S`fundmi | COVID-19

Konfirmohen dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë

Nga , Tringë Sokoli - 13.03.2020

Kryeministri nxit njerëzit ta shmangin panikun dhe ta rrisin kujdesin.

Kosova konfirmon rastet e para me sëmundjen COVID-19 të virusit Korona.

Dy rastet me virus janë shpallur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për shtyp krahas Kryeministrit Albin Kurti të premten më 13 mars në orën 17:30.

Të parët që janë konfirmuar ta kenë virusin janë një burrë 77 vjeç nga Kosova dhe një grua 20 vjeçe nga Italia. Të dy pacientët po trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive të QKUK-së në Prishtinë dhe gjendja e tyre është përshkruar si “stabile”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka thënë për K2.0 se të dy pacientët kanë qenë në Itali para se të vinin në Kosovë.

Vitia ka thënë se janë ndërmarrë hapa për ta nisur gjurmimin e të gjithë njerëzve që kanë qenë në kontakt me dy pacientët, dhe se është mbledhur një komision i Ministrisë së Shëndetësisë për t’i vendosur masat e nevojshme në përputhje me zhvillimet e fundit. Po ashtu, kabineti qeveritar ka caktuar takim për të premten mbrëma.

Nëse mendoni se keni simptoma, thirrni numrin 038/200-80-800 për informata dhe konsultime.

Kurti u përpoq t’i sigurojë qytetarët se nuk ka nevojë për panik. “I ftojmë të gjithë qytetarët të rrinë të qetë, të mos kenë frikë dhe ta shmangin panikun”, ka thënë ai.

Ai po ashtu radhiti disa hapa praktikë për qytetarët nëse dyshojnë se kanë virusin ose se i janë ekspozuar.

“Mos shkoni në Klinikën Infektive nëse nuk keni shenja të sëmundjes,” ka thënë ai. “Kemi një linjë telefonike ku mund të thërrasin të gjithë ata që kanë vështirësi me frymëmarrje, kollitje, temperaturë, etj., si dhe ata që kanë udhëtuar ose kanë qenë në kontakt me dikë që ka sëmundjen ose dyshon se është i infektuar”.

Nëse mendoni se keni simptoma, thirrni numrin 038/200-80-800 për informata dhe konsultime.

Më tej, Kurti ka nxitur të gjithë qytetarët të kenë “kujdes të shtuar” dhe t’i ndjekin udhëzimet dhe masat parandaluese të këshilluara nga institucionet e shëndetësisë dhe qeverisë. “Përgatitjet janë të gjera dhe maksimale — së bashku do ta fitojmë këtë betejë,” ka thënë ai.

“Më e rëndësishmja për qytetarët është t’i shmangin përshëndetjet me duar, të rrinë më shumë se një metër larg njëri-tjetrit kur takohen, dhe t’i lajnë duart me ujë të ngrohtë për më shumë  se 30 sekonda. Le ta mbrojmë veten dhe njëri-tjetrin që të mos e rrisim numrin e rasteve të konfirmuara”.

Masat parandaluese tashmë janë në fuqi

Për shkak të përhapjes së shpejtë dhe shkallës së ngjitshmërisë së COVID-19, si dhe për shkak të shqetësimit që “disa vende nuk po i qasen këtij kërcënimi me nivelin e duhur të përkushtimit politik për ta vënë nën kontroll”, OBSh-ja e shpalli virusin pandemi më 11 mars.

Po atë ditë, autoritetet kosovare shpallën masat kufizuese parandaluese, në përputhje me këshillat globale të nxjerra nga OBSh-ja — të cilat nxisin shtetet të zbatojnë strategji të gatishmërisë, vigjilencës dhe kundërpërgjigjes — dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Masat e shpallura nga Qeveria e Kosovës përfshinë mbylljen e shkollave prej 12 deri më 27 mars. Ministrja e Edukimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se po shqyrtohet mundësia e mbajtjes së mësimit virtual.

Shkollat serbe — edhe në veri, edhe në jug — filluan të mbyllen prej 13 marsit. Komunikimi dhe bashkërendimi me shkollat e komunitetit serb në Kosovë është thënë se mbesin të paqarta tash për tash. Policia e Kosovës ka shkuar në Graçanicë në mëngjesin e 13 marsit për ta zbatuar mbylljen e shkollave, meqë ato qëndruan hapur edhe më 12 mars pas masave të qeverisë.

Qeveria po i nxit punëdhënësit — edhe ata privatë, edhe ata publikë — përveç atyre në sektorët e shëndetësisë dhe sigurisë, t’i lejojnë punëtorët që njëri nga prindërit të mund të qëndrojë në shtëpi me fëmijët.

 

Qytetarët që kanë hyrë ose po hyjnë prej shteteve me rrezikshmëri të mesme ose të lartë detyrohen të hyjnë në karantinë vetjake.

Është e paqartë se si kjo këshillë do të funksionojë në praktikë; Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi, ka shkruar në Facebook se secili punëdhënës që shkel vendimin do të “denoncohet” dhe u ka kërkuar punëdhënësve t’i lirojnë nënat vetëushqyese që të kujdesen për fëmijët.

“Nënat vetushqyese i rrisin fëmijët të vetme. Abuzimi i punëdhënësve në këto raste është i papranueshëm dhe penalizohet,” ka shkruar ajo.

Sa i përket lëvizjes, udhëtimet tokësore dhe ajrore prej vendeve me rrezikshmëri të lartë janë pezulluar, si dhe po bëhen kontrollet e detyruara të udhëtarëve në pikat kufitare tokësore dhe në aeroport. Janë anuluar trenat mes Prishtinës dhe Shkupit, si dhe fluturimet dhe udhëtimet tokësore prej katër shteteve evropiane: Gjermanisë, Francës, Zvicrës dhe Italisë.

Qytetarët që kanë hyrë ose po hyjnë prej shteteve me rrezikshmëri të mesme ose të lartë detyrohen të hyjnë në karantinë vetjake; në rastet kur ata s’mund ta bëjnë një gjë të tillë, këshillohen të vendosen në karantina të përbashkëta që do të vendosen prej Qeverisë së Kosovës.

Ministri Vitia ka thënë gjatë një konference për shtyp se njëra nga karantinat e përbashkëta do të vendoset në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll, dhe një tjetër në Parkun Inovativ dhe Trajnues (ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman) në Prizren.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP), zyrës së OBSh-së në Kosovë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, janë vendosur 25 dhoma izolimi në tërë Kosovën, në krahasim me 10 të parat që ishin vendosur fillimisht. 

Shqipëria, e cila praktikisht është ngujuar mbas masave kundër përhapjes së virusit, ka mbyllur përkohësisht pikat kufitare me Kosovën. Ministri i Shëndetësisë ka sugjeruar më 13 mars që Ministri i Infrastrukturës t’i pezullojë të gjitha udhëtimet mes shteteve fqinje, por në kohën e botimit të këtij artikulli, pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë mbesin të hapura.

Pas shpalljes së janë konfirmuar dy raste me virusin, Kurti ka thënë se ky sugjerim do të shqyrtohet në takimin e qeverisë të premten mbrëma, dhe se publiku do të njoftohet për çdo ndryshim.

Të gjitha restorantet, baret, klubet e natës, palestrat dhe pishinat duhet të mbyllen në orën 23:00.

Masat e qeverisë, sipas këshillave të Ministrit të Shëndetësisë, përfshijnë masa të shtuara paradaluese, sikur dezinfektimin e hapësirave; kjo është e detyrueshme për institucionet qeveritare dhe organizatat e tjera private dhe publike. Kompanitë që ofrojnë shërbime të transportit publik po ashtu detyrohen t’i dezinfektojnë rregullisht automjetet. Më tej, eksporti i medikamenteve dhe materialeve të tjera mjekësore prej prodhuesve farmaceutikë të Kosovës është ndaluar, përveç me miratimin e qeverisë.

Aktivitetet publike dhe private — ngjarjet sportive, koncertet, konferencat, tryezat, etj. — do të mbahen me dyer të mbyllura deri në njoftimin e radhës, dhe të gjitha restorantet, baret, klubet e natës, palestrat dhe pishinat duhet të mbyllen në orën 11:00 të natës. Zbatimi do të bëhet nga Policia e Kosovës dhe Drejtorati i Inspeksionit i Prishtinës.

Prishtinë, grumbullimet me më shumë se 50 njerëz po ashtu janë ndaluar përkohësisht. Komuna e Prishtinës ka thënë për K2.0 se ka mbyllur përkohësisht katër qendra takimi për të moshuarit, meqë kjo kategori është më e prekshmja, dhe se ka dezinfektuar autobusët e transportit publik dhe hapësirat e stacionit qendror të autobusëve në Prishtinë.

Hapat e tjerë parandalues nga Komuna përfshijnë kufizime për diskutimet publike, shtyrjen e të gjitha aktiviteteve kulturore në teatrot dhe kinematë e menaxhuara nga Komuna dhe dezinfektimin e ndërtesave komunale dhe shkollore. Po ashtu, të gjithë nëpunësit komunalë që merren me publikun janë pajisur me maska mbrojtëse, dorëza, dhe dezinfektues për duar.

Institucionet kombëtare kulturore si dhe vendtakimet e tjera sikur Termokiss, Kino Armata, Doku Kino në Prizren dhe Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë kanë shtyrë ngjarjet tani për tani. Sidoqoftë, kinematë private Cineplexx në Prizren dhe Prishtinë vazhdojnë të punojnë.

Blerjet e ngutshme janë të panevojshme

Shumë njerëz në Kosovë u përgjigjën ndaj shpalljes së masave të qeverisë të mërkurën duke stërblerë gjësende ushqimore dhe artikuj të tjerë.

Kryeministri Kurti u përpoq t’i sigurojë qytetarët që nuk ka nevojë të blihen rezervat.

“Për shkak se janë mbyllur shkollat nuk do të thotë që nuk ka mallra e as që do të mbyllen shitoret”, ka thënë ai. “Nuk do të ketë mungesë të mallrave sepse do të importojmë ngase jemi të varur nga importi”.

“Kemi furnizim të vazhdueshëm; janë disa vonesa logjistike por në përgjithësi ka mjaft furnizim.”

Agon Gashi, drejtori ekzekutiv i Meridian Express

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po ashtu ka nxjerrë një postim në Twitter për t’iu kërkuar qytetarëve të mos blejnë me panik.

Supermarketet kanë raportuar rritje të shitjeve në tri ose katër ditët e fundit. Edhe Super Viva, edhe Meridian Express kanë thënë për K2.0 se shumica e njerëzve po i blejnë themeloret: orizin, miellin, pastat, produktet higjenike dhe letrat e tualetit. Por “të gjitha kategoritë kanë shitje të mira” sipas Urata Shuletës, menaxheres për trajnim dhe zhvillim në Super Viva.

Drejtori ekzekutiv i Meridian Express, Agon Gashi, ka thënë për K2.0: “Kemi furnizim të vazhdueshëm; janë disa vonesa logjistike por në përgjithësi ka mjaft furnizim”.

Është raportuar se bizneset kanë rritur çmimet si përgjigje ndaj rritjes së kërkesës për mallra dhe produkte farmaceutike. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka kërkuar nga qytetarët që t’i raportojnë bizneset që fryjnë çmimet duke thirrur në numrin 0800 80 800. Deri më 12 mars janë bërë 228 thirrje.

Vazhdoni ta mbroni veten dhe të tjerët

Sipas ECDC-së, simptomat e përgjithshme të COVID-19 janë të lehta dhe të ngjashme me ato të gripit, dhe se është i rrallë dhe i lehtë te fëmijët. Më të rrezikuarit janë të moshuarit, njerëzit me sëmundje të frymëmarrjes, diabet, shtypje të lartë të gjakut dhe të tjerët me sistem imunitar të dobët. Kufizimet e vendosura në Kosovë dhe vende të tjera kryesisht mbrojnë më të prekshmit, sipas OBSh-së.

Këshillat e OBSh-së mbesin të njëjta për kosovarët: lani duart shpesh, përdorni dezinfektues duarsh me bazë alkooli, rrini një metër larg njerëzve të tjerë, kollituni dhe teshtini në lakun e bërrylit, shmangini vendet e ngjeshura me njerëz, informohuni dhe ndiqni këshillat nga autoritetet shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës këshillon që të shmanget udhëtimi, sidomos në shtetet ku ka raste të konfirmuara, përfshirë vendet fqinje. 

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe zyra e OBSh-së po ashtu thonë se nuk ka nevojë të bëhet panik, duke i nxitur njerëzit ta ushtrojnë distancimin shoqëror, t’i shmangin turmat, t’i lexojnë vetëm udhëzimet zyrtare dhe të mos përhapin informata jozyrtare.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.