Karnivali i K2.0

Ajo koha e vitit kur…

Kur e imagjinojmë një karnival, mendojmë për kostume shumëngjyrëshe e festime të zhurmshme. Më pak të njohura janë origjinat e karnivalit, një ritual kolektiv që daton qysh në kohën antike.

Çfarë ne sot e njohim si karnival thuhet t’i ketë rrënjët në festimin Saturnalia të romakëve antikë. Në fundvit, njerëz prej të gjitha anëve mblidheshin dhe festonin për ta nderuar Saturnin. Sipas mitit, Saturni kishte sunduar mbi Epokën e Artë të njerëzimit – një kohë e bollëkut, barazisë dhe paqes – para zhdukjes së mistershme të tij. Saturnalia ishin ritet e kujtimit të kësaj utopie të humbur.

Saturnalia ishte një kohë për t’i thyer normat. Skllevërit flisnin dhe ecnin lirshëm, të pasurit u shërbenin të varfërve. Të privilegjuarit përbuzeshin e të përjashtuarit nderoheshin nëpër rrugë.

Çdo vit, për një kohë të shkurtër, njerëzit e qytetit e përmbysnin rendin shoqëror. Ajo që ishte e pamundur, e paimagjinueshme, në çfarëdo dite tjetër, bëhej rregull. E kishin një thënje për këtë në gjuhën latine. Semel in anno licet insanire. “Një herë në vit, na lejohet të çmendemi”.

Karnivali K2.0 e ndjek këtë traditë. Karnivali jonë e shënon kohën e vitit kur njerëzit bëhen bashkë për t’i sfiduar normat, për të riimagjinuar gjithçka që na rrethon dhe për të anuar drejt një bote që është më e hapur dhe më e lirë. Dhe si karnivalet e moçme, këtë e bëjmë nëpërmjet komunitetit dhe argëtimit.

Por ndryshe prej karnivaleve tradicionale, qëllimi i Karnivalit K2.0 nuk është t’i përmbys sistemet e shtypjes për një moment, për t’i rivendosur ato sapo të përfundojë festimi. Në fund të fundit, Saturni ishte zoti i të mbjellaurave, zoti i farës. Karnivali i K2.0 është aty për të mbjellur farat e një riimagjinimi të njëmendtë të rendit shoqëror.

Çdo verë, Karnivali K2.0 shënon kohën e vitit kur mblidhemi publikisht për t’i vënë në pyetje çështjet më të rëndësishme të kohës tonë. Këtë e bëjmë për ta kundërshtuar idenë që bota duhet të jetë ashtu siç është. Nëse kjo do të thotë që jemi çmendur, atëherë, na lejohet të çmendemi një herë në vit dhe është detyrë e jona të mbesim ashtu gjatë gjithë vitit.

Edicionet e mëhershme: