Jehonat që mbesin - Kosovo 2.0

JEHONAT Që MBESIN

 

Artikulli përmban

Text by Halim Kafexholli

Video by Ilir Hasanaj

Photography by Atdhe Mulla & Majlinda Hoxha

 

Gjatë njëzetë viteve të fundit, rrëfimet e luftës, shpeshherë kanë ndërtuar bisedat e qindra mijëra kosovarëve nëpër mbledhitë rreth tavolinave: prej situatave të çuditshme që sot tregohen si anekdota për të qeshur, e deri te ngjarjet e trishta e tragjike të torturave, abuzimeve e vdekjeve.

 

Secila histori orale i bashkohet dokumentimeve vizuale e të shkruara, për të na dhënë një portret gjithëpërfshirës të luftës, të datave, vendeve dhe numrave të ofensivave famëkeqe, dëbimeve, e humbjeve njerëzore. Por, në të shumtën e rasteve rrëfimi përfundon te pjesa e përfundimit të luftës.

 

Shumë rrallë pjesë e diskutimit shoqëror është bërë jetesa pas vitit 1999: se si vështirësitë e të jetuarit në një zonë lufte, peripecitë gjatë zhvendosjeve nga një vend në tjetrin, dhe përvojat e traumave të llojeve të ndryshme vazhdojnë deri më sot të përcillen me spektër të gjerë të emocioneve dhe reagimeve intensive.

 

Për shumëkë, vetëm një shikim i shkurtër në një gjë të zakonshme, siç është mielli, traktori, blini, pritja te kufiri, këpucët, ora, apo kolonat e trafikut, shkakton kthim në kujtimet e dhimbshme. E te shumë tjerë ndjenjat e forta dhe tronditëse në formë të anktheve, jo vetëm që nuk i lënë të qetë, por shpeshtohen gjatë ëndrrave të natës.

 

Ne ju sjellim katër rrëfime, me të cilat kemi eksploruar katër përvoja të ndryshme të luftës, si dhe ballafaqimet e tyre sot me kujtimet përsëritëse dhe ndërhyrëse të ngjarjeve traumatike të së kaluarës.

Nëpër gjithë rrugëtimin e saj gjatë luftës në Kosovë, Elmije Elshani bënte çmos për t’ua siguruar bukën fëmijëve të vet.

TREGIMI I ELMIJES

 

Në fillimin e vjeshtës së vitit 1998, Elmije Elshanit filloi t’i prishet rutina e përditshme e jetës në fshat. Bashkë me katër fëmijët dhe burrin e saj Hysenin u detyruan ta braktisnin disa herë shtëpinë në fshatin Astrozup në komunën e Malishevës, që e ndan këtë qytet nga ai i Rahovecit. Ishte ofensiva e parë, por jo e papritur e forcave serbe në këtë rajon, meqë jo larg, në Drenicën fqinje, u kryen masakrat e para të luftës në Kosovë në fillim të atij viti.


Fillimisht, disa të ikur u strehuan tek familja e Elmijes në fshatin Damanek, më pak se 20 kilometra larg. Por për shkak të granatimeve të pandërprera të forcave serbe, pas tri ditëve u detyruan që për një qëndrim njëditor të iknin “nër kërrsh” – siç e quajnë banorët e atjeshëm malin e fshatit. Por as rreziku për jetë nuk e ndali atë dhe një familjare tjetër që të uleshin deri në shtëpi në fshat, për të përgatitur ushqim për fëmijët e tyre.


“Veç unë me kunatën edhe kemi gatu për me iu çu fëmijve bukë me hangër, se ishin untu”, thotë ajo. “Ata nuk e dishin a asht luftë a çka asht!”


Edhe më i frikshëm ishte rrugëtimi në destinacionin e radhës, për në fshatin Pagarushë, ku shumë refugjatë tashmë ishin strehuar, meqë ishte zonë e kontrolluar nga UÇK-ja.


“Kemi hypë në traktor dhe pa drita të traktorit kemi shku…”, kujton Elmija. “Fati jonë që për pak e kemi kalu asfaltin e kemi hy arave, se [forcat serbe] janë konë tu na mytë komplet qysh jena konë në traktor”.


Për shkak të pasigurisë dhe sulmeve të forcave serbe, familja nuk e gjeti qetësinë as në livadhet e Pagarushës, brenda një shtëpie në Mamushë të Prizrenit, e as mbrapa në Malishevë, në fshatin Bellanicë.


“Burri u mërzitke, u ngushtojke, thojke: ‘Qysh nëpër dynja me nejtë, qysh?’”, thotë ajo.  


Gjatë gjithë kohës së zhvendosjeve, ata e vizitonin herë pas here shtëpinë, mirëpo gjithmonë nën rrezikun e sulmeve nga forcat serbe. 


“Njëherë janë konë tu na nxanë në shtëpi, kemi ardhë, kemi nejtë gjithë ditën se na u dhimke shpia, na u dhimke malli”, kujton Elmija. “Lopë kemi pasë, kemi majtë shumë. I kanë vra krejt”.


Në mesin e tetorit të vitit 1998 situata në rajonin e Malishevës filloi të qetësohej, ndërsa sulmet nga forcat serbe po rralloheshin. Po ashtu UÇK-ja po vazhdonte të mobilizohej nëpër malet e Llapushës përreth, duke i bërë vendasit, që kishin gjetur sigurinë e përkohshme në fshatra të ndryshme, të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre për të filluar normalitetin e jetës aty ku e kishin lënë.


Pas gjashtë javësh të qëndrimit në Bellanicë, e njëjta ndodhi me familjen Elshani. Hyseni rinisi punën e mësimdhënësit të shqipes dhe të latinishtes, ndërsa Elmija po kujdesej për fëmijët në shtëpinë e cila tashmë ishte bërë rrëmujë dhe dëmtuar.


Mirëpo, kjo qetësi nga plumbat do të zgjaste vetëm pak më shumë se katër muaj.


“Masi erdhëm në shpi u qetësuem pak edhe menduem që u rahatuem, po nuk ish konë ai ren hiç”, tregon me shumë emocion Elmija, duke kujtuar marsin e vitit 1999.

 

Nën qiellin e hapur

 

Fillimi i bombardimeve të NATO-s e gjeti familjen Elshani të strehuar në bodrumin e fqinjëve. Elmijes tashmë i ishte shtuar numri i fëmijëve nën përkujdesje, sepse përveç katër të sajve, kishte me vete edhe tre fëmijë të familjarëve; të gjithë nën moshën 13 vjeçe. 


Burri i Elmijes, Hyseni, i cili i ndiqte vazhdimisht lajmet nga Beogradi, dronte se sulmet e forcave serbe do të përshkallëzoheshin.


“Dikush u gëzojke, por burri nuk u gëzue”, kujton Elmija. “Ai tha: ‘Jo, kjo nuk asht e mirë, se tash kanë me na mytë edhe ka me na u shpërnda familja e s’kemi as ku me shku’. U mërzit, e dike çka ka me ndodhë”.


Nuk kaloi gjatë dhe parashikimet e Hysenit dolën të sakta: rrethimi i fshatit nga forcat serbe bëri që në mesin e shumë banorëve të tjerë që po i lëshonin lagjet e vendbanimet, familja Elshani ta merrte përsëri rrugën e ikjes.


Destinacioni i radhës për ta ishte fshati Burim (ish-Javiç), ngjitur me qytetin e Malishevës. Me traktorin si mjet transporti, gjatë ditës së ftohtë të marsit, mbërritën në pyllin e fshatit, ku nën qiellin e hapur gjetën strehim mes shumë refugjatëve të tjerë. Me të arritur aty, për shkak të sigurisë, të gjithë burrat, përfshirë Hysenin, u larguan. 


Elmija arriti të gjente pak bukë dhe vezë dhe duke improvizuar përgatiti ushqim për fëmijët e refugjatët. Ndërkohë, kur burrat u kthyen nga fshehja, Hyseni nuk ishte me ta. 


“Tanë në mbramje u kthyen, erdhën te familjet e te traktorat, po ai nuk u kthy”, thotë Elmija mes emocioneve. “Edhe zemra kallxojke që diçka do me ndodhë!” 

Parehatia iu shtua edhe më shumë natën e dytë të strehimit, më 30 mars, kur forcat serbe rrethuan vendin me tanke dhe filluanin të gjuanin nga të gjitha anët, duke djegur së pari traktorat e sendet që të zhvendosurit i kishin marrë prej shtëpisë. Nën breshërinë e plumbave, ata nuk kishin mundësi tjetër veçse të dorëzoheshin. 


Të nesërmen pasdite, këmbësoria serbe filloi rrethimin e refugjatëve të strehuar, duke i ndarë gratë me fëmijë veçmas nga burrat. Të parët u urdhëruan të niseshin në këmbë drejt fshatit Gurbardhë, i cili kufizohet me fshatin Burim. 


Rreth orës 17:00 pasdite, burrat e ndalur u dërguan buzë malit, pikërisht te vendi që njihet si “Vrella e Mihillit” ku u vranë 42 prej tyre, në atë që sot njihet si
masakra e Burimit. Të gjithë ishin kryesisht banorë të fshatit Dragobil dhe Astrazup.


Një palë këpucë dhe një rrip

 

Pas çlirimit në qershor të ‘99-ës, me t’u kthyer në Astrazup, Elmija e gjeti shtëpinë e djegur dhe gjithçka në rrëmujën që e kishte shkaktuar lufta. I vetmi tani kishte mbetur bodrumi i shtëpisë, i cili u kishte mbijetuar bombardimeve, që pastaj për disa muaj u shërbeu si vendstrehim. 


Ndërsa ishte refugjate në Peshkopi, Elmija dëgjoi informacionet e para për burrin. Asaj i kishin thënë njerëzit aty se Hyseni dhe daja i saj, Haki Morina, ishin parë në Zatriq të Rahovecit.


“Unë e disha se gjithë zemra më thojke që i mbytun asht burri, se pa u lajmru dikah bile, nuk e kish lanë”, thotë ajo. “Edhe erdhën tanë te familjarët, ai nuk erdhi. E disha se diçka ka ndodhë”.


Një muaj pas kthimit në Astrazup, teksa po pastronte muret e bodrumit ku jetonin, Elmijes iu kumtua lajmi i hidhur.


“Ka ardhë djali i madh, fëmijë o konë, ka ardhë tu kajtë. ‘Hë? thashë,” kujton Elmija bisedën, teksa përpiqet t’i përmbajë lotët. “O, e kishin gjetë babën. Oj nanë, a asht qikjo këpuca e babës?”


Përveç këpucëve, disa banorë të fshatit Zatriq e kishin gjetur edhe rrypin e pantallonave të Hysenit.


Të nesërmen, Elmija iu bashkua personave të tjerë në Zatriq, pikërisht në vendin e quajtur “Gexhe”, në përpjekje për t’i gjetur eshtrat e Hysenit dhe të dajës, Haki Morinës. Ndërsa grumbullonin eshtrat e shpërndara nëpër mal, Elmija e identifikoi burrin në momentin që iu gjet koka. 


“Kryet ia kemi gjetë, e unë në bazë të dhambëve e kam njoftë, se nofullën poshtë s’e ka pasë hiç, veç të naltën”, thotë ajo.

“Tanë në mbramje u kthyen, erdhën te familjet e te traktorat, po ai nuk u kthy”

Elmije Elshani

Dy ditë pasi i kishin gjetur eshtrat e Hysenit, në gushtin e vitit 1999, së bashku me rrobat e kishin varrosur në varrezat e fshatit Astrazup, për ta zhvarrosur pastaj në vitin 2001, ku i është kryer autopsia për ta verifikuar kufomën. Konstatimi i Elmijes u vërtetua edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Mbetjet pastaj u varrosën në fshatin Dragobil, ku ndodhen të varrosurit e masakrës në fshatin Burim. Ndërsa daja i saj, Haki Morina, vazhdon të mbetet i zhdukur.


Jetën pa Hysenin, Elmija do ta kishte shumë të vështirë. Mungesën e tij ajo e ilustron shkurtimisht. 


“O konë vështirë sikur shpisë me ia hjekë kulmin e me të zanë qielli”, thotë ajo ngadalë, duke përmbajtur lotët. “Më mungon boll, po masi i kam nipat… me ta gjithë e hjeki mërzinë”.


Së bashku me Hysenin, asaj ia kishin vrarë edhe kujtimet fizike nga burri i saj. Bashkë me shtëpinë, u ishin djegur edhe forografitë, rrobat e librat. Krejt ç’kanë gjetë të padjegur, ishin testet e nxënësve, të cilat Hyseni i kishte vlerësuar.  


“Qato teste çka i ka vlerësu, i kam gjetë në sallon poshtë, krejt shkeptë ishin pas konë”, thotë ajo. “Po tani m’i ka largu dikush. Zahere e shihke që po mërzitem”.


Ajo sot jeton vetëm me gruan e djalit të madh, dhe me dy nipat, të cilët i japin kurajo asaj për të vazhduar jetën përkrah kujtimit për Hysenin. Sot ka vetëm një brengë: frikën që edhe në paqe do të detyrohet ta lërë shtëpinë, meqenëse të dy djemtë i jetojnë jashtë vendit.


“Nëse djali i merr fëmijët edhe gruen [në Slloveni], për mu asht edhe ma vështirë, s’mund ta përjetoj”, thotë ajo. “Pra, ban vaki edhe unë duhet me shku mbas djemve, mos me nejtë vetë në shpi. E boll asht vështirë për mu”.

***

Në vitin 1999, Fidan Hoxha i voziti me traktor 70 të zhvendosur deri në Shqipëri.

TREGIMI I FIDANIT

 

Shtabi i UÇK-së, i cili në pranverën e vitit 1999 ishte i stacionuar afër shtëpisë të familjës së Fidan Hoxhës në Peqan të Suharekës, e kishte urdhëruar familjen e tij ta lëshonte shtëpinë. Afërsia e tyre me shtabin përbënte rrezik të pashmangshëm për ta, ngase shumë lehtë mund të bëheshin shenjëstër e forcave serbe. Familja Hoxha e zbatoi menjëherë urdhrin.


Në mars të atij viti, Fidani kishte vetëm 16 vjet. Por, meqenëse vëllezërit e tij më të mëdhenj i ishin bashkëngjitur UÇK-së, ai u detyrua të ngiste një motokultivator të vogël, të ngarkuar me ushqim. Po e ndiqte nga pas babain, i cili ngiste traktorin me 18 anëtarë të familjes në rimorkio, drejt fshatit Pagarushë të Komunës së Malishevës, ku llogarisnin se do të kishte siguri më të madhe. 


Pas dy ditësh në Pagarushë, forcat serbe kishin filluar të vinin nga Rahoveci në drejtim të tyre, dhe Fidani me familje u detyrua të largohej përsëri. Kësaj radhe destinacioni ishte fshati Bellanicë, tetë kilometra larg Malishevës, i cili ishte bërë stacionim i rreth 100 mijë të zhvendosurve nga Malisheva dhe Suhareka, të gjithë të dëbuar nga shtëpitë gjatë fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit.


Familjarët e Fidanit kishin planifikuar të qëndronin më gjatë në Bellanicë, meqenëse kishin edhe të afërm në atë fshat, që ofruan strehim për të gjithë. Mirëpo, pas vetëm një nate, forcat serbe kishin dhënë urdhër të zbrazej fshati, duke i nisur civilët shqiptarë në drejtim të Shqipërisë.


Tejet i frikësuar, Fidani me motokultivatorin e tij kishte hyrë në radhët e kolonës së gjatë që po merrte rrugën për në Shqipëri. Ai i qëndronte prapa babait. 


Por kur forcat serbe filluan të kërkonin para nga secili shofer i mjeteve që po bartnin refugjatë, Fidani e la motokultivatorin dhe hipi në traktor tek familja, sepse babai i tij detyrohej t’u jepte para ushtarëve serbë, për vete edhe për të, sa herë që ata kërkonin. Fidani thotë se “kërkesat e tyre ishin pas çdo 10 apo 20 metrave ecje”.

Duke vozitur për mbijetesë

 

Nga e tërë kolona, e cila lëvizte me ritëm të ngadaltë, vetëm traktori i një të afërmi, përplot gra dhe fëmijë, kishte mbetur jashtë radhës. Meqë të gjithë burrat e tyre kishin shkuar të fshiheshin në mal, nuk kishte kush ta grahte atë traktor. Kështu Fidani vendosi që ta grahte traktorin e mbushur me 40 persona, edhe pse kishte shumë pak përvojë. 


Pas vetëm rreth 50 metrave lëvizje, një polic serb e zbriti nga traktori për ta futur në bodrumin e një shkolle të afërt. Njëherë e prekën në fytyrë për të parë nëse kishte shenja mjekre, e pastaj ia vëzhguan rrobat.


“Unë isha pak i veshur trashë, dhe ata thanë: ‘Ti ki veshë uniformë. Hiqi krejt rrobat!’”, rrëfen Fidani. “Unë po matem, po du me i shpalosë pantallonat prej zogut të kambës që me i bindë se nuk kam uniformë, por i kam dy palë pantallona, e ai prapë tha: ‘Hiqi rrobat krejt’ dhe i hoqa”.


Pas pak minutash, policin serb e kishte thirrur një koleg dhe ky ishte larguar, duke e lënë Fidanin të zhveshur brenda. Kur e pa që askush nuk po kthehet, ai u vesh dhe shpejtoi të kthehej te traktori, duke iu bashkëngjitur kolonës tashmë të nisur në drejtim të Malishevës. 


Fidani tregon se si forcat serbe kishin vendosur në tokë flamurin kombëtar shqiptar në udhëkryqin e Malishevës, në mënyrë që të shkelej nga automjetet e kolonës. Kur pa që ushtarët serbë nuk po shikonin në drejtimin e tij, ai e manovroi traktorin duke iu shmangur flamurit në tokë. Por gjatë kësaj kohe i kishte rënë në sy një ushtari tjetër.


“S’e kom pa hiç nga ana e djathtë atë ushtarin serb, edhe ka bërtitë në gjuhën serbe ‘stani’. Me demek ‘ndalu’”, thotë ai. “Aty m’i ka dhanë dy flakaresha edhe më ka shti me shku mbrapa. Tani i ra me tri palë rrota me shkelë, me rrotë të para, të prapme dhe të rimorkios”.


Me shumë pak përvojë në vozitje, dhe mbi barrën e përgjegjësisë për 40 refugjatët prapa, Fidani vazhdoi ta ngiste traktorin në drejtim të Rahovecit. Me të mbërritur tek vendi i quajtur “Rrasat e Rahovecit”, një të njohuri, i cili i kishte rreth 30 persona me vete në rimorkio, i ishte shpërthyer goma e traktorit.


“Rimorkion e tij e kemi ngjitë pas rimorkios teme. E kemi lidhë me zinxhirë”, thotë ai. 


Atë situatë Fidani e përshkruan si shumë të rrezikshme, sepse tashmë atij i ishin bërë dy rimorkio, me rreth 70 persona në to, për të cilët adoleshenti ndjente shumë përgjegjësi dhe frikë.


Gjatë tre ditëve, sa zgjati rruga për në Shqipëri, ai ishte dërrmuar nga vështirësitë dhe peripecitë në të cilat haste. Ai thotë se herë pas here e zinte gjumi mbi timonin e traktorit, dhe tregon se si në një rast i kishte rënë nga prapa një traktori tjetër, pasi i ishin mbyllur sytë nga lodhja.

 “Shumë traktora kanë pshtu shumë njerëz”

Fidan Hoxha

Për fat të keq, të rreshurat e shiut gjatë ditës e komplikonin më shumë rrugëtimin, meqë traktori ishte pa mbulojë, e rrobat e vetme që i kishte, i lageshin e i thaheshin në trup. 


“Ndërrojë të teshave nuk kam pasë, trupi m’i ka terë teshat”, thotë ai.


Shqetësim tjetër për Fidanin ishte familja, të cilën nuk e takoi deri në Shqipëri, për shkak të ndalesave të ndryshme, duke krijuar një distancë të madhe me traktorin të cilin e grahte i ati.


Pas tri ditësh e tri netësh rrugëtim, ata arritën ta kalonin kufirin e Kosovës. 


Fidani “tradhtohet” nga emocionet dhe është fjalëpak kur e përshkruan emocionin e kalimit të kufirit. 


“Ufff! Kur jam taku me babën në Kukës, si pale çka. S’di!”, thotë ai, ndërsa fshin lotët dhe ndalet së foluri.


“Zoti dhe Fidani”

 

Nga Kukësi në Peshkopi, ku ai me familjen u strehuan si refugjatë, rrugën përsëri e bëri me traktor. Pas tre muajsh, lajmin se Kosova ishte çliruar ata e kishin mësuar prej një telefonate nga xhaxhai i Fidanit në Zvicër. 


Menjëhërë, Fidani me babain dhe me pronarin e shtëpisë që i kishte strehuar, kishin marrë rrugën për në Kosovë, për ta parë gjendjen e shtëpisë në Peqan. 


Ata e gjetën shtëpinë të djegur dhe gjithë rrëmujë, ndërsa oborrin të mbushur me lopët e vrara. Pasi e pastruan oborrin, u kthyen në Peshkopi për ta marrë pjesën tjetër të familjarëve. Kthimin në Kosovë, Fidani, babai dhe vëllai i tij e kishin bërë përsëri me traktor, ndërsa familjarët e tjerë qenë kthyer me taksi.


Tashmë 37-vjeçar dhe baba i tre fëmijëve, ai ka një lidhje të veçantë me traktorin. Sot nuk ka traktor, por thotë se shpesh e merr traktorin e babait, me të cilin jetojnë ndaras. 


“Kur marr me vozitë traktor, ose kur shoh në rrugë, asht e pamundshme mos me i kujtu ato gjana, ato hjeka”, thotë Fidani. “Kur marr me vozitë, krejt ngjarja më kujtohet sikur me u ulë para televizorit e me lëshu një video. Shumë traktora kanë pshtu shumë njerëz”
.


Familjet të cilat ai i kishte çuar deri në Kukës i janë përjetësisht mirënjohëse Fidanit.


“Shpeshherë edhe ato gratë thonë: “Zoti edhe Fidani”. 

***

Përjetimet e luftës vazhdojnë të mbesin të gjalla në kujtesën dhe ëndrrat e Blerim Deliut.

TREGIMI I BLERIMIT

 

Blerim Deliu po ndiqte gjysëmvjetorin e dytë në shkollën fillore të fshatit Abri të Epërme e Drenasit, kur kishte filluar t’i dëgjonte prindërit dhe bashkëfshatarët duke thënë “Krisi lufta, krisi lufta”. I tërë ky alarmim filloi në mars të vitit 1998, kur forcat serbe kishin filluar sulmet e njohura kundër familjes Jashari në Prekaz, 20 kilometra nga fshati Abri. 


Në fundin e verës së vitit 1998, pati një ofensivë prej forcave serbe që ishin stacionuar në fshatin Likovc, që kufizohet me Abrinë. Meqenëse granatimet kishin filluar dhe rreziku ishte vetëm rreth shtatë kilometra afër, familja e Blerimit si dhe shumë të tjera ishin tërhequr, për t’u strehuar në pyllin e fshatit Vucak.


Blerimi, i cili kishte mbushur 16 vjet, nuk rrinte vazhdimisht me familjen në pyll. Duke iu ekspozuar vazhdimisht rrezikut, bashkë me disa moshatarë, shumicën e kohës e kalonte përsëri në fshat, duke çuar ushqim tek familjarët dhe duke u kujdesur për gjërat në oborret e tyre, sepse burrat e moshave më madhore të fshatit i ishin bashkëngjitur UÇK-së, përfshirë babain dhe vëllanë e Blerimit. 


Gjatë javës së fundit të shtatorit, me ashpërsimet e granatimeve që vinin nga fshati Likoc, Abrija kishte filluar të shkatërrohej. Blerimi kujton kohën kur e kishte parë shtëpinë tek digjej mes shumë të tjerave. 


“Kena nga me shpëtu diçka, po i kishin pasë kallë me krejt çka ka”, tregon Blerimi.


Ndërsa shtëpitë vazhdonin të ishin nën flakë, Blerimi me dy kushërinj, Ademin dhe Zeqirin, vendosën të lëshoheshin përsëri në fshat, për ta shuar ndonjë zjarr dhe për të siguruar ushqim. 


Të rreshtuar njëri pas tjetrit, ndërsa ecnin skaj një gardhi, Blerimi, Zeqiri dhe Ademi iu afruan shtëpive të veta. Aty, krejt papritur, në një kryqëzim sokaku dhe me vetëm tri metra distancë, u përballën me një paramilitar serb që po dilte nga dyert e një oborri.  


I habitur që po i shihte, paramilitari i udhëroi të ndalonin, por tre djemtë nuk ia zbatuan urdhrin.


Blerimi kujton fjalët e fundit që i kishte dëgjuar nga Zeqiri.


“Adem, i lajtëm duert”, kujton ai fjalët e fundit të Zeqirit. 


Pak sekonda më vonë plumbat e kapën edhe Ademin.

Nga pamundësia për të shkuar te familja, Blerimi shkoi te Lagjja e Hisenëve në fshat, ku ndodheshin rreth 40 persona në një ambient të hapur afër lumit. 


Meqë babain e kishte mësues, një grua e kishte njohur dhe i kishte dhënë ushqim, mbathje dhe një xhaketë, detaje këto që Blerimi thotë se nuk do t’i harrojë kurrë. 


Pas vetëm një nate, kur Blerimi kishte fjetur buzë lumit, të nesërmen në mëngjes ishin zgjuar të rrethuar nga dhjetëra ushtarë të forcave serbe.


Kur një komandant kishte urdhëruar rreshtimin ndaras të grave, burrave dhe fëmijëve, Blerimi nuk kishte lëvizur nga vendi, duke mbetur në grumbullin e grave. Moslëkundjen e tij e kishte hetuar një pjesëtar i forcave serbe.  


“Pa pritë e pa kujtu, veç kur ka ardhë nji paramilitar e më ka kapë për fyti edhe më ka çu”, thotë Blerimi, i cili kishte kërkuar nga dikush t’ia përkthente se ç’po i thoshte ushtari serb. “I humba shpresat, thashë deri qitu e paskna pasë, m’erdh fundi. Më paskan hetu që kam pshtu atje, e qitash më bajnë masakër”.


Mirëpo, ushtari serb hoqi dorë nga insistimi, duke e lënë Blerimin të ulej prapë aty ku ndodhej. Fatin e Blerimit nuk e pati edhe Dritoni, një adoleshent tjetër me të cilin Blerimi ishte shoqëruar natën e mëparshme. Atë me disa burra e hipën në një kamion. Më pas i kishin ekzekutuar në fshatin Likoc.


“Pata ndi tani që atij (Dritonit) në Likofc, si e kanë zbritë, ia paskan hekë kryet”, thotë Blerimi.


Të mbeturit nga ai grup, një komandant që fliste shqip i kishte urdhëruar që para orës 17:00 të mos lëviznin nga vendi. 


Pas orës pesë pasdite së 26 shtatorit 1998, Blerimi u nis në drejtim të fshatit të vet. Pamjet e gjendjes që gjeti nuk do t’i hiqen kurrë prej mendjes. Disa orë më parë ishte kryer
masakra në familjen Deliaj, kushërinj të Blerimit. 


“Kam pa pleq, që kishin pasë mbetë në shpi e që s’kanë mujtë me u largu, ose të paralizuem ose shumë të moçëm. I kishin pas vra, ua kishin pasë hjekë kryet, i kishin pasë gjujtë në oborr, veç i kanë nxjerrë prej shpive, se shpijat i kanë djegë”, tregon Blerimi. 


Nga 23 anëtarët e masakruar të kësaj famijleje, paramilitarët serbë kishin kursyer vetëm katër fëmijë, nga mosha katër vjeçare e më poshtë, të cilët i kishin dërguar në një shtëpi tjetër. Blerimi ishte dëshmitar i gjendjes shokuese të fëmijëve në ato çaste, për të cilët thotë se fillimisht refuzonin çfarëdo ndihme që njerëzit provonin t’ua jepnin.  


“Menzi i kena stabilizu, as nuk dojshin me i hjekë xhemperat, as nuk dojshin me iu ndërru teshat, ishin konë me të vërtetë në gjendje shumë të keqe”, kujton Blerimi, i cili edhe vetë ishte në gjendje tejet të rëndë psiqike. 


Të nesërmen Abrinë e kishte vizituar OSBE-ja dhe shumë media të huaja, me të cilat Blerimi kishte refuzuar të fliste për shkak të gjendjes së rëndë emocionale. Ai thotë se i është dashur një vit që të këndellej. 


Me të përfunduar kjo ofensivë, javën e parë të tetorit 1998, Blerimi me familjen ishin kthyer në shtëpi.


Pas disa muajsh jetese në dhoma të improvizuara të shtëpive të djegura, në pranverën e vitit 1999 familja e Blerimit, si edhe i tërë fshati, u detyrua t’i braktiste përsëri shtëpitë. Përsëri familja e Blerimit ishte strehuar në malin e fshatit Vucak, ndërsa Blerimi me babain kishin shkuar në Malet e Berishës, ku po strehoheshin mijëra civilë shqiptarë dhe ku qëndruan deri në përfundimin e luftës. 


Të jetosh në makth

 

As paslufta nuk ishte e lehtë për Blerimin, sepse jetonte përditë me traumën e përjetimeve të luftës. Ai as sot nuk mund ta kapërcejë ankthin e ngjarjeve të para njëzet vjetëve. 


37-vjeçari, tashmë i martuar dhe baba i dy vajzave, shpesh habitet se si mbeti gjallë. 

“Në gjumin e parë që e bëj, në momentin që jam në dhomë, më duket që po dojnë me më mytë”

Blerim Deliu

“I shoh varrezat, e shoh Ademin, e shoh Zeqirin, i shoh të gjithë; thom qe, ymri, se edhe unë kam mujtë me konë aty”, thotë Blerimi. “Ata m’kanë mytë 100 herë, se o shprazë kallashi në mu derisa o nalë”.


Në spitalin psikiatrik në Prishtinë ai është diagnostikuar me stres post-traumatik, për të cilin është i bindur që nuk ka shërim. 


“Në spital më kanë thanë asht pak problem, se kjo asht traumë e moçme e luftës edhe shkon tu u pjekë”, tregon Blerimi, i cili nga halli kishte vizituar edhe hoxhallarë, por pa rezultat. 


Në shtëpinë e tij dykatëshe në periferi të Fushë Kosovës – ku punon si shofer kamioni për një betonierkë – jeton me bashkëshorten, fëmijët dhe vëllanë. Familjarët asnjëherë nuk e lënë të flejë vetëm në shtëpi; ëndrrat nuk e lënë të qetë.


“Në gjumin e parë që e bëj, në momentin që jam në dhomë, më duket që po dojnë me më mytë”, shpjegon i emocionuar ai. “Edhe unë në ato momente duhet me u çu me ikë, – me pshtu! Si qysh kam pshtu në luftë”.


Ai shpreson që të paktën fëmijët të mos e shohin asnjëherë kur zgjohet nga ëndrrat, për shkak se, siç thotë: “nuk mund ta kontrolloj veten”.


Në një rast kishte pasur edhe lëndime fizike.


Para disa vitesh, kur ai po banonte me qira në një banesë në Fushë Kosovë, kishte kërcyer nga ballkoni i katit të dytë pas një ëndrre me ankthe lufte.


“I pata lëndu dy gjunjët goxha shumë”, tregon ai.


Prej atëherë Blerimi flen vetëm në katin e parë.

***

Lufta për Fatlum Sadikun u krye një vit më vonë, në qershor të vitit 2000, kur e lëshoi banesën në veri të Mitrovicës.

TREGIMI I FATLUMIT

 

Katërdhjetë kilometra nga Blerimi, në veriun e Mitrovicës, jetonte familja Sadiku, me fëmijën e vetëm Fatlumin. Banesa e tyre ishte vetëm 50 metra larg nga objektet pushtetare të ish-Jugosllavisë, ku ishin të vendosura Ministria e Punëve të Brendshme, policia, gjykata dhe burgu. 


Në ambientin gjysmëurban, siç e quan Fatlumi, ata rrethoheshin nga një ambient shumetnik dhe ai shoqërohej me fëmijë shqiptarë e serbë të lagjes. 


Në pranverën e 1998-ës lufta po ashpërsohej nga masakrat dhe betejat në pjesën qendrore të Kosovës. Frikën kishte filluar ta ndjente edhe Fatlumi me familjen. Duke qenë me banim afër qendrës së autoriteteve serbe, paniku i tyre ishte edhe më i madh, sepse gjendeshin “në gojë të ujkut”. Madje edhe nisjet e forcave serbe për t’i sulmuar pjesët e ndryshme të Drenicës, bëheshin nga lagjja e tyre. 


Me situatën që po përkeqësohej, në Mitrovicë tashmë ishin mbyllur të gjitha shkollat. Fatlumi ishte një nxënës i shkëlqyeshëm dhe sapo kishte marrë rezultatet e gjysmëvjetorit të parë të klasës e pestë. Për herë të parë i ishte mbyllur një katërshe në lëndën e matematikës, për çka ishte ndier shumë i mërzitur.


“Ky ka qenë preokopimi i një fëmije të qytetit, që ndoshta në njëfarë forme sot për mua është turpëruese. Mirëpo kjo nuk ka qenë diçka e qëllimtë”, tregon ai. 


Kur loja kryhet

 

Më 13 mars të ‘99-ës, ditë tregu në qytetin buzë Ibrit, forcat serbe gratanuan tregun i cili zhvillohej në pjesën jugore të Mitrovicës, duke i lënë gjashtë shqiptarë të vrarë dhe 128 të tjerë të plagosur.


Ende pa filluar bombardimet e NATO-s, shqiptarët të cilët jetonin në një ndërtesë me Fatlumin, kishin filluar të solidarizoheshin mes vete në kushtet e luftës, duke bërë kombinime se kush te kush mund të strehohej. 


Familja treanëtarëshe e Fatlumit jetonte në katin e pestë të ndërtesës, ballkoni i të cilës ishte i kthyer nga ndërtesa e policisë, e bombarduar më vonë nga forcat ajrore të NATO-s. Meqë paraprakisht dihej se NATO-ja do t’i sulmonte caqet serbe, pozicioni i banesës së tyre ishte shumë i rrezikshëm për ta vazhduar jetesën në të më tutje.


Kështu, ndërsa po i shkonin ditët e fundit në atë banesë, natën e 24 marsit, nëna e Fatlumit, e cila fliste edhe gjuhën turke, po i dëgjonte lajmet e orës tetë të mbrëmjes në kanalin NTV të Turqisë, shtet anëtar i NATO-s. Ajo dëgjoi lajmin “NATO vurdu” (NATO-ja i ra). 


Të nesërmen në derën e tyre trokiti një fqinj duke i lutur që t’i bashkoheshin në banesën e tij, meqenëse kati përdhesë ku ai jetonte, garantonte siguri më të madhe. Kështu edhe bënë.


Në orën dy pas mesnatës së 20 prillit 1999, katër apo pesë paramilitarë të maskuar të forcave serbe kishin trokitur në derën e fqinjit. E kishin legjitimuar dhe e kishin pyetur për familjen që po e strehonte. Pastaj e kishin rrahur mizorisht.  


“Nuk kemi mundur me ia gjetë as sytë, as hundën, as veshët e as gojën prej përgjakjes së madhe”, thotë Fatlumi.


Para orës 5 të atij mëngjesi, siç kishin urdhëruar forcat serbe, ata e kishin lëshuar banesën duke u nisur në drejtim të Urës së Ibrit për të vazhduar drejt jugut të qytetit. 


Pasi kishte ndarë rrugën me fqinjin, familja e Fatlumit ishte nisur drejt qytetit e Vushtrrisë. Babai i tij i verbër këmbëngulte që të shkonin atje dhe u thoshte: “Nëse vdes, në Vushtrri të paktën shqiptarët nuk të lënë mbi dhe”, siç mund të ndodhte në Mitrovicë. 


Në Vushtrri, bashkë me të zhvendosurit e tjerë, u strehuan te familja e së ëmës. Nga aty u dëbuan më 4 maj, dy ditë
pas masakrës së Studimes, për të cilën Fatlumi thotë se mësuan në lajmet e Euro News, edhe pse ishte vetëm 2-3 kilometra larg vendit ku qëndronin. Në Euro News kishte dëgjuar edhe për bombardimin e ndërtesës së policisë në Mitrovicë. 


“Kjo flet se sa i mediatizuar ka qenë konflikti i Kosovë në përgjithësi, kur ti ndien për vendin tënd ose për banesën tënde në Euro Neës”, thotë ai.


Ditën e dëbimit, polici me emrin Zoran Vukotic, i dënuar në Mitrovicë me 6 vjet e gjysmë burg për keqtrajtim dhe torturë të të burgosurve civilë shqiptarë gjatë vitit 1999, hyri në oborrin e shtëpisë ku strehohej familja e Fatlumit. Të gjithë personat që po qëndronin në atë shtëpi ishin ngujuar në një dhomë të vetme, përveç babait, i cili kishte dalë në ballkon për të pirë cigare.

“Thojsha: ‘Kqyre qenin nuk e vran kurrkush’. Madje qenin e vran ndoshta, por shpezën nuk e vran kurrkush.‘T’isha konë shpezë’”

Fatlum Sadiku

Kur Fatlumi kishte dalë për ta marrë babain, e kishte parë policin serb që po ia shikonte babain krejt i habitur. Babai, duke qenë i verbër, nuk e kishte parë policin serb dhe dukej sikur nuk po e çante kokën. Fatlumi edhe sot e kësaj dite mbetet i befasuar se si polici nuk ia kishte ekzekutuar babain aty. 


Pasi e kishte thyer dritaren me kondakun e armës, Vukotic kishte urdhëruar të strehuarit të dilnin menjëherë. Me t’i parë disa familje që i kishte dëbuar më herët, ishte tërbuar: “A këtu asht Shqipnia … dhe [vazhdoi] me sharje e me fyerje”.


Nëna e Fatlumit u afrua t’i merrte çizmet e veta pranë këmbëve të Vukotic-it, me një ftohtësi të çuditshme, që sipas tij e zemëroi shumë policin. Siç shpjegon Fatlumi, si nëpunëse e sistemit jugosllav, ajo në përfytyrimin e saj mendonte se kurrë nuk do të kishte luftë, duke besuar pavetëdijshëm në jetëgjatësinë e Serbisë.


“Kur e pa që aq shumë iu afru, ai filloi me shajtë dhe me gjujtë në ajër dhe tha ‘Tri herë po gjuaj. Po nuk dole prej kësaj dere, ke me qenë e vrame”, thotë ai. “Unë fillova me qa edhe me ia ba me dorë [nënës], që ‘hajde mo!’”. 


Pasi ishin larguar nja njëzet metra, e kishin parë tymin duke i dalë shtëpisë. 


Fatlumi me familjen gjetën strehimin e radhës tek një lagje tjetër në Vushtrri, në shtëpinë e një familjari tjetër. Më 22 maj, forcat serbe kryen një ndër
masakrat më të mëdha të luftës në Kosovë, ndërsa vetëm 100 metra larg, ai me dhjetëra të tjerë po qëndronin të ngujuar e të heshtur në shtëpi. 


Gjatë asaj kohe ai thotë se kishte fiiluar t’u merrte lakmi kafshëve e shpendëve.


“Thojsha: ‘Kqyre qenin nuk e vran kurrkush’. Madje qenin e vran ndoshta, por shpezën nuk e vran kurrkush. ‘T’isha konë shpezë’”, thotë Fatlumi. “Qysh asht ajo kanga e Trojës; ‘Kur u hap qielli, engjëjt me i pa’, e ti hala s’i shihshe engjëjt, po i lakmojshe shpezët”. 


“Erdhi koha engjëjt me i pa”

 

Ditët ndërsa trupat e NATO-s po futeshin dhe forcat serbe po tërhiqeshin, Fatlumi i përshkruan si shekuj, duke pritur gjithë ankth.


“Oborri e ka pasë një bli në mes dhe me datën e 17 qershorit kam qenë me babën tu diskutu ‘a thu more janë te Klina a te Ferizaji diku?’”, thotë Fatlumi. “Veç kur kam fillu me ndi atë britmën e parë ‘NATO, NATO’”.


Se vërtet trupat e NATO-s kishin hyrë në Vushtrri, Fatlumi u bind kur nga një vrimë e derës së oborrit pa disa adoleshentë shqiptarë duke e djegur flamurin e ish-Jugosllavisë. Si shumë të tjerë, vrapoi në drejtim të një tanku britanik. 


“Erdhi koha engjëjt me i pa”, thotë ai.


Familja Sadiku u kthye në banesën e saj në veri të Mitrovicës.  


Në ditët e para të përfundimit të luftës u bë qartë shpejt se me gjithë ndërprerjen e konfliktit të armatosur, siguria nuk ishte absolute për grupet minoritare që jetonin në jug të urës së Ibrit –  qindra civilë serbë, romë e të tjerë, që nuk e lëshuan vendin, u vranë ose u bënë viktima të abuzimeve. 


Në anën tjetër, paqja nuk erdhi as për shqiptarët në veri të Mitrovicës, që jetonin me frikën e kërcënimit nga sulmet e vazhdueshme prej grupeve kriminale të strukturave paralele serbe që operonin në veri të Kosovës, të cilat kulmuan në shkurt të vitit 2000: një grup vullnetarësh serbë të njohur si “Rojet e Urës” vranë 10 shqiptarë, ndërsa rreth 12,000 të tjerë u dëbuan.


Për shkak të ambientit shumë të tensionuar, në qershor të vitit 2000, prindërit e Fatlumit kishin vendosur të ktheheshin në Vushtrri, për ta filluar një jetë të re. Gjatë jetës ai shpesh ka zgjedhur të mos i bëjë të mëdha ndjenjat e përjetimet e veta gjatë luftës, duke u ngushëlluar me faktin se më të dashurit e tij kishin shpëtuar, çka nuk ndodhi për mijëra shqiptarë të tjerë.


Pas shkollimit në Vushtrri e studimeve në Prishtinë, Fatlumi i vazhdoi studimet master në Stamboll, ku jetoi katër vjet, deri në vitin 2016.  Për herë të parë, qyteti turk e kishte ndihmuar të reflektonte dhe ta rishqyrtonte jetën e tij në vitet gjatë e pas lufës.


Një faktor tjetër që e bënte t’u kthehej përjetimeve të luftës ishte periudha e koincidimit të gjykimeve të tashmë të ndjerit Olivier Ivanovic, i cili akuzohej për vrasje të shqiptarëve, dhe policit Zoran Vukotic,
i cili u shpall i fajshëm për torturë të shqiptarëve që mbaheshin në burgun e Smrekonicës. Rasti i Ivanovic-it, duke përfunduar në rigjykim, mosmarrja për bazë e akuzave ndaj Vukotic-it për pjesëmarrjen në masakrën e Studimes, si dhe përdhunimet sistematike, e bënë Fatlumin të ndihet i dëshpëruar në sistemin e drejtësisë.


“Ata i kanë shtu benzinë zjarrit në kthimin tim në kohërat e luftës, sepse të dy lidheshin me përjetimin tim”, thotë Fatlumi. “Do të thotë, Vukotic-i i cili për pak sa nuk ma vrau nënën, për çështje sekondash, dhe Ivanovic-i, i cili nuk ka qenë drejtpërdrejt sulmues i joni, por ka qenë në krye të rojeve të urës”. 


I indinjuar me situatën e pasluftës, Fatlumi thotë se jeton shumë i zhgënjyer me udhëheqësit politikë të vendit, të cilët, sipas tij, i kanë nëpërkëmbur përjetimet e luftës. 

 

 

 

Redaktore: Dafina Halili
Redaktore e Përmbajtjeve Multimediale: Cristina Marí
Dizajn: Kokrra / Skins Agency
Zhvillimi: Harrisia

 

Ky publikim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).