Më 29 mars 2018, me fshehtësi e me ngut, Policia e Kosovës nxori gjashtë shtetas turq nga shtëpitë, veturat ose vendet e tyre të punës dhe i barti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës prej ku u dërguan në Turqi. Ky operacion klandestin ishte pjesë e një bashkëpunimi mes agjencive kosovare dhe turke të inteligjencës dhe u shoqërua me lloj-lloj paqartësish.
Fillimisht, liderët politikë në Kosovë nuk e kishin të qartë se a të lëvdoheshin për operacionin, apo të distancoheshin prej tij ndërsa qytetarët, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe shtetet e huaja nisën ta shfaqnin zemërimin e tyre.
Në fund, këto ngjarje çuan te shkarkimi i ministrit të brendshëm dhe i kreut të agjencisë së inteligjencës. Një hetim parlamentar për rastin gjeti dhjetra shkelje të legjislacionit të Kosovës, ndërsa më shumë se 20 anëtarë të Policisë po përballen me hetime penale.
Por dy vjet pas dëbimeve, gjashtë burrat në fjalë mbesin të burgosur — disa ende e presin gjykimin — në burgjet e stërngjeshura të Turqisë, për të cilat janë ngritur shqetësime gjatë pandemisë së COVID-19 nga grupet e të drejtave të njeriut.
Familjet e të dëbuarve ende presin për çfarëdolloj drejtësie.
Prej arsimtarëve në ‘terroristë’
Rreth orës 7 të mëngjesit në ditën e arrestimeve, ishte e paqartë se ç’po ndodhte; dalëngadalë erdhën raportimet se ishin arrestuar një numër arsimtarësh.
Kur trokiti ora 10 me pyetjet e vazhdueshme të mediave, përgjigjet zyrtare nuk ishin ende përfundimtare.
“Policia është duke e realizuar një operacion”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, për BIRN-in. “Për detaje do të njoftoheni me kohë”.
Afërsisht tri orë më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nxori një njoftim për shtyp ku deklaronte se ajo “ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë” për arsye të sigurisë dhe se “qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm”.
Më vonë, studentët, të diplomuarit dhe ish-kolegët e arsimtarëve turq u mblodhën në Prishtinë për të protestuar; këto protesta do të vazhdonin për orë të tëra ndërsa institucionet jepnin shpjegime të mjegullta për ngjarjet, dhe vendndodhja e gjashtë burrave mbetej e paqartë.
Studentët dhe kolegët e arsimtarëve u mblodhën për të protestuar pas arrestimit të gjashtë burrave duke kërkuar lirimin e tyre. Foto: Jack Butcher / K2.0.
Natën e nesërme, familjarët dhe mbështetësit e të dëbuarve u mblodhën te hyrja e aeroportit të Prishtinës dhe kërkuan transparencë, pasi kishte thashetheme se burrat po mbaheshin në një hangar të vjetër të aeroportit. Më vonë u konfirmua se burrat ishin dëbuar për në Turqi disa orë pas arrestimit.
Në atë kohë, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi pretendonin se nuk kishin qenë në dijeni për operacionin, dhe Haradinaj njoftoi për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, dhe kreut të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashit. Të nesërmen, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, dha një fjalim ku i dënoi shkarkimet dhe e falënderoi Thaçin për dëbimet.
Gjashtë burrat e dëbuar ishin të lidhur me lëvizjen e klerikut turk Fetullah Gylen, i cili jeton në ekzil në ShBA. Që nga tentimi për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, Erdoani ka shpallur këtë lëvizje si “Organizatë Fetullahiste Terroriste” dhe ka ndërmarrë masa të gjera për shtypjen e atyre që i sheh si armiq; Gyleni ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në tentimin për grusht shteti.
Xhihan Yzkan, Kahraman Demirez, Hasan Hysein Gynakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaja dhe Jusuf Karabina, të cilët kishin familje dhe vende pune në Kosovë, tash po mbahen në Turqi.
Ndër shumë çështje kontraverse që e shoqëruan tërë ngjarjen, thuhej se Hasan Hysein Gynakani ishte dëbuar gabimisht sepse institucionet nuk kishin nxjerrë vendim për dëbimin e tij. Në fakt, urdhri ishte nxjerrë për një Hasan Hysein Demir, i cili sipas avokatëve të tij tash jeton në një shtet evropian ku ka marrë azil.
Familjet dhe avokatët thonë se asnjëherë nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendndodhjen e gjashtë burrave dhe se nuk janë lejuar të flasin me ta. Policia e Kosovës u ka thënë avokatëve se arsyeja për arrestimet ishte vlerësimi i AKI-së se gjashtë shtetasit turq përbënin rrezik ndaj sigurisë; kjo akuzë është mohuar fuqishëm nga familjarët.
Ndërkohë, dëbimet pa kurrfarë procesi gjyqësor, drejt një shteti ku rrezikojnë “të torturohen”, janë dënuar fuqimisht nga organizatat globale të të drejtave të njeriut.
Duke folur në emër të familjarëve, biri i Hasan Hysein Gynakanit, Mustafa, ka thënë për K2.0 se në fund të vitit 2019, Yzkan dhe Karakaja janë dënuar nga gjykatat turke me burgim për shtatë vjet e gjashtë muaj; Demirez është dënuar me burgim për tetë vjet dhe nëntë muaj; kurse Gynakan për tetë vjet, një muaj dhe 15 ditë.
Duke i rishprehur kritikat e shumta ndaj sistemit gjyqësor të Turqisë nga grupet e të drejtave të njeriut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, Mustafa Gynakan thotë se asnjëri nga burrat nuk pati gjykim të drejtë.
“Asnjë provë e vetme nuk është paraqitur në lidhje me akuzat”, thotë ai. “Dënimet e shqiptuara nga gjykimet janë më fort të bazuara në supozime sesa në prova”.
Ndërkaq, Karabina dhe Erdem janë ndër shumë të burgosurit politikë në Turqi që vuajnë në mbajtje ndërsa ende presin gjykimin pas dy vjetësh.
Në situatën e tashme të pandemisë, familjarët thonë se merakosen për shëndetin e të dashurve të tyre, meqë rastet me COVID-19 në Turqi po rriten në një shkallë shqetësuese, kurse kushtet e papastërta dhe mbingarkesa me të burgosur në burgjet turke mund t’i shndërrojnë ato në vatra të infeksioneve.
Amnesty International dhe organizatat e tjera vëzhguese të institucioneve të drejtësisë në Turqi u kanë bërë thirrje autoriteteve “ta shfrytëzojnë këtë rast për t’i liruar personat e burgosur padrejtësisht” prej burgjeve ku shëndeti i tyre nuk mund të garantohet.
“Mijëra njerëz janë prapa grilave vetëm sepse i ushtrojnë të drejtat për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor. Tash, ata po ballafaqohen me një rrezik të paparë për shëndetin e tyre”, thotë një deklaratë e përbashkët e nxjerrë javën e kaluar.
Si përgjigje ndaj rrezikut shëndetësor, autoritetet turke po planifikojnë t’i lirojnë herët afro një të tretën e rreth 300,000 të burgosurve të vendit. Por, edhe pse një projektligj i ri parasheh lirimin e atyre që janë dënuar për vrasje pa paramendim dhe krim të organizuar, ai nuk përfshin të burgosurit politikë sikur gjashtë burrat e dëbuar nga Kosova.
Lojë macesh e minjsh
Familjet e të dëbuarve vazhdojnë të jenë në Kosovë. Disa prej tyre kanë aplikuar për azil dhe po kalojnë nëpër procedurat finale për të marrë statusin e refugjatit.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ata i kanë përballur institucionet e Kosovës me gjykata.
Avokati i familjeve, Urim Vokshi, ka paditur MPB-në për revokimin e lejeve të qendrimin, Policinë e Kosovës për nxjerrjen e urdhrit për dëbim dhe Komisionin për Ankesa të të Huajve për mosanulimin e vendimeve për dëbim. Sidoqoftë, këto padi janë kontestuar në secilën fazë nga avokatët e qeverisë, dhe tash për tash ato janë në gjykata.
K2.0 ka analizuar 16 prej vendimeve të fundit të lidhura me dëbimet.
Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë vlerësuar vazhdimisht se vendimet nuk janë bazuar “në asnjë provë të vetme dhe konkrete” dhe kanë “të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria” e tyre.
Në disa raste, gjyqtarët kanë theksuar se dokumentacioni i MPB-së nuk ka përfshirë emrin e personit që e ka nënshkruar atë dhe nuk ka përshirë numrat e nevojshëm të protokollit.
Vokshi thotë se duke i pasur parasysh këto vendime, institucionet duhet t’i anulojnë vendimet e tyre. Sidoqoftë, vendimet për revokimin e lejeve të qendrimit dhe urdhrat për dëbim mbesin në fuqi.
Avokati Urim Vokshi, i cili përfaqëson familjet e të deportuarve, ka nisur procedura ligjore kundër MPB-së, Policisë së Kosovës dhe Komisionit të Ankesave për të Huajt. Foto nga Urim Vokshi.
Avokati shpjegon se në raste të ngjashme, kur institucionet administrative nuk nxjerrin vendime të reja në përputhje me vërejtjet fillestare të gjykatave, ato duhet të kthehen në gjykata përmes padive të reja. Dhe vetëm atëherë gjykatat mund t’i vlerësojnë meritat e padisë. Për rastet në fjalë, gjykatat ende nuk kanë mbërrituar fazën e marrjes së vendimeve finale për meritat e rasteve.
Avokatura Shtetërore (ASh), e cila përfaqëson institucionet shtetërore në gjykata, ka këmbëngulur se të gjitha vendimet e marra nga MPB-ja, Policia e Kosovës dhe Komisioni i Apelimit për të Huajt janë të ligjshme dhe se ka dorëzuar përgjigje ndaj të gjitha padive kundër institucioneve të Kosovës dhe ka berë ankesë në Gjykatën e Apelit për tri raste.
Secilën herë, përmes argumenteve gojore apo të shkruara, ASh-ja ka kërkuar që padia “të refuzohet si e pabazuar” ose “të hedhet poshtë si e pasafatshme”.
Si pjesë e argumentimit të tyre, avokatët e AShK-së janë përpjekur t’i paraqesin në gjykata vlerësimet e sigurisë të AKI-së për gjashtë shtetasit turq, të cilat thonë se se Xhihan Yzkan, Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Osman Karakaya, Jusuf Karbina dhe Hasan Hysein Demir (i cili nuk u dëbua) paraqesin rrezik për Kosovën.
Sidoqoftë, meqë vlerësimet e rrezikut janë klasifikuar si “Sekrete” dhe nuk janë parë nga avokatët që përfaqësojnë familjet, gjyqtarët kanë refuzuar vlerësimet si prova, duke thënë se gjykatat nuk mund t’i bazojnë vendimet në “provat lidhur me të cilat palëve nuk u është dhënë mundësia që të deklarohen”.
Ka pasur dyshime edhe për natyrën e ndjeshme të këtyre dokumenteve, se a duhet të jenë të klasifikuara, dhe për vlefshmërinë e vendimeve për heqjen e lejeve të qëndrimit dhe dëbimin e shtetasve turq, pasi ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, i ka thënë një komisioni parlamentar se ata nuk ishin as të dhunshëm, as terroristë.
Kur janë kontaktuar nga K2.0, MPB-ja dhe AShK-ja kanë thënë se nuk komentojnë për rastet që janë ende në procedura gjyqësore. Policia e Kosovës dhe Komisioni i Ankesave për të Huajt nuk janë përgjigjur në pyetjet e K2.0.
Hetimi penal
Rastet administrative të ngritura nga familjet kundrejt autoriteteve të Kosovës natyrisht që s’do t’i kthejnë të dashurit e tyre nga burgjet e Turqisë. Ndonëse familjarët janë të pafuqishëm për të ndikuar në lirimin e të dëbuarve, proceduarat janë elemente të rëndësishme në mënyrë që ata të ndihen se kanë qasje në ndonjë formë të drejtësisë.
Ata po ashtu mund të kenë ndikim në çdo procedurë të mundshme penale kundër figurave institucionale të Kosovës që ishin të përfshirë me dëbimet, meqë vlefshmëria e vendimeve të marra nga zyrtarët po ashtu do të merrej në shqyrtim nga gjykatat.
Labinot Leposhtica, koordinator i monitorimit të gjykatave dhe i zyrës ligjore në BIRN thotë se zyrtarët e akuzuar publikë më herët janë përpjekur t’i përdorin procedurat në vazhdim e sipër në favorin e tyre duke argumentuar se çështja është tashmë në procedurë në një gjykatë tjetër.
Labinot Leposhtica thotë se zyrtarët publikë që ballafaqohen me akuza penale janë përpjekur t’i përdorin procedurat e tjera në vazhdim e sipër për të mirën e tyre. Foto: BIRN.
“Gjykata patjetër që e ka parasysh nëse objekti i shqyrtimit të saj, si vepër penale, është duke u trajtuar edhe në një procedurë tjetër [për shembull] civile”, thotë Leposhtica, duke shtuar se Prokuroria mund t’i mohojë lehtësisht këto argumente “nëse Prokuroria veçse ka siguruar prova të forta që provojnë dashjen dhe qëllimin e këtyre personave për të keqpërdorur detyrën”.
Deri më sot, të vetmet kallëzime penale në Prokurori lidhur me dëbimet kanë qenë ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Më 15 gusht 2019, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj 22 individëve në Prokurori. Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë për K2.0 se rasti po hetohet, porse nuk ka komentuar më tej.
Inspektorati ka thënë për K2.0 se kallëzimi lidhet me “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar” (shkelje që mund të dënohet me gjobë apo me burgim prej një deri në tre vjet) dhe me “Privimin e kundërligjshëm të lirisë” (që mund të dënohet me një deri në tetë vjet burgim).
Rezultatet e hetimit të Inspektoratit të Policisë kanë ardhur pas një procesi të veçantë në Kuvendin e Kosovës, ku në qershor të vitit 2019 është miratuar raporti i një komisioni të posaçëm hetimor.
Ky komision ka intervistuar 25 zyrtarë shtetërorë, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj. Të tjerët që kanë mbajtur pozita të larta në kohën e dëbimeve — sikur Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Pal Lekaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, Drejtori i AKI-së, Driton Gashi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni — po ashtu janë intervistuar nga komisioni, bashkë me drejtorë të tjerë të caktuar brenda Policisë dhe MPB-së.
Raporti ka konstatuar shkelje ligjore në thuajse të gjithë hapat e procesit, gjithsej 31, përshirë shkelje të ligjeve, të akteve nënligjore, të Kodit Penal dhe të traktateve ndërkombëtare që ngërthehen brenda Kushtetutës së vendit.
Disa nga shkeljet më flagrante ishin moszbatimi i parimit të mosdëbimit (i cili ndalon dëbimin e individëve drejt vendeve ku mund të rrezikohen nga tortura), “zbatimi me automatizëm” i kërkesës së AKI-së nga MPB-ja, përfshirja e drejtpërdrejtë e AKI-së në operacionin e Policisë së Kosovës, lejimi i deportimit të gjashtë burrave pa dokumente valide për udhëtim, dhe mosinformimi i të arrestuarve për të drejtat e tyre.
E gjithë çështja — dhe hetimi parlametar që vijoi — po ashtu ka ngritur pyetje të rëndësishme për mënyrën e operimit të AKI-së dhe për aftësinë e institucioneve demokratike të kërkojnë llogari nga ajo.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë se duhen ndryshime ligjore për të mundësuar mbikëqyrje më të madhe të shërbimeve të sigurisë të Kosovës. Foto: Patrik Domi / Zyra e Kryeministrit.
Qeveria e tanishme në detyrë argumenton se Kosova ka nevojë ta ndryshojë Ligjin për AKI-në në mënyrë që të ketë mbikëqyre më të madhe të punës së saj.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë se komisioni hetimor ka pasur më pak dëshmitarë dhe dokumente të AKI-së sesa që është dashur. Ai po ashtu thotë se drejtori i AKI-së ka “diskrecion absolut” në raport me Kuvendin, meqenëse mund të vendosë për dhënien ose jo të informatave apo dëshmitarëve për çdo komision të rregullt parlamentar apo komision hetimor.
“Kjo do të thotë se drejtori i AKI-së gëzon të drejtën e plotë dhe përfundimtare për të penguar çfarëdo hetimi kundër tij apo Agjencisë — duke i refuzuar Kuvendit qasje në informata të duhura për kryerjen e atij hetimi”, thotë ai. “Këtë diskrecion, Qeveria e konsideron të papranueshëm, sepse nënkupton se Kuvendit i mungon autoriteti përfundimtar mbikëqyrës karshi AKI-së dhe drejtorit të saj”.
Duke ditur se vendi po përballet me një krizë kushtetuese pas miratimit të mocionit të mosbesimit muajin e kaluar, dhe se po bëhen përpjekjet për ta zbutur pandeminë e COVID-19, vështirë se do të ketë ndryshime legjislative lidhur me mbikëqyrjen e AKI-së në të ardhmen e afërt.
Në ndërkohë, familjet e arsimtarëve turq që janë dëbuar pa paralajmërim thjesht shpresojnë që do të ketë sadopak drejtësi për ta.
“Duam vetëm që hetimi në vazhdim për gjashtë dëbimet të kryhet sa më shpejt, e pa ndonjë vonesë të mëtutjeshme”, thonë ata.K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.