Pikëpamje | Teknologji

Inteligjenca artificiale në Kosovën e fotokopjeve

Nga - 12.06.2025

Nga entuziazmi për AI, te realiteti pa kompjuterë në shkolla.

Para disa muajsh fillova të merrja njoftime nga Google sa herë përmendej emri dhe mbiemri im nëpër artikuj të ndryshëm online. Por kur i hapja, nuk gjeja veten. Në vend të “Demi”, mbiemrin e gjeja të përkthyer si “Taurus” ose “Bull”. Shumë nga mediet online në Kosovë kanë angazhuar inteligjencën artificiale (AI) për përkthim automatik të përmbajtjes nga gjuha shqipe në atë angleze, por edhe në gjuhë tjera. 

Përkthimi i automatizuar përfshin edhe arkiva të vjetra, ku çdo fjalë, pavarësisht a është emër a shprehje e veçantë në shqip, përpunohet nga një algoritëm që nuk e njeh kontekstin. Mbiemri im u përkthye sipas kuptimit të parë që ofronte sistemi i AI. Për sistemin, “Demi” nuk ishte mbiemër, por herë kafshë e herë shenjë horoskopi.

Ky është një shembull i vogël, por ilustrues, se si AI ka filluar të ndikojë në mënyrën si qarkullon informacioni edhe në Kosovë. Jo përmes robotëve që flasin, por përmes automatizimeve të padukshme që transformojnë mënyrën si shkruajmë, përkthejmë dhe ndërtojmë narrativa.

Në fund të vitit 2022, kur u lansua së pari për testim masiv ChatGPT, pasi eksperimentova disa javë me të, shkrova një koment për numrin festiv të gazetës “Koha Ditore”. Aty shpreha shqetësimin për të ardhmen e profesionit tim si analist e opinionist. ChatGPT arrinte të prodhonte tekste të strukturuara mirë, të sakta në përmbajtje dhe me një qasje të balancuar ndaj çështjeve të ndërlikuara si statusi i Kosovës, qeverisja, veriu apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Ideja që një model gjuhësor i fuqizuar prej AI mund të zëvendësojë punën time nuk ishte teorike, ishte tashmë reale.

Dy vjet më vonë, shqetësimi im ka evoluar. ChatGPT është përmirësuar ndjeshëm në shpejtësi dhe cilësi. Por ndikimi më i madh nuk qëndron në saktësinë e përmbajtjes që prodhon, por në mënyrën si përdoret kjo përmbajtje në praktikë, qoftë nga qytetarët/et apo nga institucionet në Kosovë. Përdorimi i AI është bërë pjesë e përditshme e punës për shumë njerëz: nxënës/e që përgatitin ese, studentë/e që shkruajnë seminare, ligjërues/e që hartojnë syllabuse, zyrtarë/e që formulojnë komunikata, politikanë/e që përgatisin fjalime, qytetarë/e që hartojnë ngushëllime.

Një rast sidomos i komentuar së fundmi ishte ai kur një politikan i njohur publikoi një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale, por harroi të fshijë udhëzimin që i kishte dhënë ChatGPT. Ky incident u përhap shpejt dhe u komentua gjerësisht si dëshmi e përdorimit sipërfaqësor të AI, por në fakt tregon për diçka më të thellë: mungesën e përgatitjes për ta përdorur këtë teknologji në mënyrë të vetëdijshme dhe të përgjegjshme.

Në sektorin privat, AI tashmë ka zëvendësuar pozita të tëra në krijimin e përmbajtjes digjitale apo në transformimin e rolit të përkthyesve. Ndërkohë, sektori publik vazhdon të mbetet pas, me ritme të ngadalta zhvillimi dhe mungesë qasjeje sistematike ndaj adoptimit të teknologjive të reja.

Bizneset kursejnë kohë me AI, institucionet humbasin kohë me burokraci

Ironia qëndron në atë që vetë institucionet që kanë për mision transformimin digjital të vendit, funksionojnë me standarde burokratike, që nuk janë përditësuar prej dekadash.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës shpalli konkurs për drejtor të Agjencisë së Shoqërisë së  Informacionit (ASHI) dhe Agjencisë së re për Siguri Kibernetike, të cilat duhet të udhëheqin transformimin digjital të institucioneve publike dhe shërbimeve, përfshirë platformën e-Kosova, platformën e parë në vend që ka digjitalizuar disa shërbime publike. 

Por për të aplikuar për këto pozita, aplikantët duhet të dorëzojnë fizikisht kopje dokumentesh, përkthime të noterizuara, nostrifikime diplomash dhe certifikata të njohjes së gjuhës angleze. Për dikë që zotëron aftësitë teknologjike të kërkuara për këtë rol, që mund të zhvillojë zgjidhje digjitale dhe të udhëheqë ekipe inovative, ky proces është pengesë, jo mundësi. Në një kohë kur tregu kërkon zgjidhje digjitale, mendim inovativ dhe udhëheqje teknologjike, shteti kërkon fotokopje, vula të noterit e nostrifikime. 

Në sektorin privat, zhvillimet, si rëndom janë më të shpejta. Me ardhjen e dhjetëra platformave të reja të AI gjenerative, si Grok, Gemini, MidJourney e DALL·E, sektori privat në vend ishte i pari që i integroi ato në punën e përditshme.

Kompanitë që merren me përkthime, përmbajtje digjitale, marketing dhe trajnime janë ndër të parat që kanë integruar AI në proceset e tyre të punës. Kjo ka përmirësuar rrjedhën e punës dhe ka ulur kostot, por jo pa pasoja. Automatizimi i disa detyrave ka sjellë edhe humbjen e vendeve të punës.

Një kompani në vend që përkthente manualisht përmes shumë përkthyesve specifikimet teknike të produkteve që importoheshin nga vende të ndryshme në Kosovë, më tregoi se arriti qysh para një viti që ta automatizojë këtë proces duke kursyer qindra mijëra euro në përkthime dhe duke përshpejtuar punën. Përkthyesit njerëzorë tani angazhohen vetëm për rishikim, jo përkthim të plotë.

Megjithatë, ekziston një hendek i madh mes zhvillimeve teknologjike dhe nivelit të përgatitjes apo investimit te punonjësit për t’i përvetësuar dhe zbatuar këto zhvillime.

Një pronar i një kompanie që ofron trajnime për menaxhimin e rrjeteve sociale më tregoi se me ardhjen e AI, kishte pushuar nga puna disa punonjës/e. Punët, si përgatitja e përmbajtjeve, që më parë kërkonin orë të tëra, tani kryheshin në pak minuta. 

Në fushën e dizajnit dhe reklamës, mjetet si Midjourney apo DALL·E kanë zëvendësuar fotografë dhe ilustratorë për nevoja të përditshme vizuale. Puna krijuese po ndikohet drejtpërdrejt nga modelet e GenAI, që prodhojnë rezultate të menjëhershme, të gatshme për përdorim. Megjithatë, ekziston një hendek i madh mes zhvillimeve teknologjike dhe nivelit të përgatitjes apo investimit te punonjësit për t’i përvetësuar dhe zbatuar këto zhvillime.

Investimi për kohën e AI mbetet mbrapa

Shumica e punëtorëve nuk kanë qasje në trajnime për këto mjete dhe, rrjedhimisht, nuk janë në gjendje të përshtaten. Zhvillimet teknologjike nuk po ecin paralelisht me përvetësimin e aftësive: ndërsa integrimi i mjeteve të reja ul kosto për kompanitë, investimi në aftësimin e punëtorëve kërkon kohë dhe burime. Në këtë boshllëk, një pjesë e tregut po bëhet më efikase dhe më e shpejtë, ndërsa një pjesë e punonjësve rrezikon vendet e punës për shkak të teknologjive që nuk i njeh dhe nuk është e pajisur t’i përdorë.

Investimi publik në përgatitjen e gjeneratës së re të punëtorëve është edhe më pesimist. Numri i të rinjëve që janë të papunë, jashtë trajnimeve e edukimit është shumë i madh. Kjo kategori, indikator i pasivitetit social dhe ekonomik të të rinjve, ka mbetur në nivele alarmante dhe thuajse të pandryshuara, rreth 33% nga viti 2020 me një rënie të vogël në 30.3% në tre-mujorin e dytë të vitit 2024. Kjo tregon se një pjesë e madhe e të rinjve e të rejave vazhdojnë të mbeten jashtë cikleve të aktivitetit ekonomik dhe formimit profesional.

I shkëputur nga realiteti i nxënësve që përgatisin detyra me AI, sistemi ynë publik i arsimit ka një kompjuter për çdo 35 nxënës.

As të rinjtë/rejat që janë pjesë e sistemit arsimor nuk janë në një pozitë më të mirë. Ndërsa tregu i punës kërkon aftësi digjitale, shkollat publike në Kosovë funksionojnë me kurrikula të vjetruara dhe qasje të kufizuar në teknologji. I shkëputur nga realiteti i nxënësve që përgatisin detyra me AI, sistemi ynë publik i arsimit ka një kompjuter për çdo 35 nxënës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vetëm 66.64% e objekteve arsimore publike kishin internet në vitin 2021 dhe shpesh ai ishte i kufizuar në zyrat administrative apo në pak laboratorë, teksa në të gjithë sistemin publik me 320,000 nxënës ka vetëm 9,138 kompjuterë.

Në librin “Brave New Words: How AI Will Revolutionize Education (and Why That’s a Good Thing”, (në shqip: Fjalë të Reja të Guximshme: Si do ta Revolucionarizojë AI Arsimin (dhe Pse Kjo është një Gjë e Mirë)), Salman Khan, themeluesi i Khan Academy, platformë edukative me mësim online, argumenton se AI mund të funksionojë si një mësues i personalizuar për çdo nxënës, i cili nuk lodhet dhe nuk gjykon. Por për këtë nevojitet një riorganizim i plotë i mënyrës se si e kuptojmë mësimdhënien. 

Nëse brezat që po përgatiten të hyjnë në një treg pune të formësuar nga AI dhe digjitalizimi, nuk përvetësojnë aftësitë që ky treg kërkon, si mund të pritet që ata të kontribuojnë në të?

Nëse institucionet publike të arsimit nuk veprojnë me urgjencë për ta përshtatur kurrikulën me zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e tregut, brezat e rinj rrezikojnë të mbesin të papërgatitur dhe jashtë tregut të punës për një kohë të gjatë. Në mungesë të një qasjeje sistematike, të rinjtë mbesin të varur nga përpjekjet individuale për t’u përshtatur me një botë që po ndryshon vazhdimisht. Sepse nëse brezat që po përgatiten të hyjnë në një treg pune të formësuar nga AI dhe digjitalizimi, nuk përvetësojnë aftësitë që ky treg kërkon, si mund të pritet që ata të kontribuojnë në të? Kur institucionet publike të arsimit nuk investojnë në zhvillimin e këtyre aftësive, krijohet një boshllëk që rrezikon të bëhet strukturor.

Për këtë ka nevojë për një bashkëpunim më të thellë mes sektorit privat dhe atij publik. Në librin e tyre më të ri, “The Technological Republic: Hard Power, Soft Belief, and the Future of the West”, (në shqip: Republika Teknologjike: Fuqi e Fortë, Besim i Butë dhe e Ardhmja e Perëndimit), Alexander C. Karp dhe Nicholas w. Zamiska, bëjnë thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të shtetit dhe kompanive të teknologjisë, sidomos tashmë në kohën e zhvillimit e shpejtë të AI. Sipas autorëve, përderisa zhvillimi i hovshëm i pas Luftës së Dytë Botërore i atribuohet pikërisht bashkëpunimit mes shtetit dhe shkencëtarëve, në dekadat e fundit njerëzit më të ditur janë angazhuar vetëm se si të rrisin profitin dhe numrin e konsumatorëve në kompani private dhe jo në avancimin e sigurisë, mirëqenies e mireëqeverisjes. 

Njësoj, edhe qeveria e ardhshme e Kosovës do të duhej që të krijojë një grup ekspertësh, të përbërë nga udhëheqësit e kompanive më të mëdha të teknologjisë në Kosovë, dhe së bashku të vënë bazat e reformave revolucionare në fushën e arsimit, shëndetësisë, shërbimeve publike, gjyqësisë e inspektimeve, dhe digjitalizimit të të gjitha procedurave administrative. 

Skenari të cilit i frikësohesha fillimisht se AI do të më zëvendësonte si analist dhe opinionist nuk është realizuar ende. AI nuk e ka zëvendësuar mendimin tim, por më ka ndihmuar të mendoj më qartë. Përpara se të përdorja ChatGPT dhe mjete të ngjashme, në mungesë të vetëbesimit, shmangja të marr përsipër përgjegjësi të reja të cilat dilnin paksa nga përgatitja ime profesionale, sidomos kur bëhej fjalë për të shkruar në anglisht në mënyrë profesionale ose për të analizuar të dhëna të ndërlikuara. Sot, këto pengesa nuk më ndalojnë më. Kam mësuar si të bashkëpunoj me teknologjinë për të përmirësuar punën time. Shkruaj më shpejt, përgatis analiza më të qarta, dhe vendimmarrja ime është më e mbështetur në të dhëna.

Por diçka tjetër është realizuar: AI më ndihmoi ta shkruaj këtë tekst. Jo duke e bërë në vendin tim, por duke më ndihmuar ta përfundoj më saktë, më shpejt dhe me më shumë siguri.

Pyetja nuk është më nëse AI do të na zëvendësojë. Pyetja është nëse do të mësojmë si të punojmë me të, para se të mbetemi prapa.

 

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.