Jo Pyetje Pa Përgjigje

  • Kronikë dhe fotografi nga ngjarja
  • ”Jo Pyetje Pa Përgjigje”

    Nga Arian Lumezi – 03.05.2019

    K2.0 lansoi fushatën për përmirësim të komunikimit mes institucioneve dhe mediave.

    Më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, K2.0 lansoi fushatën dhe raportin “Jo Pyetje Pa Përgjigje”. Së bashku me gazetarë nga 10 organizata mediale, gjatë periudhës pesë mujore kanë monitoruar dhe analizuar 52 konferenca për media të Zyrës së Presidentit, Zyrës së Kryeministrit, Kryesisë së Kuvendit, Zyrës së Kryeprokurorit dhe Policisë së Kosovës.

    Kjo fushatë, sot u përcoll me një diskutim të organizuar në hapësirën e K2.0 në Prishtinë.

    Kreshnik Gashi dhe Taulant Osmani nga BIRN, Saranda Ramaj nga Koha Ditore dhe kryeredaktorja e K2.0 Besa Luci nën moderim të Aurela Kadriut, autore e raportit dhanë një analizë të përgjithshme mbi gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë, raportin dhe sfidat në marrëdhëniet mes mediave e institucioneve dhe elementet në të cilat mund të përmirësohen të dy palët mediat dhe institucionet për ta bërë më të lehtë qasjen e publikut në informacion.

    Besa Luci nga K2.0, vlerësoi se brishtësimi i demokracisë është fenomen që po ndodh në vende të ndryshme të botës, jo vetëm në Kosovë. Sipas saj, në tërë këtë sfidë gazetarët janë profesionistët që hasin më shumë vështirësi në komunikimin me politikanë gjithandej botës, të cilët kultivojnë ndjenja të urrejtjes duke sjellë me vete edhe dëmtimin e lirisë së shprehjes.

    Për kryeredaktoren e K2.0, Besa Luci, gazetarët po hasin vështirësi në komunikim me politikanë gjithandej botës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

    “Demokracia nuk është diçka që vdes menjëherë, shtypja vjen më shumë në baza ditore dhe lehtë mund ta gjejmë veten para një situate ku do të themi: ‘Si arritëm deri këtu?’, tha ajo.

    Gazetarja e Kohës Ditore, Sarandaj Ramaj, që ka qenë edhe pjesë e grupit të gazetarëve raportues për këtë raport, ka përmendur informatat që japin përfaqësuesit e institucioneve përmes shkrimeve në rrjetet sociale, të cilat pastaj po kthehen në lajme. Ajo shtoi se kësaj forme mediat tradicionale nuk kanë arritur t’i shmangen, për shkak të nevojës për informata të shpejta dhe formës së zhvillimit të mediave të tjera që kanë ridefinuar rregullat e qarkullimit të informacionit.

    Lidhur me punën që bëjnë gazetarët të cilët mbulojnë fushën e drejtësisë, Ramaj tha se sistemi i drejtësisë ka ende probleme të thella me dhënien e saktë të informatave për publikun dhe gazetarët, duke përmendur faktet që Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka mbajtur asnjë konferencë për shtyp përgjatë periudhës kur është bërë hulumtimi për këtë raport, ndërkohë që edhe komunikimi ditor i gazetarëve është i vështirë.

    “Institucionet përpiqen t’i ikin përgjegjësisë duke dhënë përgjigje të përgjysmuara. Ka ndodhur që kam dërguar 13 herë pyetje për të njëjtën çështje”, tha Ramaj, teksa vlerësoi që edhe gazetarët nuk duhet të raportojnë përgjigje jo të plota që vijnë nga institucionet.

    Sistemi i drejtësisë, sipas gazetares së Kohës Ditore Saranda Ramaj, ka ende probleme me dhënien e informatave të sakta për publikun dhe gazetarët. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

    Megjithatë, Ramaj ka vlerësuar përmirësimin e disa institucioneve në raport me qasjen ndaj gazetarëve, duke përfshirë Policinë nën drejtimin e menaxhmentit të ri dhe gjykatat themelore të Prishtinës dhe Prizrenit.

    Redaktori Kreshnik Gashi ka përmendur një varg çështjesh të rëndësisë së lartë publike, në të cilat publiku dhe gazetarët në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje të qarta dhe të plota, siç janë numri i njohjeve të shteteve të tjera për pavarësinë e Kosovës, numri i saktë i zëvendësministrave të Qeverisë, kostoja që ka paguar shteti për autostradat dhe 53 milionë eurot që Qeveria ia kishte paguar kompanisë Bechtel-Enka.

    Sipas Gashit, ka edhe çështje të tjera të përhershme të rëndësisë së lartë që asnjëherë nuk janë adresuar si duhet, siç është financimi i partive politike.

    “Vullneti i njerëzve të korruptuar është që të mos japin përgjigje për gazetarët, ndërkohë që politikanët mbulojnë debatin me kriza”, ka thënë Gashi, duke shtuar që edhe interesimi i gazetarëve për pyetje dhe për prani nëpër konferenca është ulur, kryesisht për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të organizatave mediale.

    Ndërkaq, Taulant Osmani, gazetar në BIRN, ka thënë që institucioni i Presidencës është tejet i mbyllur për gazetarët.

    “Në katër vitet e fundit që punoj si gazetar, nuk mbaj mend një herë të vetme kur Zyra për Media e Presidencës ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetarëve, ndonëse janë më shumë se 100 email-e që i kam dërguar në Presidencë”, ka thënë Osmani.

    Sipas raportit “Jo Pyetje Pa Përgjigje”, përgjigjet që ipen nëpër konferenca shpesh janë gjysmake dhe nuk ofrojnë informacionin e kërkuar nga gazetarët. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

    Sa u përket konferencave për media të dhëna nga Presidenca, Osmani ka thënë që ato kanë korresponduar me kohën kur ishte hapur tema për ndryshimin e kufijve dhe gjatë kësaj kohe, Presidenti kishte mbajtur 18 konferenca me gazetarë, por nuk ka ndodhur kështu në periudhat e tjera gjatë mandatit të tij si President.

    Asnjë konferencë që organizohet nga institucionet publike në Kosovë nuk përfundon me dhënien e të gjitha përgjigjeve nga zyrtarët publikë rreth çështjeve për të cilat gazetarët janë të interesuar, është një nga përfundimet e nxjerra nga ky hulumtim. Edhe ato përgjigje që ipen, shpesh janë gjysmake dhe nuk ofrojnë në plotësi informacionin e kërkuar nga gazetarët.K

  • Rreth kësaj kampanje
  • K2.0 ju fton në lansimin e fushatës tonë të re.

    I bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve, redaksive dhe qytetarëve të na bashkohen në fushatën tonë, Jo Pyetje Pa Përgjigje.

    K2.0 bashkë me gazetarë nga 10 organizata mediale, kanë monitoruar konferencat për shtyp të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Presidentit Hashim Thaçi, Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Policisë dhe Zyrës së Prokurorit.

    Për pesë muaj i monitoruam 52 nga 62 konferenca formale për shtyp që u mbajtën nga këto institucione. Tetë prej tyre nuk ishin të hapura për pyetje. Këto konferenca, në në të cilat nuk u lejuan pyetjet, i trajtuan disa çështje të ndjeshme si greva e mësuesve e deri tek taksa 100 përqindëshe mbi produktet serbe.

    Gjatë kësaj periudhe, këto institucione iu drejtuan publikut në më shumë se 1,000 postime në Facebook nëpërmjet faqeve zyrtare. Kjo do të thotë se për çdo konferencë për shtyp të mbajtur ishin 16 postime në Facebook.

    Për dekada, konferencat për shtyp kanë shërbyer si një forum ku politikanët i janë ekspozuar pyetjeve të papritura para mediave. Janë hapësirë ku mund të kërkohen përgjigje kyçe, të ekspozohen politikanët, të kërkohet llogari prej tyre në publik dhe të shtrohen pyetjet jetike që shpeshherë mbesin pa përgjigje në komunikime me email dhe telefon.

    Nëpërmjet punës sonë monitoruese dhe bisedave me gazetarët, ne e kemi parë se si kjo vegël shumë e rëndësishme po shpërfillet jo vetëm nga politikanët, por edhe nga zyrtarët për shtyp në institucione publike. E kjo, duhet të ndryshojë.

    Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj në orën 13:00, ejani në lansimin e “Jo Pyetje Pa Përgjigje” në oborrin e K2.0. Gazetarë, punëtorë të mediave dhe ata/ato për të cilët ne punojmë, qytetarët, të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje!

    Aty do të na bashkohen:

    1. Besa Luci — kryeredaktore në Kosovo 2.0
    2. Taulant Osmani —  gazetar në BIRN / anëtar i ekipit hulumtues
    3. Saranda Ramaj —  gazetare në Koha / anëtare e ekipit hulumtues
    4. Kreshnik Gashi —  gazetar hulumtues / moderator në Drejtësia në Kosovë

    Diskutimi do të moderohet nga Aurela Kadriu, autore e hulumtimit

    Do të ketë përkthim shqip/anglisht.K

    Kjo ngjarje realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

  • Video
  • Jo Pyetje Pa Përgjigje

    Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, K2.0 lanson kampanjën dhe raportin “Jo Pyetje Pa Përgjigje”.#JoPyetjePaPërgjigje

    Posted by KOSOVO 2.0 on Friday, May 3, 2019

  • Shfleto raportin
  • Time:

    1:00 pm

    Place:

    K2.0

    Date:

    03/05/2019