Më 24 mars, kryetari i Shoqatës Atlantiku Gani Shehu i dërgoi një letër prekëse Presidentit të ShBA-së, Joe Biden, duke i kërkuar zhvendosjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës nga Haga në Kosovë.
Në letrën e tij, z. Shehu përmend rolin që djali i presidentit, Beau Biden, kishte luajtur në rindërtimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovën e pas-konfliktit. Më tutje, ia rikujton Presidentit Biden dashamirësinë që vetë ai kishte treguar ndaj ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, i cili aktualisht akuzohet për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.
Kërkesa e z. Shehut për zhvendosjen e Dhomave të Specializuara bazohet në akuzën se gjykata aktualisht po keqpërdoret nga shtete të paspecifikuara anëtare të BE-së që synojnë ta dëmtojnë marrëdhënien ShBA-Kosovë. Zhvendosaja e Dhomave, argumenton z. Shehu, do ta siguronte pavarësinë e tyre dhe do ta lejonte Kosovën ta “administrojë drejtësinë dhe sistemin gjyqësor vetë”.
Kërkesa e tij nuk është e re në mesin e elitës kosovare. Politikanë nga anë të ndryshme në vazhdimësi kanë bërë thirrje për vendosjen e Dhomave të Specializuara në territorin e Kosovës. Por, çfarë do të sillte në të vërtetë ky ndryshim i lokacionit? Dhe, më me rëndësi, a do t’i ndihmonte apo pengonte kjo zhvendosje qëllimet e Dhomave të Specializuara?
Lokalizimi i Dhomave të Specializuara në teori
Historia e gjykatave ndërkombëtare tregon se ato krijohen për të dënuar kryesit e krimeve dhe për të arritur pajtimin ndërmjet komuniteteve.
Pajtimi është pikësynimi përfundimtar dhe shpesh vështirë i arritshëm i drejtësisë tranzitore; ai kërkon tejkalimin e dhimbjes dhe afrimin e komuniteteve dhe shoqërive të ndara nga lufta.
Çdo përpjekje për pajtim që mëton të jetë e sukseshme duhet të vendosë në qendër pronësinë vendore të mekanizmave llogaridhënës, pasi vetëm përmes përfshirjes së shoqërive të prekura nga konfliktet në proceset e drejtësisë tranzitore mund të arrihet ndikimi kuptimplotë. Kjo kërkon pjesëmarrjen e individëve dhe grupeve vendore, siç janë organizatat e shoqërisë civile, në punimet e gjykatave.
Sidoqoftë, gjykatat e kaluara ndërkombëtare, si Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ruandën, i kanë kushtuar pak vëmendje pajtimit dhe janë përqendruar më shumë në dënim.
Natyra hibride e Dhomave të Specializuara qëllimisht u modelua për të adresuar disa nga mangësitë e gjykatave të tilla tërësisht ndërkombëtare, duke ua dhënë një shkallë të pronësisë së procesit vendeve në pyetje.
The KSC has manifestly failed in creating any semblance of popular support from the subjects under its purview.
Ndërsa modeli institucional i gjykatave hibride nuk është i paracaktuar, por i vendosur në mënyrë ad hoc, gjykatat hibride ekzistuese kanë dy emërues të përbashkët: janë të vendosura në vendin mbi të cilin kanë juridiksion dhe personeli i tyre përbëhet edhe nga vendorë edhe nga ndërkombëtarë.
Në rastin e Dhomave të Specializuara, asnjë nga këta parametra themelorë nuk përmbushet. Përkundër faktit se janë të bazuara në sistemin juridik vendor të Kosovës, natyra e Dhomave mbetet e largët.
Andaj, në teori, kërkesat ndaj Dhomave të Specializuara për mbajtjen e proceseve gjyqësore në vend (qoftë pjesërisht apo plotësisht) dhe përfshirjen e kosovarëve në stafin e tyre janë logjike, veçanërisht nëse ky insitucion mëton se me të vërtetë kujdeset për vendasit. Aktualisht, ky pretendim mbetet më shumë në letër sesa në vepra, pasi ndërsa Dhomat e Specializuara i kushtojnë vëmendje konceptit të pronësisë vendore në deklaratën e misionit të tyre dhe në aktivitetet informuese, kjo duket se është vetëm fasadë.
Deri më tani, puna e Dhomave të Specializuara ka qenë kryesisht e preokupuar me drejtësinë retributive, pra me dënime për veprime të kaluara që synojnë të jenë proporcionale me krimet e kryera. Për më tepër, Gjykata Speciale qartazi ka dështuar të krijojë mbështetje popullore nga subjektet nën fushëveprimin e saj, që gjë nënkupton mungesë të interesimit për popullatën vendore.
Problemet praktike me zhvendosjen
Bisedat për zhvendosjen e Dhomave të Specializuara në Kosovë e kanë trazuar kryeprokuroren e tyre Ekaterina Trendafilova, e cila i sheh këto diskutime si përpjekje për pengim të punimeve të gjykatës. Nga perspektiva prokuroriale, shqetësimet e Trendafilovas janë të bazuara.
Në rast se Dhomat e Specializuara do të zhvendoseshin, një numër rreziqesh potenciale mund të dëmtojnë funksionin e tyre retributiv, veçanërisht nëse kjo zhvendosje do të nënkuptonte përfshirjen e stafit vendor në strukturat e tyre.
Së pari, historia e gjatë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë mund t’i frenojë dëshmitarët e ardhshëm të lajmërohen. Dhomat e Specializuara veçse po përballen me dëmet e shkaktuara nga rrjedhja e dokumenteve, që lëkundi besimin e dëshmitarëve të tanishëm dhe nxiti një valë të re skepticizmi rreth aftësisë së gjykatës për t’u ofruar mbrojtje dëshmitarëve të vet. Zhvendosja e Dhomave vetëm sa do ta dobësonte besimin tashmë të zbehur në to dhe do ta pengonte punën e tyre.
Së dyti, Gjykata Speciale rrezikon të përballen me të njëjtat sfida të vetingut që e përcjellin sistemin e brendshëm gjyqësor të Kosovës. Sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor në Kosovë ngjallin pak besim në mesin e qytetarëve për shkak të përshtypjes së pranishme se këto institucione janë të politizuara dhe të zhytura në korrupsion. Nëse Dhomat e Specializuara zhvendosen, procesi i vetingut rrezikon të bëhet i dyshimtë dhe jotransparent, ashtu siç aktualisht është sistemi gjyqësor i brendshëm i Kosovës.
Gjykata perceptohet si imponim nga të huajt, pasi shtysa për krijimin e saj ka qenë presioni ndërkombëtar, në vend se kërkesa vendore.
Pavarësisht sfidave që i karakterizojnë funksionet retributive të Dhomave të Specializuara, zhvendosja e tyre në këtë stad ka pak gjasa se do të sillte ndonjë ndryshim pozitiv sa i përket pajtimit në terren.
Teorikisht, sjellja e Dhomave më afër shtëpisë, në kuptimin metaforik dhe atë të fjalëpërfjalshëm, do ta shtonte pronësinë e shqiptarëve kosovarë mbi procesin, por në praktikë nuk është kaq e thjeshtë.
Aktualisht, gjykata perceptohet si imponim nga të huajt, pasi shtysa për krijimin e saj ka qenë presioni ndërkombëtar, në vend se kërkesa vendore. Për më tepër, modeli institucional i Gjykatës, pra përbërja tërësisht ndërkombëtare dhe vendndodhja në Hagë e ka shkëputur atë nga shqetësimet dhe kërkesat vendore.
Ankesa kryesore e popullatës kosovare shqiptare ndaj Gjykatës Speciale ka të bëjë me padrejtësinë e mandatit të saj, sipas të cilit përndiqen vetëm veteranët e UÇK-së, dhe nga ana tjetër përjashtohen ish-anëtarët e ushtrisë serbe dhe paramilitarët serbë nga dora e drejtësisë.
Zhvendosja fizike e gjykatës sigurisht se do t’i adresonte shqetësimet rreth drejtësisë në distancë, por do të bënte pak për të përmirësuar mandatin e saj të perceptuar si paragjykues, apo për të t’i trajtuar shqetësimet për mënyrën e krijimit të saj. Andaj, edhe niveli i mbështetjes nga shumica e kosovarëve shqiptarë rrezikon të mbetet i ulët.
E njëjta mund të thuhet për minoritetin serb, i cili veçse manifeston nivel të lartë skepticizmi në lidhje me aftësisë e gjykatës për të sjellë drejtësi për personat që synon t’i padisë. Zhvendosja e gjykatës në Kosovë do të bënte pak për t’i zbutur këto shqetësime, veçanërisht pasi personat aktualisht të akuzuar — Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi — si ish-anëtarë të UÇK-së, ende shihen si pjesë e pandashme e luftës çlirimtare të shqiptarëve kosovarë.
Mësime për Dhomat e Specializuara
Duke marrë parasysh spektrin e vështirësive me të cilat do të përballej një gjykatë speciale kombëtare, zhvendosja e saj ka pak gjasë të ndodhë në këtë kohë. Për më tepër, cilido veprim i ardhshëm nga ana e Dhomave të Specializuara mbart kufizime të mëdha, pasi faktorët kyçë që ndikojnë në popullaritetin e ulët të tyre janë shtyllat kryesore mbi të cilat ato janë ndërtuar, përkatësisht origjina dhe mandati i tyre.
Sidoqoftë, kërkesa për zhvendosje duhet të shërbejë si përkujtim për gjykatën se populli i Kosovës ka nevojë reale ta ketë ndjenjën e sovranitetit mbi proceset e drejtësisë tranzitore të zhvilluara në emër të tij, për të mirën e tij.
Ndonëse Dhomat e Specializuara mund të bëjnë pak për t’i ndalur faktorët më shqetësues që në fillim, ato mund të bëjnë më shumë për t’i adresuar fenomenet më të vogla, si mungesa e informimit për funksionet e tyre apo vetëdijen e ulët publike. Gjykata gjithashtu mund të shërbejë për ta lehtësuar punën e nismave të tjera në terren, në përpjekje për të krijuar një strategji gjithëpërfshirëse të pajtimit në Kosovë. Në këtë drejtim, Dhomat e Specializuara mund të përmirësojnë aktivitetet e tyre informuese dhe të marrin pjesë në forma më reflektuese të drejtësisë tranzitore.
Së pari, gjykata duhet ta ndryshojë qasjen e aktiviteteve të saj informuese brenda Kosovës. Ndonëse Dhomat e Specializuara i kanë kushtuar më shumë vëmendje informimit se paraardhësja e tyre, GjNDJ-ja, këto aktivitete janë të kufizuara në ndikimin aktual që kanë pasur te publiku brenda Kosovës. Në fakt, përkundër shumë ngjarjeve njoftuese të cilat Dhomat e Specializuara me krenari i shfaqin në webfaqen e tyre, dezinformata të pakontrolluara dhe vetëdija e ulët publike për mandatin e tyre janë të pranishme gjithandej.
Askush me besueshmëri politike vendore nuk preferon të avokojë për Dhomat e Specializuara në terren.
Për ta kufizuar dezinformimin e qytetarëve të Kosovës rreth gjykatës, dy hapa fillestarë janë të nevojshëm: së pari, trajnime më të plota për monitoruesit vendorë të punimeve të gjykatës; dhe së dyti, vëmendje më e theksuar në punëtori dhe sesione informuese dy-drejtimshme gjatë të cilave pjesëmarrësit mund të marrin informata nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe t’i shprehin kërkesat e tyre.
Duhet të përmendet se faktori primar për ndikimin minimal të aktiviteteve informuese të Dhomave të Specializuara është mungesa e mbështetjes nga qeveria e Kosovës. Aktualisht, ka vakum të PR-it në vend pasi askush me besueshmëri politike vendore nuk preferon të avokojë për Dhomat e Specializuara në terren.
Duke qenë se mbështeja e qeverisë së Kosovës është e domosdoshme për t’i sjellë ndryshimet shoqërore të premtuara nga Dhomat, është i nevojshëm një bashkëpunim më i afërt dhe më konstruktiv ndërmjet tyre dhe qeverisë. Në këtë drejtim, Dhomat e Specializuara duhet të jenë më proaktive në nxitjen e dialogut me qeverinë, dhe në lehtësimin e rolit dhe pjesëmarrjes së shtetit në nismat e drejtësisë tranzitore në Kosovë.
Për fund, Dhomat e Specializuara do të përfitonin nga mbështetja dhe zbatimi i formave më reflektuese të drejtësisë tranzitore. Pjesa më e madhe e nismave për ballafaqim me të kaluarën dhe pajtim ndërmjet komuniteteve ndërmerren nga pjesëtarë të shoqërisë civile, me pak mbështetje nga institucionet shtetërore. Për më tepër, në Kosovë nuk ka strategji gjithëpërfshirëse për ballafaqim me të kaluarën që i vë në qendër viktimat, gjë që në masë të madhe e pengon punën e nismave të drejtësisë tranzitore në terren.
Dhomat e Specializuara mund të luajnë rol të rëndësishëm në krijimin e një strategjie të tillë duke mbështetur dhe promovuar institucionet, OJQ-të dhe akterët e tjerë të cilët janë të angazhuar në çështjen e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, si dhe duke organizuar konsultime të gjera me grupet dhe komunitetet e viktimave.
Për të qenë më efektivë, mekanizmat e drejtësisë tranzitore duhet të zbatojë qasjen nga poshtë-lart, e cila i vë në qendër viktimat dhe të mbijetuarit. Prandaj, angazhimi me popullatën kosovare në nivel lokal duhet të jetë në qendër të vëmendjes së Gjykatës Speciale, pasi ky është hapi i parë drejt një procesi kuptimplotë të pajtimit.
Imazhi i ballinës: K2.0.