S`fundmi | Media

K2.0 organizon një konferencë ndërkombëtare për mediat

Nga - 18.11.2019

‘Mediat Sot: Ndryshimi i Paradigmës’ pritet t’i hapë dyert.

Prishtina do t’i presë qindra gazetarë dhe redaktorë të mëdhenj nga rajoni dhe më gjerë këtë javë në konferencën e organizuar nga K2.0 ‘Mediat Sot: Ndryshimi i Paradigmës’.

Dy ditë me biseda frymëzuese, punëtori inovative dhe vizita kulturore me mbështetje të Mbretërisë së Holandës do të fokusohen në pavarësinë dhe lirinë e mediave, në përmbajtje gazetareske inovative dhe kreative, dhe në marrëdhëniet gjithnjë në ndryshim ndërmjet mediave dhe komuniteteve tjera në një ambient medial gjithnjë më armiqësor.

Mysafirët dhe folësit do të vijnë nga shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të ketë folës dhe trajnerë edhe nga vende si Holanda, Mbretëria e bashkuar dhe Polonia. 

Përveç aspekteve më të njohura të agjendës së konferencës, mysafirët do të ftohen të dalin nga hoteli për të vizituar lokacione të rëndësishme në qytet dhe zonat përreth që simbolizojnë rivitalizimin apo rëndësinë historike. Disa pjesë të agjendës do të zbatohen në hapësirën e komunitetit Termokiss dhe kinemanë e pavarur Kino Armata, ndërsa do të organizohet edhe një shëtitje kulturore në qendër të Prishtinës dhe një vizitë me ciceron në lokacionin historik të Parkut Arkeologjik Ulpiana.

Përveç pjesës vetëm-me-ftesa të ngjarjes, të mërkurën (20 nëntor) do t’i hapim dyert e programit për anëtarët e publikut, që të vijnë e të dëgjojnë fjalime nga disa prej folësve tanë të shquar në Kino Armata.

Ngjarja publike Bisedat Outloud do të nisë në 17:30 me ish-gazetarin hulumtues të Guardian dhe BBC, John Sweeney, i cili ka punuar në disa nga tregimet më të mëdha të botës gjatë karrierës së tij tri-dekadëshe në gazetari. Gjatë asaj kohe, ai ka raportuar nga më shumë se 80 shtete të ndryshme, përfshirë këtu Kosovën dhe pjesë tjera të rajonit gjatë viteve të 90-ta, duke fituar disa çmime ndërkombëtare.

Ai do të ndiqet në skenë nga Marije Martens, bashkëthemeluesja e revistës Are We Europe, që synon ta ndryshojë gazetarinë evropiane duke i fuqizuar gazetarët e rinj në praktikë. Me formate inovative të tregimit, Are We Europe e lufton gazetarinë parashutiste dhe kërkon ta gjejë zërin evropian jashtë Brukselit.

Berta Tilmantaite, gazetare, fotografe dhe videografe nga Lituania, e cila e ka bashkëthemeluar platformën e parë multimediale lituaneze për projekte dokumentare dhe podkaste (www.nanook.lt) do t’i mbyllë Bisedat Outloud. Lajmet vizuale të saj nga pjesët e ndryshme të botës fokusohen në çështje sociale, të drejtat e njeriut, ambientin dhe lidhjen ndërmjet njerëzve dhe natyrës, dhe kanë fituar çmime të ndryshme në festivale dhe gara ndërkombëtare.

Mund t’i ndiqni të gjitha zhvillimet kryesore nga pjesa tjetër e konferencës në Facebook, Instagram dhe Twitter, dhe duke përcjellur thurjen #MediatSot2019K

Foto kryesore: K2.0.