Pikëpamje | Dhomat e Specializuara

Inati për Dhomat e Specializuara duhet të pranohet — dhe të përballet

Nga - 18.11.2020

Parehatia mund të mbetet, por kosovarët duhet të këmbëngulin në drejtësi për të gjithë.

Javën e kaluar, Hashim Thaçi u paraqit për herë të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë rreth akuzave të pretenduara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Perspektiva e aktakuzës ka rënduar mbi të për më shumë se 10 vite, që kur raporti i vitit 2011 i raportuesit special të Këshillit të Evropës Dick Marty shtroi rrugën për krijimin e mekanizmit gjyqësor. 

Tani, bashkë me tre ish-zyrtarë të tjerë të lartë të UÇK-së, ai po përballet me 10 akuza për krime të rënda që pretendohet të jenë kryer gjatë viteve 1998-99. Të katër të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Aktakuza ndaj Thaçit shënon dramën e fundit në një rrugë të trazuar për njeriun i cili në karrierën politike mbi dydekadëshe, nga të qenët udhëheqës i krahut politik të UÇK-së dhe drejtues i posteve të larta qeveritare dhe shtetërore, në sytë e shumë njerëzve është kthyer në sinonim të “shtetit të kapur” për shkak të stilit të tij autokratik të udhëheqjes.

Se ai ka qenë njëri nga liderët politikë më kontravers, përçarës dhe polarizues në Kosovë është narrativë tashmë e ngulitur në profilin e tij politik.    

Por kur u tërhoq nga posti publik i presidentit, “rënia” e tij për të cilën shumëkush mund të ketë shpresuar papritmas u duk më pak çliruese. Tani një ish-president, i cili për më se 20 vjet në masë të madhe ka kontrolluar dhe orkestruar jetën politike të vendit dhe në vazhdimësi ka synuar ta paraqesë veten si “figurë të rëndësishme historike”, po akuzohej për krime të luftës. Një ngjarje e madhe politike që ngjau si të ishte ndodhia më e natyrshme.

Siç kishte premtuar, kur aktakuza kundër tij u konfirmua, ai dha dorëheqje, duke deklaruar se “në asnjë rrethanë nuk do të shkoj para gjykatës si President i Republikës së Kosovës”. Ndërsa pretendonte se dëshironte ta mbronte integritetin e shtetit dhe duke këshilluar kundër protestave dhe manifestimeve, më në fund u duk si veprim jovetjak.

Por pothuajse si me gjithçka tjetër që Thaçi ka drejtuar apo bërë politikisht, sërish u duk se do ta tërhiqte të gjithë shoqërinë kosovare me të. Kësaj radhe përmes një gjykate për të cilën këmbënguli të themelohej, potencialisht duke shpresuar që do ta shmangte përfundimin si i pandehuri i saj i profilit më të lartë; ndërkohë, pavarësisht dorëheqjes së tij, ai ua ka lënë barrën qytetarëve për t’i rënë në fije gjithçkaje. 

Për shumë shqiptarë të Kosovës, për një kohë të gjatë ka qenë i pranishëm sentimenti se Dhomat e Specializuara — të krijuara si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por të udhëhequra nga zyrtarë të huaj të Holandës — paraqesin një mekanizëm të padrejtë të drejtësisë tranzicionale për shkak të karakterit të tyre të perceptuar si “etnik”; kjo për shkak se mandati i tyre për ndjekjen e krimeve të rënda të kryera ndërmjet viteve 1998 dhe 2000 bazohet kryekëput në hetimin e pretendimeve specifike për krime që raportohet të jenë kryer nga anëtarë të UÇK-së.

Në shikim të parë, dy rezultatet mund të duken të mospërputhshme — një kundërthënie.

Javën që shkoi, pas konfirmimit të akuzave ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ky sentiment i “padrejtësisë” u rishfaq. Sërish, u shprehën shqetësimet për mundësinë që akuzat për krime lufte kundër anëtarëve të UÇK-së do të njollosnin jo vetëm historinë e një lufte të bërë në mbrojtje të civilëve, por edhe të “barazonin” krimet.

Më e pakta që mund të thuhet është se ky sentiment është problematik kur vendoset brenda kornizës së drejtësisë — adresimi i krimeve të pretenduara të së kaluarës duke mbajtur shënim se cila palë “kreu më shumë e cila më pak” jo vetëm që është në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë tranzicionale, por hedh poshtë qëllimin e saj.

Mirëpo, nuk është as sentiment i pabazuar që mund të thjeshtëzohet si refuzim i një shoqërie për të pranuar që krime të rënda u kryen nga disa në anën e shqiptarëve të Kosovës.

Nëse shikohet perceptimi publik për Dhomat e Specializuara, një hulumtim i vitit 2017 gjeti se 76.4% e shqiptarëve “e shohin mandatin e Gjykatës për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të lidhura kryesisht me UÇK-në, si të padrejtë”. Mirëpo hulumtimi gjithashtu gjeti se 64.8% e shqiptarëve dhe 53.2% e serbëve në Kosovë besojnë se “është i rëndësishëm ballafaqimi me të gjitha krimet e kryera, apo krimet e përjetuara nga të gjithë civilët, gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-99”.

Në shikim të parë, dy rezultatet mund të duken të mospërputhshme — një kundërthënie. Por të kuptuarit e reagimit ndaj Dhomave të Specializuara është më kompleks se sa thjesht të parit e tij si polarizim i së drejtës me të padrejtën. Dhomat e Specializuara prodhojnë sentimente përgjatë një spektri të gjerë.

Pikërisht kombinimi i këtyre dy sentimenteve që duken paradoksale — ku më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në hulumtim besojnë që Dhomat e Specializuara janë të padrejta dhe se të gjitha krimet duhet të ndiqen penalisht — ka ndihmuar për të nxjerrë në pah një sentiment të tretë. Është një që kryesisht rezervohet për biseda private, dhe që është rishfaqur tani pas zhvillimeve të fundit.

Inati.

Inati ekzistues

Si fjalë me prejardhje arabe, “inati” u huazua në gjuhën turke para se të hynte në gjuhët ballkanike — përfshirë shqipen dhe serbishten. Në fjalorin e gjuhës shqipe, inati definohet si “Ndjenjë shqetësimi, trazimi e hidhërimi që na pushton kur nxehemi me dikë a për diçka”. 

Për të kuptuar si dhe pse shfaqet inati, duhet të shikohen faktet që formësojnë përvojat dhe padrejtësitë e shumë shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë, e të cilat përfshijnë:

Më shumë se 10,000 njerëz të vrarë apo të zhdukur në luftën në Kosovë, përfshirë mbi 1,640 persona ende të pagjetur; mijëra të dhunuar, gratë në veçanti të dhunuara në përpjekje për t’i dehumanizuar dhe për të nxitur përçarje shoqërore — ndërkohë një shtet serb që ende nuk i ka pranuar dhe nuk ka kërkuar falje për shtypjen dhe përndjekjen sistematike të shqiptarëve dhe të tjerëve, as nuk i ka diskutuar dëmshpërblimet e luftës.

– Varre masive me qindra mbetje mortore janë zhgroposur në të gjithë Serbinë, përfshirë në barakat ushtarake në periferi të Beogradit, por shteti serb ende i injoron këto të vërteta të pamohueshme. Nuk ekziston asnjë memorial për krimet e kryera, asnjë përkujtim, asnjë betim “kurrë më”. Përkundrazi, shteti bllokon qasjen në të dhënat zyrtare që mund të ndihmojnë në sqarimin e zhdukjes së shumë prej atyre që ende mungojnë — duke rënduar dhimbjen individuale dhe kolektive të përjetuar nga njerëzit të cilët ende nuk kanë përgjigje për humbjen e tyre.

– Njëzet vjet më vonë, Serbia ende udhëhiqet nga disa prej zëdhënësve më besnikë të Slobodan Milošević-it, të cilët drejtojnë një aparat politik të rrënjosur në retorikën dhe agjendën e tij. Sot, aparatet shtetërore të shtypjes dhe spastrimit etnik thjesht janë zëvendësuar me forma “bashkëkohore” të shtypjes politike — qoftë përmes një fushate të zellshme kundër ekzistencës së Kosovës dhe të drejtave të qytetarëve të saj, qoftë përmes festimit të paepur sa herë që kjo gjë arrihet. 

– Një retorikë shoviniste dhe raciste nga udhëheqësit e lartë të shtetit dhe qeverisë serbe që shprehet hapurazi madje edhe në kuadër të kornizave politike të krijuara për “normalizimin” e marrëdhënieve. Një president që thotë “Milošеvić-i ishte një udhëheqës i madh serb”, një ministër i mbrojtjes i cili në vazhdimësi përdor (dhe e mbron këtë përdorim) termin racist dhe përçmues “Šiptari” për t’iu referuar shqiptarëve, dhe një kryeministre e cila pa u penduar lëshon shprehje fanatike të zhytura në racizëm — fillimisht të institucionalizuar nga Akademia Serbe e Arteve dhe Shkencave, e cila në fillim të viteve 1900 deklaroi se “Shqiptarët kishin bisht deri në fund të shekullit të 19-të”.

– Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Zyra Serbe e Prokurorit për Krime Lufte — përgjegjëse në Serbi që prej vitit 2003 për inicimin e padive që kanë të bëjnë me krimet e luftës — ka ngritur dhjetë akuza kundër 50 personave për krime të kryera në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. Por, për pesë vitet e shkuara, raportet e tyre kanë vënë në pah një dështim të vazhdueshëm për të ngritur ndonjë aktakuzë të re për krime të luftës. Për më tepër, gjatë gjithë kësaj kohe kjo zyrë ka dështuar të akuzojë zyrtarë në pozita të mesme apo të larta në strukturat e ushtrisë apo policisë. Edhe kur ngriten aktakuzat, rastet përfundojnë të tejzgjatura apo mbesin të pazgjidhura — kështu duke shmangur dhe vonuar drejtësinë.

– Një lartësim, promovim dhe festim zyrtar i vazhdueshëm i kriminelëve të dënuar dhe akuzuar të luftës, të cilët paraqiten si “mbrojtës” të Serbisë për luftërat e nisura dhe orkestruara nga strukturat e veta të sigurisë dhe politikës.

– Një traumë e përjetuar nga gjenerata të tëra të qytetarëve të Kosovës në raport me Serbinë, si rezultat i përndjekjes së vazhdueshme nga regjime të ndryshme historike serbe dhe i një aparteidi të imponuar njëdekadësh; ndonëse jo të gjithë shqiptarët sot mund ta kenë përjetuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë, natyra sistematike dhe etnike e shtypjes — e shoqëruar nga dështimi bashkëkohor për ta pranuar apo tërhequr — e bëjnë të jetë një përvojë e mishëruar.

Qytetarët e prekur më drejtpërdrejt nga lufta priren të kuptojnë më mirë nevojën për drejtësi tranzicionale.

Ka shumë plagë të pazgjidhura, të anashkaluara dhe të nënçmuara në Kosovë si rezultat i një konteksti të tillë absurd politik. Prandaj, tani kur Dhomat e Specializuara më në fund u materializuan, janë rishfaqur një sërë ndjenjash përgjatë një spektri të padrejtësive — përfshirë inatin.

Dhe nëse mbesin të patrajtuara, jo vetëm që mund të kontribuojnë drejt një kundërshtimi të vazhdueshëm të punës së Dhomave të Specializuara, por gjithashtu mund të ndihmojnë në minimin e qëllimit të synuar të drejtësisë tranzicionale — duke rritur shkeljen e të drejtave dhe ndasitë, apo duke nxitur një shpërthim të ri të nacionalizmit.

Kjo situatë do të paraqiste një hap prapa për një qytetari që ka bërë rrugë të gjatë në një periudhë të shkurtër të pasluftës për të kuptuar jo vetëm atë që është e pashmangshme, por edhe nevojën për ballafaqim me të kaluarën e vet. Dhe disa nga ata të cilët e kuptojnë këtë gjë janë të mbijetuarit.

Një nga dëshmitë më të shpeshta të cilat i kemi dëgjuar në K2.0 gjatë intervistimit të të mbijetuarve të luftës apo anëtarëve të familjeve të personave të zhdukur është se si ata e kuptojnë dhe bashkëndjejnë me nevojën e “të tjerëve” për drejtësi dhe një lloj ndjesie të përmbylljes. Për më tepër, puna e organizatave të tjera të shoqërisë civile gjithashtu ka gjetur se të rinjtë nga rajonet e prekura rëndë nga lufta tregojnë “një prirje më të lartë të simpatisë ndaj të gjithë viktimave se rajonet më të kursyera nga lufta, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”.

Qytetarët e prekur më drejtpërdrejt nga lufta priren të kuptojnë më mirë nevojën për drejtësi tranzicionale.

Por, siç po bëhet e qartë tani më shumë se kurrë, rruga drejt drejtësisë është element themelor i vetë drejtësisë nëse qëllimi përfundimtar është përballja e sinqertë me të kaluarën, si dhe të tashmen.

Inati që mungon

Derisa shumë nga diskutimet publike në Kosovë mund të vazhdojnë ta vënë në pikëpyetje anësinë apo jo të Dhomave të Specializuara, ekziston një lloj tjetër inati që rrezikon të mbetet i anashkaluar apo i mospërfilluar. Ky është një inat i kthyer nga brenda, vetëkritik dhe vetëreflektues, veçanërisht ndaj shqetësimeve që Dhomat e Specializuara mund ta “rishkruajnë” luftën, ta njollosin UÇK-në apo t’i “barazojnë” krimet.

Nëse këto ndryshime të narrativave janë shqetësuese, atëherë le ta kthejmë inatin përbrenda dhe të mendojmë si ndodhi që:

– Gjatë 21 viteve të pas luftës, asnjë qeveri kosovare nuk ka bërë përpjekje serioze për të sigurar që pranimi dhe kërkimfalja e Serbisë të jenë baza e çdo dialogu apo marrëdhënieje për “normalizim” të zhvilluar në lidhje me drejtësisë tranzicionale, ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin. Çdo përpjekje për ta justifikuar këtë si rezulat i një kornize të gjerë dhe komplekse të marrëdhënieve gjeopolitike duket të përcjellet me pyetjen: pse atëherë, asnjë qeveri nuk është angazhuar në dokumentimin shtetëror të krimeve dhe dëmeve të luftës, duke filluar me hapin themelor të regjistrimit të të vdekurve dhe të zhdukurve. 

– Puna kryesore në dokumentimin e krimeve, shkeljeve, viktimave dhe të mbijetuarve të luftës — një kontribut i jashtëzakonshëm në gjetjen dhe dokumentim të së vërtetës — është bërë nga organizata të shoqërisë civile; duke përfshirë Librin e Kujtimit të Kosovës të FDH-së ku tregohen emrat dhe historitë e personave të vrarë dhe të zhdukur, si dhe dokumentimin nga ADMOVERE të masakrave që ndodhën në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Në anën tjetër, pikërisht këto organizata apo zëra të pavarur kritikë sulmohen kur paraqesin të vërteta të rënda që sfidojnë të kuptuarit drejtvizor të luftës dhe konfliktit.

– Anëtarët e familjeve dhe shoqatat e njerëzve ende të zhdukur nuk janë përfshirë apo nuk janë vendosur kurrë në qendër të dialogut politik ndëmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje edhe verën e kaluar, përfshirja e personave të zhdukur në dialogun Kosovë-Serbi u bë duke anashkaluar në tërësi punën e tyre individuale dhe kolektive dhe duke shpërfillur pikëpamjet dhe kontributet e tyre.

– Listat e veteranëve të UÇK-së janë fryrë duke përfshirë dhjetëra mijëra emra, jo për hir të përkujtimit apo vlerësimit të mijëra qytetarëve të zakonshëm që iu bashkuan radhëve të UÇK-së, por për pushtet dhe favore politike. Kjo fryerje jo vetëm që dëmtoi buxhetin e shtetit (paratë e taksapaguesve) për dhjetëra miliona euro çdo vit, por gjithashtu përfundoi me dorëheqjen dhe largimin nga vendi të një prokurori special i cili po hetonte këtë çështje, pasi theksoi ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë dhe sulme personale ndaj tij. 

– Misionet ndërkombëtare të cilat për vite me radhë mbajtën përgjegjësi ekskluzive për ndjekjen penale të krimeve të luftës në Kosovë mund të kenë dështuar për ta bërë këtë mjaftueshëm, por një nga pengesat ishte ndërhyrja e politikës vendore. Shfaqja e gatishmërisë politike nuk do të tregonte vetëm maturi shtetërore, por do të shërbente edhe si proces i përballjes me të vërtetën dhe pranimin si shoqëri. Një mospërgatitje dhe indiferencë e tillë ua hapi rrugën Dhomave të Specializuara, të cilat për shumëkë sot e vendosin Kosovën në pozitë të pafavorshme dhe dëmtuese ndërkombëtarisht.

– Pjesë e punës së Dhomave të Specializuara ka qenë hetimi dhe tani ndjekja e krimeve kundër rivalëve dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë të UÇK-së. Sidoqoftë, ka pasur pak reagime rreth asaj se në çfarë shkalle, dhe nëse, kjo mund mund të çojë në një përballje të shqiptarëve me këtë pjesë të së shkuarës së tyre — te problematizimi i faktit që qytetarët (me të drejtë) ngrisin zërin kundër propozimit për shkatërrimin mjedisor të një liqeni, por vrasja e një dëshmitari potencial të Dhomave të Specializuara në të njëjtin liqen një muaj më parë kalon thuajse pa u vërejtur, pa asnjë hetim a protestë publike.  

Përtej inatit

Lufta dhe pasojat e saj janë komplekse, ashtu siç është drejtësia dhe mekanizmat e ndryshëm për vendosjen e saj.

Por derisa Dhomat e Specializuara vazhdojnë ta shpalosin punën e tyre dhe me shumë gjasë ta dominojnë pjesën më të madhe të debatit publik, përveç pranimit të inatit është e rëndësishme të mendohet si të shkohet përtej tij.

Kjo nënkupton parashtrimin e pyetjeve të vështira dhe përballjen me të vërtetat e rënda.

Një nga to është se narrativat e luftës nuk u takojnë vetëm atyre që mbajtën armët, pavarësisht rëndësisë së kontributit të tyre. Është përvojë individuale aq sa edhe kolektive. Dhe asnjë kolektivitet, etnik apo tjetër, nuk është i njëtrajtshëm apo drejtvizor — abuzimi, tortura, trajtimi johuman apo vrasja e secilit civil meriton të vihet para drejtësisë.

Fushata e kohës së fundit “Drejtësia ka emër — UÇK” është thjesht përpjekja më e vonshme e këtyre 20 viteve për monopolizimin dhe privatizimin e luftës si përvojë që i përket vetëm një lloji të caktuar dhe specifik të angazhimit, pjesëmarrjes apo narrativës. Është e rrezikshme dhe polarizuese — ose je me ne ose kundër nesh.

Ndërsa akuzat dalin në dritë, ato nuk duhet të kuptohen apo përjetohen si akuza kundër Kosovës.

Nëse qëllimi i luftës ishte liria, atëherë pjesë e asaj lirie duhet të edhe liria për të mbajtjur mendime të ndryshme.

Shqetësimi rreth mundësisë që Dhomat e Specializuara do të “barazojnë krimet” apo do të bëhen narrativa dominuese për luftën nuk duhet të zgjidhet duke e nënçmuar dhe refuzuar atë, por përmes përfshirjes dhe garantimit nga ana e shtetit se drejtësia do të vendoset për të gjithë.

Në mes të gjithë kësaj, është e rëndësishme të mbahet mend se çfarëdo që të ndodhë në gjykim — dhe të pandehurit janë të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë — aktakuza kundër katër ish-liderëve të UÇK-së është kundër individëve, jo kundër Kosovës (pavarësisht se sa shumë ata dhe përkrahësit e tyre mund të kërkojnë ta portretizojnë ashtu).

Gjatë muajve të ardhshëm — qoftë në këtë gjykim apo në të tjerë të Dhomave të Specializuara — kosovarët do të detyrohen që përfundimisht të përballen me faktin të cilin të gjithë e dinë por që rrallë e pranojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë: disa krime u kryen nga shqiptarët.

Ndërsa akuzat dalin në dritë, ato nuk duhet të kuptohen apo përjetohen si akuza kundër Kosovës; ato nuk janë akuza kundër së drejtës së Kosovës për shtetësi; nuk janë akuza kundër të drejtave të qytetarëve të Kosovës për çlirim, liri dhe vetëvendosje. Për më tepër, këto akuza nuk e pengojnë Kosovën të vazhdojë të kërkojë dhe insistojë në drejtësi nga Serbia.

Ky është kurthi i narrativës në të cilin shqiptarët e Kovovës rrezikojnë ta vendosin veten, dhe do të ishte tërësisht vetëshkatërrues. Në fakt, kjo është pikërisht narrativa që shteti dhe qeveria serbe e kanë promovuar në vazhdimësi — sepse një gjendje e antagonizmit mirëmbahet duke i mbajtur njerëzit në një proces të pafund, të tejzgjatur të kërkimit të drejtësisë.

Andaj, ndërsa inati nuk duhet të anashkalohet, ai duhet të kanalizohet në kërkimin e duhur të drejtësisë, për të gjithë.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

  • 20 Nov 2020 - 16:16 | Timi B:

    E vërtetë, artikuluar bukur. Për korigjim: fjalia "drejtësia ka emër" në fakt është "LIRIA KA EMËR"

KOMENTO