S`fundmi | COVID-19

Konfirmohet rasti i tretë me COVID-19 ndërsa Kosova ngujohet

Nga - 14.03.2020

Mbyllen kufijtë, baret dhe shumë vende të punës në përputhje me masat e reja.

Qeveria e Kosovës njoftoi për masat e posaçme të premten mbrëma pas konfirmimit të dy rasteve me COVID-19 në vend.

Rasti i tretë i konfirmuar u shpall të shtunën nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kufizimet e shtuara ngjajnë me masat e ndërmarra në shumë vende të tjera të Evropës, dhe praktikisht e vënë Kosovën në ngujim.

Është pezulluar transporti publik mes qyteteve dhe qytezave, si dhe transporti i organizuar tokësor ndërkombëtar. Kufijtë tokësorë të Kosovës janë mbyllur për qytetarë të huaj që hyjnë në vend; shtetasit e Kosovës mund të hyjnë, por ata do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe do të detyrohen të mbyllen në karantinë vetjake për 14 ditë.

Të gjitha fluturimet do të pezullohen prej të hënës (16 mars) në orën 00:00, me përjashtimin e fluturimeve ushtarake dhe mjekësore; pas kësaj kohe, operatorët lejohen ta vazhdojnë punën sipas vullnetit të tyre, por vetëm për fluturime nga Kosova jashtë saj, e jo për të hyrë në Kosovë; fluturimet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Zvicra tashmë janë pezulluar.

Në ndërkohë, të gjitha baret, kafenetë, restaurantet, qendrat tregtare dhe tregjet e kafshëve dhe makinave janë mbyllur — përjashtohen barnatoret dhe dyqanet ushqimore, të cilat do të mbesin hapur.

Masat po ashtu pezullojnë të gjitha ngjarjet kulturore dhe sportive, të cilat më herët ishin kufizuar me masat fillestare të ndërmarra nga qeveria në fillim të javës.

Institucionet publike, me përjashtim të institucioneve të shëndetësisë dhe të sigurisë, po e kufizojnë punën brenda aktiviteteve thelbësore me staf minimal. Gjithashtu, kompanitë private pritet ta bashkërendojnë punën në mënyrë që shumica e aktiviteteve të stafit të kryhen prej shtëpisë.

Bashkësitë në karantinë

Ndërkaq, po zbatohen masat e veçanta për komunat e Klinës dhe Vitisë, ku janë konfirmuar rastet e para të COVID-19 në Kosovë; personi i tretë i konfirmuar me sëmundjen është po ashtu nga Vitia. Vendimi i qeverisë të premten pezullon të gjitha vajtje-ardhjet në këto komuna.

Të parët që janë konfirmuar ta kenë virusin janë një burrë 77 vjeç nga Kosova dhe një grua 20 vjeçe nga Italia. Të dy pacientët po trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive të QKUK-së në Prishtinë dhe thuhet se gjendja e tyre është “stabile”.

Me të shpallur dy rastet e kofirmuara të premten mbrëma, Ministri Vitia tha se janë ndërmarrë hapat për t’i gjurmuar të gjithë njerëzit që kanë qenë në kontakt me pacientët. Rezultatet e analizave do të shpallen të shtunën në orën 14:00.

Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti u përpoq t’i sigurojë qytetarët që rastet e konfirmuara nuk duhet të shkaktojnë panik, porse tha se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm dhe t’i ndjekin udhëzimet dhe masat parandaluese të këshilluara nga institucionet e shëndetësisë dhe qeverisë.

“Përgatitjet janë të gjera dhe maksimale — së bashku do ta fitojmë këtë betejë”, ka thënë ai.

“Mos shkoni në Klinikën Infektive nëse nuk keni shenja të sëmundjes. Kemi një linjë telefonike ku mund të thërrasin të gjithë ata që kanë vështirësi me frymëmarrje, kollitje, temperaturë, etj., si dhe ata që kanë udhëtuar ose kanë qenë në kontakt me dikë që ka sëmundjen ose dyshon se është i infektuar”.

Nëse mendoni se keni simptoma, thirrni numrin 038/200-80-800 për informim dhe konsultim.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka thënë të shtunën se janë pranuar më se 500 thirrje nga ekipet e linjës, të cilat u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve, edhe atyre që s’kanë pasur lidhje me COVID-19.

Kurti po ashtu solli ndër mend shmangien e përshëndetjeve me duar, qëndrimin në largësi prej më se një metër nga njëri-tjetri, dhe larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun për më se 30 sekonda.K

Imazhi i ballinës: Tringë Sokoli / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.