Në dhomën e abortimit në Klinikën e Gjinekologjisë-Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një poster e paraqet një grua të re duke e mbajtur një foshnje në dorë. “Shkatërruesi më i madh i botës është dështimi – aborti”, shkruan në të. “Krim i bërë me duart e vetë nënës”, është përshkrimi tjetër.
Mesazhet moraliste, autoritare e arrogante në spitalin publik të Prishtinës janë dokumentuar nga raporti i fundit i Preportr, “Turpi mbi turpin”, që synon të analizojë në mënyrë gjithëpërfshirëse temën e abortit në Kosovë.
Stafi mjekësor duke ligjëruar për “imoralitetin” në lidhje me abortin, mungesa e konfidencialitetit në QKUK, kryerja e abortimeve në klinika të palicensuara, dhe përdorimi i hapave të rrëzikshëm për abortim, që barnatoret lokale po i japin pa recetë të mjekut janë disa prej zbulimeve kryesore të Preportr. Gjetjet nga ky hulumtim tre-mujor janë analizuar dhe komentuar nga ekspertë të ndryshëm të të drejtave të grave dhe të gjinekologjisë.
“Që nga paslufta në Kosovë nuk ka pasur ndonjë raport hulumtues që trajton çështjen e abortit si të drejtë të grave”, tha për K2.0 autorja e raportit, Leonidë Molliqaj. “Edhe në ato pak vende ku ka gjetur hapësirë kjo temë është diskutuar në nivel shifrash të cilat poashtu mungojnë, dhe vështirë se mund të bazohemi në to. Qëllimi i Preportr ka qenë që të bëjë njëfarë analize mbi disa faktorë që ndikojnë në shëndetin riprodhues të grave në vend”.
Abortimi i ligjshëm dhe i sigurtë konsiderohet si e drejtë thelbësore e grave sipas standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndërsa e drejta për abortim garantohet në Kosovë nga Ligji për Ndërprerje të Shtatzënisë. Pavarësisht kësaj, Preportr identifikoi qasje shumë patronizuese ndaj grave që kërkojnë të bëjnë abort në QKUK, dhe gjuhë të përdorur nga stafi mjekësor që shkon deri në atë masë sa aborti konsiderohet si krim.
“Gjykimi i abortit si akt i pamoralshëm e vë në rrezik shëndetin e grave duke i detyruar ato të ndjekin rrugë të pasigurta për të abortuar”, tha Molliqaj. “Në shoqërinë tonë vlerësohen lartë virtytet e amësisë dhe gruaja rrallë definohet si qytetare e zakonisht si qenie seksuale dhe riprodhuese”.
Sipas raportit, mosha mesatare e grave që bëjnë abortime në spital publik është prej 20 deri në 35, dhe kryesisht janë gra të martuara. Molliqaj theksoi se raportet ndërkombëtare tregojnë numra relativisht të lartë të abortimit në Kosovë, por vetëm një numër i vogël i abortimeve kryhen në institucione publike. Sipas informatave të mbledhura nga Preportr, mesatarisht QKUK kryen 100 abortime në vit.
Mungesa e privatësisë dhe frika se mos po i sheh dhe njeh dikush në klinikat më të frekuentuara të qytetit, ku diskursi për abort lidhet me turp, bën që shumë gra të reja të kryejnë abortime në klinika private, pjesa më e madhe e të cilave janë pa leje. Preportr shënoi se nuk është bërë ndonjë analizë ose raport nga institucionet relevante shëndetësore për të dhënë llogari të saktë të frekuencës së abortimeve ose të kushteve në spitale pa leje.
“Ideja ka qenë që të identifikohen metodat tjera që ndjekin gratë për abortuar [përveç nëpërmjet klinikave të lincensuara]”, tha Molliqaj. “Përgjatë punës në terren janë vizituar institucione publike e private shëndetësore. Janë takuar e intervistuar gjinekologë të këtyre klinikave. Nga të dhënat e hulumtimit është gjetur se numri më i madh i aborteve realizohet në klinika private të palicencuara”.
Preportr identifikoi se nga 122 klinikat private të gjinekologjisë në Kosovë, vetëm pesë prej tyre kanë leje që të kryejnë abortime, dhe se çmimet e parregulluara e bëjnë këtë intervenim të shtrenjtë për gra që nuk punojnë, dhe për ato që kanë pak para. “Përveç çmimeve të papërballueshme në këto klinika po ashtu ka një qasje moraliste ndaj abortit i cili për ta ka kuptim vetëm përbrenda familjes tradicionale “të rregullt””, shkruan në raport.
Një prej gjetjeve më shqetësuese në hulumtim është se disa gra të reja po zgjedhin që të bëjnë abort në shtëpi nëpërmjet tabletave Misopostrol, që mund t’i gjejnë lehtë në barnatore pa recetë të mjekut, dhe që mund të jenë të rrëzikshme për shëndetin e grave.
“Ekipi i Preportr ka hulumtuar në disa barnatore të kryeqytetit dhe ka gjetur se tableta në fjalë kushton tepër lirë dhe shitet pa recetë, përderisa gjinekologët konsiderojnë që gruaja gjatë përdorimit të këtyre medikamenteve duhet të jetë nën mbikëqyrjen e mjekut”, tha Molliqaj.
Ajo shtoi se institucionet e Kosovës kanë dështuar që të krijojnë kushte të favorshme për të garantuar shëndetin riprodhues të grave, që varet prej qasjes së institucioneve të shëndetit publik dhe stafit mjekësor. “Andaj përgjegjësia kryesore që shëndeti i grave sot po rrezikohet i takon Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ajo.
Pavarësisht faktit se 2 jave kanë kaluar prej lansimit të hulumtimit të Preportr, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë reagim zyrtar. “Unë shpresoj që publikimi i këtij hulumtimi ka arritur sado pak me e pasqyru rrugën e vështirë që e ndjekin gratë në Kosovë për të ushtruar të drejtën e tyre elementare”, tha Molliqaj. “Besoj që është momenti që në Kosovë të hapet debati mbi seksin, mjetet mbrojtëse dhe abortin dhe si rezultat gratë t’i shmangin institucionet e palicencuara dhe metodat tjera të abortimit të cilat mund të kenë pasoja të rënda”.
Fotografitë: Preportr.
Ky artikull u shkrua fillimisht në anglisht.