Blogbox | Politika

Nëse pajtohesh me këtë shkrim — shpëto republikën

Nga - 27.03.2019

Udhëheqësit tonë të luftës na kanë zhgënjyer në kohë të paqes, por e ardhmja është përgjegjësi e jona.

Është një rrëfim që tregohet shpesh në folklorin amerikan për Benjamin Franklin. Derisa ai po largohej nga Konventa Kushtetuese në Filadelfi në vitin 1787, një grup i qytetarëve iu afruan dhe e pyetën çfarë lloji të qeverisë kishin krijuar delegatët.

Përgjigja e tij: “një republikë, nëse mund ta mbani”.

Shpallja e një republike në një botë që mbizotërohej nga monarkitë ishte moment përcaktues në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sado spontane që ka mundur të jetë, përgjigja e përshkruan sfidën e vërtetë të një republike.  Në krahasim me monarkinë, në të cilën monarku është përgjegjës për njerëzit dhe mirëqenien e tyre, republika formohet me pajtimin e njerëzve dhe mbarëvajtja dhe zhvillimi i saj varet nga një qytetari e mirëinformuar dhe e përfshirë.

Nëse jeni të gatshëm të gënjeni dhe të vidhni në kohë të paqes prej njerëzve të njëjtë për të cilët keni qenë të gatshëm të jepni jetën në kohë lufte, nuk mund të pretendoni të jeni më patriot.

Këto dy koncepte, pra të qënit “i informuar” dhe “i përfshirë” ishin ende të pakapshme për qytetarët e shekullit të 18-të, megjithatë Amerika u bë vendi që iu dha kuptim këtyre fjalëve dhe i promovoi ato nëpër botë duke shpërndarë farën e republikave demokratike.

E fillova këtë shkrim me tregimin për Benjamin Franklin sepse kurrë s’ka qenë më e nevojshme  dhe më urgjente që njerëzit e Kosovës të mirëinformohen dhe të përfshihen për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e republikës sonë të re.

Kur Kosova u shpall republikë e pavarur në vitin 2008, nuk kishim udhëheqës e as udhëheqësi siç kishin amerikanët në Konventën e Filadelfisë. Çka ne kishim ishte një grumbull i komandantëve ushtarak, shumica e të cilëve po kërkonin famë dhe pasuri pas luftës, në vend që të punonin për mirëqenien e qytetarëve.

Ka plot njerëz që mund të mos pajtohen me këtë shkrim, por të pakët janë ata që e mohojnë se shumë prej komandantëve të UÇK-ës të cilët ndihmuan në prishjen e status quo-së në vitet e 90-ta, pasi u futën në politikë, u shndërruan në njerëzit më të urryer në Kosovë për shkak të lakmisë për pushtet dhe pasuri.

Prandaj, para se të filloj të flas për gjendjen e shtetit tonë dhe të tregoj sesi mund ta ndryshojmë vendin dhe ta shpëtojmë republikën tonë, më lejoni në fillim të jap ca vërejtje.

Ndonëse ju mund ta doni tepër dhe me gjithë zemër vendin tonë, ajo çka ju bëni është më e rëndësishme sesa ajo çka ju thoni apo ndjeni. Nëse jeni të gatshëm të gënjeni dhe të vidhni në kohë të paqes prej njerëzve të njëjtë për të cilët keni qenë të gatshëm të jepni jetën në kohë lufte, nuk mund të pretendoni të jeni më patriot.

Fatkeqësisht, ky është tregimi për shumë komandantë të luftës që janë shndërruar në politikanë dhe zyrtarë qeveritarë dhe i shumë ushtarëve të fuqishëm që në kohë të luftës kanë qenë të gatshëm të japin çdo gjë për vendin e tyre, por tani po marrin gjithçka, duke përfshirë edhe të ardhmen tonë.

Dua të theksoj këtu se unë personalisht nuk e vë në pikëpyetje sakrificën dhe trimërinë. për shembull të Ramush Haradinajt dhe familjes së tij gjatë luftës. Dhe besoj që të paktë janë ata që do të vinin në pikëyetje mundimin dhe sakrificat që ai i ka kaluar e që shumica prej nesh nuk mund as t’i imagjinojmë.

Duke pohuar këtë, tani mund të vazhdojmë dhe t’ia lejojmë vetes t’i gjykojmë veprimet e Haradinajt dhe ish komandantëve të tjerë të luftës në kohë të paqes, pasi që këta kanë vazhduar të qeverisin me jetën tonë qysh prej se ka përfunduar lufta.

Lajmi i keq…

12 qershori 2019 do të shënojë 20 vjetorin e hyrjes për herë të parë të trupave të NATO-s në Kosovë, duke shënuar kështu fundin e regjimit të Slobodan Milošević-it në Kosovë dhe përfundimin e luftës.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë në 20 vitet e fundit, por asgjë s’ka ndryshuar më shumë se komandantët e luftës që janë bërë politikanë dhe zyrtarë qeveritarë. Edhe pse lista mund të jetë e gjatë dhe e hapur për rishikim dhe kritikë, dua të përmend emrat e disa komandantëve të luftës dhe figurave me ndikim gjatë luftës që u bënë politikanë apo zyrtarë të qeverisë në kohë të paqes.

Ndër ta janë kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj; presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi; ish kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku; ish kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci; kryetari i tanishëm i parlamentit si dhe udhëheqës i PDK-së, Kadri Veseli; zëvendës kryeministri i tanishëm, Fatmir Limaj; dhe zëvendës kryetari i parlamentit, Xhavit Haliti. Të gjithë këta kanë deklaruar pasuri, prona dhe të ardhura që janë përtej mundësive tona si qytetarë të thjeshtë.

Megjithatë ne, të varfërit dhe të papunët, që i shohim ata çdo ditë nuk i marrim si të vërteta dhe të sakta deklarimet e pasurisë dhe të ardhurave të tyre. Ne i shohim ata, familjet e tyre dhe të afërmit e tyre çdo ditë duke na përplasur në fytyrë jetesën e tyre luksoze.  

Shumica prej tyre kurrë s’kanë pasur një punë të vërtetë, nuk kanë qenë zbulues e as sipërmarrës, por ata kanë gjithçka. Banesa, shtëpi, vetura të shtrenjta, rroba dhe bizhuteri të shtrenjta, prona, shërbëtorë, rojë personale dhe shoferë personal me ndërrime, pushime dhe shumë para, përderisa ne me vështirësi i paguajmë faturat e energjisë në fund të muajit.

Si është kjo e mundur?

Jeni i varfër dhe i papunë, për çdo zgjedhje pyetesh se a dëshiron të ndryshosh diçka dhe ti çdo herë thua “JO”.

A keni menduar ndonjëherë ju si qytetarë si është e mundur që komandantët e luftës u bënë kaq të pasur në republikën tonë të re? Çfarë kanë zbuluar — ar apo diamante? A e kanë shpikë Google, Apple, Spotify apo Samsung-un? Apo ndoshta e kanë zbuluar naftën në oborret prapa shtëpisë së tyre?

Si është e mundur që ne — njerëzit e thjeshtë — jemi të varfër, përderisa udhëheqësit tanë, që i marrin votat tona dhe zotohen se do të shërbejnë në emrin tonë, jetojnë në tokën e njëjtë me të njëjtat mundësi por janë të zhytur në para?

Mendoj se e di përgjigjen po aq mirë sa gjithë të tjerët. Ata s’kanë pasë nevojë të shpikin asgjë sepse e kanë pas fuqinë të ndajnë resurset tona, e kanë fuqinë të ndajnë paratë e taksës dhe djersës tonë dhe në vend që t’i ndajnë në mënyrë të drejtë dhe t’iu shërbejnë njerëzve, ata i shërbyen vetes.

E prapë vit pas viti, zgjedhje pas zgjedhjeve, ju vazhdoni t’i bëni veprimet e njëjta, e kështu edhe gabimet e njëjta. Edhe pse thellë në eshtra e ndjeni se ata nuk janë ndryshimi që po e kërkon dhe që ke nevojë, ju prapë ua jepni edhe një mundësi tjetër atyre që t’i bëjnë gjërat mirë.

Pse e bën të njëjtin gabim në secilën palë zgjedhje?

Jeni të varfër dhe të papunë, për çdo zgjedhje pyetesh se a dëshiron të ndryshosh diçka dhe ti çdo herë thua “JO”. Vazhdon të votosh për të njëjtët udhëheqës që të kanë zhgënjyer kaq shumë herë, apo ndoshta ke heqë dorë nga votimi.

Por, lejomë të të tregoj se kush je. Në fund dua që ta pyesësh veten a je i gatshëm për ndryshim.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se jeton në një familje që punon shumë dhe fiton pak. Nuk ke mundësi të blesh veturë dhe nuk mund të ruash para të mjaftueshme për t’i shkolluar fëmijët.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se as ju e as anëtarët e familjes tënde s’janë punësuar përmes favorizimit dhe nepotizmit.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se ju dhe krejt anëtarët e familjes tënde punojnë në puna që paguhen pak, flen pak dhe nuk han mirë dhe prapë mezi i paguan faturat në fund të muajit.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se je duke kërkuar punë, punon në ndërtimtari apo kamarier, apo ndoshta pastron shtëpi dhe banesa herë pas here, shpeshherë në të ftohtin e dimrit dhe në të nxehtin e verës, për një pagesë ditore që ta turpëron dinjitetin. Nuk e ke një kontratë të punësimit dhe shefi të bën të punosh jashtë orarit të punës pa kompenzim, por ti prapë nuk ankohesh sepse ke gojë që duhet t’i ushqesh.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ti nuk ke një sigurim shëndetësor — prandaj nëse ti apo fëmijët tuaj sëmuren, i harxhon të gjitha kursimet dhe falimenton, e fut familjen në borxh dhe në fund prapë mund ta humbësh më të dashurin tënd në një sistem shëndetësor mashtrues dhe të korruptuar.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju jeni student/e dhe në vend që ta festosh diplomimin e ardhshëm, jeni të stresuar sepse e dini se do të jeni vetëm një numër më shumë në listën e të papunëve dhe do të vazhdosh të jesh një barrë për familjen.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju keni ndaluar së ëndërruari sepse i keni parë të të shkatërrohen ëndërrat para syve tuaj. Të kanë thënë se idetë tua nuk vlejnë dhe se idetë tua për biznes s’kanë asnjë shancë përballë nepotizmit dhe favorizimit.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se ju keni kredi që s’mund t’i përballosh dhe e cila t’i merr kursimet tua çdo muaj dhe se ke harruar herën e fundit kur ke qenë në pushim.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju sapo i keni thënë lamtumirë më të dashurve të tu në Kosovë dhe ke marrë udhën e gjatë për ta lënë republikën tonë sepse s’mund ta përballosh t’i rrisësh fëmijët në varfëri të tillë pa asnjë shpresë se gjërat do të përmirësohen.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, familja jote e ka lënë Kosovën në kërkim të një jete më të mirë; juve dhe fëmijëve tu iu mungon shtëpia në Kosovë dhe qan natën sepse nuk mund t’iu tregosh të vërtetën fëmijëve se pse e braktise vendin tënd.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ti u largove nga Kosova para lufte, i ke ndihmuar familjes në Kosovë për dekada dhe i ke mbajtur gjallë, e viziton shtëpinë një herë në vit dhe je i dëshpëruar me progresin tonë.

Dashuria dhe dhembshuria për vendin tënd po shuhet dita-ditës dhe po neveritesh nga politikanët lakmitar që mendojnë veç për vete; të kanë premtuar vit pas viti dhe zgjedhje pas zgjedhjeje se gjërat do të përmirësohen; je lodhur duke dëgjuar gënjeshtra; shpresat të janë shkatërruar secilën herë dhe ke ndaluar së shpresuari se gjërat do të bëhen më mirë, se gjërat do të ndryshojnë ndonjëherë.

Nëse jeni baba apo nënë, ju qëndroni zgjuar natën duke u menduar se si do t’i paguani faturat në fund të muajit dhe si do t’i rrisni fëmijët dhe t’i shihni duke shkuar në fakultet një ditë.

Prandaj pse ne — shumica — nuk po votojmë për ndryshimin që duam kur tashmë e dimë kush do ta sjellë këtë ndryshim?

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju jeni një sipërmarrës apo i punësuar, e paguan pjesën tënde të taksave por nuk po e sheh ndryshimin duke ndodhur — i sheh se si taksat tua përfundojnë në xhepat e zyrtarëve të korruptuar në vend që të sjellin shkollim dhe shëndetësi më të mirë për ju dhe fëmijët tuaj.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju jeni pronarë të bizneseve që jeni lodhur nga dhënia e ryshfeteve zyrtarëve, inspektorëve, zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve lakmitar dhe të korruptuar.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju jeni një biznismen/e të ndershëm që punoni palodhshëm dhe e paguani pjesën e taksave, por jeni lodhur duke i parë konkurrentët që po përparojnë në biznesin e tyre jo sepse kanë ide më të mira apo prodhojnë punë më kualitative, por sepse ju japin ryshfet zyrtarëve të qeverisë.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, ju jeni një fermer/e që punon pa ndalë çdo ditë, por ende nuk fitoni mjaftueshëm për t’i shkolluar fëmijët dhe për të paguar faturat çdo muaj.

Ju keni parë dhe keni përjetuar mjaft dhe tashmë keni hequr dorë nga shpresa se gjërat do të bëhen mirë ndonjëherë.

Lajmi i mirë…

Kjo është gjendja në shtetin tonë. Është një kohë në të cilën ata që kanë shumë para dhe ndikim kontrollojnë çdo gjë dhe kanë vjedhur ëndërrat dhe të ardhmen e vendit që ju e doni dhe s’të kanë lënë asnjë zgjidhje tjetër veçse të paketosh çantat e të ikësh.

Por ka një lajm të mirë.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, do të thotë se nuk je i vetëm, do të thotë se nuk je pakicë dhe se nuk je aq i pafuqishëm dhe i pazëshëm siç të kanë thënë — ti je pjesë e shumicës në Kosovë.

JU JENI SHUMICA!

Prandaj nëse je në Kosovë apo tashmë ke ikur, nëse ke votuar apo ke ndaluar së votuari, nëse jeni i ri/e re, i vjetër/e vjetër, apo i ri/e re në zemër, ju ftoj t’i bashkoheni qëllimit për ndryshim. Ne duhet të bëhemi bashkë e të mblidhemi e jo vetëm të hedhim votën tonë — sepse në demokraci, të jesh shumica do të thotë të kesh fuqinë të ndryshosh gjërat, të jesh pjesë e shumicës do të thotë të jesh pjesë e zgjidhjes.

Le t’i ndryshojmë gjërat, le të jemi gjenerata që do ta shpëtojë republikën tonë dhe do ta rikthejë dinjitetin dhe drejtësinë dhe që i jep çdokujt një mundësi të barabartë për mirëqenie.

Ndryshimi nuk do të vijë përderisa nuk bëhemi bashkë dhe të gjithë ju që e gjeni veten në këtë shkrim duhet të bëheni bashkë dhe të bëheni pjesë e ndryshimit.

S’ka tjetër kohë, nuk mund të presim edhe një tjetër vit dhe nuk kemi kohë të presim për një tjetër udhëheqës apo një tjetër mundësi — tani është koha dhe ne jemi ndryshimi që kemi pritur.

Nëse qëndrojmë të ndarë nuk mund të fitojmë dhe nuk mund të fitojmë nëse vazhdojmë të jemi cinikë dhe indiferent ndaj mundësisë për ndryshim.

Partitë dhe politikanët e korruptuar do të shpenzojnë miliona euro në fushatë elektorale që financohen nga paratë tuaja që i kanë vjedhë nga ju përmes korrupsionit, që të ju bëjnë të besoni se ata përfaqësojnë ndryshimin.

Mirëpo, ju tashmë i dini taktikat e tyre, gënjeshtrat dhe premtimet boshe të tyre, i keni ndjerë dhe përjetuar në kocka gënjeshtrat e tyre dhe nuk do të shkoni prapa, ju do të shkoni përpara.

Prandaj, le ta pyesim veten, nëse vazhdojmë të votojmë për partitë e njëjta politike dhe udhëheqësit e njëjtë politik që i kemi votuar deri tani, çfarë e ardhme na pret?

Nëse vazhdojmë të votojmë për komandantët e njëjtë që bëhen më ta pasur vit pas viti, çfarë e ardhme i pret fëmijët tanë?

Nëse pajtoheni me këtë shkrim, po ju kërkoj të ndaleni për një moment dhe ta pyesni veten: Çfarë lloj udhëheqësi mund ta rikthejë ndershmërinë, barazinë dhe drejtësinë? Çfarë lloj udhëheqësi nuk është i korruptuar dhe nuk po mbahet peng nga lobistët dhe grupet e interesit?

Cili udhëheqës jeton ashtu siç predikon?

Nëse jeni të sinqertë me veten, tashmë e dini përgjigjen e pyetjes sime. E dini se sa herë që po ia jepni një udhëheqësi të korruptuar edhe një mundësi më mshumë, ju po ia jepni atij mundësinë të bëhet më i pasur.

Prandaj pse ne — shumica — nuk po votojmë për ndryshimin që duam kur tashmë e dimë kush do ta sjellë këtë ndryshim?

Le të ndalojmë së fajësuari të tjerët për dështimin tonë që të bëhemi bashkë.

Ka ardh koha të ndalojmë së pretenduari se dikush do të na zgjidhë problemet tona.

Ka ardh koha të ndalojmë së gjeturi justifikime për sjelljen tonë në të kaluarën dhe të përqendrohemi në të ardhmen.

Ka ardh koha ta ndryshojmë kapitullin në republikën tonë dhe të votojmë për një udhëheqës të pakorruptuar.

Pyeteni veten, kush mund t’ua zgjidhë problemet tuaja siç janë varfëria, korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, kujdesi shëndetësor dhe shkollimi më i mirë?

Prapë, ju e dini përgjigjen. E dini përgjigjen sepse e dini se këta që janë të korruptuar, këta që kujdesen vetëm për vete nuk do të kujdesen kurrë për ju — ata iu kanë vjedhë të ardhmen dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe ka ardh koha të ndalemi së pretenduari që ky është problemi i dikujt tjetër.

Prandaj, t’ua njohim rreziqet e marra dhe sakrificat e bëra atyre që kanë mbrojtur vendin tonë në kohë të luftës — por gjithashtu le të tregojmë historinë e tyre në kohë të paqes.

Le të bëhemi gjenerata që e ka shpëtuar republikën dhe e ka rikthy drejtësinë dhe barazinë në këtë vend.

Koha po ecë.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.