Mentorimi | S`fundmi | Kulturë

Kampi famëkeq i Tepelenës në ekranin e madh

Nga - 14.08.2019

Historitë e “armiqëve të popullit” u shfaqen në DokuFest.

Me të rënë terri, të internuarit ngujoheshin brenda mureve në atë që dikur ishte kazermë ushtarake. Brenda Kampit të Tepelenës s’u mbetej asgjë tjetër pos gjumit. Aty nuk kishte as elektricitet e as llambë. Dritën e vetme që do e shihnin ishte ajo e diellit e ditës së nesërme. 

Por aty, as gjumi nuk ishte i rehatshëm. Shtretërit dy katësh prej druri, pak më shumë se një metër e gjysmë të gjerë, përdoreshin për deri nga katër persona. Në katër godina të kampit, secila me reth 500 njerëz, jetesa zhvillohej në kushte të rënda. Kampi kishte edhe dy godina tjera, ku njëra përdorej si lloj depoje, e tjetra si morg.

Në ora pesë të mëngjesit të burgosurit do të nisnin ndërrimet e punës të detyruar. Para kësaj, do të grumbulloheshin në oborr dhe do të numëroheshin nga rojet. Po të vonohej dikush do shqelmohej e tërhiqej zvarrë. Nën mbikqyrjen e rojeve ata do të mbërrinin në fshatin e Turanit — i njohur me një tjetër kamp internimi — dhe gjatë gjithë ditës do prenin drunj. Më e lodhshme sesa prerja ishte bartja e drunjve në krahë mbapa në kamp. Mirëpo, uria ishte ajo që i mundonte më shumë se gjithçka tjetër. 

‘‘Uria nuk të linte një minutë të qetë’’, thonë shumë nga të mbijetuarit e kampit, duke kujtuar se si në shumë raste, para se të vdisnin njerëzit, fjalën e fundit e thoshnin ‘‘bukë’’. “Torturën mund ta duroje, por uria ishte e tmerrshme’’. 

 Në filmin e shkurtër “Virtual Museum, Tepelena Camp”, regjisori Elton Baxhaku, sjell rrëfimet e të mbijetuarve të kampit famëkeq që bart një pjesë të trashëgëmisë komuniste të regjimit të Enver Hoxhës gjatë pjesës së dytë të shekullit 20. Filmi dokumentar u shfaq gjatë edicionit të 18-të të DokuFestit Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren (2-10 gusht).  

Foto: Pamje nga filmi dokumentar “Virtual Museum, Tepelena Camp”.

“Virtual Museum, Tepelena Camp”, ndërtohet mbi dëshmitë që të mbijetuarit sjellin me zë, ndërsa përcillet me pamje të kampit sot, që duket gati i rrënuar. 

I quajtur nga të mbijetuarit si “Aushvici Shqiptar”, Kampi famëkeq i Tepelenës funksionoi nga viti 1949 deri më 1954. Në mungesë të dokumenteve të kohës, nuk dihet së në çfarë rrethanash erdhi deri te mbyllja e kampit. 

Gjatë diktaturës së Hoxhës ky kamp llogaritet të jetë ndër të parët ku internoheshin ata që cilësoheshin si ‘‘armiq të partisë’’. Baxhaku thekson se ndërtesa për ‘‘qëllimet komuniste’’, ishte ‘‘godinë e gatshme’’, pasiqë kazerma ishte ndërtuar nga italianët gjatë pushtimit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

“Ne dëshironim që Kampin e Tepelenës ta tregonim si godinë, artefakt, një vend që ta kthenim në muze”, thotë ai. “Edhe pse nuk është i vizitueshëm fizikisht, ta bëjmë të vizitueshëm virtualisht. T’i sjellim dëshmitë  e njerzve me zë, të cilëve u kemi borxh për hir të vuajtjes së tyre”.

Historia e Aziz Ndreut, të burgosorit fëmijë,i cili detyrohet ta luaj rolin e infermierit brenda kampit ishte pjesa më goditëse për Baxhakun. Më tej, regjisorin e brengoste ajo se sa të rinjtë kanë njohuri rreth kampeve të internimit, apo jetës në përgjithësi që bëhej në Shqipërinë e atyre viteve. Kjo ishte edhe një ndër arsyet e realizimit të filmit, anipse regjisori beson se puna e tij është vetëm ‘‘një pikë ujë në oqean’’.   

Baxhaku në film sjellë edhe skicat e bërë nga piktori Lekë Previzi, që po ashtu ishte i internuar aty. ‘‘Fatkeqësisht, Lekë Previzi është i vetmi që sjellë vizualisht Kampin e Tepelenës’’, thotë ai.

Përveç mungesës së pamjeve të kampit gjatë viteve të funksionimit të tij, mungojnë edhe të dhëna tjera zyrtare për numrin e personave të internuar aty, moshën e tyre, dhe numrin e saktë të përsonave të vdekur. E gjitha që dihet deri më tash, është vetëm nga dëshmitë e të mbijetuarve.

Foto: Pamje nga filmi dokumentar, që rikontstrukton hapësirën ku flinin të internuarit në Kampin e Tepelenës.

Banorët e kampit tregojnë se si vdekjet vinin kryesisht nga uria dhe sëmundjet, por edhe nga torturat që u bënin rojet.   

‘‘I kam numëruar deri në gjashtë veta që vdisnin në ditë… kryesisht fëmijë dhe të moshuar’’, thotë njëri nga të mbijetuarit e kampit në dokumentarin e Baxhakut. 

‘‘Kur vdisnin dimrit, nuk i raportonim për tre apo katër ditë, për t’u hangër racionin e bukës’’,  kujton Klora Mirakaj, një tjetër e mbijetuar e kampit. 

Asaj i është ngulitur në kujtesë dita kur një grua lindi binjakë dhe që të dy vdiqën po atë ditë. Dërrasat e djepit ishin përdorë si arkivol i fëmijëve të vdekur.  

Një organ që ka për qëllim grumbullimin, studimin dhe analizimin e fakteve në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri është Institutiti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Drejtore e Studimeve të Institutit, Luljeta Llushnaku, theksoi për K2.0 se kampi funksionte “pa letra”, e që kjo e pamundëson njohjen e saktë të numrit të viktimave. Ajo shton se gjatë pesë viteve të ekzistimit të kampit të internimit.dokumentet e vetme rreth Kampit të Tepelenes janë dy raportet e CIA-së. Sipas saj në njërin thuhet se kanë vdekur 2500 persona, ndërsa tjetri dokumentn 3500 të vdekur.

“Jashtë listave të të internuarve mbetën të miturit, të cilët për shkak të moshës, nuk mund t’i kapte asnjë lloj dënimi”, thotë Llushnaku. Pra, kemi të bëjmë me një kategori të cilët ligjërisht figuronin të lirë, ndërkohë që po vuanin ferrin në një kamp të rrethuar me tela midis malesh”. 

Njohjen e Kampit të Tepelenës dhe çdo pjesë tjetër të regjimit komunist përgjatë 47 viteve në Shqipëri, Llushnaku e sheh si informim të publikut dhe reflektim mbi të kaluaren për ta kuptuar realitetin e sotshëm dhe parashikuar te ardhmen. Por mbi të gjitha dokumentimet e tilla për të përbëjnë obligim moral dhe historik ndaj gjithë atyre shqiptarve që sipas saj, vuajtën padrejtësisht dhe mizorisht nga ai regjim.

“Tre breza janë masakruar në emër të Luftës së Klasave, të cilëve nuk ua rimbursojmë dot as jetët e pajetuara, as humbjet por, më e pakta që mund të bëjmë është t’ua njohim ato”, thotë ajo. “Ndjeshmëria ndaj dramës së Kampit të Tepelenës lidhet me faktin që në atë kamp, vuajtën kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, pra aty u thyen të gjitha normat humane, ligjet apo parimet politike të vetë atij shteti, sepse nuk mund t’i cilësoj as kundërshtarë politik dhe as me rrezik social”. K

Foto kryesore: Skicë nga Lekë Previzi, i mbijetuar i Kampit të Tepelenës.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.