“E kom vazhdu punën qashtu i smutë me kambë të lëndume e ndërkohë m’u ka prishë kamba apet në qat vend, se non-stop çizmet. Kah 12-13 orë tu punu, 20 orë kena punu. Pa rregull hiç. Edhe gjatë pushimit mjekësor në fund të 2018-tës më kanë largu prej punës edhe pse jam kanë me kontratë të punës. Më kanë largu”.
Ky është një citat prej veprës artistike të Doruntina Kastratit mbi vdekjet e punëtorëve në Kosovë. Vepra është rezultat i hulumtimeve të thukta, përfshirë dhjetëra intervista, dokumente zyrtare e gjurmime nëpër arkiva, dhe ajo do të ekspozohet sivjet në Muzeun Kombëtar në Prishtinë si instalacion i skulpturave, videove dhe fotografive, i shoqëruar me një botim.
Para pesëmbëdhjetë vjetësh në “Teoritë e nacionalizmit dhe artit bashkëkohor në Kosovë”, pata theksuar se një vend me pothuajse 60% të papunë nuk e kishte asnjë artist që ta adresonte këtë çështje. E kritikova skenën e re të artit të Kosovës si nacionaliste, pasi kryesisht preokupohej me vlera kulturore simbolike.
Përfundimin fillestar e kisha se kjo mungesë e klasës në skenën e artit bashkëkohor të Kosovës ishte simptomë e fiksimit me kombin, si një formë që thith dhe kapërcen çdo shprehje tjetër të politikës dhe të jetës së përditshme. Sot, pas 15 vjetësh ulje-ngritjesh në artin kosovar, Kastrati është e vendosur ta plotësojë këtë boshllëk me veprat e saj për vdekjen e punëtorëve.
Çështja më e habitshme me këtë vepër arti të parë mbi punëtorët, klasën dhe papunësinë, është se përqendrohet në elementet më ekstreme të kësaj teme: vdekjen, lëndimet dhe poshtërimin e vazhdueshëm. Unë argumentoj se gjuha ekstreme është e vetmja për t’u përdorë kur flasim për klasën punëtore të Kosovës, e tkurrur që të jetojnë si skllevër. Punëtorët dhe klasa e tyre e padukshme sot këtë lloj gjuhe kërkojnë.