K2.0 do ta shënojë Ditën e të Drejtave të Njeriut duke publikuar tetë artikuj hulumtues, të shkruar si pjesë e ciklit të parë të Bursës së Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut – program që mbështetë dhe fuqizon gazetarët në Kosovë për të kryer hulumtime të hollësishme dhe për të raportuar mbi çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, të cilat përndryshe mund të mos eksplorohen, të heshten apo thjeshtë të injorohen.
Temat që janë trajtuar në këtë cikël do ta sjellin fokusin në tetë çështje jetike që lidhen me të drejtat e njeriut në Kosovë, e që deri më tani kanë qenë në margjina. Artikujt e shkruar sjellin raportim me përmbajtje të pasur, të hollësishme dhe të mbështetur në hulumtime thelbësore, që jo vetëm ofrojnë perspektivë të fuqishme dhe kontekstuale për publikun, por gjithashtu kanë potencialin për të nxitur veprime për ndryshim nga ana e institucioneve dhe palët kyçe të interesit që lidhen me këto çështje. Për ta festuar këtë, të hënën më 10 dhjetor në orën 18:00, në hapësirën e re të K2.0 do të mbahet ngjarja e lansimit të programit, ku do të promovohen këta artikuj dhe gazetaria për të drejtat e njeriut.
Përpos kremtimit të punës së bursistëve, gjithashtu do të shfaqet dokumentari “Truth Detectives”. Ky dokumentar tregon se si qasja në telefona mobil ka ndihmuar me mbledhjen dhe përdorimin e dëshmive për shkelje të të drejtave të njeriut dhe analizon specifikisht raste gjatë luftës në Ukrainë, shkatërrimin e lokacioneve të trashëgimisë kulturore në Mali, kërkimin për varreza masive në Kolumbi dhe një bombardim në Gaza. Kjo tregon se si aktivistët, gazetarët dhe juristët mund t’i luftojnë abuzimet e të drejtave të njeriut në shekullin 21.
Agjenda e ngjarjes do të jetë si vijon:
18:00-18:30 Hapja dhe fjalë përshëndetëse nga:
– Kryeredaktorja e K2.0, Znj. Besa Luci
– Shef i Departamentit për Integrimin Politik, Ekonomik dhe Evropian, Zyra e BE-së në Kosovë, Z. Riccardo Serri
– Chargée d’affaires e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Znj. Anne Dostert
– Zëvendës Shef i Misionit të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, Z. Peter van der Bloemen
– Redaktor i Programit të Bursës së Gazetarisë për të Drejtat e Njeriut Z. Artan Mustafa
18:30 – 20:00 Shfaqja e filmit dokumentar – ‘’Truth Detectives’’, i cili tregon se si aktivistët, gazetarët dhe avokatët mund të luftojnë për të drejtat e njeriut me anë të teknologjisë
20:00 – 21:00 KoktejK
Programi i bursës për gazetari realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe bashkëfinancohet nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Shfaqja e dokumentarit është mundësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Foto: K2.0