Kokan Mladenović njihet në ish-shtetet jugosllave për qasjen aktiviste që e ka ndaj produksioneve teatrale.
I lindur në Nish në 1970, regjisori teatral trajton çështjet dhe problemet me të cilat janë ballafaquar njerëzit që janë rritur në vitet e 70-a. Pasi që kanë qenë dëshmitarë të shpërbërjes së një shteti dhe krijimit të disa të tjerëve — dhe më pas kanë përjetuar luftëra dhe periudhën e pasluftës që është karakterizuar nga korrupsioni — shumë njerëz ngadalë po i humbin shpresat për të ardhmen. Në biografinë e tij ende shkruan se ai jeton në Jugosllavi.
Në Festivalin e Dramës në Bosnje dhe Hercegovinë që u mbajt së fundmi në Zenicë, ai e fitoi një çmim për shfaqjen e tij “Do You Remember Dolly Bell?”, e bazuar në një novelë të autorit nga Bosnja dhe Hercegovina, Abdulah Sidran. Novela nisi si shabllon për një kult film me të njëjtin emër dhe me regji të Emir Kusturica, por Mladenović ishte ai i cili e krijoi adaptimin e parë të saj për skenë.
Në 2018, Mladenović i fitoi shtatë çmime për shfaqjen e tij “Jami Distict” (“jami” është forma urdhërore e foljes arkaike që do të thotë “kape”, “grabite” apo “rrëmbeje” në gjuhën boshnjake/kroate/serbe) në Festivalin Sterijino Pozorje në Novi Sad. Ky punim u përshkrua si “një vepër që zhytet në konceptet e kombit dhe shtet-kombit brenda kontekstit të teknologjisë së lartë”.
Foto: Arkiva private e Kokan Mladenović-it.
Më vonë gjatë atij viti, në Teatrin Kombëtar në Banja Llukë, ai e mbajti shfaqjen me tema sociale “Karoline Neuber”, e shkruar nga autori serb Nebojša Romčević. Shfaqja ndjek historinë e aktores gjermane — sipas së cilës është emëruar shfaqja — e cila bëri përpjekje për ta reformuar një teatër lokal në fund të shekullit 18-të, edhe pse publikut i pëlqente shumë më shumë zbavitja më e lehtë. Nëpërmjet perspektivës së saj, Mladenović thekson se teatri duhet të jetë formë serioze e artit, e jo një park lojërash.
“Sigurisht, atë e mposhti showbiznesi bashkëkohor, siç pësuam ne disfata në duart e industrisë moderne të argëtimit”, thotë ai. “Sidoqoftë, ne e ndjejmë përgjegjësinë për ta ngritur zërin si individë që e marrim punën tonë në teatër shumë seriozisht”.
K2.0 u takua dy herë me Kokan Mladenović — herën e parë shkurt pas shfaqjes dhe përsëri në prill 2019.
Duke biseduar për teatrin në rajon, për politikanët dhe për audiencën e teatrit, Mladenović zbulon se ai dëshiron që “profesionistët e kulturës t’i përdorin fushat e tyre primare të interesit për t’u angazhuar në një dialog më frytdhënës me kohën në të cilat jetojnë”.
K2.0: Ka kaluar gati një vit prej premierës së shfaqjes “Karoline Neuber”. Njëkohësisht, buxhetet për kulturë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë mbetur minimale. Kjo, a duhet ta nxitë një reagim më të fortë në mesin e profesionistëve të kulturës në Bosnje dhe Hercegovinë? A ka arsye për t’u shqetësuar që kultura mund të mos financohet më publikisht?
Kokan Mladenović: Trajtimi i kulturës në shtetet tona është aq mizor sa që nuk ka arsye që ne t’i durojmë autoritetet tona, të cilat bëjnë çmos për ta minimizuar rolin e arteve dhe arsimit në shoqërinë tonë. Synimi i tyre është themelimi i perandorive ku do të mund të argëtohen me primitivizmin dhe arrogancën e tyre.
Është pikërisht kjo praktikë politike që i ka zhvilluar gjeneratat e njerëzve që s’kanë pothuajse fare nevojë për kulturë. Dikur të gjithë ne profesionistët e artit do të bëhemi krejtësisht të panevojshëm, sepse thjesht nuk do të ketë më audiencë.
Për nevojat kulturore duhet të kujdesemi në mënyrë sistematike, duke filluar nga dita kur fëmiu hyn në qerdhe dhe pastaj në nivelet tjera të arsimit. Përveç kësaj, kultura duhet të ekspozohet më gjerësisht në sferën publike.
Megjithatë, kur shpërfillet kjo politikë kulturore e ndërtuar me kujdes, pasojat janë të tmerrshme. Veç se kemi filluar t’i vuajmë pasojat e shpërfilljes sistematike të kulturës.
Nëse kultura e një vendit përmban ekskluzivisht karnevale, luftëra demash dhe ngjarje të ngjashme, atëherë ai vend ka problem serioz.
Cila është dëshmuar si më e keqe për teatrin: paratë dhe pushteti, apo mungesa e tyre?
Të gjithë jemi mësuar të jetojmë dhe punojmë në varfëri, kështu që fakti që punëtorët e teatrit janë pa para nuk është diçka e jashtëzakonshme. Sidoqoftë, shpenzimet për kulturën kurrë nuk duhet të jenë afër zeros. Këto shifra tregojnë se sa mospërfillëse janë elitat udhëheqëse ndaj rëndësisë së arteve dhe arsimit për të ardhmen e vendit dhe popullit.
Jemi munduar ta ngrisim zërin kundër kësaj politike. Kur e alokon një sasi të parëndësishme të parave për kulturë, e njëkohësisht e financon me bollëk “showbiznesimin” e shoqërisë, e mbron primitivizmin në çfarëdo forme apo trajte — apo të paktën nuk kontribuon në luftën kundër botës së reality show pjesë e së cilës jemi të gjithë. Nëse kultura e një vendit përmban ekskluzivisht karnevale, luftëra demash dhe ngjarje të ngjashme, atëherë ai vend ka problem serioz.
Më parë, “Teatri Kombëtar” i Republika Srpska — ku e mbajtët shfaqjen — u përdor nga “Teatri Kombëtar” i Bosanska Krajina. Para kësaj, ndërtesa i përkiste “Teatrit Kombëtar” të Vrbas Banovina. Kjo ndërtesë me sa duket është kapur nga secila administratë deri sot…
Nuk është aspak ndryshe prej Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë apo pjesës tjetër të Bosnjes dhe Hercegovinës. Në këto lloj konstrukte jetojmë. Siç thoshte Ilarion Ruvarac [historian dhe klerik serb]: “Me qëllim i mbajnë popullin në nivel të kopesë, sepse popullsia më e mençur do të kërkonte udhëheqës më të mençur”.
Disa fakte janë shumë më absurde se ai që e keni përmendur. Për shembull, është absurde që ka akademi në Banja Llukë që prodhon gjenerata të aktorëve dhe aktoreve dhe që ka akademi të ngjashme në Bijeljinë dhe vende tjera, ndërsa janë vetëm dy e gjysmë apo tri teatro në tërë Republika Srpska. Pse edukoni aktorë dhe aktore të reja kur nuk hapni teatro të ri?
Vetëm në Beograd, më shumë se 100 aktorë dhe aktore të reja i kryejnë studimet çdo vit, por teatrot e ri nuk janë askund. Për më tepër, këtyre grave e burrave të ri u mohohet punësimi nga teatrot ekzistues. Nuk ka as skenë alternative dhe sa i përket aplikimeve për vende të lira pune dhe propozimeve tjera, përputhshmëria politike gjithmonë ka prioritet para relevancës artistike.
Shfaqja “Karoline Neuber”. Foto: Teatri Kombëtar i Republika Srpska.
Aktorët/et e juaj shpeshherë e përdorin skenën për t’i çuar porosi qeverisë. A janë duke shprehur mosbindje?
Mendoj se të gjithëve na mungon guximi qytetar, pa marrë parasysh se a jemi profesionistë të kulturës apo teatrit, apo diçka tjetër.
Në disa shtete më të zhvilluara, qytetarët protestojnë kundër çfarëdo gjëje që i shkelë liritë dhe të drejtat e tyre civile. Këtu, gjithçka sillet rreth përkatësisë partiake. Nuk ka rëndësi a je thellësisht i lënduar si qytetar i një shtetit të caktuar — nuk del në rrugë. Keqpërdorimi i demokracisë nuk është specifik për njerëzit që jetojnë në këtë rajon, por është keqpërdorim i rëndë sidoqoftë.
Si duket nuk na hyn kurrë në kokë që qeveria që ne e kemi zgjedhur është grup i njerëzve që jetojnë prej taksave dhe kontributeve që paguhen prej neve. Ne jemi ata që ua mundësojmë atyre ta fitojnë pagën e tyre, pasi që ata nuk prodhojnë asgjë. Ne merremi me punën e prodhimit dhe i paguajmë detyrat tona në mënyrë që ata të mund ta ushtrojnë pushtetin ekzekutiv të tyre.
Në anën tjetër, njerëzit në pushtet duhet t’i shërbejnë shumicës së popullsisë dhe shoqërisë si tërësi — duhet të kontribuojnë tek shteti në mënyrën që e kemi zgjedhur ne, jo thjesht ta qeverisin një popull apo shoqëri. Me çfarë të drejtë sundoni mbi mua në një demokraci ku unë dhe ti, si dhe presidenti, jemi të barabartë para ligjit?
Paratë që ata na i jepin me kaq zemërgjerësi janë tonat, jo të tyre. I kemi mbledhur në mënyrë që shteti të funksionojë si duhet.
Pra duhet të ndryshohet populli, sistemi apo shteti?
Para së gjithash, duhet të ndryshohet ndërgjegjësimi civil. Shpenzimi i një sasie së parëndësishme të buxhetit në kulturë është sikur të japësh lëmoshë nga xhepi yt, e njëkohësisht ta kënaqësh veten me vetura, helikoptera dhe këngëtarë vulgar. Paratë që ata na i jepin me kaq zemërgjerësi janë tonat, jo të tyre. I kemi mbledhur në mënyrë që shteti të funksionojë si duhet.
Pushteti duhet të ndërrohet siç ndërrohet dentisti apo mjeshtri kur performanca e tyre nuk i përmbush standardet. Unë paguaj për shërbimin e tyre, kështu që për shkak se kam të drejtë të them se dua dikë tjetër, njëlloj i zgjedhi edhe njerëzit që janë në pushtet. Por, ne japim pëlqimin për turpërimin tonë. Ne jemi pajtuar t’u japim pushtet të pakontrolluar.
I kemi këto elita të posaçme të cilave nuk ua ndinë për anëtarësinë partiake në radhët e tyre për shkak se ata gëzojnë përfitime të ndryshme. Njëkohësisht, ne e mbajmë gojën mbyllur sepse s’jemi asgjë më shumë se frikacakë. Me kalimin e kohës po bindem se rrënja e problemit është tek ne.
Fakti se dy të tretat e qytetarëve serbë e zgjedhin plot ngazëllim Aleksandar Vučić-in si president flet më shumë për këta të parët se për këtë të fundit. Nëse ky është manifestim i inteligjencës dhe shijes politike — që shkon dorë për dore me amnezinë historike sa i përket kush ka qenë ky përson dhe çfarë ka bërë në të kaluarën — atëherë me gjasë e meritoni një lider si Aleksandar Vučić.
Fatkeqësisht, institucionet që i kemi nuk janë institucione që janë ngritur në pushtet me forcë, nëpërmjet puçit apo ndonjë forme tjetër të kryengritjes. Këta njerëz janë zgjedhur në mënyrë demokratike. Janë njësi matëse e vetëdijës sonë politike, e jo e pavetëdijës sonë politike.
A është teatri, në njëfarë mënyre, viktimë e proceseve politike?
Çfarëdo qëllimi që ka, teatri është politikë deri në njëfarë mase. Është një institucion publik i bazuar në shprehjen publike që ndodh në skenë — pra, ka mundësi ta ndryshojë botën. Para se ta shpikte Gutenbergu shtypin, kishte qenë mediumi masiv i vetëm. Kushdo që donte të zbulonte diçka të rëndësishme apo relativisht të vlefshme për publikun, e bëri ekskluzivisht duke aktruar në skenë.
Detyrë e tyre është ta ngrisin zërin, si dhe ta bëjnë botën vend më të mirë, dhe këtë duhet ta bëjnë nëpërmjet mjeteve artistike.
Fuqia e teatrit është shumë e madhe. Kur ke diçka për t’i thënë një grupit prej tre katër personave, jo vetëm që je në një pozitë për ta ndryshuar perceptimin publik për një çështje specifike, por edhe për të sjellë ndryshime tjera. Pasi e kemi dorëzuar këtë fuqi të shprehjes publike, kemi zgjedhur të arrijmë kompromise, t’i grijmë fjalët dhe të gjejmë meta-metafora në mënyrë që të mbesim artistë që kurrë nuk thonë asgjë radikale për realitetin tonë të shtrembëruar — Zot mos e bo!
Megjithatë, ndarja ndërmjet artistëve dhe qytetarëve është mizore. Artistët janë qytetarë të cilët janë shumë të vetëdijshëm për problemet e kohës së tyre. Detyrë e tyre është ta ngrisin zërin, si dhe ta bëjnë botën vend më të mirë dhe këtë duhet ta bëjnë nëpërmjet mjeteve artistike.
Shfaqja “Do You Remember Dolly Bell?” Foto nga Festivali i 18-të i Dramës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe nga Teatri i Dramaturgëve në Zenicë.
A besoni se profesionistët e kulturës që veprojnë në ish-shtetet jugosllave mund të arrijnë më shumë nëse i bashkojnë forcat, sesa përmes protestave sporadike?
Personalisht, kam dëshirë që profesionistët e kulturës t’i përdorin fushat primare të interesit për t’u angazhuar në një dialog më frytdhënës me kohët në të cilat jetojnë. Teatri vet e ka një privillegj që është vend i tubimeve publike. E ky privilegj duhet të shfrytëzohet në një luftë kundër gjithçka që i rrëzon artistët dhe qytetarët në audiencë.
Sigurisht, të gjithë neve do të na bënte mirë të kishim më shumë guxim qytetar dhe aktivizëm në përgjithësi pasi që bota është në prag të kollapsit, ndërsa ne presim tjerët ta ndreçin për neve.
Me alternativat që i kemi në dispozicion, si do ta përshkruanit qasjen aktiviste ndaj produksioneve teatrale — si një manifestim autentik të së tashmes apo si një gjuhë që shërben si mjet për krijim të përmbajtjes?
Nuk mund ta ndash formën nga esenca. Thjesht duhet ta përpilosh një strukturë adekuate estetike që vepron si aspekti artistik i përmbajtjeve të caktuara. Thelbi i kësaj strukture duhet të mbetet gjithmonë aktiv, në mënyrë që të na lidhë me frymën, idetë dhe besimet tona, me gjithë devijimet e tyre.
Nëse ia shtojmë një element politik shfaqjes teatrale, a e krijojmë kështu një mur të dialektikës apo një vijë ndarëse ndërmjet individëve me mendësi të njëjta dhe mendësi të ndryshme?
Shfaqjet më të suksesshme që janë luajtur si pjesë e teatrit me tema sociale janë thellësisht politike, por këto shfaqje nuk merren fare me politikat partiake.
Siç ndodh me çfarëdo forme tjetër të artit, teatri avokon për themelimin dhe ruajtjen e vlerave më të larta, si moraliteti, drejtësia, nderi dhe konceptet tjera që na bëjnë njerëz. Pra përfaqëson një antitezë natyrale për autoritetet që kanë prirje të qenësishme ndaj një grupit të vlerave që imponohen nga një sistem manipulues që e kanë krijuar vet — një sistem në të cilin disa palë të interesit i shijojnë privilegjet e tyre në dëm të të gjithë tjerëve.
Në këtë biznes neoliberal të pamëshirshëm, vlerat civile dhe demokracia në përgjithësi janë të parat që kollapsojnë.
Për neve është jetike të ekspozohen keqbërjet e tyre dhe kështu të mbrohet arti, si dhe vlerat thelbësore të tij. Vetëm teatri i kualitetit të dobët mundohet t’ua kalojë zyrtarëve qeveritarë në lojëra të mençurisë. Në fakt, ne anojmë vetëm ka artet dhe e vërteta, jo me këtë apo atë parti politike.
Së fundmi keni udhëtuar në Budapest, ku keni luajtur shfaqjen “The Tragedy of Man” para nëntë vitesh. Njëkohësisht, natyra shtypëse e regjimit në Hungari është raportuar gjerësisht në media. Si e shihni situatën atje?
Bashkimi Evropian nuk është më një komunitet i ndërtuar mbi idetë e barazisë dhe humanizmit. Në vend të kësaj, është bërë treg i egër, synimi i të cilit është akumulimi i kapitalit veçse ekzistues. Në këtë biznes neoliberal të pamëshirshëm, vlerat civile dhe demokracia në përgjithësi janë të parat që kollapsojnë.
Kur marim parasysh situatën në Kroaci, Poloni apo Hungari, është e qartë që vet BE-ja e mbështetë, në mënyrë të nënkuptuar apo të hapur, persekutimin politik, censurimin dhe shfuqizimin totalitar të institucioneve demokratike, kryesisht për hir të interesave të tyre ekonomike dhe politike. Njëlloj, BE-ja e mbështetë qeverinë serbe — sado që është anti-demokratike dhe anti-evropiane.
Jeni duke punuar në një projekt të ri në Rumani. Në çfarë çështje fokusohet?
Jam duke përgatitur shfaqjen “Swan Lake”, me ndihmën e ansamblit të Teatrit Csiky Gergely nga Timisoara — ansambli që më ndihmoi me “Shakespeare’s Sonnet 66” para dy sezonave. Ndonëse e bazuar në baletin e Tchaikovsky-t, interpretimi jonë synon ta theksojë atë se sa keq ndikon njerëzimi në ambient — si parazitë — dhe kështu do ta sjellë një kataklizëm praktikisht të pashmangshëm.K
Foto kryesore: Arkiva private e Kokan Mladenović.
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u krye në gjuhën serbe/kroate/boshnjake.