“Asnjëherë mos ja atribuo shpirtligësisë atë që shpjegohet si duhet nga marrëzia”, – Robert J. Hanlon.
Në çfarëdo debati politik, që mbahet në çfarëdo niveli të kompetencës politike, mund t’i vëreni me lehtësi dy lloje të njerëzve që argumentojnë kur vjen puna të shpjegimi i situatave që nuk kanë përgjigje të lehta.
Lloji i parë janë ata që kam qef t’i quaj ‘komplikuesit’ apo njerëzit që shohin lidhje çdokund dhe argumentojnë se gjithçka duhet të bëhet me plan dhe të gjithë duhet të kenë plan. Mund t’i referohemi edhe si një lloj i teorive të konspiracioneve.
Mund të tingëllojë sikur jam duke i degraduar këta njerëz (të cilët janë shumicë dërrmuese, meqë ra fjala), por nuk jam duke e bërë aspak një gjë të tillë. Përpjekjet për të lidhur ide, njerëz dhe procese na vijnë natyrshëm sepse janë të ngulitura në mendjet tona si rrjedhojë e disa mijëvjeçarëve të presionit evolucionar, dhe prandaj nuk mund të tejkalojme lehtë dhe ndonjëherë mund të jenë të dobishme për neve.
Ky artikull përpiqet të argumentojë se në çdo debat kompleks politik, ku nuk kemi një përgjigje të qartë në një mënyrë apo tjetër, lloji i dytë i njerëzve ka mundësi shumë më të madhe për ta pasur mirë dhe prandaj të gjithë duhet të përpiqemi të bëhemi njerëz të tillë, edhe pse e di sa i vështirë mund të jetë tranzicioni.
Lloji i dytë i njerëzve janë ata që argumentojnë: “Asnjëherë mos ja atribuo shpirtligësisë atë që shpjegohet si duhet nga marrëzia”. Kuptimi i kësaj është i qartë nga natyra e citatit, por më lejoni që t’ua shpjegojë këtë ide me hollësi.
Në filozofi ka lloje të ‘rregullave’ që ne në shkenca politike i përdorim për t’i frenuar impulset tona më të thella, dhe për të qenë sa më objektiv që është e mundur kur analizojmë një argument. Rregullat në fjalë quhen ‘briska filozofikë’ dhe aspirojnë të eliminojnë shpjegime të pamenduara që nuk mbështeten kur kemi shpjegime që janë të menduara më mirë.
Citati i lartpërmendur është një rregull e tillë (Brisku i Hanlonit) dhe nëse përdoret brenda debateve tona të përditshme politike, fillojmë ta shohim një ndryshim të qartë në argumentim nga: ‘gjithçka ndodh për shkak se X e ka planifikuar kështu’ bëhet ‘gjithçka ndodh sepse X ka gabuar’. Debati bëhet më i përputhshëm, i sinqertë, i ndershëm, dhe statistikisht shumë më i saktë, kur aplikojmë një rregull të tillë.
Dua ta jap një shembull të thjeshtë praktik që tregon si mund të përdoret në debatet tona të përditshme politike dhe dëshmon se si injoranca (formë e marrëzisë) është shpjegim shumë më i mirë për pjesën më të madhe të problemeve se që është keqdashja (apo qëllimi i keq).
Nuk janë shumë sende që na bashkojnë të gjithë njerëzve këtu në Kosovë. Copëzimi politik që e përjetojmë çdo ditë është aq i gjërë sa që njerëzit këtu vazhdimisht argumentojnë për sendet më të vogla, vetëm për shkak të asaj që e thonë ato ide për pozitat (partitë) tona të preferuara politike.
Një nga idetë e vetme që i bashkojnë të gjithë individët e popullsisë shumicë të shqiptarëve të Kosovës është dashuria dhe admirimi për NATO-KFOR, dhe ndërhyrjen e tyre në emër tonin. Me gjasë nuk gjen shumë njerëz që argumentojnë kundër. Dhe një shumicë ekstreme do të tregonin pa ngurrim mirënjohje maksimale për KFOR-NATO, për shkak se ata na shpëtuan jetën, me kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj nuk ka fare stimuj për të konceptuar dhe drejtuar politikisht diçka që është mosrespektuese ndaj tyre – a po?
Tani, ju lutem shiheni fotografinë në vijim dhe më tregoni se çfarë ka gabim në të…
Foto: Elvin Blakaj / K2.0.
Nëse nuk e dini ende, kjo është statuja përkujtimore e KFOR-NATO që gjindet në mes të sheshit Nënë Terezë në Prishtinë. Ka për qëllim të përfaqësojë mirënjohjen tonë si komb për ata që na shpëtuan. I ka më shumë se 10 gabime në tri gjuhët që përdoren në të: gramatike, teknike dhe të tjera.
Nëse nuk i vërejtët, po ua tregojë disa nga më të këqijat:
- REZULTAT-I – e ka një ‘I’ në fund, gabim teknik që ndodh kryesisht kur transferon dokumente të Microsoft Word nga një kompjuter në tjetrin. Gabim krejtësisht i pafalshëm, por jo më i keqi, më besoni!
- SAKRIFIC – i mungon ‘ë’, kushdo që e ka shkruar nuk është siguruar që “ë” automatikisht të jenë prezente në faqen e Word-it . Këtë gabim nuk do ta bënin as nxënësit e shkollës fillore!
- Kjo është unike! GRUA është në njejës!!! Pra, fjalia këtu thotë se në NATO-KFOR kishte burra që luftuan përkrah një gruaje! Njëkohësisht është nocion me të vërtetë qesharak dhe pohim thellësisht shqetësues për të gjitha gratë që shërbyen në këto organizata dhe ishin pjesë e tyre. Për mua ky gabim në vete kërkon një artikull të tërë, por për shkak se më duhet të vazhdoj, mendoj se si do të ndiheshim ne po të përjashtohej gjysma e popullsisë sonë për shkak se një injorant nuk e kontrolloi fjalorin para se të bënte diçka kaq të rëndësishme si shkrimi në gur! Veç ky gabim është i marrë, por të vazhdojmë sepse kemi ende punë.
- Dy fjalë janë lidhur sikur të ishin një – REZULTATNJIHOVE janë dy fjalë – REZULTAT-NJIHOVE – por nuk ka hapësirë mes tyre. Ky gabim është i njejtë me të parin dhe ndodh kur dërgon dokument ndërmjet kompjuterave që përdorin verzione të ndryshme të Microsoft Word.
- E fundit më shqetëson më së shumti, për shkak se tregon nivele të injorancës që nuk i hasim në ato më lartë dhe e gjejmë në fjalinë e fundit të paragrafit në gjuhën serbe, ku mungon “NA” ndërmjet “PODSEĆAMO dhe NJIHOVU ŽRTVU. Problemi këtu është se kushdo që flet madje edhe vetëm pak serbisht do ta dallonte këtë gabim, por disi u ka ikur. Për mua, ky gabim tregon se citati nuk është shkruar në serbisht, por është përkthyer dhe i vetmi shërbim që do ta prodhonte një gabim të tillë është Google Translate. Pra, pa e fajësuar askënd, kjo më tregon se në shërbimin e fryrë ministror, që përmbanë të paktën 5 fish më shumë njerëz se që kishte qeveria e kaluar, askujt nuk iu duk e arsyeshme ta konsultojnë dikë që e di gjuhën! Për mua, ky është definicioni i marrëzisë.
Më besoni, ka më shumë gabime këtu, nga gabimet gramatikore te problemet e sintaksës dhe gabimet në formulim që e bëjnë krejtë fjalinë të duket e pakuptimtë, por po ua lë juve për t’i gjetur në këtë fotografi, sepse pas dy javëve, dikush që ishte përgjegjës për këtë në ministri mësoi për ekzistencën e ‘problemeve’ dhe i rregulloi, duke lënë gjurmë aty ku ishin dikur gabimet – por përsëri i ikën disa gabime!
Pra, çka tregon kjo? Për mua, kjo është shembull i parimit të briskut të Hanlonit në formën më të dëlirë dhe na prezanton me të vërtetën e shumë problemeve këtu në Kosovë. Na tregon thjeshtë se problemet reale janë: jokompetenca, marrëzia dhe injoranca, dhe jo keqdashja, aftësitë gjeniale apo qëllime e këqija.
Gabime që ua tregova i kanë parë 3 deri në 10 palë sy para se të bëheshin statujë. Nga personi që erdhi me këtë ide në ministri dhe eprorët e tij (ndoshta edhe vet ministri), deri te njerëzit që e krijuan dhe ata që e kontrolluan punën e përfunduar dhe e vendosën aty për ta parë e gjithë bota.
Pra, e qartë është se nëse diçka e tillë mund të ndodhë me një ide që ka pothuajse mbështetje universale dhe aspak kundërshtime politike, mund të ekstrapolojmë nga këtu se me shumicën e sendeve që ndodhin, nëse përfshihen të njejtit njerëz, rezultatet me gjasë do të jenë të njejta.
Kjo ëshë idea themelore e konsistencës, kështu që këtu duhet ta përdorim citatin e Hanlonit dhe të argumentojmë se kur paraqitet një problem, fajin e ka jokompetenca e dikujt, e jo qëllimet e këqija të tij apo saj. Ta themi të vërtetën: në Kosovë kjo duhet të jetë shpjegim i parazgjedhur për gjithçka që nga fillimi, deri sa të zbulojmë diçka që na ndryshon mendjen.
Dhe për fund, pse ka rëndësi e gjithë kjo? Nëse fillojmë të mendojmë kështu, mund të fillojmë të vendosim në pozita të pushtetit njerëz që kanë dituri, aftësi, ekspertizë dhe logjikë bazike për ta kryer punën e tyre! Ky duhet të jetë kualiteti më thelbësor i qeverisjes dhe sapo ta kuptojmë këtë fakt të thjeshtë, ne si komb mund të fillojmë t’i gjejmë këta njerëz – kudo që janë – dhe ta ndryshojmë atë se si lejojmë të qeverisemi.
Në anën tjetër, nëse vazhdojmë të besojmë se gjithçka ndodh për shkak të ‘planit’ të dikujt, do të vazhdojmë gjithashtu t’i besojmë pa menduar dy herë liderëve, jo për shkak se e meritojnë, por për shkak se ne besojmë në atë plan të fshehtë – ai që, siç u kam treguar, pothuajse nuk ekziston!
Pra, ndryshimi i pikëpamjes për këtë ide mund ta ndryshojë më pas mënyrën se si e shihni vet qeverisjen dhe më besoni kur ju them, kemi nevojë që ky ndryshim të vijë menjëherë…
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.