Sot në klasën e pestë, Dreni* njëmbëdhjetë vjeçar nuk mban mend ndonjë emërtim përkëdhelës me të cilin e ka thirrur mësuesja e tij përgjatë katër viteve të shkollimit. Ai thotë se të vetmet cilësime që i kujtohen nga mësuesja janë “rrugaç”, “budallë”, “dembel” dhe të ngjashme me to. Sipas tij, kur është sulmuar nga një fëmijë tjetër, në vend të mbështetjes dhe masave përkatëse, është përballur me sjellje të ashpër nga ana e mësueses.
“Një herë, një djalë i klasës më ka rrëzu me kokë në tokë dhe kur i kam tregu mësueses Valbonë, ajo më ka thënë ‘shumë mirë ta paska bërë’”, thotë Dreni.
Përvojën e tij ia mbështet e ëma, Blerta. Ajo thotë se mësuesja ka arritur deri aty sa ta vendosë Drenin në kushte izolimi shoqëror.
“Kur një ditë djali si zakonisht ishte duke i bërë detyrat në shtëpi, unë e pyeta për një shok të tij. Ai më tha që nuk flet me shokët pasi mësuesja u ka kërkuar nxënësve të tjerë të mos i flasin Drenit, si formë e ndëshkimit për një sjellje që e kishte bërë më herët”, thotë Blerta.
Ajo tregon se e kishte takuar mësuesen, e cila për të justifikuar masat e saj ndaj fëmijës, i ishte ankuar se Dreni bënte zhurmë në klasë. “Dhe prej atëherë kur u ankova, mësuesja e ka përkeqësuar sjelljen ndaj djalit tim”, thotë Blerta.
Ajo me çka po përballet Dreni njihet si bullizëm, dhe konsiderohet të jetë problem global në shkolla. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bullizmi definohet si përdorim i qëllimshëm i forcës apo të qenët agresiv ndaj një personi apo grupi personash me qëllim që viktimat të ndihen të fyer, të lënduar dhe të kenë gjendje jo të mirë emocionale dhe fizike. Dhe nëse ushtrohet vazhdimisht, pasojat nga bullizmi ndikojnë jo vetëm në izolim potencial shoqëror por edhe në zhvillim psikologjik.
Hulumtimet dhe konsultimet në terren tregojnë që gjysma e nxënësve në Kosovë përjetojnë ndonjë formë të bullizmit. Foto: Qendrim Krasniqi.
Nxënësit e konsideruar si “problematikë” nga mësuesit, sikur Dreni, nuk janë viktimat e vetme të bullizmit.
Agroni dhjetë vjeçar, nxënës në klasën e pestë në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, është shëndetlig. Bashkëmoshatarët ia marrin këtë si dobësi, për të cilën shpesh e tallin, madje edhe duke e sulmuar fizikisht.
“Shokët e klasës më shajnë, më ngucin, më shtyjnë”, thotë Agroni. “Një herë, një djalë i klasës më ka gjujtë për toke dhe kam qajtë. Jam anku te mësuesja, amo ajo nuk ka marrë masa, përveç që i ka thirrë prindërit e nxënësit me bisedu, por ata nuk kanë ardhë”.
Ai tregon se mësuesja e ka ulur në bankë me djalin i cili e kishte rrëzuar. “Jemi shumë nxënës e na ka ulë nga tre veta në bankë”, thotë ai. “Ai veç më folke, veç më ngucke”.
Gresa, e ëma e Agronit, është e shqetësuar për sjelljen e nxënësve ndaj birit të saj.
“Shokët në klasë i thonë ‘jo nuk du me të ba shok ty se je shumë i hollë”, thotë ajo. “Jam ankuar te kujdestarja e klasës së djalit dhe nuk ka bërë absolut asgjë. Prej që kemi ardhë në këtë shkollë, nuk ka qenë kohë e gjatë dhe kanë filluar maltretimet, duke e ngacmu djalin, duke ia marrë fletoret e librat e duke i gju në tokë”.
Ajo thotë se djali i saj e ndan çdo detaj me të. “Çdo herë që vjen prej shkollës tregon për ndonjë rast në klasë”, tregon Gresa.
Ajo tregon edhe raste kur Agronin e kanë lënduar seriozisht, përfshirë njëherë në fillim të klasës së katërt. Kur kishte shkuar ta merrte nga shkolla, ia kishte parë gjithë ballin e ënjtur.
“U tmerrova”, thotë Gresa. “U afrova te mësuesja dhe ajo po më kërkonte falje. Ajo më tha që nxënësi i cili e kishte lënduar fizikisht, ishte i tillë dhe se ajo nuk po gjente ndonjë mënyrë ta qetësonte. Atëherë, pasi mësuesja nuk kishte mundësi me zgjidhë problemin, ia kërkova kontaktet e prindërve të nxënësit në fjalë”.
Sipas Gresës, nëse mësuesja dhe prindërit e nxënësit në fjalë nuk gjejnë mënyrë për ta ndalur keqtrajtimin, atëherë ajo mund të detyrohet të marrë masa ekstreme dhe ndoshta “me ia rrahë fëmijën”. Ajo ankohet që prindërit e fëmijëve të zhurmshëm nuk vijnë në mbledhje edhe kur mësuesja i fton dhe i porosit fëmijët që mos të vijnë në shkollë pa prindër.
Dreni dhe Agroni janë vetëm disa nga shumë fëmijë në Kosovë që përballen me situata të këtilla.
Një hulumtim i Institutit Pedagogjik të Kosovës, i kryer në vitin 2015 në nëntë komuna dhe që ka përfshirë 380 nxënës dhe 138 mësimdhënës të shkollave të mesme, tregon se gjysma e nxënësve të anketuar, apo 50 për qind e tyre, kanë deklaruar se janë thirrur me emra fyes dhe përqeshur nga të tjerët në baza ditore, javore, mujore apo vjetore; ndërsa 27 për qind kanë deklaruar të jenë shtyrë dhe penguar fizikisht së paku një apo dy herë në vit.
Janë një sërë ndikuesish të cilët mundësojnë që bullizmi të mbetet i patrajtuar dhe i injoruar në vend. Prej këtyre faktorëve, më kryesorët rezultojnë mungesa e strategjive brenda institucioneve arsimore për ta luftuar bullizmin si dhe mungesa e psikologëve në shkolla të cilët do t’i trajtonin rastet nga këndi profesional. Shqetësuese del të jetë edhe fshehja e qëllimshme e rasteve të dhunës fizike dhe verbale nga shkollat, të cilën e bëjnë për ta ruajtur performancën e tyre para Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Përveç këtyre faktorëve që burimin e kanë në MASHT, për sociologët ekzistojnë faktorë të tjerë që lidhen me aspektet zhvillimore të një shoqërie. Sipas tyre, në vendet ku ka shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe të cilat janë relativisht më konservatore, rriten gjasat për dhunë, duke përfshirë edhe ambientet shkollore.
Pasojat serioze të bullizmit
Sipas udhëheqësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, përderisa përmasat e bullizmit janë shqetësuese, burimet që kanë ata për trajtimin e rasteve në përgjithësi janë të kufizuara.
Osman Beqiri është ekonomist me profesion dhe zëvendësdrejtor në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” në kryeqytet. Ai e sheh me skepticizëm zgjidhjen e rasteve të bullizmit. “Është shumë vështirë me i trajtu [rastet e bullizmit] sepse me u eliminu besoj që nuk eliminohen kurrë”, thotë Beqiri.
Ai më tej tregon se ka pasur edhe raste kur nxënësit e kanë braktisur shkollën si pasojë e përballjes me bullizmin.
“Atëherë mundohemi me i thirrë prindërit e tyre e me u thanë që fëmija është kah devijon, i është keqësuar gjendja emocionale, si dhe suksesi dhe e gjitha po shkon drejt dështimit”, thotë ai. “Mund të ndodhë që largohet prej shkollës dhe e humbë vitin”.
Psikologët dhe sociologët e shohin me shqetësim prezencën e bullizmit në shkollat e Kosovës teksa tregojnë për efektet negative që bart kjo dukuri.
Psikologu klinik Besnik Sherifi thotë që në afat të gjatë bullizmi mund të shkaktojë vetëbesim të ulët, izolim, depresion dhe ankth. Foto: Qendrim Krasniqi.
Besnik Sherifi është psikolog klinik, i cili në kuadër të organizatës Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë — PEN, ka punuar me nxënësit e prekur nga bullizmi në Komunën e Gjilanit, ku janë mbajtur edhe trajnime për bullizmin. Sipas tij, personat e ngacmuar “karakterizohen me vetëbesim të ulët, kanë pak mbështetje emocionale nga të tjerët, janë më të izoluar, shënojnë arritje të dobëta akademike dhe si rezultat i këtyre, kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion dhe ankth”.
Por sipas Sherifit, nuk përfundon me kaq. Ai thotë se viktimat e bullizmit mund të përballen me shumë pasoja në të ardhmen, si largimi nga shkolla, izolimi social, depresioni, agresiviteti fizik e verbal.
Disa nga efektet negative për të cilat flet psikologu, nëna e Drenit tregon t’i ketë vërejtur te djali i saj, ndërkohë që ai është në vitin e fundit të ciklit pesë vjeçar.
“Pothuajse në çdo lëndë i janë ulur notat, madje edhe në matematikë, lëndë në të cilën më parë mësuesja më tregonte se djali im është shumë i mirë”, thotë ajo. “Kjo edhe po më brengosë sepse për shkak të marrëdhënieve jo të mira që ka mësuesja me djalin tim, i kanë rënë notat edhe pse djali mëson me të njëjtin intensitet siç ka mësuar më herët, por ndoshta edhe mund t’i ketë rënë interesimi”.
Problemet sikur të Drenit nuk duket të jenë kalimtare. Një studim i Universitetit Lancaster në Angli, i publikuar në vitin 2019, thotë se të qenët i ngacmuar si i ri shkakton efekte negative afatgjate. Sipas këtij hulumtimi, të qenët viktimë e bullizmit në shkollë e ngrit për 40 për qind mundësinë e problemeve të shëndetit mendor në moshën 25 vjeçare.
“Fëmijët janë imituesit më të mëdhenj të familjes, prandaj një ambient i dhunshëm familjar reflekton si modelim që dhunën e tillë fëmijët ta shndërrojnë si normë sociale."
Ferdi Kamberi, sociolog
Këto probleme kryesisht kanë të bëjnë me përballjen me depresionin dhe ankthin e deri te problemet ekonomike si vështirësitë për të gjetur një vend pune apo të ardhurat e ulëta në krahasim me të tjerët që ishin deklaruar të mos jenë përballur me bullizëm në shkollë. Studimi kishte përfshirë më shumë se 7,000 nxënës, duke i intervistuar ata në intervale të rregullta nga mosha 14 vjeçare deri në moshën 25 vjeçare.
Për t’i zgjidhur problemet e fëmijëve që janë viktima të bullizmit, për sociologun Albert Mecini duhet medoemos bashkëpunim më i madh mes prindërve dhe mësimdhënësve.
“Në rastet kur prindërit e kuptojnë se fëmijët e tyre kanë rënë pre e bullizmit, ata duhet të vënë komunikim me arsimtarët ose kujdestarin e klasës për të evidentuar dhe evituar problemin”, thotë Mecini. “Gjithashtu është e preferueshme të vizitohet edhe psikologu, në mënyrë që fëmija ta ketë më të lehtë përballimin dhe tejkalimin e gjendjes jo të mirë emocionale”.
Rolin e prindërve në zgjidhjen e problemeve të fëmijëve e sheh si të rëndësishëm edhe sociologu Ferdi Kamberi, autor i dy librave për delinkuencën, ku trajtohen edhe kundërvajtjet ndër të rinjtë. Për Kamberin, ambienti familjar ndikon dukshëm në modelimin e sjelljeve të fëmijëve edhe në shkollë.
“Fëmijët janë imituesit më të mëdhenj të familjes, prandaj një ambient i dhunshëm familjar reflekton si modelim që dhunën e tillë fëmijët ta shndërrojnë si normë sociale dhe të njejtën ta manifestojnë tek shokët e shoqet e tyre, sidomos në ambientin shkollor”, thotë Kamberi. “Prandaj prindërit duhet me kujdes t’i zgjidhin mosmarrëveshjet apo problemet e tyre dhe atë përmes komunikimit dhe jo në prezencën e fëmijëve”.
Në anën tjetër, sociologu Besim Gollopeni, profesor në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe kryetar i Shoqatës Sociologjike Shqiptare, dhunën në shkolla e ndërlidhë me faktorët socialë dhe kulturorë të një vendi. Sipas tij, dhunës në shkolla i paraprin dhuna në familjet e shoqërisë konservatore.
“Zakonisht dhuna në familje manifestohet në shoqëritë më konservative, me shkallë të ulët të integrimit dhe emancipimit shoqëror dhe në ato shoqëri ku gjendja ekonomike dhe sociale është e vështirë, siç është edhe rasti në shoqërinë kosovare”, thotë Gollopeni.
Sipas tij, dhuna në familjet e shoqërisë kosovare vjen pos tjerash edhe nga dëshira e gjinisë mashkullore për të kontrolluar anëtarët e familjes. Këto mendësi patriarkale priren të shtojnë presionet sociale për t’i nënshtruar të tjerët dhe të krijojnë shtysa për agresion.
“Burimet e dhunës familjare në shoqërinë kosovare më shumë se sa në tradita, i hasim në dëshirën e madhe për të mbajtur nën kontroll “pushtetin” gjinia mashkullore në njërën anë, dhe në anën tjetër tendenca për të marrë kontrollin e “pushtetit” apo për të qenë të barabartë në familje nga ana e gjinisë femërore… dhe kësisoj çon drejt konflikteve në familje” thotë ai.
Sipas sociologut Gollopeni, gjithë këta faktorë më pas ndikojnë negativisht te fëmijët.
“Një pjesë e madhe e prindërve kosovarë, kërkesat e fëmijëve të tyre në këtë kohë i krahasojnë me gjendjen në fëmijërinë e tyre […] dhe ky krahasim mes gjeneratash dhe në kohë të ndryshme shkon shpesh deri në atë nivel sa zëri i fëmijëve të mos dëgjohet”.
Disa shkolla i fshehin rastet
Ndonëse raportimi i rasteve të ngacmimit fizik dhe verbal është obligim ligjor, shumë shkolla në Kosovë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Protokolli për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-universitar i miratuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2013, obligon drejtorët e institucioneve parauniversitare që t’i regjistrojnë rastet e paraqitura të dhunës në shkolla dhe më pas t’i përcjellin ato te Drejtoria Komunale e Arsimit. Kjo e fundit obligohet që raportin përmbledhës ta drejtojë te Minsitria e Arsimit, institucion ky që ka përgjegjësi të analizojë dhe publikojë të dhënat.
Arbër Maliqi nga organizata PEN, e cila ka organizuar trajnime për bullizmin në shkollat e Gjilanit dhe Gjakovës gjatë viteve 2016- 2019, thotë se raportimi nuk po ndodhë.
“Në tryezat e diskutimit që kemi mbajtur me përfaqësues të institucioneve publike, OJQ-ve, drejtorë të shkollave, përfaqësues të DKA-ve etj., [nga ata] është theksuar se shpeshherë rastet e bullizmit mbahen të fshehta për shkak se në rast se raportohen, ato ndikojnë negativisht në performancën e përgjithshme të shkollave”, thotë Maliqi.
Osman Beqiri, zëvendësdrejtori i Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” e konfirmon se drejtorët e shkollave hezitojnë t’i raportojnë rastet e bullizmit. Sipas Beqirit, i cili e mban këtë pozitë që nga viti 2014, në DKA raportohen vetëm rastet e rënda. Ai thotë se rastet kategorizohen si të rënda vetëm kur përfshijnë dhunë fizike, ndërsa ngacmimet verbale mbeten të paraportuara.
“Zakonisht ato që janë ma serioze po, e ato që janë ma të lehta i trajtojmë vetë, nuk dojmë me i ngarku ata [DKA-në]”, thotë Beqiri.
Shkollat në përgjithësi nuk i raportojnë të gjitha rastet që do të mund të klasifikoheshin si bullizëm, gjë që ndikon në pasqyrimin e situatës në terren. Foto: Meritë Krasniqi.
Ndonëse ai thotë se ka zgjedhur të mos i ngarkojë punonjësit e DKA-së, Beqiri thekson se për zgjedhjen e rasteve nuk mjafton vetëm raportimi, por edhe angazhimi më i madh i Ministrisë.
“Duhet me u angazhu edhe vetë MASHT, me bo kontrolla ma të shpeshta”, thotë Beqiri. “Por nuk mjafton raportimi kur nuk ka angazhim me i zgjedhë. Edhe s’besoj që ka shkollë që i raporton”.
Raportimi vetëm i rasteve që shkollat i konsiderojnë më serioze, por jo të ndodhive të tjera që mund të kualifikohen si bullizëm, është tipar që evidentohet edhe në shkolla të tjera.
Hamdi Shyti, i cili drejton shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë, thotë që raporton vetëm ato raste kur nxënësve u është dhënë vërejtje me shkrim, por jo edhe rastet e tjera.
Sipas Besa Bytyçit, zyrtare për informim në MASHT, prej vitit 2014 e deri në vitin 2019 janë paraqitur 130 raste të dhunës fizike, të cilat janë lajmëruar në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA).
Por mungesa e raportimit të rasteve të bullizmit nuk është i vetmi problem. Stafi i shkollave në Kosovë dhe nxënësit kanë mungesë njohurie edhe për vetë domethënien e bullizmit.
“Nëpër shkollat e Kosovës shumë pak diskutohet dhe punohet me nxënësit sa i përket vetëdijesimit të tyre në lidhje me këtë çështje”, thotë sociologu Mecini. “Ka raste kur të rinjtë edhe mund as mos ta dinë fare kuptimin e fjalës bullizëm”.
Shemsi Berisha, drejtor i Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë, nuk është i sigurtë që mësuesit e shkollës janë të informuar mbi bullizmin.
“Ka mundësi që mos ta dinë mjaftueshëm se çka është [bullizmi]”, thotë Berisha. I pyetur se a ka marrë ai dhe stafi i shkollës trajnim për bullizmin dhe mënyrën e trajtimit të kësaj problematike, ai thotë jo. Të njëjtën mangësi e përmend edhe Hamdi Shyti, drejtori i shkollës “Migjeni” në Mitrovicë.
Shemsi Berisha nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor, është një nga drejtorët që thonë se nuk kanë pasur trajnime për bullizmin nga MASHT. Foto: Qendrim Krasniqi.
Por Ministria e Arsimit mohon diçka të tillë. Të pyetur se a ka aplikuar MASHT programe trajnimi për stafin e shkollave dhe nxënësit për t’i informuar për bullizmin, ata deklarohen të jenë mbajtur sesione informimi rreth dokumenteve qeveritare për drejtorët e shkollave dhe DKA-të, ndonëse nuk e përmendin specifikisht të kenë mbajtur trajnime për bullizmin.
“Kemi mbajtur takime regjionale, takime me DKA, trajnime dhe pastaj sesione informative gati në të gjitha komunat, me drejtorë të të gjitha shkollave, ashtu që ata të familjarizohen me detyrat dhe përgjegjësitë që ata kanë”, thotë Bytyçi nga MASHT.
Në qershor të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, ndërsa Ministria e Arsimit ka hartuar disa udhëzues dhe rregullore që kanë për qëllim trajtimin e dhunës në shkolla. Përveç Protokollit për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-universitar, ekzistojnë edhe dokumente si Doracaku për Parandalimin e Dukurive Negative në Shkollat e Mesme të Larta si dhe Pako e Udhëzuesve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Internet. Por në asnjërën prej këtyre dokumenteve nuk figuron termi bullizëm.
Bullizmi kibernetik, forma e re e dhunës
Në vitin 2013 në mediat kosovare kishte bërë bujë lajmi për një video që ishte përhapur me të madhe në rrjetet sociale e që protagoniste i kishte dy të mitura. Videoja shfaqte një nxënëse që godiste dhe shante një nxënëse tjetër. Përleshjes fizike i kishte paraprirë një fjalosje e mëhershme në objektin shkollor. Si hakmarrje, nxënësja që kishte filluar përleshjen e kishte porositur dikë ta incizojë teksa e godet dhe shan moshataren.
Videoja u publikua së pari në rrjetin social Facebook e më pas u shpërnda me të madhe edhe në rrjetet e tjera sociale. Ajo po ashtu u shpërnda në disa media të cilat madje e bënë të ditur identitetin e vajzave. Pas reagimeve dhe debateve të shumta që pasuan në media, videoja u largua nga çdo platformë interneti, por historia e saj nuk ka përfunduar ende. Edhe sot ekzistojnë fotografi dhe faqe në rrjete sociale të cilat ishin krijuar për ta denigruar nxënësen që kishte filluar përleshjen.
Dhuna me të cilën ishin përballur ato nxënëse nga publikimi i videos në fjalë, njihet si Cyberbullying apo bullizëm kibernetik. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bullizmi kibernetik përfshin “postimin apo dërgimin e mesazheve elektronike, përfshirë fotografi ose video që synojnë ngacmimin, kërcënimin ose shenjëstrimin e një personi tjetër”. Studime të ndryshme të kësaj organizate e nxjerrin bullizmin kibernetik si shqetësim të rëndësishëm global i cili po shkakton dëme te fëmijët që bien viktimë e kësaj forme dhune.
Rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook që janë më të përdorurat nga nxënësit janë po ashtu platformat ku ata hasin më së shumti forma të ndryshme të ngacmimit. Foto: Qendrim Krasniqi.
Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente, madje në përmasa të mëdha. Një hulumtim i kryer në vitin 2016 nga Qendra për Studime të Avancuara FIT, në të cilin kanë marrë pjesë 1,301 të anketuar nga shtatë komunat më të mëdha në vend, flet për numrin e madh të fëmijëve të ngacmuar nëpërmjet formave elektronike të komunikimit.
Sipas këtij raporti, rreth 27 për qind e të rinjve të moshës 9 deri 12 vjeç, pohojnë të jenë sulmuar në internet nga të tjerët. Numri rritet për grupmoshat 13 deri 16 vjeç, ku 30 për qind e tyre pohojnë të kenë qenë viktima të bullizmit kibernetik.
Rrjetet sociale si Instagram dhe Facebook dalin të jenë vendet ku fëmijët pranojnë dhe realizojnë më së shumti ngacmime, pasuar nga emaili dhe ueb-faqet e lojërat. Të pyetur për problemet të cilat i hasin gjatë përdorimit të internetit, nxënësit janë deklaruar se shqetësim për ta paraqesin fyerjet dhe etiketimet me ndonjë emër të papëlqyeshëm, postimi i përmbajtjeve të pakëndshme në muret e nxënësve, vjedhja e fjalëkalimeve si dhe keqpërdorimi i të dhënave personale.
Se nxënësit në Kosovë përballen me probleme të tilla e thotë edhe Hamdi Shyti, drejtor në shkollën fillore “Migjeni” në Mitrovicë. Ai tregon për numrin në rritje të ankesave të nxënësve për këtë formë ngacmimi dhe për vështirësitë e shkollës në kontrollimin e saj. Sipas Shytit, një pjesë e madhe e nxënësve kanë telefona celularë dhe shkolla nuk ka mundësi që të kontrollojë veprimtarinë e të gjithë nxënësve të vet në internet.
“Kur kemi ankesa nga ndonjë nxënës mundohemi t’i zgjidhim, por nuk mund t’i kontrollojmë të gjithë”, thotë Shyti.
Në anën tjetër, Anil Gashi nga Qendra për Studime të Avancuara FIT, i cili është edhe autor i raportit “Siguria e fëmijëve në internet”, thotë se ngacmimet nëpërmjet internetit janë në rritje.
“Ky fenomen vetëm se shkon duke u rritur dhe lirisht mund të thuhet që ngacmimi i nxënësve prej internetit është tejet i lehtë dhe fatkeqësisht shumë prezent”, thotë Gashi. “Duhet pasur parasysh që nuk ka mburojë të plotë nga ‘sajberdhuna’ [bullizmi kibernetik], pasi që kushdo që është përdorues i internetit është i rrezikuar nga ky fenomen”.
Numri i të rinjve që janë përdorues të internetit del të jetë i lartë, jo vetëm në Kosovë por anembanë botës. Sipas raportit të vitit 2013, “Depërtimi dhe përdorimi i internetit në Kosovë”, të realizuar në të gjitha komunat e Kosovës nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), mbi 62 për qind e të rinjve të moshave 10 deri 30 vjeçare janë përdorues të rregullt të internetit.
Kjo përqindje është në përgjithësi e karasueshme me mesataren e të rinjve globalisht: të dhënat e UNICEF-it nga viti 2017 tregojnë se 71 për qind e fëmijëve në botë janë përdorues të internetit, krahasur me 48 përqind të popullatës së përgjithshme.
“Të rriturit mbeten një mënyrë për t'i ndihmuar të rinjtë t’i kuptojnë rreziqet me të cilat përballen.”
Elvis Plaku, ekspert i rrjeteve sociale
Po sipas hulumtimit nga STIKK, 27 për qind e të rinjve të moshave 10 deri 19 vjeçare janë deklaruar se nuk brengosen shumë për privatësinë dhe informatat personale që ndajnë me të tjerët në internet, ndërsa 18 për qind e tyre kanë thënë se nuk janë të informuar për privatësinë e informatave. Mbi gjysma e të rinjve të anketuar apo 68 për qind e tyre deklarohen se e përdorin më së shumti rrjetin social Instagram, pasuar nga 26 për qind të tjerë të cilët deklarohen se e përdorin Facebook-un.
Elvis Plaku, drejtues i firmës së konsulencës ‘Sfida Biznesi në Shqipëri’ dhe ekspert i rrjeteve sociale dhe i marketingut digjital, thotë se një tipar i bullizmit kibernetik ka të bëjë me faktin që realizohet me lehtësi. “Vjedhja e të dhënave apo spiunimi i aktivitetit të njëri-tjetrit online, tashmë është relativisht i lehtë”, thotë Plaku. “Sidomos për moshat e reja që në naivitetin e tyre mund të ekspozojnë çdo aspekt të jetës së tyre private”.
Ndër mënyrat kryesore se si fëmijët dhe të rinjtë mund të ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve, sipas tij, është ndarja e fotove dhe videove personale apo e përmbajtjeve të tjera të ndjeshme me shokë dhe shoqe. Më pas mund të ndodhë që të njëjtat përmbajtje të përdoren kundër tyre.
Plaku thotë se sulmet kibernetike jo vetëm që krijojnë dëme emocionale e personale por arrijnë deri në nivele kriminale. Në maj të këtij viti, një i ri nga Ferizaj u arrestua nga policia sepse në mënyrë të vazhdueshme kishte shantazhuar një të mitur përmes komunikimeve në Facebook, duke e kërcënuar se do të bënte publike foto intime të vajzës në rast se ajo nuk i jepte para.
“Kriminaliteti po merr formë të re”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, dhe shton se rishtazi policia ka reaguar duke themeluar Sektorin për Hetime të Krimeve Kibernetike, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtyre krimeve.
Rastet e ngacmimeve në internet në Kosovë trajtohen në kuadër të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimeve Kibernetike. Janë disa vepra penale të cilat hyjnë në kuadër të krimeve kibernetike e që kanë të bëjnë kryesisht me keqpërdorimin e fëmijëve në pornografi, hyrjen në sistemet kompjuterike, vjedhjen e identitetit dhe keqpërdorimin e kartelave bankare.
Sipas Policisë së Kosovës, në periudhën janar-qershor të vitit 2019 janë regjistruar 35 raste të krimeve kibernetike dhe 150 asistime. Që nga viti 2015 në Kosovë janë trajtuar në nivel qendror 195 raste të krimeve kibernetike dhe janë asistuar 829 raste.
Por, bullizmi kibernetik del të jetë vështirë i menaxhueshëm, kjo për shkak të tendencës për t’i zhdukur faktet.
Sipas raportit të FIT, gjysma e fëmijëve të anketuar që janë përballur me bullizëm, thonë të kenë fshirë çdo mesazh apo përmbajtje tjetër të ardhur nga personi i cili ka ushtruar dhunë mbi ta, dhe kjo është bërë me qëllim të shmangies së ballafaqimit me ato përmbajtje. Sipas FIT-it, ky është veprim i gabuar pasi zhdukë dëshmitë e sulmit dhe fëmijëve u pamundësohet të ndajnë shqetësimet e tyre me të tjerët.
Për Elvis Plakun ka disa mënyra teknologjike të cilat do t’ua mundësonin të rinjve mbrojtjen nga kjo formë bullizmi, por sipas tij mënyra më e mirë është edukimi dhe vetëdijesimi.
“Të rriturit mbeten një mënyrë për t’i ndihmuar të rinjtë t’i kuptojnë rreziqet me të cilat përballen”, thotë Plaku. “Vetë prindërit apo mësuesit mund të krijojnë forume apo grupe ‘chat’, ku nxënësit mund të diskutojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin për t’i adresuar ngacmimet dhe rritur ndërgjegjësimin se këto situata mund të zgjidhen”.
Mungojnë specialistët, përkundër ligjit
Në shumë shkolla në Kosovë mungon përkrahja profesionale për t’u ballafaquar me bullizmin.
Osman Beqiri, zëvendësdrejtor në Shkollën e Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, thotë se i duhet ta kryejë edhe rolin e psikologut të shkollës. Sipas tij është e vështirë të trajtohen rastet e bullizmit kur ka mungesë të psikologut në një shkollë me 1,265 nxënës.
“Përderisa nuk kanë shkollat psikologë, është e vështirë të trajtohen këto raste. Mua më duhet të luaj rolin e psikologut dhe të trajtoj problemet e tjera me vijueshmëri dhe mësim”, thotë Beqiri.
Sipas tij, nxënësit që janë viktima të bullizmit si adresë të zgjidhjes së problemit e kanë drejtorin e shkollës, prindërit dhe policinë, por jo edhe ndonjë profesionist me të cilin do të këshilloheshin.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Berisha, drejtor i Gjimnazit të Specializuar Matematikor.
“Shkolla nuk ka as psikolog, as sekretar. I vetmi jam unë dhe të gjitha punët administrative dhe të tjerat i bëj vetë”, thotë Berisha. “Kjo është një neglizhencë e institucioneve, pasi shkolla menaxhohet herë nga Komuna e Prishtinës e herë nga MASHT. Nuk është e udhës që drejtori me u marrë me të gjitha punët”.
Hamdi Shyti, drejtor në Shkollën Fillore “Migjeni” në Mitrovicë, thotë që DKA-ja e kësaj komune është përgjegjëse për mungesë psikologësh në shkolla, duke pretenduar se sistemi i punësimeve në arsim është i politizuar dhe i orientuar drejt burimeve njerëzore partiake.
“Nëse politika ka nevojë ta punësojë një psikolog, atëherë e punëson dhe nëse politika nuk ka nevojë, atëherë nuk e punëson”, thotë Shyti. “E punëson një kurir që ndoshta nuk ka nevojë hiç se strukturën e elektoratit e ka të tillë, e psikolog jo”.
Angazhimi i pedagogëve dhe psikologëve në shkolla parashihet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Sipas nenit 37 të këtij ligji, komunat mund të angazhojnë personel profesional jomësimdhënës duke përfshirë edhe staf pedagogjik dhe psikologjik.
Të njëjtën gjë e parasheh edhe Udhëzimi administrativ për Funksionimin e Shërbimeve Pedagogjike-Psikologjike në Shkolla, i aprovuar në vitin 2014, i cili e rregullon funksionimin e shërbimit pedagogjik/psikologjik në shkolla. Sipas udhëzimit, psikologët obligohen në ofrimin e ndihmës për gjithë akterët e shkollës, përfshirë stafin e shkollave dhe nxënësit, në tejkalimin e vështirësive të natyrës psikologjike.
Udhëzimi administrativ poashtu përcakton punët që duhet kryer psikologët dhe pedagogët. Të parët janë të obliguar të ofrojnë ndihmë për tejkalimin e vështirësive psikologjikë për të gjithë akterët në shkollë si dhe të kontribojnë në procesin e të nxënit dhe zhvillimin kognitiv, emocional, social dhe personal të nxënësve. Ndryshe nga psikologët, detyrat e pedagogëve kryesisht kanë të bëjnë me planifikimin dhe programimin e punës edukativo-arsimore.
Në kryeqytet janë gjithsej 56 shkolla fillore dhe të mesme, por vetëm 14 psikologë shkollorë.
Ministria e Arsimit e arsyeton mungesën e psikologëve në shkolla me mungesën e kuadrove.
“Fillimisht kemi pasur problem me kuadrin, ngase nuk ka pasur psikologë shkollorë [por vetëm klinikë] që të mund të ofrojnë shërbime për shkolla, prandaj me sugjerim të MASHT-it në Katedrën e Psikologjisë është hapur programi master për psikologji shkollore”, ka thënë Besa Bytyçi nga MASHT. “Dhe tani kur rritet numri i kuadrit profesional ka edhe mundësi më të mira për sistemimin dhe ofrimin e shërbimeve psikologjike në shkolla”.
Sipas të dhënave të Fakultetit Filozofik për K2.0, vetëm për vitin akademik 2018/19 në Universitetin e Prishtinës kanë diplomuar 142 studentë në Programin Psikologji në nivelin bachelor. Ndërsa në Programin Psikologji Shkollore dhe Këshillim në nivelin master kanë diplomuar 46 studentë.
Për Ministrinë, angazhimi i psikologëve mbetet edhe në duar të komunave pasi shkollat e bëjnë punësimin në bazë të planifikimit dhe mundësive buxhetore. Po sipas Ministrisë, aktualisht në sistem janë 84 psikologë dhe pedagogë në shkollat e vendit.
Megjithatë, arsyetimi i Ministrisë së Arsimit për mungesën e kuadrove kontestohet. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Mitrovicës përmendin pengesa të tjera të cilat ua pamundësojë atyre ofrimin e shërbimeve psikologjike dhe këshilluese në institucionet shkollore. Komuna e Prishtinës thotë se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e këtij problemi, por një gjë e tillë sipas saj është ndaluar nga MASHT dhe Ministria e Financave.
“Përkundër përpjekjeve të Komunës së Prishtinës për angazhimin e psikologëve shkollorë, deri më tani ka qenë e pamundur të punësohet stafi i ri sepse ministritë përkatëse nuk e lejojnë rritjen e stafit dhe futjen e tyre në lista të pagave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Media të kësaj komune. Në kryeqytet janë gjithsej 56 shkolla fillore dhe të mesme dhe janë të angazhuar vetëm 14 psikologë shkollorë, të cilët mbulojnë 27 shkolla.
Për dallim nga Komuna e Prishtinës, ajo e Mitrovicës ka një shpjegim tjetër për mosangazhimin e psikologëve shkollorë. Sipas kësaj komune, pengesat buxhetore po ua pamundësojnë një gjë të tillë.
“Mundësitë buxhetore nuk po na lejojnë angazhimin e psikologëve. Jemi duke bërë përpjekje që në shkollat ku ka numër më të madh të nxënësve të fillojmë të ofrojmë edhe këtë shërbim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të kësaj komune. Në gjithsej 32 shkolla fillore dhe të mesme sa ka kjo komunë, ende nuk ka të angazhuar asnjë psikolog, ndërsa pedagogë janë vetëm pesë.
Për Rrahman Jasharajn, kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës [SBASHK], angazhimi i personelit arsimor, duke përfshirë psikologët, është kompetencë e komunave, jo e Ministrisë së Arsimit. Sipas Jasharajt, komunat gjatë planifikimit buxhetor e kanë lënë pas dore rekrutimin e psikologëve, duke e shpërndarë buxhetin në vende të panevojshme.
“Gjatë planifikimit të buxhetit komunat janë treguar dorështrënguar sa i përket angazhimit të psikologëve në shkolla e në anën tjetër me qëllim të rehatimit të militantëve partiakë, kanë bërë punësime të shumta në administratën e cila tashmë është e mbingarkuar në shumicën e komunave”, thotë Jasharaj.
Sipas tij, komunat duhet të bëjnë punësimin në bazë të nevojave që kanë shkollat, pasi sipas tij rekrutimi i psikologëve është i domosdoshëm.
Nxënësit kanë shfaqur pasiguri për të paraqitur ankesa në shkollë, duke u frikësuar se kjo mund t'u kthehet në ndonjë formë të hakmarrjes, apo duke mos pasur aspak besim se ankesa e tyre do të konsiderohet dhe trajtohet me prioritet nga shkolla."
KOMF
Përfaqësues të shoqërisë civile që merren me të drejtat e fëmijëve e konsiderojnë shqetësuese mungesën e psikologëve në shkolla. Arbër Maliqi nga PEN tregon se si organizata gjatë punës në terren ka evidentuar mungesën e stafit profesional për trajtimin e rasteve të bullizmit.
Shqetësime të njëjta përcjellë edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF). Sipas kësaj organizate, nxënësit kanë pasiguri për t’i paraqitur ankesat te stafi i shkollës, dhe si të tilla problemet e tyre mbesin të patrajtuara.
“Bazuar në konsultimet e zhvilluara me fëmijë, mund të themi se në përgjithësi nxënësit kanë shfaqur pasiguri dhe mungesë të besimit për të paraqitur ankesa në shkollë, duke u frikësuar se kjo mund të kthehet në ndonjë formë të hakmarrjes ndaj tyre apo duke mos pasur aspak besim se ankesa e tyre do të konsiderohet dhe trajtohet me prioritet nga ana e shkollës”, thotë KOMF.
KOMF ka mbajtur konsulta me fëmijët gjatë viteve 2015-2018 në kuadër të projektit “Të rinjtë me një zë”, i cili kishte për qëllim ngritjen e zërit të të rinjve të rrezikuar nga margjinalizimi.
“Angazhimi i psikologëve në institucionet shkollore mund të ndikonte në mënyrë indirekte që ngacmimet te nxënësit të evitohen, problemet e nxënësve të trajtohen, duke iu ofruar mbështetje emocionale dhe sociale nxënësve që përjetojnë bullizëm dhe forma të ndryshme në trajtimin e nxënësve dhe parandalimin e bullizmit”, thotë Sherifi, psikologu klinik i PEN-it.
Ndërkohë, për fëmijët sikur Dreni dhe Agroni vazhdon të mungojë përkrahja e duhur që t’i ndihmojë ata në shkolla. Këto probleme nuk do të mbesin vetëm në sistemin shkollor por do të barten edhe në shoqëri. K
*Shënim i redaksisë: Emrat e fëmijëve dhe prindërve janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.
Redaktuar nga Ervin Qafmolla.
Redaktim shtesë: Besa Luci dhe Tringë Sokoli.
Foto kryesore: Qendrim Krasniqi.
Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.