Në thelb | Kulturë

“Komplet sillet rreth pitajkës”

Nga - 05.05.2022

Dokumentari i K2.0 për Prizrenin gjatë muajit Ramazan.

Ngjyrat e fishekzjarrit që përshkojnë qiellin mbi Prizren çdo mbrëmje të Ramazanit lajmërojnë ardhjen e iftarit. Lajmëtari ngjitet në kala përditë, në mot të ngrohtë e në shi. Prizreni ndërron.

Rutina e mëparshme zëvendësohet me një të re. Njerëzit ndjekin orare të reja për të dalur, për t’i takuar të tjerët, për çdo gjë. Ndërron edhe tryeza nëpër shtëpi –– mbizotëron pitajka me vezë, rreth së cilës si duket sillet gjithçka në këtë muaj. Pas pritjeve në radhë nëpër furra, qyteti zbrazet e shtëpitë mbushen. Për të gjithë është koha e iftarit, për ata që agjërojnë e edhe për ata që nuk agjërojnë. 

Pak para agimit të mëngjesit, dritat e shtëpive e banesave nëpër lagjet e Prizrenit ndizen –– është koha e syfyrit. E deri në syfyr, luhet me letra, bëhet llaf për politikë e çkamos tjetër nëpër çajtoret e mbushura plot. Njerëzit ndryshojnë –– disa e kalojnë më lehtë agjërimin e disa pak më vështirë. Atyre që e kanë më të vështirë, u flitet me ëmbëlsi e kuptueshmëria e solidariteti për njëri-tjetrin ndihen kudo. 

Prizreni ndërron në Ramazan dhe në këtë dokumentar, njerëzit e Prizrenit na tregojnë se si.