Blogbox | Kroacia

Jeta pas tërmetit nënkupton rrekjen për rindërtim

Nga - 20.01.2021

Jeta e përditshme e një familjeje në Sisak të Kroacisë gjatë tërmetit dhe pas tij.

Sipas rrjetit Volcano Discovery, Krocia është lëkundur nga së paku 500 tërmete në 30 ditët e fundit, me ç’rast kanë vdekur së paku 7 veta, janë lënduar dhjetëra të tjerë dhe mijëra është dashur t’i lënë shtëpitë. Më i fuqishmi prej tyre — i cili arriti shkallën 6.4 — goditi rrethinën e Petrinjës në qendër të Kroacisë më 29 dhjetor. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm në rajon në 140 vitet e fundit dhe është ndier në gjithë Ballkanin, në Slloveni, në Itali dhe në disa pjesë të Austrisë.

Sipas vlerësimeve fillestare, në zonën e Petrinjës janë dëmtuar rëndë mbi 15,000 shtëpi, ndërsa 3,000 sosh janë shkatërruar plotësisht.

Kjo zonë ishte ndikuar së tepërmi gjatë luftës, ndërkaq është rindërtuar në fund të viteve të 90-ta. Megjithatë, tërmeti zbuloi shumë mangësi lidhur me rindërtimin e pasluftës dhe po nxjerr në pah shumë probleme me të cilat përballen njerëzit në Kroaci. Por ai gjithashtu ka zgjuar solidaritetin mes njerëzve në vend dhe në rajon.

Studiuesja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Emina Bužinkić jeton në Sisak me familjen e saj dhe të birin e vogël. Atyre iu desh ta braktisin shtëpinë në fund të dhjetorit, dhe qenë me fat sepse shtëpia e tyre shpëtoi pa u rrënuar dhe mund të meremetohej. Ata u kthyen pas tri javësh.

Ky është ditari i Eminës, të cilin e shkroi në Facebook gjatë atyre tri javëve të jetës kur iu desh të përpiqej për të gjetur strehim, por edhe kur pikasi shenja solidariteti dhe dashurie në një kohë plot dëshpërim.

28 dhjetor

Në mëngjes rreth orës gjashtë e gjysmë ndiem një tërmet prej 5.5 shkallësh. As nëntë minuta më vonë, e ndiem një tjetër. Jemi mirë. I falënderoj të gjithë që shprehën shqetësim.

Tash gjendemi në livadh vetëm me pizhame. E ndiejmë të ftohtët që na hyn në palcë. Qëndrojmë kështu për vetëm dy ose tri orë, ndërsa mendoj për gjithë ata mërgimtarë që flenë kështu, jashtë, për ditë të tëra. Në mëngjes dëgjuam lajmin se një migrant i ri kishte vdekur nga të ftohtët në Bosnjë.

Përditësim i vockël: Na mbushin me energji dhe na përulin dëshirat tuaja të mira. Jemi aq mirë sa mund të jemi. Lëkundjet kanë vazhduar gjatë tërë ditës por shumë prej tyre kanë qenë më të qeta sesa tri dridhjet e mëngjesit.

Shtëpia jonë nuk është dëmtuar por shtëpitë e shumë familjarëve dhe miqve tanë kanë pësuar dëme — disa të vogla e disa të mëdha. Përkundër rrezikut të pandemisë, ka shumë punë solidare për meremetimin e dëmeve nga vendësit.

Fuqi popullit, siguri popullit!

Të dashur, faleminderit që kujdeseni të na dërgoni porosi nga të gjitha këndet e këtij planeti të mahnitshëm. Jemi të sigurt tash për tash dhe kemi pasur mundësinë të pimë çaj dhe të hamë mëngjesin. Ende drithërohemi meqë tri tërmetet ishin goxha të fuqishme dhe epiqendra ishte vetëm disa kilometra nga shtëpia jonë. Faleminderit për mendimet shëruese dhe dëshirat e përzemërta. Tash për tash jemi të zënë duke u përkujdesur për familjarët dhe miqtë.

29 dhjetor

Miq dhe shokë, fjalët dhe veprat tuaja të përkujdesjes, mbështetjes dhe solidaritetit, jehojnë fuqishëm dhe vërtet shëndoshin.

Dyzet orët e fundit kanë qenë njëkohësisht ngarkim dhe shkarkim i skajshëm emocional dhe do të kishte qenë më vështirë pa lutjet tuaja prej tërë Ballkanit, Evropës, ShBA-së, Afrikës, Zelandës së Re… nuk kam pasur kohë t’i përgjigjem secilit nga qindra mesazhet, pra po i ndaj disa fjalë këtu.

Shumë prej jush keni pyetur për vocërrakun. Ai është mirë, lozonjar dhe mbart një dritë të vërtetë. Prindërit janë mirë dhe të katër jemi së bashku.

Kemi kontrolluar dëmet në shtëpinë tonë dhe kemi vendosur të shkojmë në një vend më të sigurt sot. Shtëpia nuk është e sigurt dhe duhet të ndreqet para se të kthehemi për të jetuar aty. Jemi vërtet shumë fatlumë sepse shumë miq dhe fqinjë humbën shtëpitë e tyre.

Të mbijetosh tërmete bashkërisht ngjan si të mbijetosh luftën.

Dridhje ka gjatë gjithë kohës dhe vetëm mes orës 12:19 (kur ka goditur i madhi me shkallë 6.3) dhe 16:30 kanë ndodhur 16 dridhje të vogla (mes shkallëve 3 dhe 4.7) me tronditje të pasme që ndodhnin thuajse çdo minutë. Është e frikshme.

Jam në Sisak tash e nëntë muaj sepse s’kam mundur të kthehem në ShBA për shkak të pandemisë. Po e them shpesh fjalën “mbetur”. Sidoqoftë, nuk do të doja aspak të isha gjetkë tani sepse do të më hante barku për të gjithë njerëzit që njoh këtu, sidomos për familjen. Të mbijetosh tërmete bashkërisht ngjan si të mbijetosh luftën.

Shumë nga gjërat që kemi përjetuar gjatë dy ditëve të fundit ngjallin kujtime të kohëve kur frika dhe mbijetesa themelore u bënë identitete parësore. Sot u ulëm në livadhin prapa shtëpisë sonë si refugjatë. Sërish. Refugjatë të përhershëm. Të traumatizuar dhe deri diku të paepshëm.

U bë aq ftohtë sot pasdite kur perëndoi dielli. Po e mbaja fëmijën tim nëntëmuajsh dhe s’më hiqeshin nga mendja emigrantët e keqtrajtuar në Bosnjë dhe kudo tjetër në Ballkan që enden nëpër pyje, rrugë, xhungla me fëmijët e tyre — duke mërdhirë për javë dhe vite të tëra.

Ka aq shumë për të thënë rreth sistemeve të vendosura që lejojnë këtë politikë të vdekjes, urisë dhe ilegalizimit të dëmtojë mijëra emigrantë. Të na dëmtojë edhe ne — të pamobilizuar për t’i shtyrë para ndryshimet politike dhe të mendësisë sonë.

Politika e njëjtë ka shkaktuar pasojat katastrofike të këtyre tërmeteve duke qenë se pjesët e Kroacisë ku jam rritur janë lënë pas dore qysh nga lufta. Kroacia e bukur që e shohim në kartolina ka të kundërtën e zymtë në pjesët e braktisura, dhe te njerëzit që u mbetet jeta dhe vdekja në pëllëmbë të dorës.

Për shkak të ndërtimit të dobët dhe shtëpive e ndërtesave të pameremetuara pas bombardimeve dhe granatimeve në fillim të viteve të 90-ta, çatitë dhe muret u shkërmoqën përnjëherë gjatë tërmetit. Ende ka njerëz të bllokuar dhe shtatë sish humbën jetën. Pandemia e një neglizhence të tillë të vrazhdë, e mbrujtur me nacionalizëm dhe e mëlmyer me kapitalizëm dorështrënguar është pandemia më e ligë që e kemi njohur këtu.

Sot harruam tërësisht për pandeminë Covid-19. Askush nuk pati maskë dhe nuk mbajtëm ndonjë lloj distance. S’pushonim së shtrënguari njëri-tjetrin.

Përditësim: Vazhdojmë të ndiejmë dridhje. Shtëpia jonë nuk është e sigurt por kemi një tendë. Shumë prej nesh jemi në rrugë dhe po bëhet shumë ftohtë.

Më duket si luftë, paksa më keq në fakt.

Shumica e miqve dhe familjarëve kanë humbur shtëpitë, u janë rrënuar tërësisht. Ka ende njerëz të bllokuar dhe po numërohen vdekjet e para.

Po tregohet solidaritet kudo.

Ky ishte më i fuqishmi deri më tash, toka u drodh sikur kurrë më parë.

Përditësim: Shumë shtëpi rreth nesh, sidomos në Petrinjë, janë të dëmtuara rëndë. Ka shumë punë solidare: dy miq sapo hipën në çati për t’i meremetuar dëmet. Po ashtu, ushtria, policia, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore janë të shpërndarë kudo meqë lëkundja ka prekur një hapësirë të gjerë. Lutemi që njerëzit e bllokuar të mbesin gjallë.

Njerëzit janë të bllokuar. Zjarrfikësit dhe autoambulancat shkojnë në të gjitha drejtimet.

Familja ime e ngushtë është në rregull por akoma po kontrollojmë si janë familja e gjerë dhe miqtë. Ky ishte më i fuqishmi deri më tash, toka u drodh sikur kurrë më parë.

31 dhjetor

Janë ditë tejet pikëlluese duke qenë se mbijetesa, vdekja, humbja e shtëpive dhe frika na preokupojnë vazhdimisht. Luftërat, vërshimet, tërmetet, pandemia e Kovidit — të gjitha ngjarjet e tashme dhe kujtimet ngatërrohen me njëra-tjetrën së tepërmi.

Vazhdimisht dëgjoj rrapëllima nga rënia e tjegullave nga çatia. Edhe lëkundjet më të dobëta më ndjellin ankth. Tingulli i autoambulancës më kthen në vitet e 90-ta, te çastet paralizuese kur kupton se vdekja sa vjen e shumëzohet. Shtresa e shtresa të traumës që qërohen si qepa.

Sačuvali smo žive glave!” (“Na janë shpëtuar jetët!”) E përsërisim se jemi gjallë dhe kjo është më me rëndësi. Në të vërtetë është e vetmja gjë e rëndësishme. Është thellësisht turbulluese ta lësh shtëpinë prapa, muret e ndërtuara nga paraardhësit, energjitë tejbreznore që jetojnë në muret e çara, vendin ku ke bërë hapat e parë, ku fëmija yt ka bërë hapat e parë, ku strehohesh kur të lëndon bota.

Shumë prej nesh kemi qëndruar para shtëpive kur lëkundeshin, thyheshin dhe rrënoheshin sa hap e mbyll sytë. Ajo që u rrënua brenda nesh atëherë do meremetim të thellë dhe të gjatë.

Gjatë gjithë kohës flasim për lëkundjet dhe shkatërrimin por jemi falënderues për ata që na mbajnë në këtë çast të caktuar.

Ky çast mobilizon një pjesë të madhe të asaj që dimë për krizën, por që nuk i kushtohet vëmendje. Siç mund të mësoni nga ky shkrim, rrekja për ta çmbështjellur traumën kolektive ka rëndësi të madhe. Është po ashtu me rëndësi të kuptohet se një pjesë e madhe e shkatërrimit nuk është vetëm pasojë e natyrës por edhe e punës së shkujdesur të institucioneve shoqërore dhe politikave etno-nacionaliste që e kanë lënë rajonin e prejardhjes sime në një luftë tridhjetëvjeçare për mbijetesë.

Gjithashtu, retorika e shprehur nga ushtria, politikanët dhe grupet e dashamirëve të futbollit që ndihmojnë me rindërtimin — kjo mobilizon një gjendje të thuajseluftës, duke e caktuar natyrën që e keqtrajtojmë si armik dhe duke e përgatitur terrenin për një përgjigje ushtarake ndaj krizës. Të mos flasim për gjuhën gjinore që e mashkullon dhe e militarizon punën e rindërtimit (mbrojtjes) ndërsa e femëron cenueshmërinë e situatës.

Gjuha e shpëtimit qëndron varur nga kjo dikotomi.

Erdhi viti i ri! Pruftë tokë të qetë dhe dritë!

Meqë kam qenë në kriza të tjera dhe kam punuar në to në të kaluarën, çfarë duket se përsëritet është vija e hollë mes solidaritetit dhe punës humanitare. Njerëzt kanë me të vërtetë nevojë për ndihmë dhe për kthim të dinjitetit. Na ndihmoni ta ndërtojmë paepurinë tonë dhe ta njohim forcën tonë tani. Mos na bëni objekte të ndihmës suaj vetëm për të na vënë në profilet tuaja të Facebook-ut.

Kjo mbase është një punë tjetër që na nevojitet, puna e solidaritetit të fortë që kundërshton popullizmin, publicizmin dhe mendjemadhësinë. Kjo thuhet veçanërisht në lidhje me ardhjen e donacioneve të huaja dhe punëtorëve ndërkombëtarë që po i riformësojnë gjeografitë tona.

1 janar

Erdhi viti i ri! Pruftë tokë të qetë dhe dritë!

Ishte e çuditshme të shihje fishekzjarre në qiell dhe të dëgjoje festë të zhurmshme vetëm disa orë pasi braktisëm shtëpinë tonë. Tërmetet e vazhdueshme shkaktuan dëme të pariparueshme, të cilat sigurisht që do të vazhdojnë meqë toka vazhdon të dridhet dhe të na e rikujtojë brishtësinë tonë. Do të duhen muaj para se të mund të kthehemi.

Miqtë dhe familjarët tanë po ashtu kanë humbur shtëpitë, por askush nuk është bllokuar nën tulla të rënda. Ndihem kaq mirënjohëse. Për jetën, për ju që na rrini afër, për përqafimet që kam marrë ditët e fundit, për të gjithë ju që na zjetë supë të ngrohtë dhe na ofruat jastëkë, si dhe për ardhjen e së resë.

E REJA do të vazhdojë të shpaloset dhe të dhurojë kuptime të reja ndërsa ecim nëpër shtigjet tona.

Çfarë mund të nënkuptojë njohja dhe përqafimi i së resë në këto çaste kur po përballemi me shkatërrim dhe humbje? A mund ta mobilizojmë forcën dhe paepurinë e brendshme për të parë përtej shkatërrimit? A mund të ndalemi për një çast duke e ndier dridhjen nën shputat tona — të ndërgjegjësohemi për rënkimet e Nënës Tokë?

Çfarë mund të nënkuptojë e tërë kjo përvojë në lidhje me flakjen e përçarjeve të vazhdueshme përgjatë vijave etno-nacionale, racore dhe klasore dhe me përafrimin e rrugëtimeve tona? Çfarë kompleksitetesh dhe shtigjesh të ardhme po i shpërfaq çasti i tanishëm? Gjithçka është e ndërlidhur.

Të marrit vesh se çfarë gjendet në zemër të asaj lidhjeje mbase është lëkundje e nevojshme për ne. Ndonëse qëndroj në pistën më të parehatshme të vallëzimit, bëj thirrje që t’i kushtojmë energjitë tona për ta kultivuar një cenueshmëri të paepur dhe ta ushqejmë punën e thellë politike të solidariteteve.

Kjo do të jetë epiqendra ime për vitin 2021.

2 janar

Kur gjithçka hesht dhe qielli errësohet, frika nis të godasë rëndë. Netët janë më të vështira se ditë meqë lëkundjet kanë të dridhur dhe tingull tjetër. Mbyllja e syve shndërrohet në lojë për ta bindur veten se toka do të qëndrojë qetë dhe e heshtur. Rraskapitja mbizotëron dhe na alivanos për disa orë para se të na ngasë zemrën makthi i parë.

Është dita/nata e gjashtë pas tri tërmeteve të para dhe e pesta pas të madhit. Lajmet, aplikacionet dhe mediat sociale na kujtojnë se kanë ndodhur më se 310 tërmete gjatë pesë ditëve të fundit. Trillet e natyrës mund të zgjasin me muaj. Ndërsa përpëlitjet tona për disa vite, në mos për një jetë.

Të përjetosh traumë është sikur kurth — sado që dëshiron të largohesh, ajo të tërheq sërish pranë vetes. Të tërheq fort dhe të rrotullon, ndërsa dalja s’shihet gjëkundi. Mu sikur një tërmet — të vjen t’ia mbathësh por mbetesh i paralizuar ndërsa sodit oxhaqet dhe çatitë tek bien, ndërsa lexon çehret e trishta të njerëzve, ndërsa dëgjon uturimat e zhurmshme të shkatërrimit.

Jeta pas një tërmeti është rrekja për rindërtim —  për rindërtimin e së brendshmes krahas rindërtimit fizik të shtëpive dhe hapësirave publike.

Shërimi i traumës, shërimi i traumës kolektive duhet të jetë prioritet. Por përmbushja e kësaj është mjaft e pagjasë. Plasat e padukshme mbesin pas dore sepse “jeta duhet të vazhdojë”. Shëndoshja personale ose kolektive përmes psikoterapisë mban stigmë të madhe në shoqëri. Pra shumë njerëz ngurrojnë të kërkojnë ndihmë të tillë.

Sidoqoftë, a mund t’i shikojmë këto plasa nga afër, me butësi dhe empati, dhe të shtojmë solidaritet në brenditë tona?

A mund që së bashku ta ndërtojmë politikën e dashurisë dhe përkujdesjes radikale duke e përqafuar veten dhe kolektiven dhe duke hequr dorë nga stigma dhe turpi?

A mund ta shndërrojmë këtë çast shkatërrimi në rindërtim të cenueshmërisë dhe solidaritetit të paepur duke shkuar përtej asaj që shihet?

5 janar

Tetë ditë pas tërmetit të parë të një vargu të gjatë, toka nuk pushon së lëkunduri. Dridhjet vijnë me aq shumë agoni sa karakteri i tyre torturues vazhdon t’i gremisë të gjithë.

Kur mbyll sytë, së pari shoh livadhin ku mërdhiva duke e mbajtur foshnjën time të martën e kaluar pasi 6.4-shi shkundi tërë lumturinë nga jeta ime.

Kur tërmeti prej 4.4 shkallësh goditi sot në mëngjes, telefonët filluan të cingëronin e të binin — edhe një cikël i kontrollimit nëse të gjithë janë në rregull. Kjo lojë vazhdon ndërsa lojtarët këputen kur dromcat e shpresës dhe pozitivitetit kthehen në ankth shpues.

Kur mbyll sytë, së pari shoh livadhin ku mërdhiva duke e mbajtur foshnjën time të martën e kaluar pasi 6.4-shi shkundi tërë lumturinë nga jeta ime. Toka kërcet egërsisht dhe na përpin duke na tërhequr me shpejtësi dhe forcë drejt një shtrese të thellë dhe të errët ku i zihet fryma jetës.

Pastaj i hap sytë dhe përpiqem t’i mbyll sërish. Dhe kur më në fund ia dal, shoh Milanin e përlotur nga Kukuruzari dhe Anën nga Banski Grabovac tek qëndron para forcës që ua ka ndryshuar jetët përgjithmonë. Dhe mijëra të tjerë që janë jashtë në shi, baltë dhe mot të lig tash e gjashtë net.

Pastaj i hap sytë dhe prapë i mbyll për ta ndier dhimbjen e të gjithë emigrantëve pa strehë në Bosnjë dhe Serbi, të gjithë rohingiat në Bangladesh dhe kudo tjetër, të gjitha gratë jazidi që i janë nënshtruar shpërdorimit seksual, të gjithë fëmijët ushtarë. Barra e rëndë e ndjesisë për botën vazhdon të ma shtrëngojë zemrën.

Në të njëjtën kohë, zemra më mbushet me kurajë. Dhe kjo për dy arsye: puna e mirënjohjes dhe puna e solidaritetit. Trupthi i tij i nxehtë u rehatua në krahët e mi, era e tij, butësia e shputëzave të tij ndërsa preknin dorën time — këto vunë një themel të bukur dhe paqësor.

Prindërit janë të fortë, të paepur dhe të qetë në ballë të kësaj paqartësie. Familja ime e gjerë është e sigurt dhe e mbështetur. Miqtë dhe kolegët vazhdojnë të na shkruajnë, të ziejnë supë, të ofrojnë mbështetje materiale, përqafime dhe kuvendime që sfidojnë zonat kohore, kufizimet e lëvizshmërisë dhe situatat e ndërlikuara jetësore.

Këto ditë gjej përgjigje të reja për atë se si duket solidariteti. Pasi kam gjetur veten në disa kriza gjatë jetës time jo aq të gjatë, kam qenë dëshmitare e mënyrës se si puna solidare bëhet politike, radikale dhe transformative. Kam parë edhe anën e kundërt, kur solidariteti përvetësohet dhe topit tehun e punës kritike.

5 janar

Çfarë do të thotë të jetosh brenda solidariteteve në mes të epiqendrës?

Si mund të bëhet puna e solidaritetit epiqendra jonë në kohën e tashme dhe t’i lidhë të kaluarat me të ardhmet tona?

Si mund t’i lidhim përpjekjet që i jepin jetgjatësi dhe paepuri një angazhimi politik të tillë?

Këto ditë po na mbajnë bisedat, shkëmbimet që ndodhin vetëm në kriza meqë jetët tona të përditshme janë të lidhura me kapitalizmin dhe patriarkatin dhe nuk japin kohë për reflektim dhe përpunim.

Më kujtohen dimrat e rëndë kur bora mbulon rrugët dhe përcakton produktivitetin e ngutësinë tonë. Tash presim, presim të na rindërtohen shtëpitë, të bashkohen familjet, të riqëndisen jetët tona. Na kërkohet durim jashtëzakonisht i madh ndërsa moti i ftohtë dhe i lagësht na ngrin eshtrat. Na kërkohet durim paçka se kjo është hera e dytë ose e tretë që humbim shtëpitë nga katastrofat natyrore ose dhuna njerëzore.

Na kërkohet durim ndërsa jetojmë me një ndër paqartësitë më të mëdha.

Kush jemi “ne”?

Ne jemi ata për të cilët s’do të flitet më pas nja dy javësh. Jemi bërë ata për të cilët flitet pak, dhe sinqerisht, ata për të cilët as që mendojmë pasi politika e distancës, segregimit dhe përjashtimit vendosin një hierarki vlere.

Vetëm disa orë nga këtu, mu në anën tjetër të kufirit, aty ku punëtorët emigrantë ndërtuan industrinë jugosllave të metalurgjisë — emigrantët janë mbyllur dhe ndëshkuar me luftë për mbijetesë, paqartësi dhe trandjet e vazhdueshme të regjimit evropian për të mërguarit.

Ata flenë në baltë tash e sa vjet, jetët e tyre nuk kanë pasur qëndrueshmëri meqenëse paqartësitë janë të përfshira në secilën qelizë. Shtetet evropiane dhurojnë para për tenda dhe kampe që funksionojnë në kushte të tmerrshme vetëm për t’i mbajtur këta njerëz larg kufijve dhe trojeve të shteteve-kombe të privilegjuara.

Të harruar, sikur njerëzit në Banija që janë flakur jashtë shoqërisë dhe jetojnë pa ujë të rrjedhshëm dhe rrymë elektrike tash e 30 vjet. Sikur romët që jetojnë veçuar dhe rrisin fëmijët në një botë që i urren akoma pa lindur. Paramendimi i lidhjeve mes këtyre “fateve” më shtyn të mendoj për këto rrëfime jetësore dhe përvoja dhe për mënyrat se si ato informojnë dhe kultivojnë përpjekjet tona të përbashkëta politike.

Në një nga ato ndërtesat në Željezara, e cila u shënua me shirit të kuq dje, jetonte një grua në karrocë. Dy burra e nxorën vetëm pas tërmetit të tretë dhe pastaj ndenji e zbehtë dhe pa fjalë ndërsa muret e saj çaheshin.

Kushëriri im vrapoi poshtë nga kati i tretë i banesës me kërdhokull artificiale. Një shok që nuk sheh ndjeu forcën shkatërrimtare nën shputa dhe dëgjoi tingullin e tmerrshëm të lëkundjes së tokës ndërsa humbiste orientimin. Nëna e një fëmije me paralizë cerebrale që trajtohej me respirator mbuloi të birin me trupin e saj meqë nuk mund të iknin.

Çfarë do të thotë të jetosh në solidaritete me njerëz me aftësi të kufizuara në këto çaste pas lëkundjeve në mënyrë që ata të ndihen të mbështetur dhe jo të shpërfillur? Do të dëshiroja që të mendonim për punën solidare si punë që thërret për ndërlidhje intiutive dhe energjike, por edhe të matur e të vëmendshme, si dhe të bazuar në nevoja dhe të udhëhequr nga imagjinata. Në këtë çast dhe jo vetëm.

7 janar

Një 5.5 shkallësh goditi para disa orësh, duke na kujtuar brishtësinë dhe paqartësinë nëpër të cilat përpiqemi. Sado alarmant që është, secili tërmet na shkreh dhe na “stërvit nervat”. Rindërtimi duhet të resht sërish meqë shkatërrimet vazhdojnë.

Por vetëm disa sekonda pas tërmetit pranova një mesazh nga postieri im. Ai shkroi, “Hej Emina, si je, a i ndieve lëkundjet?” Sigurisht që po, i thashë, me një koment shtesë, “Për një çast u ndjeva e paralizuar”. Ai u përgjigj, “Mos ke frikë, e gjithë kjo do të marrë fund!”

A keni edhe ju postier që ju dërgon mesazhe për të parë se si jeni, i cili vjen te shtëpia juaj pas orarit të punës për t’jua sjellë ndonjë dërgesë, i cili madje ju tregon se a është duke sjellë këpucë apo libra!?!

Ditët e fundit, komuniteti ka qenë më i fortë se kurrë. Ka shumë gëzim këto ditë, zemrat janë hapur aq shumë.

Le ta ushqejmë bukurinë dhe fuqinë e lidhjeve mes nesh që i mprehin shqisat për të ndier mundësitë radikale të dashurisë dhe përkujdesjes.

8 janar

Pasojat e tërmetit #1: Lëkundjet ndihen gjatë gjithë kohës, edhe kur toka frymon qetësisht.

Pasojat e tërmetit #2: Bota rrotullohet ndërsa pjesa e trurit që rregullon baraspeshën është e shkyçur.

Pasojat e tërmetit #3: Të qeshurit si mekanizëm i brendshëm i mbrojtjes aktivizon potencialin e plotë.

10 janar

Kur hyj në kujtime, e gjithë jeta ime ka qenë përplot tranzicione. Jeta e fëmijës tim është po ashtu një tranzicion i vazhdueshëm. Shumë nga to kanë ndodhur si rezultat i forcave të jashtme, ndërsa ishin të pakta ato që ndodhën qëllimisht.

Mosdëshira për ndryshim bashkë me paqartësinë se sa do të zgjasë ky tranzicion e bën jetën e pastërmetit kaq komplekse. Përplot me përpjekje logjistike dhe emocionale, ne mundohemi të gjejmë përqendrimin, të marrim vendime, të shkojmë rrugës së duhur. A do të kthehemi në shtëpitë tona? Çfarë nëse godet aty? A duhet t’i dërgojmë fëmijët në shkolla dhe kopshte? Çfarë nëse godet kur s’jemi bashkë? A duhet? Çfarë nëse? A duhet? Çfarë nëse!?

Duke e zhgërryer në baltë, duke ecur andej e këtej ngadhënjen dinamika e të qenit e humbur.

16 janar

Një lëkundje tjetër që u ndje para disa çastesh solli imazhin e një familjeje prej katër anëtarësh (prindër të rinj me një foshnjë dhe një trevjeçar). Janë bërë dy javë që flenë mes muresh të rrënuara që të mos ngrijnë nga moti i ftohtë. Ndërkohë, shteti premton se do të sillen kontejnerë dhe shtëpi të lëvizshme për të gjithë me shpejtësi — për 20 deri në 30 ditë, thonë.

Në anën tjetër, Banija ka përjetuar tradhti të plotë dhe shpresa të rreme kur vjen puna te premtimet. Ndërsa aktorët shtetërorë debatojnë në zyrat e tyre për atë se kur dhe si do të merren me krizat, mijëra qytetarë vullnetarë shpëtojnë jetët dhe shpresat e shumë njerëzve. Dhe ndërsa shteti nacionalist dhe fashist vazhdon t’i largojë aktivitetet qytetare dhe t’i tkurrë hapësirat për solidaritet, kundërpërgjigjja mbetet e gjallë dhe aktive. Këto janë fijet e një qëndisme që quhet solidaritet, i cili zhvillohet në kushte të pamundshme dhe ushqehet me mundësitë e krijuara në çast.

Bisedat e shumta gjatë ditëve të fundit dhe çehrja që japin aktivistët ngjan me aksionet në krizat që kanë ndodhur së fundi; veçanërisht me shkatërrimin e sjellë nga vërshimet e vitit 2019 dhe me verën e gjatë të mërgimit (Kasparek & Speer, 2015) që gjerësisht njihet si “kriza e refugjatëve”.

Vetorganizimi i shpejtë, mobilizimi pjesëmarrës, dëshira e përzemërt për të ndihmuar në terren, bashkërendimi mes grupeve të ndryshme, avokimi politik për zgjidhje sistematike — të gjitha kanë qenë të pranishme. Por gjithashtu është vërejtur mungesa e krejt këtyre aspekteve.

Sidoqoftë, ajo që ka relevancë të gjithnjëshme është që aksionet qytetare, mobilizimi dhe bashkërendimi kanë qenë kontrast i fortë i punës (dhe mospunës) të shtetit. Për shumë aktivistë në terren, pra edhe për mua, përgjigjja tejet e pamjaftueshme dhe e vonuar e shtetit nuk ka qenë vetëm e pritshme, por i jep akoma më shumë kuptim çmontimit të sundimit të korruptuar, të paaftë dhe të rrezikshëm të “hadezesë” (partisë HDZ).

Vetëm disa çaste pasi vura kokën në jastëk dhe mbylla sytë, teksa mendoja si do të kthehem në shtëpi pas 20 ditësh zhvendosjeje, shtëpia lëvizi.

Pra pyetja që shtrohet na ballafaqon me inercionin politik dhe mungesën e besimit për mundësinë e përfundimit të kësaj parodie që e kemi mëkuar. Si do të largohemi nga kriza e fundit duke ruajtur themelin e solidaritetit dhe duke shkaktuar lëkundje  të vazhdueshme për establishmentin politik që na e bën gropën ku po biem të gjithë?

17 janar

Vetëm disa çaste pasi vura kokën në jastëk dhe mbylla sytë, teksa mendoja si do të kthehem në shtëpi pas 20 ditësh zhvendosjeje, shtëpia lëvizi. Lëkundja ishte e shkurtër dhe e fuqishme. Sa çel e mbyll sytë më hyri frika në palcë dhe zemra zuri të regëtinte fuqishëm. Frymëmarrja u bë e cekët ndërsa mbuloja dhe mbroja dritën e syve të mi.

Ndërsa kalonim nëpër autostradë ndanë fushave të mbuluara me borë, babai më tregoi për fjalët e një psikologeje që kishte këshilluar të fshihej aplikacioni që dridh telefonat çdo herë që ndihen lëkundjet. Sipas saj, ne duhet të vazhdojmë t’i jetojmë jetët tona dhe t’i shmangemi traumës. Unë fshiva aplikacionin sepse rashë në pajtim me këtë këshillë të urtë. Por e mora sërish pas një ore — kur përsiatja ime u ndërpre dhe lexova se janë ndier më se 500 lëkundje për dy javë e gjysmë. Tani, tërmetet po ashtu po godasin rëndë në Turqi, Greqi, Rusi, Moldavi, Kili, Kaliforni dhe vende të tjera.

Gjatë tri javëve të fundit kam fjetur në një krevat të rehatshëm, kam kaluar ditë të tëra në një hapësirë të ngrohur, kam ngrënë ushqim të freskët të gatuar me dashuri, kam takuar miq e shokë, me të cilët kam bërë biseda të përzemërta, kam hedhur hapa në llucë, madje kam shikuar televizor (s’më kujtohet kur kjo ka ndodhur për herë të fundit). Ka qenë një kohë e mëshirshme, e hapur dhe energjizuese. Sidoqoftë, kam pasur ndjenjën e ligë që jam diku ku s’duhet të jem. Tranzicioni ishte i paftuar, i papritur dhe i pamëshirshëm.

Pas shumë orësh pastrimi m’u kujtua sa shumë e dua këtë shtëpi, vatrën e kujtimeve jetësore, energjive delikate stërgjyshore dhe ndjesinë e përkatësisë. Nëse përkas ndokund, dhe zakonisht nuk përkas thuajse askund, atëherë ëshë vendi ku tani më pushon koka. Ku pushojnë kokat e tjera në këto ditë të ftohta, kur fushat janë të mbuluara me borë ndërsa njerëzve u merret e tyrja? Çfarë rrëmujash do të duhet t’i ftillojmë në ditët në vazhdim?

Ndërsa shpaketoja një çantë, prapë u ndala të shihja se ç’kisha kapur nga shtëpia para se të ikja. Kjo është lista ime:

— pasaportat (duke e shfrytëzuar privilegjin në mes të regjimeve të pamëshirshme të migracionit dhe të kufijve në botë),

— pincetë (për faj të patriarkatit dhe standardeve të imponuara të bukurisë),

— laps dhe fletore (për të shkarravitur mendime, ide, plane — është e drejtë njerëzore),

— kuarc rozë (për çaste të qeta të shërimit dhe përshpirtshmërisë),

— çorapë të leshtë (këmbët e ftohta s’janë fare qejf),

— një telefon të prishur (i cili ishte dëmtuar gjatë tërmetit dhe tash duket si një rrjetë merimange në mur), dhe

— çaj radhiqeje (për ritualet e mëngjesit).

Ndërsa paketoheshim me ngutësi, të nxitur nga tingulli i plasaritjes së betonit dhe kërcitjes së drurit, kemi marrë shumë gjëra që as i kemi parë me sy gjatë kohës kur nuk kemi qenë në shtëpi. Nuk na ka marrë malli për asnjë send në shtëpi, por për një vend që na bën të ndihemi të sigurt. Shtëpitë na japin ndjesinë e sigurisë. Ose na jepnin, para se lëkundjet shpërfaqën brishtësinë dhe cenueshmërinë tonë.

Imazhi i ballinës: Miroslav Arbutina Arbe.