tyre. Ne duam të ecim me hapa të sigurt, prandaj kur e përmendim çështjen e martesës, ne nuk ju kërkojmë juve që menjëherë të na fusni spermën në mitër, por vetëm duam të dimë nëse ju jeni po aq të merakosur sa ne për mundësinë e martesës.
Ja një listë e gjërave që s’duhet t’i bëni:
Kurrë mos na krahasoni me nënën tuaj
Djem, ju lutem, ju lutem shumë, mos e bëni këtë kurrë. Neve na ther fjalia “Kështu e bën nëna ime”. Ne e dimë se ajo është e mrekullueshme dhe se në mendjen tuaj ajo bën çdo gjë më mirë se ne. E vërteta është se ajo me gjasë vetëm e bën atë më ndryshe, dhe ju jeni mësuar me metodën e saj. Të shpjegoni se si bën nëna juaj diçka është e pranueshme vetëm nëse ju keni një femër që nuk di si ta pjekë një vezë apo si ta lëshojë makinën e larjes.
Kurrë mos i lini rrobat e palara jashtë shportës
Edhe femra e dhënë pas lidhjes do të tmerrohet nga rrobat e palara jashtë shportës, dhe do të pyesë veten se çfarë ka bërë që ta meritojë një ndëshkim të tillë. Femra që e ka fobi lidhjen do t’ju fluturojë jashtë, apo do t’ju njoftojë me grushtin e saj. Femra me qasje racionale ndaj lidhjes do t’i marrë rrobat e palara, do t’i vërë ato në një pjatë dhe do t’jua shërbejë ato për drekë.
Kurrë mos i shikoni femrat e tjera kur ne jemi aty
Ne e dimë se juve ju pëlqen t’i shikoni femrat e tjera edhe kur jeni të përkushtuar ndaj femrave tuaja. Ne e kuptojmë se këqyrja e femrave është punë meshkujsh. Këqyrni lirshëm kur ne nuk jemi me ju. Por, minimumi i sjelljes respektuese që ne e kërkojmë është të mos i shikoni ato përderisa jeni me ne. Nëse jeni të guximshëm dhe mendoni se mundeni, sugjeroni që bashkërisht të komentoni për femrat dhe meshkujt e tjerë. Vështirë se mund ta bëni këtë pa u ndier të pasigurt. Megjithatë, ju uroj fat.
Në listën e atyre që nuk duhet assesi t’i vini në dyshim janë:
Ekzistenca e sindromës pasmenstruale
Ajo është reale, shumë reale, dhe vjen në shumë lloje. Mos luani me të. Mos na thoni se jemi duke e përdorur atë si arsye për t’u sjellë keq. Mos mendoni se mund ta kuptoni atë. A keni shurruar gjak pesë ditë me radhë përderisa testikujt ju kanë shkaktuar dhimbje sa herë që keni bërë ndonjë lëvizje? Natyrisht që jo.
Natyra jonë hormonale
Neve nuk na pëlqen ta pranojmë, por ne jemi qenie hormonale. Neve na lëndohet egoja të pranojmë se ndryshimi hormonal, një gjë aq e parëndësishme, mund të shkaktojë një mungesë momentale të arsyes dhe të marrë veprimet tona nën kontroll. Kështu funksionojnë trupat tanë dhe kështu shpesh na trazohen mendjet. Ne shpesh nuk jemi të vetëdijshme për momentet tona joracionale, prandaj na duroni – qetësisht.
Shenjtëria e çokollatës
Çokollata është ajo tek e cila ne mbështetemi kur as miqtë tanë të ngushtë nuk mund të na kuptojnë. Kjo paaftësi për të na kuptuar shfaqet rrallë, por kjo është arsyeja pse çokollata shpesh renditet më lart se ju në listën tonë të gjërave të preferuara.
Miqtë tanë të ngushtë
As mos gaboni. Ne gjithmonë do t’i kemi miqtë tanë të ngushtë, ndaj as nuk vihet në dyshim se a keni ju përparësi apo kanë ata.