Seanca fillestare e Kuvendit të Kosovës nisi me kaos sot (3 gusht). Nuk u zgjodh as kryetari i Kuvendit, e as zëvendëskryetarët. Kreu i seancës konstitutive, Adem Mikullovci i Vetëvendosje – i cili si 76 vjeçar dhe deputeti më i vjetër kishte të drejtë që ta drejtonte seancën – por megjithatë e mbylli si duket atë pa dashje, para se të ipej ndonjë nominim për kryetar të Kuvendit.
Pas një periudhe hutie, u lajmërua se seanca do të fillonte përsëri në 15:00, edhe pse më vonë u shtye për të premtën, pasi koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) nuk u paraqitën përsëri, ashtu sikurse deputetët e partive minoritare, duke pamundësuar kështu kuorumin për seancë.
Gabimi i Mikullovcit ndodhi pasi koalicioni PAN kishte kërkuar pauzë dy-orëshe për “konsultime të mëtejme”, në mënyrë që të siguroheshin se kanë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit. Edhe pse emri i kandidatit të tyre ende nuk është shpallur zyrtarisht, gjerësisht besohet se do të jetë lideri i PDK, Kadri Veseli.

Si deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci i Vetëvendosje e udhëhoqi seancën fillestare të Kuvendit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Propozimi i PAN për të mbajtur pauzë ishte refuzuar prej deputetëve me 60 vota pro e 60 kundër; në fakt edhe kjo ndarje u debatua, meqë Milaim Zeka i Nismës deklaroi se nuk kishte votuar në favor të pushimit të propozuar, dhe se ishte i hutuar për atë se për çfarë po votohej në atë rast. Pa marrë parasysh votën e Zekës – e cila ishte numëruar si një prej 60 votave në favor të propozimit për pauzë – 61 vota kërkoheshin për të mbajtur pushim.
Kërkesa për këtë pushim për konsultime të mëtejme dhe refuzimi i saj nga Kuvendi lë të kuptohet që prej 120 deputetëve në sallë, PAN nuk kishte një mazhorancë që favorizonte përzgjedhjen e tyre për kryetar të Kuvendit, e kështu po përpiqeshin që të fitonin më shumë kohë për t’i bindur tjerët që të votojnë për nominimin e tyre.
Pasi Enver Hoxha i PDK doli në folëtore për të thënë se ishte detyrë e Mikullovcit që të garantonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e prandaj edhe pauza duhet të miratohet, Mikullovci tha “me këtë e shpalli të mbyllur mbledhjen”. Deputetët filluan të dalin prej sallës së Kuvendit, ndërsa Mikullovci bënte përpjekje të pasuksesshme për ta vazhduar seancën.

Enver Hoxhaj i PDK kërkoi pauzë dy-orëshe, gjë që shkaktoi polemika dhe huti. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Huti pati edhe më herët gjatë seancës kur deputetët e PAN nuk ishin të pranishëm për nominimin e anëtarëve që i bashkohen komitetit të detyrueshëm ad hoc që garanton operimin e seancës themelore sipas rregullave procedurale. Deputetët e PAN u futën në sallë menjëherë pasi ishin nominuar kandidatët. Pas një pauze të shkurtër, komiteti propozoi që të lejonte PAN-in që t’i nominojnë përfaqësuesit e vet për komitet, megjithatë PAN përsëri nuk ishin të pranishëm në Kuvend, e kështu deputetët që ishin të pranishëm votuan që të vazhdojnë pa ta. Pas një pauze tjetër, partitë e PAN u lejuan që t’i nominojnë përfaqësuesit e tyre për komitet.
Teuta Rugova (LDK), e cila si deputetja më e re duhet ta asistojë në udhëheqjen e seancës konstitutive, gjithashtu mungoi për pjesën më të madhe të seancës, para se të kthehej për të votuar në favor të pushimit dy-orësh. Në javët e fundit pati spekulime të vazhdueshme që Rugova do të votone me PAN kundër linjës së partisë së saj në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e gjithashtu edhe më vonë për qeveri.

Teuta Rugova (LDK), e cila ishte subjekt i shumë spekulimeve që thonin se ajo do ta shpërfillte linjën e partisë së saj për të votuar me PAN, ishte një prej atyre që votuan pro pauzës për “konsultime të mëtejme”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Para përfundimit aksidental të seancës, të gjithë 120 deputetët kishin dhënë betimin solemn, që u lexua nga Mikullovci.
Seanca do të thirret përsëri në 10:00 të premtën më 4 gusht.