Hub 2.0
HUB 2.0
Me siguri ju e njihni Kosovo 2.0 si një revistë online. Por jo gjithçka që bëjmë në Kosovo 2.0 është thjesht përmbajtje gazetareske në kuptimin e ngushtë të fjalës. Teksa gazetaria jonë shpesh merr formën e një tregimi apo bisede në tekst, videos, fotografisë apo zërit, po ashtu mund të marrë formën e një ligjërate, bashkëbisedimi, mbledhjeje apo diskutimi publik; punëtorie, masterklase apo programi për të rinjtë; shfaqje e një filmi ose ekspozite arti; fushate; apo që të gjitha.
Këtë gamë të larmishme të ngjarjeve publike, nismave avokuese dhe ato të edukimit joformal i shohim si pjesë përbërëse të misionit tonë më të gjerë gazetaresk. Së pari, është thelbësore që të takohemi dhe të bisedojmë me lexuesit tanë. Duam të besojmë se gazetaria jonë është për njerëzit, për ne dhe për ty.
Së dyti, duam të tregojmë në praktikë se gazetaria e pavarur nuk i takon pak njerëzve, por shumë prej tyre! Duam të marrim kohën dhe hapësirën e mjaftueshme për t’i ndërtuar aftësitë e të tjerëve (përfshirë gazetarëve) që ta shohim politikën, demokracinë dhe gazetarinë me ndjenjën e agjencisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Gjithçka që organizojmë në K2.0 dhe që nuk përbën përmbajtje gazetareske në kuptimin e ngushtë të fjalës, është pjesë e HUB 2.0, platformës sonë për angazhim qytetar dhe zhvillim të aftësive.
Përtej të qenit një platformë, HUB 2.0 është po ashtu edhe hapësirë fizike. Viteve të fundit kemi investuar shumë që veten dhe ata që bëjnë punë të ngjashme si kjo e jona, t’i pajisim me hapësirën dhe mjetet e nevojshme për organizimin e ngjarjeve, mbledhjeve, apo prodhimin e përmbajtjeve multimediale.
ÇKA ËSHTË HUB 2.0?
DISKUTIMET PUBLIKE
Hajde folim
Është shumë mirë kur lexon rreth çështjeve të ndryshme. Por, për disa gjëra thjesht nevojitet diskutim! Përmes programit tonë Hajde folim, i ftojmë aktivistët dhe aktivistet, artistët dhe artistet, ekspertët dhe ekspertet, inovatorët dhe inovatoret, gazetarët dhe gazetaret, si dhe përfaqësuesit e përfaqësueset institucionalë/e që të bashkëbisedojnë me ne dhe publikun. Kjo bëhet për të gjurmuar më thellë dhe personalisht në çështjet që na prekin. Po ashtu ta ofron mundësinë që t’i bësh pyetjet e tua dhe t’i marrësh përgjigjet.
S’mund ta numërojmë sa e sa herë kemi zhvilluar biseda gjatë gjithë këtyre viteve. Nga çështjet mjedisore deri te politika, nga rinia te kultura, tema nga patriarkati deri te trafikimi me qenie njerëzore apo edhe temat e diasporës, bisedat tona trajtojnë çështjet që kanë rëndësi dhe që kanë nevojë të rimendohen dhe riimagjinohen kolektivisht.
Për më tepër, disa nga artikujt tonë janë tepër të rëndësishme dhe kërkojnë diskutim ballë për ballë. Për prodhimet tona më të mëdha, të tilla si artikujt multimedial, shpesh organizojmë diskutime multimediale, duke e shpalosur punën në prapaskenë dhe duke zgjeruar bisedën rreth çështjeve që trajtohen në artikull. Prej sfidave të privatizimit deri te moshizmi gjatë pandemisë, nga përpjekja për t’i mbrojtur lumenjtë e deri te segregimi në baza etnike i nxënësve të pakicave, diskutimet tona multimediale shndërrohen nga një artikull që duhet lexuar në një diskutim që duhet mbajtur.
Ngjashëm, organizojmë gjithashtu diskutime përmbajtësore për monografitë tona dhe revistat e shtypura. Këtë e bëjmë për t’ju shpjeguar se çfarë kemi botuar dhe pse.
Volume Up
“Volume Up” është program origjinal i K2.0 që gjurmon mënyrat përmes të cilave format inovative të prodhimit të medias mund të përdoren për ta ngritur vetëdijësimin e njerëzve, për të nxitur debate publike dhe përfundimisht për të kërkuar më shumë prej institucioneve qeveritare. Programi, i përbërënga një bisedë publike dhe një master-klasë të mbyllur, sjell profesionistët e profesionistet e jashtëzakonshëm/me më afër publikut kosovar, si dhe atyre që punojnë në sektorin e mediave. Qëllimi është që lexuesit dhe kolegët tanë të pasurohen me mënyra të reja, frymëzuese dhe të suksesshme për ta udhëhequr ndryshimin — në media dhe në shoqëri.
Gjatë këtyre viteve, kemi diskutuar dhe mësuar se si gazetaria mund të vë dritë mbi çështjet si kërkimi i të zhdukurve, gjinia dhe seksualiteti në shoqëritë shtypëse, korrupsioni dhe migrimi. Gjithashtu, kemi eksploruar qasje të reja ndaj gazetarisë, të tilla si gazetaria mobile dhe praktika radikale të tregimit, si dhe hulumtimet e përhershme të të drejtave të njeriut.
Outloud
Disa tregime janë thjesht shumë të fuqishme për t’u mos treguar me zë të lartë. Prandaj kemi vendosur që disa nga pikëpamjet më personale dhe të fuqishme, t’i sjellim edhe te publiku, përmes zërit të vetë autorëve. Zakonisht të strukturuara si fjalime, Outloud-et tona kanë për qëllim të informojnë, frymëzojnë dhe nxisin reflektime mbi atë që ia vlen njëmend të ulesh dhe të mbash shënime. Outlouds janë rikujtim se ndryshimi s’është vetëm i mundur, por edhe po ndodh.
Zakonisht të mbajtura në kuadër të programit të Karnivaleve tona, Outlouds-et tona mirëpresin aktivistë e aktiviste, artistë e artiste, gazetarë e gazetare dhe mendimtarë e mendimtare të jashtëzakonshëm/me nga e gjithë bota.
PROGRAMET PËR NDËRTIMIN E KAPACITETEVE
Punëtoritë trajnuese
Për ta udhëhequr ndryshimin, duhet t’i kemi mjetet. Përgjatë gjithë vitit organizojmë një sërë punëtorish trajnuese, që i synojnë gazetarët/et e rinj/reja, gazetarë/et aspirues/ese, aktivistë/te apo thjesht qytetarët e qytetaret, që janë të interesuar/a t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për të analizuar, raportuar apo për ta përmirësuar praktikën e të rrëfyerit. Punëtoritë tona mbulojnë çështje të tilla si raportimi mbi gjininë dhe minoritetet ose lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve, prodhimin e fotografive dhe videove, apo edhe teatrin edukativ dhe ndërhyrjet artistike.
Bursat
Programi ynë i Bursave është krijuar që t’i fuqizojë gazetarët e rinj që t’u shërbejnë interesave të atyre që s’kanë zë, të margjinalizuarve, të segreguarve dhe të përjashtuarve. Këtë e bëjmë këtë duke ofruar mentorim, si dhe mbështetje financiare për gazetarët në fillim të karrierës ose atyre që aspirojnë të jenë gazetarë, duke u ofruar mundësinë që nën mbikqyrjen e redaktorëve me përvojë, të prodhojnë tregime të mëdha dhe që vlerësohen, me pikëpamje të të drejtave të njeriut, për t’u botuar në revistën tonë.
Deri më sot, kemi organizuar tri edicione të programit tonë të Bursave. Klikoni më poshtë për të mësuar më shumë rreth përmbajtjeve nga bursistët tanë.
Mentorimi
Programi ynë i Mentorimit synon t’i përmirësojë kapacitetet e gazetarëve të rinj, duke u përqendruar në njohuritë cilësore dhe tematike të specializuara, përfaqësimin dhe qasjet etike në çështje kryesore që lidhen me shoqërinë kosovare, si pajtimi dhe dialogu, qasja në drejtësi, çështjet gjinore, mundësitë e punësimit si dhe të drejtat e punëtorëve dhe narrativat kulturore.
Programi ynë i Mentorimit u ofron pjesëmarrësve trajnim praktik mbi teknika dhe mediume të ndryshme të raportimit, duke udhëhequr publikimin e një ose më shumë tregimeve apo eseve hulumtuese. Programi ynë i Mentorimit e përgatit gjeneratën e ardhshme të gazetarëve kosovarë.
Deri më sot, kemi organizuar tre edicione të programit tonë të Mentorimit. Klikoni më poshtë për të mësuar më shumë rreth tregimeve të atyre që i kemi mentoruar.
Lokomotiva
Përmes gazetarisë sonë, duam të nxisim veprime transformuese nga poshtë-lart. Programi ynë Lokomotiva është krijuar që të rinjtë të pajisen me mjetet dhe format e nevojshme për t’i sfiduar në mënyrë kreative narrativat e rrënjosura rreth gjinisë, përkatësisë etnike, fesë dhe racës dhe ta shtyjnë përpara ndryshimin në nivel lokal.
Pas pjesëmarrjes në trajnim intensiv, pjesëmarrësit/et e Lokomotivës pranojnë mentorim dhe financim fillestar për t’i realizuar nismat e tyre në komunitet. Kjo mund ta marrë formën e shfaqjeve teatrale të forumit, studimeve dhe anketave hulumtuese, fushatave avokuese, ekspozitave ose përmbajtjeve gazetareske.
Nën-grantet
Në K2.0, punojmë shumë që ta përmirësojmë mjedisin medial në Kosovë. Këtë e bëjmë duke prodhuar gazetari cilësore, por edhe duke u ofruar mundësinë të tjerëve ta bëjnë të njëjtën gjë. Skema jonë e nën-granteve u ofron mediave dhe organizatave që prodhojnë përmbajtje mediale mjetet financiare, profesionale apo organizative që u nevojiten për t’u angazhuar në gazetarinë me interes publik.
Skema jonë e nën-granteve ka mbështetur partneritete midis mediave dhe OJQ-ve për të drejtave të njeriut për të prodhuar gazetari të ndjeshme ne të drejtave të njeriut, si dhe organizata mediale që punojnë për ta përmirësuar përfaqësimin medial të diversitetit.
KARNIVALET E K2.0
Të nisura në vitin 2020, Karnivalet e K2.0 janë bërë ngjarja jonë kryesore publike e çdo vitshme, e cila ngërthen në vete diskutime publike, punëtori, ekspozita arti dhe ngjarje kulturore. Për të mësuar më shumë vizitoni rubrikën tonë dedikuar karnivaleve tona.
FUSHATA
Ndryshimi ndodh kur shumica marrin pjesë. Përgjatë viteve, kemi nisur fushata të ndërlidhura me gazetarinë, duke angazhuar lexuesit tanë që të kërkojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet dhe duke i ftuar ata t’i tregojnë historitë e tyre me fjalët e tyre. Rishikoni fushatat tona të kaluara:
Imazhi i ballinës : Dina Hajrullahu / K2.0.