Në thelb | Drejtësi

Çekani i drejtësisë nuk bie për politikanët kosovarë

Nga - 07.11.2018

Disa muaj pas vlerësimit pozitiv, vendimet përfundimtare për rastet e profilit të lartë mbeten të rralla.

Në vitin 2011, një ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) po shpresonte të gjente një punë në një nga institucionet publike. Një ditë, Bahri Hyseni mori një telefonatë nga një mik i afërt, i cili i tha se partia i kishte gjetur një punë të mirë në ndërmarrjen publike të transmisionit të energjisë, KOSTT.

Por, miku i tij kishte bërë një gabim. Hyseni, që tash është prokuror, kurrë nuk kishte dëgjuar për këtë ndërmarrje publike në jetën e tij dhe nuk e kishte idenë se çfarë do të punonte aty. “Unë s’kom konkuru!”, tha ai. Miku i tij, Adem Grabovci, atëkohë shef i grupit parlamentar të PDK-së, i kishte përzirë Bahri Hysenët e tij dhe me sa duket kishte mbështetur një njeri që nuk ishte në partinë e tij.

Tash, shtatë vite më vonë, Grabovci është një prej 11 personave që po përballen me aktakuzë për rolin e tij në aferën e ashtuquajtur ‘Pronto’, që kishte shpërthyer në vitin 2016 pasi gazeta online Insajderi kishte publikuar një seri të përgjimeve të telefonatave që ishin bërë më 2011. Bisedat zbuluan planet për të punësuar anëtarët e partive politike nëpër institucione publike, si duket të koordinuara nga figura si Adem Grabovci që atëkohë ishin në zemër të PDK-së.

Adem Grabovci, ish shefi i grupit parlamentar të PDK-së, ishte akuzuar më herët gjatë këtij viti për veprimtarinë e tij në aferën e njohur si ‘Pronto’. Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi aktakuzë për rastin ‘Pronto’ në prill të këtij viti dhe seanca e shqyrtimit fillestar ishte caktuar për datën 1 tetor, por gjykata u detyrua të shtynte seancën për datën 15 nëntor pasi që shtatë nga 11 të akuzuarit nuk u paraqitën në gjykatë.

Vonesa të tilla janë bërë karakteristikë në sistemin gjyqësor të Kosovës, që edhe ashtu kritikohet për mungesë efikasiteti dhe ngecje. Këto vonesa dhe shtyrje janë veçanërisht të pranishme në raste të profilit të lartë ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë shtetëror.

Aktualisht, gjashtë ministra të qeverisë — si dhe një numër i konsiderueshëm i politikanëve të niveleve të tjera, duke përfshirë deputetë të Kuvendit e kryetarë komunash — po përballen me aktakuza nga Prokuroria e Kosovës. Shumë nga këto procese janë zvarritur me vite të tëra.

Genc Nimoni, hulumtues në organizatën Çohu, beson që prokurorët nuk kanë vullnet si dhe kanë mangësi profesionale kur bëhet fjalë për rastet që lidhen me politikën.

Sa i përket rastit ‘Pronto’, ai thotë se aktakuza është e dobët sa i përket krimeve të supozuara për të cilat ngarkohen të akuzuarit.

“Në këtë rast ka pasur dyshime për korrupsion dhe krim të organizuar, por Prokuroria ka përdor vetëm veprën penale të ‘shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje‘, ka thënë Nimoni në një bisedë me K2.0, teksa shton që edhe numri i të akuzuarve ka mundur të jetë më i madh, pasi që në përgjimet e publikuara bëhet fjalë për vepra penale që përfshijnë më shumë se 11 persona.

“Organizata jonë e sheh si shqetësuese se me çfarë arrogance shpërfillen këto raste".

Përparim Kryeziu, Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Ndërkaq, Përparim Kryeziu hulumtues nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ka shprehur shqetësimin e tij rreth mënyrës me të cilën po trajtohen rastet e profilit të lartë. Sipas tij, rasti ‘Pronto’ ka vulosur faktin që Kosova është shtet ku nuk sundon ligji.

“Organizata jonë e sheh si shqetësuese se me çfarë arrogance shpërfillen këto raste dhe me çfarë sigurie del Kryeprokurori i Shtetit në televizion publik dhe thotë që e ka mirëkuptuar vërejtjen që ia ka dhënë ministri Beqaj gjatë kohës kur procesi ndaj tij ishte në zhvillim”, ka thënë Kryeziu.

Në një intervistë televizive në muajin gusht, pak pasi ishte ngritur aktakuza për rastin ‘Pronto’, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi rrëfeu që e kishte diskutuar këtë rast me ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj, që është një nga të akuzuarit. Fakti që një ministër ka diskutuar për një rast gjyqësor në procedurë — lëre më me një për të cilën është i bashkë-akuzuar — me Kryeprokuorin e Shtetit, tregon pushtetin që kanë zyrtarët publikë jashtë zyreve të tyre.

Ai thotë që ndaj gjykatave nuk po tregohet respekt i duhur dhe këtë e ilustron me faktin që seanca e parë në rastin ‘Pronto’ dështoi për shkak që disa të akuzuar nuk u paraqitën në gjykatë. “Nuk ka fare pasoja nëse nuk i përgjigjesh gjykatës”, ka thënë ai.

Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se afera ‘Pronto’ ka dëshmuar që në Kosovë nuk sundon ligji. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kryeziu përmend edhe aktakuzën ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, që gjithashtu përbën një rast që ka treguar pafuqinë e drejtësisë ndaj politikës.

Syla, bashkë me 21 persona të tjerë, janë të akuzuar për krim të organizuar në rastin që njihet si ‘Toka’. Sipas aktakuzës, Syla ishte i përfshirë në një grup të organizuar kriminal që supozohet të ketë kryer një numër të madh të veprave penale, duke përfshirë falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim me qëllim të përvetësimit të tokave në pronësi publike në disa lokacione afër Prishtinës.

Veprat mbi të cilat bazohet aktakuza datojnë nga viti 2006, por aktakuza ishte ngritur në muajin tetor të vitit 2016. Që prej atëherë, gjykata është përballur me pengesa të ndryshme — nga mungesa e gjyqtarëve, grevat gjyqësore e deri te problemet shëndetësore të pretenduara të Sylës — dhe nuk ka arritur që të çojë deri në fund procesin. Që nga muaji janar i këtij viti, gjykata ka caktuar tetë seanca të ndryshme në tentim për të vazhduar shqyrtimin gjyqësor, por të gjitha kanë dështuar dhe seanca e radhës është caktuar për datën 16 nëntor.

Në mesin e shumë dështimeve për t’i mbajtur seancat, në muajin shkurt të këtij viti është njoftuar se lënda ‘Toka’ do të kalonte nga prokurorët dhe gjyqtarët e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) — që kanë qenë përgjegjës për çështje të krimeve të organizuara që nga viti 2008 — në përgjegjësi të autoriteteve vendore si pjesë e planit për dorëzim të rasteve te autoritetet vendore, vendim të cilin e kishte kundërshtuar ashpër prokurori që e kishte ngritur aktakuzën, Danilo Ceccarelli.

“Është vendim i padrejtë, këtë vendim nuk mund ta marrë askush tjetër përveç kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it”, thoshte Ceccarelli në atë kohë. “Kalimi te vendorët [institucionet] është përfundim i këtij rasti dhe ne e dimë pse. Ka pasur kohë të mjaftueshme që misioni ta përfundojë këtë rast, sepse kanë qenë të caktuara mbi 50 seanca … Nuk ka përgjegjësi e as llogaridhënie”, ishte shprehur Ceccarelli.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Sylën nga arresti shtëpiak më 24 gusht të këtij viti, pas pensionimit të prokurorit Abdurrahim Islami që po e trajtonte rastin. Islami e përshkruante këtë vendim të gjykatës si “të çuditshëm” dhe tha që shkonte në kundërshtim me praktikat e sistemit të drejtësisë. Syla ishte mbajtur në paraburgim që nga muaji mars, para se Gjykata Themelore vendosi ta lironte. Megjithatë, pas 11 ditësh gjykata e riktheu vendimin dhe e vendosi atë në arrest shtëpiak.

Ministrat në bankën e të akuzuarve

Në qeverinë aktuale janë disa ministra që kanë probleme me ligjin. Përveç ministrit Beqaj që është një prej të akuzuarve të rastit ‘Pronto’, pesë ministra të tjerë në kabinetin e Kryeministrit Ramush Haradinaj janë pjesë e aktakuzave të Prokurorisë.

Zëvendëskryeministri, që mban edhe postin e ministrit të Diasporës, Dardan Gashi, është nën aktakuzë për armëmbajtje pa leje, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj është i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Gjakovës dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, është një nga 12 personat në aktakuzën për manipulim me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pasi ishte pjesë e komisionit qeveritar që kishte për detyrë të verifikonte veteranët.

Ndërkaq, rasti ndaj ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është në procedurë në Gjykatën e Apelit, pasi që Gjykata Themelore e shpalli të pafajshëm për aktakuzën që lidhet me konflikt interesi gjatë kohës sa Lluka ishte kryetar i Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, është një nga gjashtë ministrat e qeverisë së Ramush Haradinajt që po përballet me aktakuzë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Së fundi, përkundër thirrjeve që në ekzekutiv të mos përfshihen persona nën aktakuza, qeveria ka emëruar Endrit Shalën në postin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë. Shala është i përfshirë në aktakuzën për ‘armëmbajtje dhe kontroll të paautorizuar të armëve’ bashkë me Dardan Gashin si dhe ish-kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku.

Aktakuza ishte ngritur pasi mediat kishin publikuar një video ku ai bashkë me politikanë të tjerë janë parë duke gjuajtur me armë brenda një dhome në shtëpinë e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në Malishevë. Gjykata Themelore e Gjakovës ka thënë për K2.0 që rasti aktualisht nuk është duke u trajtuar me prioritet për shkak të numrit të madh të lëndëve dhe mungesës së stafit.

Organizata Çohu beson se rastet e profilit të lartë nuk po merren me seriozitet nga sistemi i drejtësisë dhe prokurorët nuk po bëjnë sa duhet, kështu duke shkaktuar që shumë raste të profilit të lartë të dështojnë në fazat fillestare. Nimoni e ilustron këtë me katër procese ’emblematike’.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri si dhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, ishin akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Të tri këto aktakuza kanë dështuar në nivele të ndryshme të gjykatave. Nimoni thotë që në të gjitha këto raste, ashtu si me rastin ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, mangësitë e Prokurorisë kanë bërë që të mos ketë ndjekje të suksesshme penale.

Mekaj ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në maj të vitit 2016, pasi kishte marrë pjesë në negociata për ryshfet për ta nxjerrë nga burgu një person që po mbahej për nxitje të vrasjes si dhe për ndërmjetësim në një rast të fajdeve ku ishte i përfshirë nipi i tij. Megjithatë, 18 muaj pas fillimit të gjykimit, që ishte i mbyllur për mediat dhe publikun, në maj të këtij viti Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuzat.

Genc Nimoni, hulumtues në Çohu, thotë se rastet e profilit të lartë nuk po merren seriozisht nga sistemi i drejtësisë dhe që prokurorët nuk po bëjnë aq sa duhet. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas Nimonit, dobësitë e sistemit gjyqësor nuk janë të shprehura vetëm në aktakuza të dobëta.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar, në të cilin Çohu analizoi rastet e profilit të lartë në tri nga Gjykatat Themelore të Kosovës, vjen në shprehje edhe një problem tjetër: Gjykatat japin dënime minimale për të dënuarit në raste të profilit të lartë.

Nga 13 rastet e monitoruara që u klasifikuan si raste të nivelit të lartë, tetë përfunduan në nivelin e parë ose të dytë të gjykatave, por raporti thekson që në katër prej këtyre rasteve, të akuzuarit u dënuan me dënime minimale, ndërsa në katër raste të tjera Prokuroria nuk arriti të dëshmojë veprat e supozuara penale për shkak të mungesës së provave.

Ndërkaq, Kryeziu thotë që puna e sistemit të drejtësisë matet gjithashtu për nga perceptimi publik, që në përgjithësi krijohet si rezultat i performancës në procese gjyqësore ku të akuzuar janë persona që njihen nga publiku, duke përfshirë politikanët. Ai thotë që përmes një studimi hulumtues, organizata e tij ka gjetur që rreth 70 përqind e qytetarëve besojnë që sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga politika dhe që qytetarët nuk janë të barabartë para ligjit.

Çështja për liberalizimin e vizave

Përmirësimi i sistemit të drejtësisë mori vëmendje të veçantë pasi që Komisioni Evropian në vitin 2016 kërkoi specifikisht nga Kosova të dëshmojë përmirësim të punës në drejtësi në mënyrë që kosovarët të fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në zonën Schengen.

Kosova e kishte marrë Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në vitin 2012, dokument në të cilin Komisioni Evropian kishte vendosur kushte të veçanta lidhur me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, performanca e gjyqësorit kosovar erdhi në shprehje veçanërisht pasi që Komisioni Evropian bëri të ditur në maj të vitit 2016 që Kosova kishte edhe dy kushte të tjera për të plotësuar; derisa ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi mori të gjithë vëmendjen e publikut për shkak të protestave të ashpra të opozitës, Kosovës iu tha gjithashtu që duhej të argumentonte ‘përparimin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar’.

Nga 45 rastet e shënjestruara që prej vitit 2015, vetëm shtatë kanë arritur verdiktin final.

Zyra e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, që është gjithashtu koordinator i ekipit të përbashkët, ka thënë për K2.0 që institucionet kanë shënjestruar 45 raste me 317 persona të akuzuar që nga viti 2015.

Megjithatë, ashtu si raste të tjera, edhe proceset gjyqësore që u vlerësuan si të rëndësishme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar — gjithashtu për të marrë liberalizimin e vizave — u përballën me pengesa dhe mbetën prapa në sistemin gjyqësor të Kosovës. Nga 45 rastet e shënjestruara që prej vitit 2015, vetëm shtatë kanë arritur verdiktin final; 13 kanë vendime të shkallës së parë, 18 raste janë aktualisht në procedurë, dy janë në fazën e hetimeve, kurse në katër raste procesi është ndërprerë përkohësisht, ndërsa një rast është suspenduar për shkak që i akuzuari është arratisur.

Këtë vit, dy raste të krimit të organizuar dhe gjashtë të korrupsionit janë shënjestruar, kurse janë ngritur nëntë aktakuza.

Nga të gjitha rastet e shënjestruara viteve të fundit, 21 prej tyre janë veçanërisht prioritare dhe konsiderohen nga institucionet si ‘top raste’. Këtu përfshihen aktakuzat ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani.

Buja, bashkë me disa të akuzuar të tjerë, u shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 5 nëntor të këtij viti dhe u dënua me tre vjet burg. Hetimet në këtë rast kishin filluar në tetor të vitit 2015 ndërsa aktakuza ishte ngritur në shkurt të vitit 2017. Pas shpalljes së dënimit, Buja tha që procesi ndaj tij ishte i motivuar politikisht dhe është rezultat i përpjekjeve për të marrë liberalizimin e vizave, por nuk ofroi asnjë provë për të mbështetur këto pretendime.

Rasti ‘Stenta’ ndaj Ferid Aganit dhe 58 personave të tjerë të akuzuar në këtë rast është kthyer në Gjykatën Themelore, pasi që Gjykata e Apelit më 2017 kishte marrë vendim se në procesin fillestar kishte pasur shkelje procedurale. Agani akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare në një skandal në të cilin prokuroria pretendon që të akuzuarit kishin pasuruar paligjshëm institucionet private të shëndetësisë në shuma milionëshe.

Hetimet për grupin e parë të të akuzuarve kishin filluar në qershor të vitit 2014, ndërsa Prokuroria Speciale e ngriti aktakuzën dy vite më vonë në qershor 2016 dhe vetëm një muaj pasi Kosovës i ishte thënë nga Komisioni Evropian që të përmirësojë shifrat që dëshmojnë përkushtimin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shqyrtimi fillestar në gjykatë kishte filluar në muajin tetor të vitit 2016, por procesi është përballur me shumë seanca të shtyera, duke përfshirë një në të cilën nuk pati hapësirë të mjaftueshme për ulëse për të akuzuarit në sallën e gjyqit dhe një tjetër ku avokati mbrojtës dështoi për të dhënë dëshmi. Procesi është ende në vazhdim.

"Autoritetet kosovare kanë arritur të ndërtojnë një regjistër të qëndrueshëm të hetimeve dhe vendimeve përfundimtare të gjykatave për raste që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar".

Komisioni Evropian, korrik 2018

Një tjetër rast ku të akuzuar janë politikanë e që ende nuk është përfunduar edhe pas shumë vitesh, është i ashtuquajturi ‘Siguria’, ku ndër të akuzuarit është edhe ish-kryetari i Skënderajt dhe anëtari i PDK-së, Sami Lushtaku. Dy të akuzuar të tjerë në këtë rast janë ish kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha dhe ish-drejtori menaxhues i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj.

Hetimet kishin filluar më 2012 dhe aktakuza ishte ngritur në janar të vitit 2015, ndërsa gjykata kishte filluar procesin një muaj më vonë. Megjithatë, pas 16 seancave, në shtator të vitit 2016, rasti iu dorëzua autoriteteve vendore nga EULEX-i, duke e kthyer fazën gjyqësore nga fillimi. Më pas u nevojit më shumë se një vit, deri në nëntor 2017, që procesi të riniste me institucionet kosovare, por rasti është karakterizuar me një numër të madh të seancave të shtyera dhe është ende në procedurë.

Sipas raportit të muajit mars 2018 nga Rrjeti Ballkanit për Gazetari Hulumtuese (BIRN), që monitoron gjykatat e Kosovës, në përgjithësi, të gjitha rastet nga lista e 21 ‘top rasteve’ janë karakterizuar me vonesa procedurale, shtyrje të seancave dhe zvarritje të tjera procedurale.

Ndërkaq, raporti i vitit 2017 nga organizata Çohu llogariti që brenda një periudhe njëvjeçare nga muaji maj i vitit 2016 — kur Kosovës i ishte thënë që duhet të përmirësohen shifrat e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit — deri në muajin maj të vitit 2017, koha mesatare prej kur një aktakuzë e profilit të lartë është dorëzuar në gjykatë deri te mbajtja e seancës fillestare ka qenë 110 ditë.

Sidoqoftë, në korrik, Komisioni Evropian pohoi që Kosova “ka arritur të ndërtojë një regjistër të qëndrueshëm të hetimeve dhe vendimeve përfundimtare të gjykatave për raste që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar, duke përmbushur kështu kushtin përfundimtar [për liberalizim të vizave]”.

Por, ndërkohë që Komisioni gjeti përparim të mjaftueshëm për t’u dhënë kosovarëve një lajm të mirë lidhur me largimin e regjimit të vizave, ekspertët thonë që proceset gjyqësore të çështjeve të profilit të lartë po përballen me vonesa të vazhdueshme dhe shtyrje.

Kryeziu thotë që qytetarët nuk do të fillojnë të besojnë në sistemin e drejtësisë vetëm pse po ngriten aktakuza, por gjithashtu është e nevojshme që njerëzit të shohin se proceset po shkojnë deri në fund, duke nxjerrë vendime ndëshkuese edhe kur të akuzuar janë persona që janë pjesë e elitës politike.

Tash për tash, me rekomandim për liberalizim vizash apo pa të, sistemi gjyqësor ende duket që nuk po arrin të nxjerrë aktvendime ndëshkuese për të akuzuarit që janë figura politike.

Redaktimi: Jack Butcher

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.