Korpusi i Paqes po përpiqet t’i evakuojë vullnetarët anekënd botës drejt Shteteve të Bashkuara meqë shtetet po i mbyllin kufijtë, po i vënë në karantinë zonat e infektuara, dhe po i ndalojnë fluturimet si pasojë e shpërthimit të COVID-19.
Korpusi i Paqes i Shteteve të Bashkuara është program që dërgon qytetarët e ShBA-së në vende të interesuara nëpër botë për të dhënë mësim, për t’i zhvilluar komunitetet dhe për të shkëmbyer kulturat. Kosova ka pasur rreth 70 vullnetarë të Korpusit të Paqes. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë po ashtu programe të Korpusit të Paqes që tash po evakuohen.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Kosovë thonë se janë njoftuar më 13 mars përmes një telekonferencem se janë të urdhëruar të shkojnë në Prishtinë që të përgatiten për evakuim; ata që nuk kanë pasur lidhje interneti kanë thirrur vullnetarët e tjerë për ta dëgjuar njoftimin.
“Informata e vetme e vërtetë që na është dhënë në thirrje ka qenë, ‘mbushni valixhet, tregoni familjeve nikoqire, kjo do të përfundojë me evakuim, keni ndonjë pyetje?’” thotë një vullnetar i tashëm i Korpusit të Paqes, i cili foli në anonimitet sepse është udhëzuar nga Korpusi i Paqes të mos flasë me mediat. “Mandej secila përgjigje ishte ose, “nuk e dimë për momentin’, ose “po presim për Uashingtonin [D.C.]’”.
Të gjitha organizatat ndërkombëtare kanë protokollin e vet për stafin në këto rrethana. Megjithatë, evakuimi i plotë bëhet vetëm si zgjidhje e fundit. Shumica e agjencive në Kosovë thonë se vazhdojnë t’i bëjnë të gjitha punët me pjesën më të madhe të stafit duke punuar nga shtëpia, dhe vetëm stafi thelbësor qëndron në zyrë.
Dinka Zhival, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë për K2.0: “Zyra e BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë sigurojnë se ka vazhdim të plotë të punës. Duke i pasur parasysh rrethanat, shumica e stafit po punon nga larg. Një pakicë e stafit thelbësor po punon në zyrë, me ndërrime”.
Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachanna, ka thënë për K2.0: “EULEX-i ka marrë një sërë masash parandaluese për ta zvogëluar përhapjen e koronavirusit, për ta mbrojtur shëndetin e stafit dhe komunitetit, dhe për ta vazhduar kapacitetin veprues aq sa është e mundur. Shumica e anëtarëve të stafit tonë po punojnë prej shtëpisë. Të gjithë anëtarëve të stafit u kërkohet ta kufizojnë ndërveprimin shoqëror në minimum dhe ta mbajnë higjenën e frymëmarrjes dhe të duarve”.
Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) ka thënë për K2.0 se ka një Plan të Kontigjencës së Biznesit, përmes të cilit anëtarët e stafit punojnë prej shtëpisë dhe vetëm stafi i domosdoshëm mbetet në zyrë për t’i vazhduar punët.
Agjencia e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka thënë për K2.0, “USAID, si pjesë e Ambasadës së ShBA-së, për momentin po i kryen punët prej së largu dhe po i ndjek udhëzimet e dhëna nga Qeveria e Kosovës”.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka thënë për K2.0 se stafi i saj në Kosovë po punon i tëri prej së largu dhe se po ndiqen këshillat e Qeverisë së Kosovës lidhur me shpërthimin e COVID-19.
K2.0 ka kontaktuar Ambasadën e ShBA-së për evakuimin e Korpusit të Paqes dhe është drejtuar te deklarata kryesore e nxjerrë nga Shtabi i Korpusit të Paqes në Uashington D.C. Më tej, Ambasada tha se, “ishte vendim global, jo i lokalizuar, dhe nuk u mor shkel e shko por u përqendrua në kujdesin e përgjithshëm. Presim t’i kthejmë Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Kosovë kur organizata e sheh si të sigurt kthimin e tyre anembanë botës”.
K2.0 ka tentuar ta kontaktojë shtabin e Korpusit të Paqes në Uashington D.C. për një koment të drejtpërdrejtë, porse nuk ka marrë përgjigje në kohën e botimit.
Përpjekja për të ikur
Qeveria e Kosovës njoftoi për dy rastet e para me COVID-19 më 13 mars. Po atë ditë, dy fshatrat ku kishin qenë të infektuarit janë vënë në karantinë të rreptë.
Një vullnetar i Korpusit të Paqes banonte në njërën prej këtyre fshatrave. Sipas një vullnetari, Korpusi i Paqes në Kosovë dërgoi një automjet në fshat në orën 1:00 pas mesnatës për ta marrë para se të hynte në fuqi karantina.
Vullnetarët e tjerë janë lënë të gjejnë vetë mënyra për të shkuar në Prishtinë, meqenëse Kosova kishte pezulluar po ashtu të gjithë transportin publik ndërurban prej 13 marsit.
“Të gjithë po bëjnë aq sa munden për të mbërritur te vendtakimi”, thoshte vullnetari pasi u detyrua të ikte. “Nuk ka autobusë, as aq shumë taksi, andaj disa nga familjet nikoqire po i ngjeshin vullnetarët në automjetet personale dhe po i çojnë në Prishtinë”.
Më 16 mars, qeveria e Kosovës gjithashtu mbylli kufijtë për shtetasit e huaj dhe fluturimet hyrëse, përveç atyre ushtarake dhe mjekësore. Shumë shtete të tjera po ashtu kanë pezulluar fluturimet apo kanë mbyllur kufijtë për ta luftuar COVID-19.
ShBA-ja ka ndaluar të gjitha fluturimet nga Bashkimi Evropian, ndërsa Departamenti i Shtetit ka këshilluar të gjithë amerikanët të kthehen në ShBA apo të qëndrojnë në ngujim në shtetet ku jetojnë.
“Nuk na është thënë ende se si do të dalim saktësisht nga shteti,” ka thënë vullnetari. “Ndoshta do të shkojmë përmes një fluturimi zyrtar, ose ushtria amerikane mund të ofrojë një fluturim. Është kaos”.
Përmes një mesazhi për vullnetarët, Korpusi i Paqes ka thënë se do t’i paguajnë shpenzimet e fluturimeve, por vullnetarët duhet të ikin me po ato fluturime ose mund ta humbasin të drejtën të rrijnë në shtetet nikoqire.
Ambasada e ShBA-së ka thënë për K2.0 se vullnetarët kanë lënë Kosovën përmes një fluturimi komercial dhe janë kthyer në ShBA.
Vullnetarëve do t’iu kërkohet të vetëkarantinohen për 14 ditë me të arritur në ShBA.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.