S`fundmi | COVID-19

Kosova hyn në javët ‘vendimtare’ ndërsa qeveria është në zgrip

Nga - 23.03.2020

Vazhdon kundërveprimi ndaj COVID-19 mes debaklit të mocionit të mosbesimit.

Të dielën u shënua vdekja e parë e një pacienti me COVID-19 në Kosovë. Ishte një burrë 82 vjeç nga Dumnica e Epërme e Podujevës, i cili vdiq pas gjashtë ditë trajtimi në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) në Prishtinë. 

Burri ishte infektuar përmes kontaktit të drejtpërdrejtë meqë edhe biri, edhe bija kishin dalë pozitivë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ai vuante nga sëmundje kronike të zemrës dhe mushkërive para diagnozës me COVID-19.

Dy raste të reja me COVID-19 u vërtetuan të hënën pas 20 testimeve po atë ditë. Tash për tash janë 35 raste të konfirmuara në Kosovë, pas 604 testeve të kryera prej 8 shkurtit. Rastet e vërtetuara janë përzierje e njerëzve që kanë hyrë në Kosovë prej shteteve të jashtme dhe njerëz që kanë pasur kontakt me ta.

Ndërkohë, në një konferencë për shtyp të shtunën, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kanë thënë se dy apo tri javët në vijim janë “vendimtare për luftën” kundër përhapjes së shpejtë të sëmundjes.

“Le ta presim atëherë”, ka thënë Kurti. “Lakorja e përhapjes është në duart tona — nëse veprojmë me përgjegjësi, ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e zgjeruar”.

Dorëzohet mocioni i mosbesimit

Çfarë nuk duket të jetë në duart e qytetarëve është ruajtja e koalicionit qeverisës Vetëvendosje-LDK.

Të mërkurën, Isa Mustafa paralajmëroi që partia e tij do ta propozojë mocionin e mosbesimit pas mosmarrëveshjeve mes partive të koalicionit lidhur me tarifën 100% ndaj mallrave serbe dhe me shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme nga LDK-ja, Agim Veliun, pas prononcimit të tij zyrtar se e mbështet Gjendjen e Jashtëzakonshme të propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi, në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të qeverisë.

Pas reagimeve të ashpra — përfshirë protestat e përnatshme në ballkone dhe thirrje publike nga politikanët e diplomatët vendorë dhe ndërkombëtarë — ndaj kohës së lëvizjeve të këtilla politike gjatë një emergjence të paparë të shëndetit publik, LDK-ja i dha Kurtit ultimatum për ta ringarkuar Veliun si ministër dhe për ta hequr tarifën 100% ndaj mallrave serbe deri në fund të javës.

“Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së ti kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët.”, ka thënë Mustafa në Facebook.

Votimi duhet të mbahet jo më vonë se të mërkurën (25 mars).

Të premten, qeveria votoi për heqjen e tarifës 100% ndaj lëndës së parë që vjen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kurti njoftoi që prej 1 prillit, qeveria do ta nxjerrë një vendim tjetër për ta zëvendësuar tarifën e mbetur ndaj produkteve të tjera me “masa të reciprocitetit”.

Për shkak se nuk mori përgjigje ndaj ultimatumit nga Kurti, të premtën më 20 mars, LDK-ja i paraqiti zyrtarisht Kuvendit mocionin e mosbesimit kundër qeverisë ku është vetë anëtare. Propozimi mori mbështetjen e 46 deputetëve, më shumë se një të tretën e të gjithë deputetëve (40) që kërkohet nga Kushtetuta.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit duhet të vihet në planin ditor të Kuvendit brenda pesë ditëve pas paraqitjes. Kjo do të thotë se votimi duhet të mbahet jo më vonë se të mërkurën (25 mars).

Nëse një shumicë e thjeshtë e deputetëve, pra 61 sish, votojnë për mocionin, qeveria llogaritet e shkarkuar. Nëse jo, mocioni tjetër nuk mund të paraqitet në 90 ditët vijuese.

Sipas Zëvendëskryekuvendares së Parë, Arbërie Nagavci, Kuvendi i ka dërguar të hënën një letër Institutit të Shëndetësisë Publike për të dhënë mendim rreth asaj se a janë kushtet të mbahet votimi.

Kuvendi ka njoftuar se Presidenca do të takohet të martën për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit.

Ndërkohë, Presidenti Thaçi ka ngritur sërish idenë e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme; pas vdekjes së personit të parë nga COVID-19, ai ka thënë në Facebook: “Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme”.

Qeveria vazhdon ta mbajë qëndrimin se, meqë nuk janë shpenzuar të gjitha mundësitë për t’u marrë me këto rrethana, Gjendja e Jashtëzakonshme mund të presë; këshilltari politik i Kurtit, Erzen Vraniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet po e menaxhojnë situatën si duhet.

Kufizimet e shtuara dhe masat e reja

Të premten mbrëma, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka shpallur kufizime të shtuara për grumbullimet publike. Të gjitha parqet do të jenë zyrtarisht të mbyllura prej ores 8:00 deri në orën 20:00, dhe do të ketë zyrtarë policorë në hyrjet e tyre për ta zbatuar vendimin. Bizneset nuk do të lejohen të shesin ushqim dhe pije me vete, gjë që më tej i rëndon kufizimet për ndalimin e shitjeve brenda lokaleve.

Ministri i Shëndetësisë Vitia ka thirrur një konferencë për shtyp të shtunën ku dha risitë lidhur me kapacitetet e Kosovës për t’i trajtuar njerëzit që spitalizohen për shkak të COVID-19. Ai ka njoftuar se Kosova ka 142 respiratorë dhe se autoritetet kanë porositur blerjen e 50 respiratorëve të rinj, një pjesë e të cilëve pritet të mbërrijnë në prill, kurse të tjerët në maj.

Donacione nga Ambasada e Kosovës në Holandë kanë mbërritur në fundjavë sipas Ambasadorit Lirim Greiçevci,  Këto përfshijnë aparate dhe maska të oksigjenit, maska mbrojtëse kirurgjikale, shtretër për bartje të pacientëve, rroba mbrojtëse për infermiere, tubacione oksigjeni, dorëza mbrojtëse dhe kateterë.

E hëna ishte dita e parë e mësimit në distancë për fëmijët deri në klasën e pestë, për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës. Mësimet për fëmijët e klasave gjashtë-nëntë pritet të përgatiten këtë javë, ndërsa ato për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale do të përgatiten javëve në vijim.

Mësimet po transmetohen në kanalet RTK 1 dhe RTK 4 prej orës 11:15, me reprizë në orën 16:00. Materialet do të vendosen po ashtu në uebfaqen https://emesimi.rks-gov.net/.

Kurti u ka bërë thirrje familjeve “t’i ulin fëmijët para televizorit” për t’i ndjekur mësimet. “Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë ai në Facebook.

Gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese të Lipjanit kanë nisur prodhimin e maskave kirurgjikale.

Në një konferencë për shtyp të hënën më 23 mars, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se ka siguruar korridorin për furnizimin ushqimor me bagëti dhe shpezë në mënyrë që të shmanget një krizë në këta dy sektorë, në bashkëpunim me ministrat homologë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.

“Gjithashtu, për të siguruar se fermerët dhe agro-prodhuesit kanë [qarkullim më të mirë të parave të gatshme], unë kam kërkuar intensifikimin e pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve,” ka thënë ai.

Ai po ashtu ka njoftuar se ministria e tij do t’i rrisë subvencionet për 50% për prodhimin intenziv të perimeve në serra; për 50% për mjedrat si prodhim me potencial të lartë të eksportit për t’i rritur të ardhurat nga eksporti; për 20% për lopët qumështore, delet, dhitë dhe buallicat; dhe për 50% për kafshët e therura në thertoret që mbajnë standardet më të larta për ta rritur besueshmërinë ndaj mishit vendor.

Ndërkohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar në një konferencë për shtyp se në përpjekje për t’i ulur shpenzimet e maskave kirurgjikale dhe për ta parandaluar përhapjen e pandemisë brenda njësive korrektuese, gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese të Lipjanit kanë nisur prodhimin e maskave kirurgjikale. Maskat do të përdoren fillimisht për nevojat e njësive korrektuese dhe mbajtëse, por edhe për institucionet shtetërore nëse paraqitet nevoja.

Komunat anekënd Kosovës kanë vazhduar ta bëjnë pastrimin dhe dezinfektimin e hapësirave, duke përfshirë rrugët, trotuaret, ndërtesat komunale, shkollat, çerdhet dhe qendrat e mjekësisë familjare. Kallxo.com ka raportuar se, edhe pse komunat po i dezinfektojnë qytezat dhe qytetet, disave u mungojnë kapacitetet për t’i kryer dezinfektimet në fshatra.

Pavarësisht kufizimeve në fuqi për grumbullimet publike, disa biznese kanë vazhduar t’i hapin hapësirat e tyre për publikun në kundërshtim me ndalesat e qeverisë; mediat kanë raportuar se ka pasur arrestime të njerëzve që nuk janë bindur.

Te kthehen a të rrinë?

Qytetarëve kosovarë që janë jashtë vendit u është thënë se duhet të kthehen në Kosovë vetëm në raste emergjente, dhe se mund ta zgjasin qëndrimin në shtetet ku gjenden. Ata që duan të kthehen urgjentisht në Kosovë, ose që duan ta zgjasin qëndrimin jashtë vendit, janë udhëzuar t’i kontaktojnë Ambasadat dhe Konsullatat përkatëse të Kosovës sa më parë.

Të enjten, Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka shkruar në Facebook se: “Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu — do të vazhdojë”.

Abdixhiku ka bërë të ditur se secili person i kthyer do të vihet në karantinë në Qendrën e Studentëve për 14 ditë me të arritur në vend. Të kthyerit po barten nga aeroporti dhe kufijtë tokësorë në qendrën e karantinimit nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Ambasada e Kosovës në Bangkok ka thënë se Kosova ka riatëdhesuar të gjithë shtetasit në Tailandë dhe shtetet e tjera të Asociacionit të Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Mbështetja ndërkombëtare

Organizatat ndërkombëtare kanë njoftuar donacione të pajisjeve dhe mjeteve financiare për Kosovën. Bashkimi Evropian ka thënë se do t’i dhurojë Kosovës 5 milionë euro për ta mbështetur gjatë krizës.

Banka Botërore i ka dhuruar 7.9 milionë euro Kosovës për t’i përkrahur përpjekjet kundër COVID-19, sipas një njoftimi për shtyp të Qeverisë së Kosovës.

Agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Fondin e OKB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), po vazhdojnë të japin mbështetje teknike dhe donacione. UNICEF-i thotë se ka dhënë pajisje për mbrojtje personale (PPE) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe për spitalin në Mitrovicën e Veriut.

Zyra rajonale e OBSh-së ka thënë për K2.0 se ka dërguar po ashtu një donacion me pajisje mjekësore, përfshirë PPE, drejt Ministrisë së Shëndetësisë prej shtabit rajonal në Dubai.

Ndërkohë, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka thënë për K2.0 se po vazhdon të ofrojë mbështetje për azilkërkuesit e ngujuar në Kosovë gjatë krizës përmes organizatave partnere dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. UNHCR thotë se janë 177 njerëz në qendrat e azilkërkuesve, ku shumica prej tyre janë nga Siria, Palestina, Maroku dhe Iraku. Çdo azilkërkues i ri që hyn në qendrën në Magurë të Lipjanit duhet të vetizolohet për 14 ditë.

Gjendja globale

Në botë janë shënuar më se 300,000 raste të konfirmuara me COVID-19, ndërsa pesë shtetet më të prekura janë Kina, Italia, Shtetet e Bashkuara, Spanja dhe Gjermania. Më shumë se 98,000 njerëz janë shëruar nga virusi, kurse mbi 14,000 kanë vdekur.

Italia, e cila ka përjetuar stërmbushje të sistemit të shëndetësisë nga përhapja e virusit, ka shënuar numrin më të madh të vdekjeve për një ditë gjatë fundjavës, me 793 të vdekur. Më shumë se 200 njerëz kanë vdekur tashmë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka vendosur masa të reja kufizuese gjatë ditëve të fundit, duke i ndjekur shtetet e tjera në Evropë dhe në botë. Njujorku tashmë ka 5% të të gjitha rasteve të konfirmuara në botë.

Kroacia, e cila ka mbi 300 raste me COVID-19, u lëkund nga një tërmet afër Zagrebit të dielën në mëngjes, i cili shkaktoi dëme materiale dhe lëndoi 17 njerëz, njërën prej tyre rëndë. Pas tërmetit prej 5.3 ballësh, autoritetet kanë këmbëngulur që popullata duhet ta vazhdojë respektimin e distancimit shoqëror.

Maqedonia e Veriut ka njoftuar për vdekjen e parë të COVID-19 në fundjavë, një grua 57 vjeçe nga Kumanova. Ky shtet tashmë ka shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme, ka myllur kufijtë për shtetasit e jashtëm dhe ka vendosur orën policore prej orës 21:00 deri në orën 6:00.

Edhe Mali i Zi, edhe Serbia kanë raportuar vdekjet e para nga virusi; Serbia ka njoftuar për zgjerimin e orës policore prej orës 20:00 deri në orën 5:00, ndërsa Mali i Zi ka nisur t’i listojë publikisht të gjithë njerëzit — dhe adresat e tyre — që janë urdhëruar të mbyllen në karantinë 14-ditore.

Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme, gjithashtu ka raportuar vdekjen e parë gjatë fundjavës. Federata ka ndaluar të gjithë njerëzit më të rinj se 18 vjeç dhe më të vjetër se 65 vjeç të dalin nga shtëpitë dhe ka vendosur orën policore prej orës 18:00 deri në orën 5:00. Republika Serbe ka vendosur orën policore gjatë natës dhe ndalon të gjithë njerëzit mbi moshën 65 vjeçe të dalin nga shtëpia.

Shqipëria ka miratuar legjislacionin emergjent për COVID-19, ndërkaq ka shënuar 15 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e ngritur totalin e shtetit në 104 raste; 4 njerëz kanë vdekur.

OBSh-ja është e sheqetësuar se shumë të rinj mendojnë se virusi nuk do t’i ndikojë ata. “Edhe nëse nuk sëmureni, vendimet që i merrni për lëvizjet e juaja mund të jenë vdekje për dikë tjetër”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së në një konferencë për shtyp më 20 mars. “Të dhënat prej shumë shteteve tregojnë qartë se njerëzit nën moshën 50 vjeç përbëjnë një pjesë të madhe të pacientëve që nevojitet të dërgohen në spital”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.