Kur ishte fëmijë, Janis McDavid nuk donte tjetër përveçse një ditë të bëhej polic me motoçikletë. Por ishte vetëm tetëvjeçar, kur ëndrra iu shemb.
Një mëngjes, që ai do ta mbajë mend gjithë jetën, e shikoi veten në pasqyrë dhe për herë të parë kuptoi se nuk ishte si çdo fëmijë tjetër.
“Ajo që pashë në pasqyrë, ishte një trup që përbëhej vetëm nga trungu dhe koka”, thotë ai. “Dhe isha me të vërtetë i tronditur… nuk kisha menduar se dukem kështu”.
Kjo pamje do t’i shndërrohej në ankth e dëshpërim për vite me radhë, por më vonë, në armën e tij më të fortë. Sot, si aktivist me aftësi të kufizuara, ai është bërë njëri nga zërat dhe folësit më frymëzues në botë.
McDavid, 26 vjeçar, i cili jeton mes Berlinit dhe Bochum-it në Gjermani, ka lindur pa gjymtyrë. Deri në moshën 17-vjeçare ishte në luftë me vetveten, derisa ngadalë filloi ta pranonte trupin e vet.
“Ky ishte momenti kur e kuptova që ka shumë gjëra pozitive në jetë dhe jo gjithçka është e keqe, jo gjithçka është negative”, thotë ai. “Dhe kjo ishte pika kur vendosa ‘duhesh ta pranosh situatën, sepse nuk mund ta ndryshosh. Ne kemi vetëm dy rrugë në jetën tonë: ose mund ta ndryshoni një gjë ose duhet ta pranoni ”.
Por tashmë McDavid është thuajse i pavarur. Ai jeton kryesisht vetëm, në një banesë që u përshtatet nevojave të tij, ha dhe pi pa ndihmën e të tjerëve, udhëton shpesh, e madje edhe vozit veturë. Më së shumti ka nevojë për asistencë gjatë udhëtimeve, kur nuk e njeh infrastrukturën e vendit ku do të udhëtojë.
Në shtator ishte edhe në Kosovë, si folësi kryesor në Activate Talks, program i zyrës UNICEF në Kosovë, që ka për qëllim të bëjë bashkë fëmijë e adoleshentë, inovatorë e ekspertë, për të diskutuar zgjidhje të ndryshme për gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.
Në Prishtinë, McDavid është takuar dhe ka mbajtur fjalime e diskutime me qindra nxënës, fëmijë, e të rinj kosovarë. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, K2.0 e takoi dhe ai rrëfeu për jetën e vet, fëmijërinë, sfidat, përditshmërinë dhe misionin e tij.
Ai thotë se ka vendosur t’i shohë vetëm gjërat pozitive në jetë. Për faktin që nuk ka këmbë, me shaka thotë se “të paktën nuk kam nevojë të blej këpucë”.
Foto: Adi Beqiri / UNICEF.
K2.0: Njiheni si “udhëtari pa duar e këmbë” dhe si aktivist frymëzues. Si dhe ku e gjeni tërë këtë energji?
Janis McDavid: Nuk e di… I gjithë publiku im më jep energji. Për shembull, sot këtu, fëmijët po më dëgjonin me vëmendje dhe shikonin kur i bëmë fotot më vonë.
Kjo më jep shumë energji, sepse e shoh që mund t’ia ndryshoj jetën dikujt me ato që them, me fjalët e mia, me tregimin tim, pastaj ndihem më se i lumtur. Kjo ndodh sepse dua t’i mbështes të tjerët, dua t’i mbështes fëmijët që të kenë jetë më të lehtë e më të mirë se unë. Mendoj se vendimi për ta pranuar situatën time është vendimi më i rëndësishëm në gjithë jetën time.
Nëse e kam mundësinë ta ndryshoj jetën e të tjerëve, edhe nëse mund ta ndryshoj jetën e vetëm një personi, një fëmije, atëherë jam më se i lumtur.
Çka bën Janis në një ditë të zakonshme?
Epo, a di si, ditët e mia duken zakonisht shumë të mërzitshme nga ana tjetër. Zgjohem, ha mëngjes dhe pastaj ulem para kompjuterit, duke menduar për fjalimet e mia, për udhëtimet, ku dua të shkoj, çka dua të bëj, si t’i frymëzoj të tjerët, duke planifikuar e organizuar gjithçka.
Jam shumë i lumtur që e kam gjetur dikë, një grua nga Gjermania, e cila më ndihmon tani me gjithë administrimin. Ajo është më shumë se asistentja ime, menaxherja e tanishme, dhe jam shumë mirënjohës që po bën kaq shumë punë.
Për shembull, tani kam pesë javë që do të udhëtoj, prandaj nuk do të jem në shtëpi për pesë javë. Dhe ditët janë pak a shumë të njëjta. Shkoj diku, mbaj një fjalim, jap intervista, mundohem t’i motivoj e t’i frymëzoj njerëzit dhe po, udhëtoj.
Kjo është pak a shumë ajo që bëj. Dhe nëse jam në shtëpi, atëherë jam i ulur para kompjuterit, duke punuar.
Jeton vetëm. Si ia del me detyrat? Si ia del vetëm?
Më mirë të them jetoj pjesërisht vetëm. E kam hapësirën time, por është afër shtëpisë së prindërve të mi [në Bochum, Gjermani]. Dhe në Berlin jetoj afër shoqërisë. Pra, jetoj bashkë me shoqërinë, por shumicën e gjërave mund t’i bëj vetë, pra kam mësuar të bëj vetë gjithçka që është e rëndësishme.
Foto: Adi Beqiri / UNICEF.
E kam gjetur hilen, jam shumë kreativ në këtë drejtim. Dhe kam nevojë për ndihmë dhe asistencë për shembull, vetëm kur udhëtoj, sepse nuk mund ta di si është mjedisi, si është situata në shtetet e qytetet e tjera. Dhe ja pse zakonisht udhëtoj me dikë.
Për shembull, tani, këtu në Kosovë, i kam sjellë tre shokë të mirë, gjë për të cilën jam shumë mirënjohës, që më mbështesin këtu, dhe që kanë vullnetin t’i bëjnë këto gjëra të çmendura me mua.
Le të kthehemi prapa në kohë. Si ishte fëmijëria dhe si keni reagur kur e kuptuat se ishit “ndryshe” nga të tjerët?
Kur isha fëmijë, nuk e kuptoja se isha ndryshe. Gjithmonë jam ndjerë si fëmijë normal. Dhe kam dashur të bëhem polic me motoçikletë, kjo ishte ëndrra ime. As nuk kisha asnjë dyshim se mund të bëhesha polic me motoçikletë. Për mua ishte shumë e qartë, sepse nuk e kisha kuptuar se, me situatën time, ishte pak e vështirë.
Kur isha tetëvjeçar, një mëngjes – më kujtohet ai mëngjes sikur të ishte dje – po ecja nëpër shtëpi, dhe u shikova në pasqyrë. Ajo çka pashë në pasqyrë ishte një trup i përbërë vetëm nga koka dhe trungu i ulur në tokë, dhe u shokova me të vërtetë shumë.
Nuk e mendoja se dukesha kështu. E kisha një pamje krejt tjetër të vetes në mendje. Atë mëngjes e kuptova, dhe isha i tronditur, i turpëruar, dhe u ndjeva shumë keq. I thashë vetes: “A jam unë ky, apo është diçka krejt ndryshe?”
Nuk munda ta tejkaloja këtë situatë dhe m’u desh kohë e gjatë, derisa u bëra 17 vjeç. Pra nëntë vjet për ta tejkaluar këtë, dhe për ta tejkaluar luftën kundër vetes. Kam provuar të fshihem, nuk doja të dilja jashtë, nuk doja të shkoja nëpër festivale, në qytet, asnjë nga këto. Nuk doja t’i takoja njerëzit e fëmijët e tjerë.
Ndihesha i turpëruar dhe nuk doja t’ua shpjegoja të tjerëve këtë, ishte shumë e vështirë.
Prandaj u fsheha. Rrija në shtëpi deri në një pikë, kur e kuptova: “Epo, nëse dëshiron të bësh diçka me jetën, duhet të fillosh tani. Nuk mund të rrish këtu gjithë jetën, sepse atëherë s’do të ndryshosh asgjë. Nuk mund ta kesh dikë rreth vetes, që do të kujdeset gjithmonë për ty, sepse njerëzit e tjerë e kanë jetën e vet”.
Kjo ishte pika kur vendosa se duhej të ndryshoja diçka, duhej të dilja, të provoja t’i bleja këto çokollata vetë, të provoja ta merrja jetën në duart e mia dhe të nxirrja më të mirën prej saj. Nuk isha i sigurt nëse do të kisha sukses. Isha shumë nervoz në fillim, sepse patjetër se mund të dështoja. Kaq shumë gjëra mund të kishin ndodhur herën e parë që kam hyrë në supermarket.
“Çka nëse nuk do të isha i suksesshëm dhe do të frustrohesha edhe më shumë?”, këtë e kisha në kokë.
Por atëherë, i thashë vetes: “Duhet t’i ndalosh këto mendime tani, duhet të dalësh nga shtëpia, dhe duhet të provosh. Çka mund të humbasësh? Nëse nuk je i suksesshëm, atëherë provo përsëri për herë të dytë, të tretë, e të katërt. Nuk humbet asgjë. Por ka shumëçka që mund të fitosh.”
Ana e gjërave që mund t’i fitoja ishte shumë më e madhe se e atyre që mund t’i humbja.
Foto: Adi Beqiri / UNICEF.
Ëndrra juaj ishte të bëheshit polic me motoçikletë. Sa ishte e vështirë për ju të hiqni dorë nga kjo ëndërr?
Ishte shumë e vështirë, jo vetëm të hiqja dorë nga kjo ëndërr, por edhe të hiqja dorë nga gjithçka që do të dukej jeta ime. Gjithmonë kam menduar se do të kisha një jetë normale si gjithë të tjerët. Kjo ishte ëndrra ime – të shkoja në universitet, si gjithë të tjerët. Ishte shumë e vështirë për ta kuptuar këtë, që jeta jote do të duket ndryshe.
Cilat janë situatat më të sikletshme që i keni pasur?
Kisha problem kur i takoja fëmijët e tjerë, njerëzit që nuk i njoh, sepse i kisha frikë pyetjet e tyre. Si mund ta dish, fëmijët gjithmonë janë shumë të drejtpërdrejtë, shumë të hapur, dhe bëjnë pyetje direkte. Pyesin gjithçka që ne nuk do të pyesnim, sepse jemi shumë të sjellshëm ose çkado qoftë.
Këto ditë, më pëlqen, sepse i përgjigjesh pyetjes së një fëmije në një mënyrë të mirë, sepse fëmijët janë kureshtarë, kështu janë ata. Dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, dhe ne nuk duhet të provojmë t’ua ndalim kureshtjen fëmijëve tanë. Duhet t’i inkurajojmë të jenë më kureshtarë. Tani nuk e kam më këtë problem, sepse i kam përgjigjet e mia dhe mund të flas me ta.
Por në atë kohë, ngase nuk ndihesha mirë në trupin tim dhe ndihesha i turpëruar, ishte shumë e vështirë për mua. Këto ishin situatat më të sikletshme që i kam përjetuar.
Së fundmi, keni qenë i përfshirë si aktivist me UNICEF-in. Si ndodhi ky bashkëpunim?
Bëj shumë gjëra me UNICEF-in, por jo vetëm me UNICEF-in. Zakonisht në Gjermani punoj për kompani private dhe e të ngjashme, sepse të gjithë këta punonjës kanë nevojë për motivim e për frymëzim.
Gjithçka ndodhi rastësisht. E mora një email nga një shok i imi që ishte në Shri Lankë:
“Hej, është çmenduri këtu. Nuk mund ta besosh çka do të tregoj tani, por e kam takuar një murg budist dhe ai tashmë paska dëgjuar për ty. E ka parë një video tënden, dhe do të donte të të ftonte në Shri Lankë. A dëshiron të vish?” dhe i thashë “Epo, në rregull, pse jo.”
Pastaj udhëtova për në Shri Lankë dhe mbajta fjalime motivuese, dhe në një fjalim, mendoj se ishte fjalimi në Ambasadën Gjermane, ishte dikush prej UNICEF-it i ulur aty, duke më dëgjuar, dhe më rekomandoi te shefi i vet, te Philippe Cori, i cili është tani Zëvendës-Drejtor Rajonal i UNICEF-it për Evropës dhe Azi Qendrore. Ai ishte [në atë kohë] Zëvendës-Drejtor Rajonal i Azisë Jugore dhe ishte i pari që më ftoi. Kështu filloi gjithçka.
Keni disa ditë në Kosovë. Cilat janë përshtypjet e para për infrastrukturën dhe sa e qasshme është për njerëzit me aftësi të kufizuara?
Mendoj se duhet të punojmë shumë në qasjen këtu. Nuk dua ta fajësoj askënd sepse jam i bindur se mund t’i ndryshojmë gjërat veç nëse e bëjmë në mënyrë pozitive, nëse e bëjmë në një mënyrë motivuese.
Por çka kuptova kur erdha këtu është se ende ka shumë pengesa që kanë të bëjnë me qasjen, por vetëm për të lëvizur nëpër rrugë. Keni trotuare që janë të larta, dhe nuk janë të rrafshëta.
Pastaj, për shembull, në restaurant, është një shkallë lëvizëse, por prapë duhet të kalosh tre hapa. Kjo është diçka që mendoj se duhet ta përmirësojmë sepse është një hap tepër i rëndësishëm që të gjithë të jenë pjesë e shoqërisë.
Por qasja nuk do të thotë vetëm të kesh një shkallë lëvizëse, sepse qasje gjithashtu do të thotë qasje në informata, në komunikim e arsim. Në të vërtetë, kam ëndërruar për një vend ku nuk kemi nevojë të flasim për qasjen më, sepse e kuptojmë si diçka elementare. Kjo është një gjë elementare që u nevojitet të gjithëve, në mënyrë që të marrin pjesë në shoqëri dhe në shtet.
Mund të duket si pyetje klishe, por cili është qëllimi ose misioni juaj kryesor në jetë? Dhe cili është mesazhi juaj për fëmijët me aftësi të kufizuara?
Dua t’i bëj të tjerët të fortë në jetë. Dua t’i bëj të tjerët të fortë në ëndërrat dhe vizionet e tyre.
Do të doja t’i bëja fëmijët të fortë që të arrijnë atë që ëndërrojnë, çka duan të ndryshojnë, çka duan të bëjnë. Sepse mendoj se mund të ndryshojmë botën vetëm nëse punojmë të gjithë së bashku dhe nëse nuk punojmë kundër njëri-tjetrit. Dhe këtë e kam kuptuar shumë shpesh, se njerëzit priren të punojnë më shumë kundër njëri-tjetrit sesa së bashku. Dhe me të vërtetë dua të provoj t’i inkurajoj fëmijët, t’i inkurajoj të gjithë të bëjnë me të mirën me jetët e tyre.
Të gjithë jemi mjaft të mirë, kjo s’duhet të jetë as pyetje. Por e di situatën, kur ulesh në shtëpi, duke e pyetur veten “A jam mjaft i mirë? A mund ta bëj këtë?”
Isha shumë nervoz para fjalimeve, për shembull. Sepse të gjithë e kemi këtë zërin brenda nesh, që gjithmonë na thotë: “Epo, nuk je mjaft i mirë, nuk mund ta bësh këtë, fajësoje veten, të gjithë do të qeshin me ty – të gjitha këto.”
E kemi këtë zë, por e kemi edhe tjetrin. Ndoshta është pak më i qetë, por e kemi zërin tjetër që na thotë: “Je mjafti mirë, mund ta bësh këtë. Nuk duhet të kesh frikë të fajësohesh apo diçka e tillë. Nëse e bën më të mirën dhe nëse provon nga zemra, mund të kesh veç sukses.”
Mendoj se kemi nevojë ta rrisim këtë zë brenda vetes dhe t’i themi zërit tjetër, “Jo, faleminderit! Jam mjaft i mirë. Nuk do të të dëgjoj më, nëse më thua që nuk jam mjaft i mirë.”
Sepse e di kush jam. Ky është mesazhi im për të gjithë dhe jam i lumtur nëse mund t’i frymëzoj disa njerëz me të. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është bërë në gjuhën angleze.
Foto kryesore: Adi Beqiri / UNICEF.