Pikëpamje | Punë të jashtme

Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin për ta ripërkufizuar narrativën e së kaluarës

Nga - 23.02.2021

Qeveria në ardhje duhet të bëjë ndryshime qenësore në politikën e jashtme të shtetit.

Marsin e kaluar, në mes të pandemisë, njerëzit në Kosovë u përballën me një shqetësim shtesë — atë të rrëzimit të qeverisë. Disa madje e quajtën edhe grusht shteti të udhëhequr nga Trump-i. Por, kosovarët e thanë fjalën e fundit në zgjedhjet e sapombajtura parlamentare, që shënuan daljen më të lartë të votuesve që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 2008. 

Zgjedhjet çuan në një fitore të thellë që theu rekorde për Albin Kurtin — i cili me gjasë do të jetë kryeministri i ri — dhe partinë e tij progresive Vetëvendosjen (VV). Ato shënuan një fitore edhe më të madhe për konsolidimin demokratik të Kosovës, pas vitesh luftime politike, zgjedhje të kontestuara dhe trashëgimi të kapjes së shtetit.  

Me fitoren e VV-së të arritur përmes një platforme kundër korrupsionit, për vende të punës, ristrukturim ekonomik, si dhe për mirëqenie e drejtësi shoqërore, pritshmëritë kurrë nuk kanë qenë më të larta. 

Teksa reformimi i strukturave të brendshme do të jetë në vetvete përpjekje herkuliane, edhe në rrafshin ndërkombëtar qeveria e re e Kurtit do të përballet me atë që ndoshta është sfida më e madhe ekzistenciale — mbrojtja dhe fuqizimi i sovranitetit të Kosovës mes fushatave të sukseshme të Serbisë fqinje për “çnjohje” dhe histori revizioniste.

Këtu qëndron dilema në politikën e jashtme.

Cilat dritare janë të hapura për Kosovën që të synojë realizimin e qëllimeve në politikën e jashtme për njohje ndërkombëtare, sovranitet të brendshëm dhe siguri? Një arritje e tillë në politikën e jashtme kërkon që Kosova të mbrojë pavarësinë e saj teksa forcon marrëdhëniet me ShBA-në dhe BE-në.

Këtu qëndron dilema në politikën e jashtme: Kosova nuk mund ta ushtrojë tërësisht sovranitetin e saj dhe të bëjë presion mbi Serbinë pa u përballur me reagim të ashpër nga akterët perëndimorë, dhe nuk mund ta ruajë shtetësinë dhe sigurinë pa mbështetje të jashtme.

Një zgjidhje më e fuqishme mund të jetë ndryshimi i narrativës ndërkombëtare në të mirë të Kosovës.

Këto janë politikat e mundshme për liderët e rinj politikë të Kosovës — disa më të diskutueshme se të tjerat:

  1. Ta ndjekin drejtimin e ShBA-së dhe BE-së

VV-ja ka plagë të politikës së jashtme nga e kaluara e afërt. Në fund të fundit, ende nuk është bërë një vit prej kur administrata e drejtuar nga Kurti u rrëzua nga pushteti pas 52 ditësh, përmes një goditjeje nga administrata e Trump-it që synonte zëvendësimin e qeverisë së re me politikanë më të bindur nga garda e vjetër. 

Përkundër aspiratave të kahmotshme për forcimin e sovranitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, Kosova ende duhet t’u japë përparësi lidhjeve të fuqishme dhe dashamirësisë ndaj ShBA-së dhe BE-së për mbijetesën e saj. Tani që Joe Biden, një alet i kahershëm i shqiptarëve, është president, Kosova duhet të përfitojë nga marrëdhënia e saj e fuqishme dhe favorizuese me ShBA-në. 

Në fund të fundit, ishte ShBA-ja ajo që drejtoi NATO-n më 1999 në shpëtimin e shqiptarëve nga fushata e shtetit serb për spastrim etnik. Ishte ShBA-ja që mbrojti dhe udhëhoqi Kosovën drejt pavarësisë në vitin 2008. 

Pavarësisht nëse elita politike dhe qytetarët e Kosovës duan ose jo, ekzistenca e Kosovës në masë të madhe ende varet nga mbështetja e ShBA-së në ekonomi dhe siguri. 

  1. Ta mbrojnë sovranitetin — por me një çmim të lartë

Por, nëse dekada mbështetjeje nga ShBA-ja nuk kanë pasur sukses për ta bindur gjysmën e mbetur të anëtarëve të OKB-së dhe pesë shtetet anëtare të BE-së për ta njohur Kosovën, çfarë na bën të mendojmë se kjo do të kryejë punë? Gjatë kësaj kohe, Kosova ka bërë çmos që t’i bëjë partnerët ndërkombëtarë të lumtur — nga themelimi i Dhomave të Specializuara deri te nënshkrimi i marrëveshjes kundërthënëse për demarkacion me Malin e Zi.  

Ndërkohë, fushata e Serbisë ka bindur së paku 15 vende ta “tërheqin” njohjen e tyre për Kosovën.  

Nëse udhëheqësia e Kosovës e ka seriozisht largimin nga varësitë koloniale, atëherë nuk munden thjesht t’u përgjigjen sakaq urdhërave të ShBA-së dhe BE-së, duke sakrifikuar interesat e qytetarëve të vet për një grimë dashamirësie ndërkombëtare e cila ende nuk e ka sjellë liberalizimin e vizave për kosovarët brenda Evropës.  

Ky është problemi. Kosova nuk mund të veprojë njëanshëm pa u ndëshkuar ndërkombëtarisht, siç edhe u konfirmua nga fiasko e tarifës në mars të vitit 2020. Gjatë një pandemie vdekjeprurëse, administrata e Trump-it i ngriu 50 milionë dollarët e ndihmës financiare vitale për Kosovën dhe kërcënoi se do t’i largonte paqeruajtësit amerikanë nga kjo zonë. E gjithë kjo pasi Kurti nuk pranonte ta largonte tarifën për mallrat serbe pa koncesione.

Shpeshherë komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova t’ia ofrojë të gjitha karrotat e saj Serbisë dhe pastaj e dënon Kosovën kur ajo refuzon.

Në kërkim të një fitoreje të shpejtë dhe të cekët në politikën e jashtme, përmes një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, i gjithë presioni për pajtueshmëri u vendos mbi Kosovën ndërsa shkeljet e Serbisë u injoruan. Qeveria e Serbisë refuzoi ta vendoste në tavolinë mundësinë e njohjes së Kosovës, mohoi krimet shtetërore të kryera kundër shqiptarëve në vitet 1990, dhe e vazhdoi fushatën e saj të “çnjohjeve”.

Në mes të frikës për tërheqjen e mbështetjes nga ShBA-ja dhe luftimeve politike, qeveria e Kurtit kolapsoi. Me fjalë të tjera, kur Kosova nuk u pajtua, ShBA-ja bashkëpunoi në rrëzimin e qeverisë së saj.

Edhe pse administrata e re e ShBA-së zhvillon një formë më miqësore të diplomacisë, Kosova ende nuk mund ta ushtrojë sovranitetin e vet nëse kjo do të thotë ta sfidojë ShBA-në ose BE-në pa paguar çmim të lartë. Shpeshherë — si në rastin e kërcënimeve transatlantike për të formuar Dhomat e Specializuara të Kosovës, apo në të kundërtën çështja do të dërgohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së — komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova t’ia ofrojë të gjitha karrotat e saj Serbisë dhe pastaj e dënon Kosovën kur ajo refuzon.

  1. Ta kundërshtojnë revizionizmin historik

Nëse Kosova nuk mund ta ushtrojë sovranitetin e vet dhe të veprojë si lojtare e barabartë sepse dëshpërimisht ka nevojë për mbështetjen e shefëve transatlantikë, atëherë çfarë i mbetet për të bërë?

Udhëheqësia e ardhshme e Kosovës duhet të synojë të bëjë më shumë për vendin përkundër mundësive shumë të kufizura. 

Përtej fuqizimit të lidhjeve me ShBA-në dhe BE-në, kërkimit të reciprocitetit në të gjitha negociatat ndërkombëtare, si dhe krijimit të aleancave më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare, një pjesë e zgjidhjes qëndron në ndryshimin e narrativës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ky është një dimension që Kosova ende e ka në kontroll të plotë.

Kosova mund t’i kthejë vendet e tjera në mbështetje të saj, sidomos vendet e Perëndimit të interesuara në fuqizimin e imazhit të tyre normativ, dhe ta fitojë betejën e perceptimit publik duke ia rikujtuar botës historinë që e ka sjellë në këtë moment. 

Kosova duhet të luftojë kundër narrativave të fajit të barabartë historik që përkufizojnë debatet për sovranitetin e saj sot.

Siç kam argumentuar në hulumtimin tim, në politikën ndërkombëtare perceptimet janë të rëndësishme. Madje edhe përkufizimi i një konflikti ndërkombëtar si luftë civile etnike dhe jo si agresion i njëanshëm apo vrasje sistematike mund t’i ndryshojë gjasat për intervenim ndërkombëtar. Njëjtë, narrativat e luftës civile dhe rezultatet e barazimit të fajësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund t’i ndryshojnë mundësitë e mbështetjes së jashtme ndaj sovranitetit të Kosovës.

Andaj, Kosova duhet të luftojë kundër narrativave të fajit të barabartë historik që përkufizojnë debatet për sovranitetin e saj sot — pasi historia është e shenjuar nga fushatat e udhëhequra nga Serbia për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës, të pranuara nga vetë zyrtarët policorë serbë.

Serbia është në tavolinën e negociatave përballë Kosovës për shkak të asaj që ndodhi në vitet 1990. I forti i Serbisë, kasapi i Ballkanit Slobodan Milošević, kreu krime kundër njerëzimit — megjithëse vdiq në burg para se kjo të provohej në gjykatë. Është qartazi e dokumentuar se forcat e qeverisë serbe vranë më shumë se 8,000 civilë dhe dëbuan rreth një milion shqiptarë nga Kosova. 

Në të vërtetë, trauma e spastrimit etnik në fund të viteve 1990 nuk ishte thjesht një anomali në historinë e shqiptarëve në rajon. Përkundrazi, ishte zhvillimi logjik i një pushteti josimetrik dhe i dedadave të diskriminimit të sponsorizuar nga shteti, që mund të ndryshohen vetëm përmes një pushteti sovran. 

Çmimi për injorimin e shkeljeve të Serbisë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić i mohon këto krime sot dhe madje ka lavdëruar dhe mbështetur publikisht qëllimet e Milošević-it për dominimin e Serbisë. Gjatë një fjalimi para serbëve në qytetin e Mitrovicës në vitin 2018, Vučić tha se Milošević-i ishte “një udhëheqës i madh serb, i cili kishte qëllimet më të mira, por rezultatet tona ishin shumë të dobëta”.

“Qëllimet më të mira” të Milošević-it mbesin tërësisht të dukshme edhe sot. Që prej vitit 2011, mbetjet mortore të më se 900 viktimave shqiptare të luftës janë gjetur në katër lokacione të ndryshme në Serbi — përfshirë zonat që i takojnë ushtrisë serbe — dhe me gjasë ka edhe më shumë varre masive. Megjithatë, ende askush nuk është mbajtur përgjegjës në Serbi për këto mbulime. Pa as edhe një shenjë pranimi të përgjegjësisë dhe pa reforma politike, askush nuk mund të garantojë se qeveria e Serbisë nuk do t’i përsërisë mëkatet e veta të shkuara në Kosovë. 

Përtej mohimit të së kaluarës, Vučić-i disa herë ka kundështuar hapur kërkesat e ShBA-së pa u përballur me ndëshkime. Në janar të vitit 2020, i dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell kërkoi që Serbia ta ndërpriste fushatën e saj për “çnjohje” kundër Kosovës, gjë që u injorua. Në fund të marsit, ministri i punëve të jashtme të Serbisë Ivica Dačić refuzoi haptas edhe një herë dhe konfirmoi se Beogradi do ta vazhdonte fushatën e vet edhe nëse Kosova do t’i largonte tarifat. 

Teksa shteti i Serbisë po rritet në krah të nacionalizmit dhe mohimit të gjenocidit, po përfiton gjithashtu ndikim ndërkombëtar përmes lidhjeve me Rusinë dhe Kinën. Si duket kjo është arsyeja pse Perëndimi ka vendosur ta joshë Serbinë me karrota politike. Kjo është gjithashtu një pjesë e shkakut pse narrativa e Serbisë për “të dy palët” ka fituar aq shumë mbështetje ndërkombëtarisht. Thënë shkurt, favorizimi i Serbisë kundrejt Kosovës në negociatat e vazhdueshme është aktualisht i përshtatshëm politikisht për fuqitë e mëdha.

Paraqitja e dhunës si një nga fajet e përbashkëta është zakonisht hapi i parë në mbrojtjen e agresorëve nga përgjegjësia dhe pasojat.

Ndërsa ShBA-ja mujshoi qeverinë e Kosovës deri në bindje dhe Dhomat e Specializuara të financuara nga BE-ja akuzuan ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët për krime lufte në Hagë, në të njëjtën kohë këta injorojnë faktin se sistemi gjyqësor i Serbisë ka dënuar vetëm një numër të vogël njerëzish për vdekjen e 13,000 viktimave në Kosovë, prej të cilëve më shumë se 1,000 ishin fëmijë. 

Dhe, as nuk e kritikojnë Serbinë për blerjen e armëve të sanksionuara nga Rusia, për qeverinë joligjore de facto në veri të Kosovës, apo për rritjen e autoritarizmit të brendshëm. Në vend të kësaj, ata kërkojnë që Kosova të bëjë koncesione me vetë sovranitetin dhe formën e qeverisjes për ta qetësuar shtypësin e saj të kaluar, si në rastin e kërkesave për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këto asimetri në negociata vijnë pjesërisht për shkak të një ngjyrosjeje të suksesshme të një neutraliteti të rremë për të kaluarën e dhunshme në Ballkan. Në sytë e komunitetit ndërkombëtar, faji për konfliktin në Kosovë është barazuar ndërmjet Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës, gjë që qenësishëm e ndihmon politikën e jashtme të Serbisë dhe e dëmton Kosovën. 

Zakonisht, paraqitja e dhunës si një nga fajet e përbashkëta është hapi i parë në mbrojtjen e agresorëve nga përgjegjësia dhe pasojat. Këtë gjë e bën mirë narrativa për luftën civile të Serbisë. Ngadalë, e zbeh historinë e një politike të qëllimshme dhe sistematike të qeverisë serbe për zhvendosjen, vrasjen dhe burgosjen e shqiptarëve në Kosovë. 

Serbia fiton kur me sukses e çon përpara narrativën e luftës civile ndërmjet dy palëve të fuqishme dhe njëlloj fajtore në vitet 1990. Këto riformulime këmbëngulëse për “të dy palët” e bëjnë më të lehtë për ta detyruar Kosovën, si pala më e dobët, të pranojë një marrëveshje të keqe me Serbinë.

Pse komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës ta lusë agresorin për koncesione, në vend se të kërkojë nga agresori ta pranojë fajin?

Frika kryesore është se qeveria e Kosovës do të detyrohet ta amnistojë Serbinë për krimet e kryera në vitet 1990, madje ndoshta edhe të shkëmbejë territor, përballë presionit ndërkombëtar. Frika është se edhe me këto koncesione, Serbia do të vazhdojë ta mohojë shtetësinë, historinë dhe kërkesat legjitime të Kosovës.

Por e vërteta është se Serbia ishte agresori, veprimet e të cilit e çuan Kosovën drejt kërkesës për pavarësi. Pse atëherë, komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës ta lusë agresorin për koncesione, në vend se të kërkojë nga agresori ta pranojë fajin?

Realiteti i viteve 1990 po sulmohet nga liderë revizionistë tejpërtej Atlantikut të cilët i mohojnë krimet e Serbisë dhe e hedhin fajin te “të dy palët”. Qeveria e re e Kosovës duhet të krijojë një fushë të veten për t’i kundërshtuar këto pretendime për faj të barabartë për dhunën e viteve 1990 dhe ta qendërzojë çdo debat për sovranitetin e saj në narrativën e saktë historike — atë të një populli të nënshtruar ndaj një fushate të mizorive masive të sponsorizuara nga shteti.

Pajtimi nuk mund të ndodhë duke detyruar viktimat të bëjnë kompromis me agresorët e tyre. Ai mund të ketë sukses vetëm kur agresori emërtohet si i tillë dhe obligohet të korrigjojë dëmet e që ka shkaktuar në të kaluarën. Derisa komuniteti ndërkombëtar të mos lëvizë tutje nga narrativat e “fajit të barabartë” për konfliktin e Kosovës, kjo e fundit do të mbetet e mënjanuar teksa Serbia vrapon pas karrotave.

Çfarë mund të bëjë Kosova tani? 

Kosova mund të mbështetet në diasporën e madhe shqiptare për të krijuar marrëdhënie të fuqishme publike dhe fushatë mediale kundër narrativës për “të dy palët”.

Po ashtu, duhet të shfrytëzojë më shumë dëgjimet në Kongresin e ShBA-së dhe ngjarjet e tjera të brendshme dhe ndërkombëtare për të paraqitur një varg dëshmish për krimet e Serbisë. Këto dëshmi ekzistojnë me bollëk në agjenci qeveritare, OJQ vendore dhe ndërkombëtare, dhe si narrativa personale. Fushata kosovare duhet të theksojë nevojën për reparacione lufte nga Serbia, për fuqizim të përpjekjeve për raportim rreth statusit të personave të pagjetur, dhe për kompensim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Negociatat Kosovë-Serbi duhet të ndërtohen mbi një marrëdhënie reciproke ekonomike dhe politike dhe të synojnë njohjen e dyanshme. Kosova duhet të marrë përsipër parashtrimin e kërkesave të tilla, pasi është pala e dëmtuar dhe jo agresori. Por, për ta bërë këtë, Kosova duhet ta bindë komunitetin ndërkombëtar që gjithashtu ta shohë çështjen në këtë mënyrë.

Deri së fundi, Kosova ia ka pasur borxh ekzistencën e vet mbështetjes ndërkombëtare. Sidoqoftë, fitorja bindëse e Vetëvendosjes përballë presionit ndërkombëtar është në vetvete akt paqësor i revolucionit dhe sovranitetit. 

Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment dhe ta fuqizojë pozicionin e vet ndërkombëtar përmes një narrative të fuqishme publike të rrënjosur në origjinën e vet të dhimbshme dhe në të ardhmen premtuese. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.