Imagjinoje që në vitin 2100, mban syze që projektojnë një ndihmës virtual, një inteligjencë artificiale (IA), që të kupton në mënyrë të përsosur dhe e parashikon secilën nevojë tënden. Kur zgjohesh në mëngjes, ndihmësi yt IA ta kujton orarin tënd dhe të ndihmon ta planifikosh ditën. Shkon në shkollë ku dëgjon ligjërata virtuale dhe detyra të personalizuara, që i janë përshtatur stilit dhe aftësive tua të të nxënit. Ndihmësi i IA është mësuesi yt, që të ndihmon t’i kuptosh konceptet komplekse dhe i ndan përshtypjet me ty aty për aty.
E përfundon orarin e shkollës dhe nisesh për në punë, ku të pret zyrja që i përshtatet preferencave tua dhe një ndihmës IA, që të ndihmon t’i kryesh punët. Ndihmësi yt mund të analizojë sasi të mëdha të dhënash, të komunikojë me anëtarët e tjerë të ekipit dhe madje të përpunojë raporte dhe prezantime për ty.
Pas punës, kthehesh për në shtëpi, ku, shtëpia jote e pajisur me IA, të mirëpret me temperaturën dhe ndriçimin e përsosur, si dhe ta përgatit darkën bazuar në preferencat tua dietale. Mbrëmjen e kalon me njerëzit e tu të dashur, si dhe duke e shijuar një lloj argëtimi gjithëpërfshirës, që i përshtatet shijes tënde.
Mirë se vjen në botën e IA, ku e ardhmja nuk është e vendosur, por e gdhendur.
Kjo është një botë ku IA është integruar plotësisht në jetën tonë të përditshme, duke e bërë çdo aspekt të saj më të mirë e më efikas. Por kjo utopi tani për tani është vetëm shpikje e imagjinatës.
Për ta arritur këtë nivel të integrimit dhe personalizimit të AI, që përshkruhet në këtë skenar utopik, kërkohet nivel i konsiderueshëm përparimi në teknologji dhe zhvillim.
Së pari, kërkohet përparim i madh në përpunimin e gjuhës natyrore (NLP) dhe mësimin e makinerive, në mënyrë që asistuesit IA t’i kuptojnë dhe t’i përgjigjen të folurit njerëzor, si dhe t’i parashikojnë nevojat. Gjithashtu kërkohen përparime në vizionin kompjuterik dhe teknologjinë shqisore në mënyrë që të funksionojë lehtësisht dhe të ofrojë përgjigje pa probleme.
Për personalizim, do të kërkohej sasi e madhe e të dhënave, po ashtu edhe aftësia për t’i analizuar dhe përpunuar ato. Të dhënat do të duhet të grumbulloheshin dhe të ruheshin në një mënyrë të sigurt dhe modelet e IA do të duhej të trajnoheshin për këto të dhëna, për të krijuar përvoja të personalizuara.
Një mënyrë se si IA mund të aftësohej për të dhënat personale do të ishte përdorimi i të dhënave që ofrohen nga përdoruesi, si për shembull përmes një aplikacioni ose portali ku përdoruesit do të mund të ofronin informacione për veten dhe preferencat e tyre. Për më tepër, IA mund të përdorë gjithashtu të dhëna që mblidhen përmes senzorëve dhe pajisjeve që janë të integruara me sistemin e IA, të tilla si pajisjet inteligjente shtëpiake, për të mësuar më shumë rreth sjelljes dhe zakoneve të një personi.
A jemi afër këtij skenari utopik? Që nga sot, zhvillimi i teknologjisë së IA është ende në fazat e hershme dhe nuk dihet saktësisht se sa shpejt teknologjia do të përparojë ose çfarë zbulimesh të reja do të bëhen.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se përparimet në kërkimin dhe zbatimin e IA po zhvillohen me një ritëm të shpejtë. Përmirësimet e shpejta në fusha si mësimi i makinerive, vizioni kompjuterik dhe përpunimi i gjuhës natyrore kanë çuar tashmë në përparime të rëndësishme në sistemet e IA — diçka që tashmë po i lë njerëzit gojëhapur.
Drejt IA
Vitet e fundit, bota është mahnitur nga ardhja e sistemeve të avancuara të IA si ChatGPT — një model gjuhësor i fuqizuar nga IA. Shumë njerëz kanë mbetur të habitur nga aftësitë e këtyre sistemeve, të cilat janë në gjendje të shkruajnë ese, të kodojnë, të bëjnë kërkime dhe madje të zgjidhin probleme komplekse matematikore.
Megjithatë, ka shumë produkte të asistuara nga IA që përdoren sot, të cilat janë integruar në jetën tonë të përditshme dhe shumë njerëz mund të mos i shohin ato si “IA”. Disa shembuj përfshijnë algoritme të IA që përdoren nga shumë faqe interneti dhe aplikacione për të rekomanduar produkte, filma, muzikë dhe artikuj të tjerë, bazuar në historikun e shfletimit dhe kërkimit të përdoruesve. Këto sisteme përdorin mësimin e makinerive për ta parashikuar se cilat artikuj mund t’i interesojnë një përdoruesi.
Pastaj ka filtra spam për mesazhet të parëndësishëm. Ofruesit e postës elektronike email përdorin filtra spam të fuqizuar nga IA, për t’i identifikuar dhe bllokuar automatikisht mesazhet e padëshiruara. Më të njohurit janë algoritmet e rrjeteve sociale ku platforma si Facebook, Instagram dhe Twitter përdorin algoritme të IA për t’ua renditur dhe shfaqur përdoruesve përmbajtjen, duke ua renditur dhe filtruar postimet bazuar në rëndësinë, kohëzgjatjen dhe popullaritetin.
Sidoqoftë, le t’i kthehemi bazës. Çka është IA dhe pse gjithë kjo bujë rreth saj?
Inteligjenca Artificiale është fushë e shkencës dhe inxhinierisë kompjuterike që i kushtohet krijimit të makinave dhe softuerëve, të cilët mund të kryejnë detyra që zakonisht kërkojnë inteligjencë njerëzore. Këto detyra përfshijnë të kuptuarit e gjuhës natyrore, njohjen e objekteve dhe pamjeve, marrjen e vendimeve dhe madje edhe të mësuarit nga përvoja.
Origjina e IA mund të gjurmohet qysh në vitet e ’50-ta, kur studiuesit fillimisht nisën të eksperimentojnë me mënyrat se si t’i bëjnë kompjuterët më inteligjentë. Megjithatë, tek në fund të shekullit XX u bënë përparime të rëndësishme në këtë fushë, falë zhvillimit të kompjuterëve më të fuqishëm dhe disponueshmërisë së sasive të mëdha të të dhënave.
Njëri nga produktet e para të inteligjencës artificiale të prezantuar ndonjëherë ishte IBM 704, që ishte një sistem kompjuterik i aftë për të luajtur shah. I zhvilluar në mesin e viteve të ’50-ta, IBM 704 ishte në gjendje t’i analizonte pozicionet e shahut dhe të merrte vendime bazuar në të kuptuarit e vet të lojës. Ky ishte zbulim i rëndësishëm, pasi e dëshmoi se kompjuterët janë në gjendje ta imitonin inteligjencën njerëzore në fusha specifike.
Sidoqoftë, IBM 704 s’ishte në gjendje t’i mposhtte njerëzit që ishin mjeshtër të shahut asokohe. Në fakt u deshën disa dekada që një kompjuter ta arrinte këtë moment historik. Ka qenë 10 shkurti i 1996, kur kompjuteri Deep Blue i IBM-së mundi kampionin botëror të shahut Garry Kasparov në një ndeshje 6-setesh, duke u bërë kompjuteri i parë që mundi një kampion botëror në fuqi, në një ndeshje nën kontrollet standarde të kohës së turneut të shahut.
Që atëherë, teknologjia IA ka avancuar dukshëm dhe është aplikuar në një gamë të gjerë industrish dhe aplikacionesh.
Magjepsja e fundit është ChatGPT, një model gjuhe i fuqizuar nga IA, që u zhvillua nga OpenAI. Është një lloj modeli i mësimit të makinës, që mund të kuptojë dhe gjenerojë gjuhën njerëzore. ChatGPT mund të përdoret për një sërë detyrash të përpunimit të gjuhës natyrore, si përkthimin e gjuhës, përmbledhjen e tekstit, përgjigjen e pyetjeve dhe madje edhe shkrimin e eseve, storieve dhe kodeve. Ai është i aftësuar në një sasi të mëdha të dhënash të tekstit, që pastaj ia mundëson të gjenerojë tekste të ngjashme me tekstin e shkruar nga njeriu.
Që nga lansimi i ChatGPT në nëntor të vitit 2022 për testim masiv, është përdorur nga një numër i madh njerëzish, përfshirë studiues, zhvillues dhe shkencëtarë të të dhënave. ChatGPT arriti një milion përdorues në vetëm pesë ditë pasi u lansua.
Me rritjen e përdorimit të IA në industri të ndryshme, janë ngritur edhe disa shqetësime.
Njëri nga shqetësimet më të mëdha lidhur me IA është se do të mund t’i zëvendësojë punëtorët njerëzorë, duke çuar potencialisht në humbje të gjerë të vendeve të punës dhe pengesa ekonomike.
Një shqetësim tjetër është për anshmërinë dhe drejtësinë. Meqenëse sistemet e IA janë po aq të mira sa të dhënat mbi të cilat janë trajnuar, kjo mund të çojë në riprodhimin e sistemeve të IA ose edhe në përforcimin e paragjykimeve të pranishme në të dhënat e trajnimit. Disa njerëz shqetësohen për mundësinë e përparimit të sistemeve të IA aq shumë, saqë mund ta tejkalojnë inteligjencën dhe autonominë njerëzore, duke çuar në probleme të mundshme etike dhe shoqërore.
Një shqetësim serioz është se IA po përdoret gjithnjë e më shumë në aplikacionet e sigurisë si vëzhgimi dhe siguria kibernetike. Disa njerëz shqetësohen për përdorimin e IA në këtë kontekst, që mund të çojë në shkelje të privatësisë dhe lirive qytetare. Të tjerë shqetësohen për mungesën e transparencës së procesit të vendimmarrjes së disa sistemeve të IA.
Shqetësimet lidhur me AI sigurisht janë të bazuara në kuptimin që ato bazohen në rreziqet dhe sfidat reale të mundshme, që lidhen me zhvillimin dhe përdorimin e IA. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shtrirja aktuale e këtyre rreziqeve dhe sfidave është ende e panjohur dhe fusha e IA po zhvillohet me shpejtësi.
Për shembull, shqetësimi për anshmërinë e paragjykimet dhe drejtësinë në sistemet e IA është sigurisht real, pasi ka pasur raste kur sistemet e IA kanë përsëritur apo përforcuar paragjykimet e pranishme në të dhënat e trajnimit. Por gjithashtu, studiuesit dhe praktikuesit po punojnë për të gjetur zgjidhje për t’i zvogëluar këto probleme, të tilla si krijimi i algoritmeve më të drejta dhe mësimin e përfaqësimit më të drejtë.
IA në medie
Zhvillimi i IA ka ngritur shqetësime në peizazhin e informacionit dhe medies për shkak të aftësisë së tij për të gjeneruar medie sintetike, si deepfakes. Deepfakes janë video ose pamje që krijohen artificialisht duke përdorur IA dhe ato mund të përdoren për të krijuar falsifikime me pamje që duken si të vërtetar të njerëzve ose ngjarjeve. Kjo mund të përdoret për të krijuar lajme të rreme, për të përhapur propagandë ose për të imituar dikë që të vjedhë të dhëna personale. Kjo teknologji mund të përdoret për të përhapur keqinformata dhe dezinformata, si dhe rrjedhimisht të çojë në uljen e besimit në burimet e lajmeve dhe informacionit.
Një mënyrë tjetër se si IA mund të krijojë çrregullim të informacionit është përmes manipulimit të përmbajtjes në internet dhe keqinformimit. Platformat e rrjeteve sociale po përdoren si një mjet për të përhapur informacion të rremë dhe IA mund të përdoret për ta përforcuar artificialisht shtrirjen dhe ndikimin e kësaj përmbajtjeje. Kjo mund të bëhet duke përdorur algoritme që synojnë audienca specifike me përmbajtje që krijohet për t’i ndikuar mendimet apo veprimet e tyre. Për më tepër, IA mund të përdoret për të gjeneruar komente, pëlqime dhe ndjekës të rremë në rrjetet sociale, duke krijuar angazhim të rremë, gjë që mund t’i bëjë që disa informacione ose llogari të duken më të besueshme sesa janë në të vërtetë.
Vetë redaksitë kanë filluar ta integrojnë teknologjinë e IA për t’i ndihmuar në shkrimin e lajmeve, pasi ajo mund të përdoret për ta automatizuar shkrimin e llojeve të caktuara të lajmeve, të tilla si rezultatet sportive, përditësimet e bursës dhe raportimet për motin. Sistemet e IA mund të trajnohen për të analizuar sasi të mëdha të dhënash, të tilla si artikuj lajmesh, poste në rrjetet sociale dhe të dhëna financiare si dhe më pas të gjenerojnë automatikisht lajmet bazuar në atë analizë.
Procesi i shkrimit të lajmeve përmes IA mund të ndryshojë në varësi të sistemit dhe zbatimit specifik, por në përgjithësi, ai përfshin trajnimin e modelit të IA në një grup të madh artikujsh lajmesh përkatëse dhe duke ia dhurar sistemit të IA një temë apo ngjarje specifike për ta shkruar. Sistemi i IA pastaj përdor teknika të përpunimit të gjuhës natyrore për t’i analizuar të dhënat dhe për të gjeneruar tekste që i ngjan një artikulli lajmesh i shkruar nga njeriu.
Ka disa implikime etike që duhet të merren parasysh kur përdoret IA në shkrimin e lajmeve. Një çështje është potenciali për paragjykime, pasi sistemet e IA janë aq të mira, sa janë të dhënat mbi të cilat janë trajnuar dhe nëse të dhënat përmbajnë paragjykime, sistemi i IA do t’i përsërisë ato paragjykime në produktin e tij. Për më tepër, përdorimi i IA për të shkruar lajme mund të çojë në humbje të ekspertizës njerëzore dhe aftësisë për ta përcjellë kontekstin e një historie, si dhe në rrezikun e përhapjes së keq-informatave ose dezinformatave, duke e ngatërruar informacionin e rremë për të vërtetë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është llogaridhënia. Duke qenë se lajmet që krijohen përmes IA mund të mos dallohen nga artikujt e shkruar nga njeriu, mund të jetë e vështirë të kërkohet llogari nga dikush për pasaktësitë ose paragjykimet në përmbajtje.
Megjithatë, është e dobishme që gazetarët t’i kontrollojnë faktet e lajmeve që shkruhen përmes IA përpara se t’i botojnë ato. Kontrollimi i fakteve mund të ndihmojë për t’u siguruar që informacioni në lajm është i saktë dhe i besueshëm dhe gjithashtu mund të ndihmojë në identifikimin e çdo paragjykimi ose pasaktësie të mundshme në përmbajtjen e krijuar nga IA.
Po ashtu, lajmet e krijuara përmes IA duhet të etiketohen qartë si të tilla dhe të jenë transparente për mënyrën se si janë krijuar, për t’u ndihmuar lexuesve të marrin vendime të informuara lidhur me besueshmërinë e informacionit.
Fjala e “autores”
Përveç kësaj pjese, ky artikull — përjashto titujt dhe nëntitujt — është shkruar nga ChatGPT, bazuar në pyetjet e mia dhe tani e kam vështirë të vendosi se kush duhet t’i marrë meritat për tekstin, unë apo kompjuteri.
E kontrollova artikullin në Crossplag, një platformë në internet që pretendon se zbulon përmbajtje që janë shkruar përmes IA dhe rezultati tha se “ky tekst është shkruar kryesisht përmes IA”.
Zakonisht, hulumtimi për një artikull si ky më merr kohë deri në një javë, por me ChatGPT i shpenzova vetëm pesë orë duke shtruar pyetje dhe një mbrëmje tjetër duke radhitur përgjigjet, për ta fituar strukturën e duhur. Ditën e dytë e kalova duke kontrolluar të gjitha informacionet dhe pretendimet e ChatGPT. Dhe qëlloja se çka pretendoi rrejshëm ChatGPT? Në fakt, IBM 704 nuk ishte saktësisht sistem kompjuterik, që ishte i aftë të luante shah. Në fakt, ai ishte sistemi i parë kompjuterik për të cilin u zhvillua një program i plotë shahu.
Disa nga kufizimet e ChatGPT janë se nuk ka informacion përtej vitit 2021 dhe kur ia kërkova t’i lexonte disa nga shpjeguesit e mi të fundit për t’iu përshtatur stilit tim të të shkruarit, nuk arriti t’i lexonte faqet e internetit dhe dokumentet. Edhe po, më ndalte pas çdo ore për të më njoftuar se kam parashtruar shumë pyetje brenda atij afati kohor dhe ndonjëherë nuk funksiononte për shkak të kërkesës së lartë.
Si e ndihmoi procesin tim të punës? Si fillim ma kurseu shfletuesin tim nga hapja e 50 faqeve me dhjetëra dokumente që përndryshe do t’i lexoja dhe do t’i theksoja për ta shkruar një artikull shpjegues. Nuk munda ta shkruaja këtë artikull në gjuhën shqipe, pasi gjuha kryesore e ChatGPT është anglishtja dhe informacioni që jep në gjuhë të tjera nuk është në të njëjtin nivel të saktësisë.
Çka e ndiej se më ka munguar nga procesi im i zakonshëm i hulumtimit dhe të shkruarit? Ma vodhi gëzimin e hulumtimit dhe të shkrimit — procese këto që i shijojnë pasoinantët e medies. M’u duk se pranimi i përgjigjeve të shpejta bazuar në pyetjet e mia më privoi nga një këndvështrim më i gjerë rreth temës që po përpiqesha ta shpjegoja. Procesi i hulumtimit përfshin leximin e një sasie të gjerë të informatave rreth një teme — ndonjëherë edhe duke u nisur nga bazat. Ndonëse është e pamundur të lexosh gjithçka rreth një teme, përsëri i ekspozohesh një game të ndryshme këndvështrimesh dhe më pas vendos vetë për qasjen tënde redaktoriale.
Kam qenë kurreshtare për IA qe një kohë të gjatë dhe pata hulumtuar për të para se të lansohej ChatGPT, gjë që ishte e dobishme kur i bëra pyetjet. Përndryshe, për shembull, po të mos e kisha pyetur ChatGPT për anën negative të IA ose cilat janë shqetësimet kryesore të njerëzve lidhur me Ia, s’jam e sigurt që ChatGPT do ta kishte përmendur ndonjë. ChatGPT ua gjen përgjigjet që kërkoni, por në gazetari çfarë është vendimtare, është gjetja e pyetjeve të duhura.
Kur lexova se si redaksitë në mbarë botën po përdornin IA, pyesja veten se si do të ndodhte kjo në peizazhin medial kosovar. Po sikur një medium të vendosë të kursejë kohë duke ia kërkuar IA të shkruajë lajme të përditshme dhe t’i përdorë gazetarët e tij për të shkruar në fakt artikuj më të thelluar? Problemi është se nëse mediet në Kosovë do ta trajnonin një produkt të IA nga mjedisi ekzistues i lajmeve, cilësia do të ishte e njëjtë — dobët. Kjo për shkak se, në përgjithësi, peizazhi medial në Kosovë mbizotërohet nga gazetaria e kryetitujve dhe ajo sensacionaliste.
Por, çka nëse mediet e besueshme do ta ndërmerrnin këtë hap në vend të atyre që e ndotin peizazhin e informacionit duke anashkaluar verifikimin e fakteve, kontekstin dhe po, nganjëherë edhe të vërtetën? Po sikur agjentët e dezinformimit të duan ta përdorin IA për ta trajnuar atë për qëllimet e tyre dhe për ta çuar edhe më tej dezinformimin? Një IA që shkruan “lajme të rreme” në sekonda, e frikshme, apo jo?
Kjo nxjerr në pah një shqetësim tjetër në fushën e IA. Shumica e produkteve për konsum publik kanë mbikëqyrje dhe standarde për sigurinë, efikasitetin dhe sigurinë. Për IA, në të vërtetë s’ke ndonjë rregullore. Çdokush mund të lansojë një produkt të IA dhe ta bëjë atë të qasshëm për të gjithë.
Kjo mund t’i përkeqësojë boshllëqet tashmë ekzistuese digjitale. Teksa ka shumë njerëz që nuk e kanë aftësitë e edukimit digjital për ta identifikuar dezinformimin, IA mund ta mbingarkojë aftësinë e grupeve dashakeqe për ta vërshuar ekosistemin medial me informacione të rreme apo të dëmshme. Ai do t’i përforconte pabarazitë dhe do t’i linte njerëzit prapa në qasjen e informacionit dhe madje edhe të vendeve të punës.
Përveç këtyre diskutimeve të mëdha të hapura — të cilave do t’u kthehem patjetër në artikuj të tjerë — mund të them se më pëlqeu ky eksperiment. Po, ChatGPT është riprodhues dhe shpjegimet janë të përgjithshme, në qoftë se jo të mërzitshme në një moment. Sidoqoftë, sigurisht që mund të ta kursejë kohën që mund ta përdorësh pastaj për detyra të tjera që (ende) nuk mund të ndihmohen nga IA.
Në fund, për sa kohë që faktet kontrollohet siç duhet përpara botimit, për gazetarët dhe redaksitë, IA mund të jetë një mik dhe sigurisht që nuk do t’i zëvendësojë ata — sepse çka e bën një gazetar shkon përtej thjesht grumbullimit të informacioneve.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.