"Kjo s’është lufta jonë"

Pakicat kombëtare në Vojvodinë në mes të luftërave të viteve ’90-a.

Një kolazh prej tre fotografive të vjetra.
Fotografia nga arkivi i Borisav Matić.

Më poshtë gjeni një version të lexuar me zë të të gjithë artikullit.

Ivo Martinović u lind dhe u rrit në Petrovaradin, një qytet tani pjesë e Novi Sadit, kryeqytet i Krahinës Autonome të Vojvodinës në Serbinë veriore. Martinović — pjesë e pakicës kombëtare kroate — jetoi në Petrovaradin me familjen e tij deri në vjeshtën e vitit 1991, kur vendosi të migronte në Kroaci për shkak të formave të ndryshme të presionit, frikësimit dhe dhunës së hapur të kohëpaskohshme me të cilat komuniteti i tij përballej teksa Serbia zhvillonte luftë në Kroaci.

“Vojvodina është mjedis specifik, jo vetëm për ish-Jugosllavinë, por edhe për të gjithë Evropën. Ka qenë një shembull pozitiv se si forma të ndryshme fetare, kombëtare dhe të gjitha format e tjera të komunitetit mund të bashkëjetonin në një hapësirë ​​të vogël”, kujton Martinović për webfaqen “Neispričane priče” — Rrëfime të patreguara. “Për fat të keq, kjo i pengoi dikujt, ai identitet i Vojvodinës”, u shpreh ai.

Historia e jetës së Martinović është një nga të shumtat që u incizuan dhe u publikuan në Rrëfime të patreguara. Webfaqja u hap nga Qendra Qytetare e Vojvodinës, një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, për t’i theksuar shkeljet e të të drejtave të njeriut në Vojvodinë në vitet e ’90-a.

Abuzimi dhe rekrutim i detyruar i ‘qytetarëve të papërshtatshëm’

Shumë shkelje prej viteve të ’90-a shënjestronin pakicat kombëtare të provincës. Këto pakica — hungarezë, kroatë, rusë dhe të tjerë — u përballën me presion për t’u asimiluar, për të marrë pjesë në luftë krah Serbisë apo për t’u larguar krejtësisht nga Serbia, nën hijen e  nacionalizmit serb në rritje. “Rrëfime të patreguara” përqendrohet në përvojat personale të popullsisë kroate, një pjesë e së cilës u dëbua nga Vojvodina gjatë viteve të luftës, pasi u panë si “qytetarë të papërshtatshëm” nga disa autoritete dhe zëra publikë ekstremistë dhe nacionalistë.

Në intervistën për “Rrëfime të patreguara”, Martinović nënvizoi se Vojvodina, “për shkak të kushtetutës së saj, për shkak të pakicave të ndryshme fetare dhe kombëtare, shumë martesave të përziera, ishte njëri nga vendet që pengonte zbatimin e politikës për Serbinë e Madhe dhe si e tillë duhej ‘pastruar’”. Ky pastrim i supozuar u shfaq më vonë, gjatë rrjedhës së luftërave jugosllave, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe fizik.

Martinović kujtoi se propaganda në mediet serbe i portretizonte kroatët e Vojvodinës si “krahu i zgjatur” i politikave nacionaliste të presidentit të atëhershëm të Kroacisë, Franjo Tuđman në Kroaci. U përhap frika se popullsia kroate, veçanërisht në rajonin e Srem të Vojvodinës, po përgatit një kryengritje të armatosur kundër qeverisë dhe banorëve të tjerë vendas. Megjithatë, “kjo s’ndodhi kurrë”, tha Martinović. Në vend të kësaj, “dëshmoi se sa artificiale dhe e krijuar tërë ajo [narrativë] ishte”.

"S’ka terror kundër kroatëve në Vojvodinë", thotë ky artikull në Politika, një gazetë e Beogradit. Artikulli, i cili është i datës 28 mars 1992, akuzon kroatët e Vojvodinës për prishjen e marrëdhënieve me serbët fqinjë, duke ndjekur "politikat kriminale" të qeverisë kroate. Fotografi nga arkivi i Qendrës Qytetare të Vojvodinës.

Përhapja e urrejtjes s’ishte e kufizuar në peizazhin medial, por përshkallëzoi në abuzim verbal dhe dhunë fizike nga anëtarët e komunitetit lokal, formacionet paraushtarake ose partitë politike ekstremiste. “Një fqinjës sonë, e cila ishte nënë vetushqyese e pesë fëmijëve, katër prej të cilëve vajza, iu hodh një bombë në garazhin që ishte pjesë e shtëpisë së tyre. Ishte e qartë se ajo s’përbënte rrezik për askënd në një situatë të tillë, mirë që ia doli të mbijetojë pavarësisht të gjithave, t’i ushqejë ata fëmijë”, kujton Martinović.

Një burim tjetër i presionit të vazhdueshëm, si për popullatën serbe ashtu edhe për atë joserbe, gjatë viteve të luftës, ishte kërcënimi për t’u rekrutuar me forcë. Teksa disa vullnetarë iu bashkuan Ushtrisë Popullore Jugosllave ose formacioneve paraushtarake — të cilat po kryenin luftërat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë — shumë të tjerë donin ta shmangnin rekrutimin, edhe nëse kjo nënkuptonte të fshiheshin e mos shiheshin në publik  për muaj apo edhe vite. Ishte veçanërisht e vështirë për kroatët, të cilët, nëse rekrutoheshin, përballeshin me mundësinë që të shkrepnin armët në drejtim të anëtarëve/eve të familjes apo shoqërisë në Vukovar apo zona të tjera të luftës.

Martinović kishte shumë shokë serbë, që u dërguan për të luftuar në Kroaci. Kur ktheheshin në shtëpi për një fundjavë ose disa ditë të lira, ai mund ta “shihte se këta njerëz kanë ndryshuar në aspektin psikologjik, se binin në depresion, për ta thënë më butë. Sot do të quhej sindromi post-traumatik”.

Martinović, në dëshminë e tij për “Rrëfime të patreguara” kujtoi kur policia ushtarake bastiste shtëpitë e burrave të rinj që thirreshin të rekrutoheshin pavarësisht faktit se prindërit e tyre u  thoshin se djemtë e tyre nuk ishin në shtëpi. Njëri nga shokët e tij, u nxor nga dollapi, ku fshihej dhe u dërgua direkt në vijën e parë të frontit, pa pasur mundësi t’i ndërronte rrobat apo t’u thoshte lamtumirë familjarëve.

Pavarësisht të gjitha presioneve, Martinović ishte i vendosur të qëndronte në Petrovaradin sa të mundej. Por kur e kuptoi se shanset e tij për ta shmangur rekrutimin pakësoheshin, Martinović vendosi të shpërngulej në Kroaci. Për shkak se, Kroacia lindore, e cila kufizohet me Serbinë, ishte një zonë lufte, atij iu desh të udhëtonte nëpër Bosnjë e Hercegovinë. Për “Rrëfime të patreguara” tha se teksa po largohej nga Srem gjatë rrugëtimit për në Bosnje, “ishte dëshmitar i një vargu të pafund tankesh, automjetesh ushtarake, të cilat po shkonin drejt Vukovarit”. Gjithashtu pa “njerëz në fshatrat e Srem tek dilnin në rrugë, me shishe rakie në duar, duke përshëndetur me gëzim ushtrinë që kalonte, mendoj se shprehnin dëshirë të vriteshin sa më shumë njerëz”.

Ky artikull, në edicionin e 2 shkurtit 1992 të Politika, titullohet "Në fshatin Srem të Beška / Kroatët papritmas po lëvizin" dhe vëzhgon teksa kroatët largohen nga Vojvodina, pa diskutuar për asnjë lloj shtypjeje me të cilën mund të jenë përballur. Fotografia nga arkivi i Qendrës Qytetare të Vojvodinës.

Sa qëndronte në Zagreb, Martinović punoi me Komunitetin e kroatëve të dëbuar nga Srem, Banati dhe Bačka, një organizatë humanitare. Organizata nuk veproi politikisht. Në vend të kësaj, mundohej “t’i ndihmonte dhjetëra mijëra njerëz që emigruan për ta gjetur rrugën e tyre atje, për t’i marrë dokumentet, pasi s’ishte e lehtë në ato rrethana të kohës së luftës të shpërnguleshe në një mjedis të ri”, tha Martinović për “Rrëfime të patreguara”.

Shumica e të dëbuarve ishin kroatë. Megjithatë, kishte edhe nga hungarezët, serbët, nacionalitetet e tjera dhe personat në martesa të përziera. “U desh t’i ndihmonim ata,” tha Martinović.

Nga propaganda te dhuna e hapur

Historia e Martinović është tregues i shtypjes sistematike të kroatëve dhe pakicave të tjera kombëtare në Vojvodinë gjatë luftërave jugosllave të viteve ’90-a. Teksa nacionalizmi garues u zgjua në vitet e ’80-a në të gjithë ish-Jugosllavinë, narrativa(at) e vazhdueshme e përjashtimit dhe viktimizimit serb fituan mbështetje popullore dhe përfundimisht dominuan diskursin publik. Në botëkuptimin nacionalist serb, të gjitha kombësitë e tjera në ish-Jugosllavi konsideroheshin armiqësore ndaj popullatës serbe dhe shembuj nga konfliktet historike u përdorën për të zgjuar ose forcuar mosbesimin dhe mostolerancën ndaj grupeve të tjera.

Në Serbinë veriore, ishte më e lehtë të përhapej urrejtje ndaj kroatëve, duke zgjuar kujtimet e Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH), një shtet marionetë nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi ustash i NDH jo vetëm që pushtoi Srem, por krijoi dhe udhëhoqi Jasenovacin, një kamp përqendrimi ku u vranë rreth 77,000 deri në 99,000 serbë, hebrenj, romë dhe komunistë.

Kujtimet e dhimbshme të Jasenovac ishin lehtësisht të shfrytëzueshme dhe mediet ushqenin narrativa që barazonin tiraninë e NDH, me politikën e të gjithë kroatëve. Politika e ekstremit të djathtë të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), e cila ishte partia në pushtet në Kroacinë e viteve ’90-a dhe elementet e përvetësuara të pamjeve dhe ideologjisë ustashe, vetëm sa lehtësuan detyrën e propagandës për shumë medie serbe.

HDZ mbetet parti qeverisëse në Kroaci sot dhe megjithëse iu nënshtrua një ristrukturimi rrënjësor, në vitin 2024 formoi një koalicion qeveritar me Lëvizjen për Vendlindjen, një entitet i ekstremit të djathtë, kundërthëniet e të cilit përfshijnë mohimin e krimeve të luftës dhe përdorimin e thirrjeve të epokës naziste.

Siç thekson Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, duke cituar të dhënat e regjistrimit civil në 1991 dhe 2002, popullimi i kroatëve/eve në Vojvodinë gjatë 11 viteve u ul në 39 nga 45 komuna. Ishin 18,262 kroatë/e më pak në fund të kësaj periudhe 11-vjeçare, një rënie prej 24,41% e popullsisë së përgjithshme kroate.

Në një deklaratë me shkrim për K2.0, Marijana Stojčić, studiuese në Qendrën për Historinë Publike, shoqatë e aktivistëve/eve dhe historianëve/eve për të drejtat e njeriut në Beograd, argumentoi se ndryshimi në strukturën etnike të Vojvodinës u shfaq si pasojë e procesit të çnjerëzimit të të tjerëve, që kishte ndodhur që nga rekrutimi nacionalist në Serbi nga fundi i viteve të ’80-a. “Luftërat jugosllave ishin, në shumë mënyra, luftëra kundër pakicave”, tha Stojčić. “Dhuna dhe krimet gjatë viteve të ‘90-a u përgatitën dhe pastaj u arsyetuan me kërcënimin dhe vetëmbrojtjen e ‘neve’ ndaj të gjithë atyre që vunë në pikëpyetje unitetin e tillë të postuluar etnonacional”.

Stojčić vërejti se diskursi nacionalist i viteve të ’90-a e reduktoi politikën në një dallim binar mes miqve dhe armiqve dhe nxiti mostolerancën ndaj çdo diversiteti — etnik, fetar, gjinor dhe politik. “Atmosfera e kërcënimit ekzistencial, që po krijohej, imponoi si një domosdoshmëri logjike këmbënguljen për homogjenizim dhe inkurajoi rekrutim të mëtejshëm për ta zgjidhur problemin e atyre që ishin caktuar si armiq nga elita e pushtetit”, tha Stojčić. “Miqtë, fqinjët dhe të afërmit e djeshëm, u kthyen në armiq vetëm sepse emrat e tyre ishin ndryshe. Rezultatet i dimë: përndjekje, spastrim etnik dhe ndryshim në imazhin demografik të territoreve jugosllave, përfshirë Vojvodinën”.

Sombor: një rast studimi

Një prirje e ngjashme mund të vërehet duke lëvizur nga niveli provincial në nivelin e qyteteve individualisht ose komunave. Një artikull nga Qendra për Historinë Publike përcjell pozitën e pakicave fetare dhe kombëtare në Sombor gjatë viteve të ’90-a. Sombor është një rast studimor i rëndësishëm, pasi ka qenë qytet multikulturor dhe multietnik për shekuj, që daton që nga periudha austro-hungareze, si pjesa tjetër e Vojvodinës. Megjithatë, ndoqi prirjen e homogjenizimit gjatë luftërave jugosllave.

Sipas regjistrimeve të popullsisë të kryera në fillim të tre dekadave — në 1981, 1991 dhe 2002 — popullsia e përgjithshme e Sombor mbeti pothuajse e pandryshuar, duke u luhatur mes 96,000 dhe 99,000. Megjithatë, numri i kroatëve u ul nga 15,228 në 1981 në 8,106 në vitin 2002. Numri i hungarezëve që jetonin në Sombor ra nga 18,813 në 12,386, gjatë së njëjtës periudhë, ndërsa numri i serbëve u rrit nga 46,957 në 59,799.

Rritja e popullsisë serbe mund t’i atribuohet disa faktorëve, ndër kryesorët është migrimi vullnetar ose i detyruar i serbëve nga zonat e luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Por faktorë të tjerë të padukshëm shpërfaqin ndryshimin politik të periudhës. Gjersa numri i jugosllavëve të vetë-identifikuar ishte 14,058 në 1981, në 2002 ishte vetëm 5,098. Ky nuk ishte thjesht një reagim ndaj një vendi në zhdukje, por zbehje e nevojës për një identitet të përbashkët krahas përkatësisë etnike.

Ashtu si në pjesën tjetër të Vojvodinës, tensionet kombëtare u ndezën në Sombor, teksa propaganda u përshpejtua në fillim të viteve të ’90-a dhe jeta e përditshme u militarizua gjithnjë e më shumë nga fillimi i luftërave jugosllave. Në Sombor u regjistruan një sërë rastesh të kërcënimeve ose dhunës së hapur, përfshirë presionin ndaj komunitetit katolik vendas.

Më 31 dhjetor 1991, një bombë shpërtheu brenda oborrit të kishës së Mbretit Shën Stefan. Bomba shkaktoi dëme materiale, por nuk vrau ndonjë njeri. Më 16 qershor 1992, një grup prej tre burrash, njëri prej të cilëve ishte i mitur, hynë në kishën katolike në fshatin Kljajićevo dhe vranë një kujdestar 82-vjeçar me përkatësi etnike gjermane. Megjithëse shumë njerëz, përfshirë gazetarë/e dhe qytetarë/e vendas, e dënuan sulmin, raste të ngjashme vazhduan. Gazeta nga Sombor, “Somborske Novine”, raportoi për të dy incidentet dhe komentuesit e saj ishin mes atyre që dënuan sulmet dhe artikulli i Qendrës së Historisë Publike ndjek më hollësisht kronologjinë e sulmeve të tilla të dhunshme.

Komuniteti hungarez i Somborit u ballafaqua me shtypje të ngjashme, si ajo ndaj popullatës kroate. Shumë hungarez/e iu bashkuan lëvizjes kundër luftës dhe ngritën zërin për lirinë nga rekrutimi i detyruar.

Më 23 prill 1992, Lidhja e Social-Demokratëve të Vojvodinës, një parti politike, organizoi një diskutim publik në bashkinë e Sombor, lidhur me rekrutimin e detyruar të hungarezëve dhe varfërinë në rritje në Vojvodinë, mes temave të tjera. Diskutimi u ndërpre nga një grup prej rreth 20 burrash të armatosur, të cilët u shfaqën së bashku me përfaqësuesit vendas të Partisë Radikale Serbe — ndoshta partia më e djathtë ekstreme — dhe e panë ngjarjen si një mbledhje separatiste. Ata kënduan këngë patriotike dhe thërrisnin “Të gjithë largohuni ose do ta hedhim bombën! Shkoni në Hungari!”

Brezi i heshtur i mijëvjeçarëve

Ashtu si kroatët dhe shumë pakica të tjera, hungarezët kanë qenë popullsi autoktone e Vojvodinës për shekuj me radhë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, rreth gjysmë milion hungarez jetuan në Vojvodinë. Gjatë periudhës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, popujt e Vojvodinës fituan të drejta ligjore. Në atë kohë, Hungaria nuk ishte një vend ekonomikisht tërheqës, kështu që shumica e hungarezëve zgjodhën të qëndronin në Jugosllavi. Kjo nënkuptonte se numri i hungarezëve në Vojvodinë mbeti i qëndrueshëm. Pas trazirave të viteve të ’90-a dhe pasojave të tyre, numri i hungarezëve në Vojvodinë ra në 182,321, sipas regjistrimit civil të vitit 2022, një rënie prej afërsisht 60% nga numri i pas-Luftës së Dytë Botërore.

Teksa rekrutimi i qytetarëve në fazën e parë të luftërave jugosllave u përshpejtua në të gjithë vendin, sidomos vendbanimet hungareze në Vojvodinë u prekën rëndë. Pasi një numër i madh hungarezësh u thirrën si rezervistë në tetor të vitit 1991, një valë protestash pacifiste filloi në fshatrat dhe qytetet e populluara nga hungarezët, shumë prej tyre përqafuan togfjalëshi “Kjo s’është lufta jonë”. Deri në maj të vitit 1992, rreth 25,000 hungarez migruan në Hungari dhe familjet që ikën nga rekrutimi u privuan nga të drejtat e tyre trashëgimore në Serbi. Pas luftërave dhe rënies së Slobodan Milošević në vitin 2000, fluksi i migrimit në Hungari mbeti i qëndrueshëm, teksa Serbia vazhdonte të kishte probleme ekonomike dhe Hungaria ishte në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke hapur mundësinë e një pasaporte të BE për shumë hungarezë etnikë nga Vojvodina.

"Fabrikimet e radios kroate rreth Vojvodinës / Ata po gënjejnë si HTV", shkruan titulli i këtij artikulli nga gazeta e Vojvodinës “Dnevnik”. Artikulli i 11 shkurtit 1992 akuzon radion dhe televizionin kroat se ka shpikur histori të dhjetëra mijëra kroatëve, hungarezëve dhe joserbëve të tjerë të dëbuar nga Vojvodina. Fotografia nga arkivi i Qendrës Qytetare të Vojvodinës.

Shtypja me të cilën u përballën hungarezët/et gjatë luftërave jugosllave dhe pasojat e tyre patën efekt afatgjatë në komunitetin lokal. Në vitin 2023, studiuesja Karolina Lendák-Kabók vuri re se brezi i mijëvjeçarëve etnikë hungarezë të lindur në vitet e ’80-ta mund të jenë grupi i prekur negativisht, por në mënyrë të tërthortë nga luftërat jugosllave. Ata ishin brezi i parë që nuk e mbajtën mend kohën e mirëqenies së Jugosllavisë socialiste, megjithatë gjendja e vështirë e prindërve të tyre gjatë luftës, shpesh krijoi trauma që u përcollën brez pas brezi.

Personat e intervistuar nga Lendák-Kabók theksuan se plagët e tyre më të spikatura të fëmijërisë, vinin pjesërisht nga fakti se baballarët e tyre u rekrutuan në ushtri, edhe nëse ata quheshin vetëm si rezervistë. Një e intervistuar kujtoi se si babai i saj u përpoq të shmangte rekrutimin. “Mbaj mend që na mësuan gjithashtu se, nëse dikush i bie ziles në derën tonë dhe një person i panjohur e kërkon atë, i themi se nuk është në shtëpi — se është larguar”, kujton ajo. “Nuk e mbaj mend se si u rekrutua në fund. Kur morëm nënshtetësinë hungareze, tha se Serbia i kishte ardhur në majë të hundës, nuk mund të jetonte më këtu dhe u largua. Nuk u kthye më”.

Lufta ndryshoi rrënjësisht jetën familjare të hungarezëve etnikë të lindur në Vojvodinë në vitet e ’80-a. Për ata që qëndruan në Serbi, por baballarët e të cilëve migruan jashtë vendit për ta shmangur rekrutimin, ndarja afatgjatë ishte pjesë e rritjes së tyre. Disa fëmijë apo adoleshentë të kësaj periudhe kaluan muaj apo edhe vite pa baballarët e tyre, shpesh duke mbajtur kontakte vetëm përmes telefonit. Të tjerët, baballarët e të cilëve morën pjesë në luftë, e përjetuan faktin se si baballarët e tyre u bënë më të dhunshëm për shkak të traumave nga vija e parë e frontit.

Një e intervistuar, babai i së cilës ishte larguar për në ushtri për një vit, theksoi se si babai i saj, burri me buzëqeshje që e njihte që nga fëmijëria, ndryshoi për të keq. “Më kujtohet një herë unë dhe motra spërkatëm ujë nga pusi, me ndihmën e një zorre. Bëmë shumë zhurmë dhe papritmas babai filloi të na bërtiste”, iu shpreh ajo për Lendák-Kabókin. Sjellja agresive e babait ishte fillimisht e pashpjegueshme për të intervistuarën, por më vonë e kuptoi se si ndërlidhej me traumën e tij të luftës.

Edhe familjet që nuk u prekën drejtpërdrejt nga lufta u ndikuan nga shkatërrimi ekonomik i viteve të ‘90-a, pasi sanksionet e vendosura ndërkombëtarisht dhe inflacioni i lartë u përhapën. Shumë pjesëmarrës/e në studimin e Lendák-Kabók theksuan se u përballën me varfëri të skajshme, e cila rrezikoi ekzistencën e tyre dhe la gjurmë afatgjata në mirëqenien dhe vetëbesimin e tyre. Ato përvoja të hershme të jetës dhe ndjenja e vazhdueshme e pasigurisë kontribuuan në migrimin e mëtejshëm drejt Hungarisë dhe vendeve perëndimore edhe kur luftërat përfunduan dhe situata e përgjithshme u përmirësua.

Pikëpamje nga komuniteti rusyn

Historia e jetës së Ljubomir Nagy, një fermer në Ruski Krstur — një qytet me shumicë rusyne në Bačka — është shembull tjetër se si luftërat ndikuan në mënyrë të tërthortë, por në mënyrë qenësore në jetën e popujve të Vojvodinës. Nagy i tha K2.0 se shërbimi i tij i rregullt ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave përfundoi në janar të vitit 1991, vetëm pesë muaj para se të shpërthenin luftërat jugosllave. Për shkak se ka shërbyer në njësinë kufitare në Gjakovë të Kosovës, ka qenë i liruar nga çdo shërbim rezervist.

Por ai kujton se luftërat që afroheshin dhe tensionet kombëtare u ndien edhe gjatë shërbimit të tij ushtarak në kohë paqeje. “Meqenëse atëherë shërbenin ushtarë nga të gjitha republikat, kishin mosmarrëveshje, fyerje dhe përçarje. Filloi të flitej për vazhdimin e shërbimit ushtarak, por neve nuk na preku kjo”, tha ai.

Nagy kujton tensionet e para kombëtare gjatë shërbimit të tij në Gjakovë. “Filluan fillimisht si shaka, krejt e pakuptimt. Ndonëse deri në atë moment ishim të gjithë shokë e miq, atëherë nisi të bëhej gjithnjë e më serioze. Ushtarët e të gjitha kombësive filluan të ndaheshin në grupe”.

Pas kthimit të tij në Ruski Krstur, Nagy dhe familja dhe shoqëria e tij të ngushtë nuk u prekën drejtpërdrejt nga lufta. Situatën në qytet e përshkroi si relativisht të qetë. “Nuk kishte nacionalizëm nga pala rusyne, as nga pala me shumicë serbe”, tha Nagy. “Kanë ndodhur disa mosmarrëveshje të vogla, disa ofendime nga njerëzit e zakonshëm, por ishte e vogël”.

Megjithatë, sanksionet, inflacioni i lartë dhe ekonomia në përgjithësi e zymtë patën një efekt afatgjatë në Ruski Krstur, një qytet kryesisht bujqësor. “Njerëzit në Krstur janë punëtorë dhe të përkushtuar, kështu që ata vazhduan, por ishte e qartë që në fillim se të gjitha produktet bujqësore po humbnin vlerën e tyre”, kujtoi Nagy. “Përfitimi ekonomik nga bujqësia po dobësohej, domethënë po punonim për asgjë”.

Nagy beson se lufta dhe kriza ekonomike në vijim kontribuuan në tkurrjen e popullsisë së Ruski Krstur, pasi shumë Rusyn më pas emigruan kryesisht në Evropën Perëndimore dhe Kanada, në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe të jetesës.

Shumëkulturalizmi në rrezik

Prirja e shpopullimit të Vojvodinës sot, ashtu siç është në të gjithë Serbinë, është graduale dhe prek të gjitha komunitetet kombëtare. Mes regjistrimeve civile në vitin 2011 dhe 2022, Vojvodina humbi 182,453 qytetarë, mbi 9% e popullsisë së saj. Novi Sadi ishte i vetmi qytet, popullsia e të cilit u rrit gjatë kësaj periudhe. Ndërsa shkalla negative e shtimit natyror është faktor themelor në këtë proces, migrimi ekonomik dhe politik vazhdon të luajë një rol të madh.

Megjithatë, pakicat kombëtare ende po preken edhe më shumë në këtë proces demografik sesa popullsia e përgjithshme. Ky realitet mund të vërehet edhe në komunitetin sllovak, i cili gjithashtu ka luajtur rol të rëndësishëm dhe të veçantë në historinë dhe jetën kulturore të Vojvodinës. Ndërsa numri i sllovakëve në vitin 2011 ishte 50,321, ra në 39,807 në vitin 2022, një rënie prej 21%. Meqenëse shumica e anëtarëve të komunitetit të tyre kanë të drejtë për shtetësi sllovake, marrja e një pasaporte të BE, migrimi dhe kërkimi i mundësive më të mira ekonomike jashtë vendit janë më të lehta për ta, sesa për popullatën serbe.

Vojvodina ende është një krahinë kryesisht shumëkulturore dhe shumëietnike; një e treta e qytetarëve të saj janë pjesë e komuniteteve pakicë. Kushtetuta e krahinës njeh gjashtë gjuhë zyrtare: serbisht, hungarisht, sllovakisht, kroatisht, rumanisht dhe rusyne, duke e bërë atë një rajon të rrallë, nëse jo të veçantë, në Evropë, me kaq shumë gjuhë në përdorim zyrtar. Por me migrimin e përshpejtuar në vendet perëndimore dhe rritjen e kërcënimit nga asimilimi teksa komunitetet pakicë po tkurren, njohësit e çështjeve janë kureshtarë nëse Vojvodina do t’i humbasë disa nga 25 komunitetet minoritare që jetojnë aktualisht aty, në dekadat e ardhshme.

Cenueshmëria e shumëkulturalizmit të Vojvodinës është pjesërisht pasojë e politikave të qeverisë serbe në vitet e ’90-a dhe shtypjes me të cilin u përballën pakicat kombëtare në atë kohë. Megjithëse shumica e të drejtave ligjore të pakicave kombëtare u vendosën përsëri në vitet 2000, Serbia kurrë nuk i trajtoi njëmend krimet, propagandën dhe urrejtjen drejtuar popujve të Vojvodinës gjatë luftës.

Pas shkatërrimit ekonomik të viteve të ’90-a, qytetet e vogla, qytezat dhe fshatrat e populluara nga popullsia minoritare nuk u rimëkëmbën kurrë plotësisht dhe Serbia nuk investoi mjaftueshëm për të krijuar një ekonomi të mjaftueshme lokale në ato vende, diçka që do t’i motivonte njerëzit të qëndronin për të punuar dhe jetuar aty. Hija e luftërave jugosllave vazhdon t’i ndjekë shumë anëtarë/e të komuniteteve të pakicave kombëtare, të paktën ata që vendosin të qëndrojnë në Vojvodinë.

Për autorin:

Borisav Matić ka diplomuar për dramaturgji në Akademinë e Arteve në Novi Sad dhe aktualisht ndjek nivelin MA për Studime Kulturore në Fakultetin Filozofik në Novi Sad. Ai është një kritik kulturor, dramaturg dhe gazetar, puna gazetareske dhe kritika e artit e të cilit shpesh përqendrohet në ndërthurjen e politikës dhe kulturës. Ka shkruar ose redaktuar artikuj rreth kulturës dhe arteve për një sërë botimesh dhe mediash. Është anëtar i kolektivit feminist rajonal të kritikëve letrarë “Rebel Readers”.

Borisav Matić