S`fundmi | Të drejtat e njeriut

Kosova përballë të drejtave të njeriut

Nga - 10.12.2019

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut i drejtojmë sytë nga Policia e Kosovës.

Në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, të miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, kjo datë shënon Ditën e të Drejtave të Njeriut. Deklarata shërben si ‘‘ideal e thirrje’’ për të gjitha shtetet e botës që të respektojnë të drejtat e çdo njeriu, komuniteti, etnie dhe kombësie.        

Deklarata është ndërtuar mbi parimin e dinjitetit, lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. 

Ndër qëllimet që pretendohet të arrihen janë e drejta për jetë, ndalimi i skllavërisë, liria e mendimit dhe lëvizjes, e drejta për organizim politik, sindikal e religjioz, si dhe të drejtat ekonomike, sociale e kulturore.   

Për arritjen e këtyre qëllimeve, Asambleja e OKB-së bënte thirrje që shtetet ta promovojnë Deklaratën përmes mësimit dhe edukimit, si dhe t’i krijojnë institucionet për ta bërë të mundur zbatimin e këtyre idealeve.  

Kosova është një nga shtetet e zotuara për t’i arritur këto qëllime — kushtetuta dhe ligjet e vendit janë përpiluar mbi parimet e Deklaratës për të Drejtat e Njeriut.

Përtej letrës, si qëndron Kosova në praktikë?

Le ta shohim Policinë e Kosovës, ndër institucionet më të besuara nga qytetarët — së paku kështu thonë sondazhet

Sigurimi i jetës së çdo individi është ndër qëllimet parësore të Deklaratës për të Drejtat e Njeriut të cilën shteti i Kosovës synon ta përmbushë. Natyrisht, hisja për arritjen e këtij qëllimi, para të gjithëve, bie mbi Policinë e Kosovës, që është e thirrur të reagojë e para ndaj çdokujt që e cenon atë. Por sa po ia del? 

Nuk janë të pakta rastet kur Policia e Kosovës është akuzuar për neglizhencë. T’i kujtojmë disa nga më flagrantet. 

Neglizhencë me pasojë vdekjen 

Me 12 maj 2018, Valbona Marku-Ndrecaj e denoncoi në polici bashkëshortin Pjetër Ndrecaj për ushtrim të dhunës ndaj saj. Ajo pretendonte se për vite me radhë abuzohej fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti. Pas denoncimit, policia e arrestoi të denoncuarin dhe e paraburgosi për 30 ditë. Prokuroria nuk i mori parasysh akuzat për dhunë seksuale ndaj Valbonës.

Me të dalë nga burgu, Pjetër Ndrecaj u mundua ta bindte Valbonën të jetonin prapë së bashku me pesë fëmijët e tyre, të cilët po jetonin bashkë me të ëmën në shtëpinë e familjes së saj. Valbona refuzoi të jetonte sërish në një konak me të, ndërkohë që një ditë ai shkoi, i shoqëruar nga dy policë — pa urdhër nga gykata — dhe i mori dy nga fëmijët. Ata policë tanimë janë suspenduar.  

Kur e pa se përpjekjet për ta kthyer Valbonën në shtëpi nuk po jepnin rezultat, ai nisi kërcënimet ndaj saj. 

“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra”, ishte mesazhi kërcënues telefonik që Valbona mori nga Pjetër Ndrecaj më 7 gusht 2018. 

Po atë ditë, sipas dëshmisë së vëllait të saj, Valbona e denoncoi në polici kërcënimin e pranuar nga ish-partneri i saj dhe kërkoi mbrojtje fizike prej policisë, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë’’.  

“Në rregull është, sepse tash do të merremi ne me të”, i kishin thënë policët.   

Pak orë më pas, Valbona dhe vajza e saj 9-vjeçare u vranë me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, kur ai shkrepi rreth 30 plumba drejt tyre. Policia nuk u siguroi Valbonës dhe vajzës së saj mbrojtje fizike, siç parashihet me ligjet në fuqi.   

Organet e drejtësisë nuk u ndihmuan me kohë edhe shumë grave të tjera që pësuan në duart e abuzuesve të tyre.

Protestueset ballafaqohen me policinë para stacionit policor në Prishtinë. Photo: Atdhe Mulla / K2.0.

Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave vazhdimisht kanë ngritur shqetësime se policia nuk ndan buxhet të mjaftueshëm për të luftuar dhunën në familje, policët nuk kanë përgatitjen e duhur për t’u marrë me këto raste, si dhe shpeshherë kanë prirje paragjykuese që të fajësojnë viktimat e dhunës në vend se të merren me dhunuesit. 

Motoja ‘‘Edhe sa thirrje të humbura’’ është drejtuar tash e disa vite drejt organeve të drejtësisë.

Edhe një fëmijë i vrarë

Një 11 vjeçar nga Fushë Kosova, përveçse po përballej me kushte të rënda ekonomike dhe punë të rënda fizike për një fëmijë, edhe po dhunohej seksualisht. I mituri nga komuniteti rom, i cili mblidhte kanaqe nëpër kontejnerë të bërllogut dhe çkado tjetër që mund të gjente e të shiste, i kallëzoi nënës së tij, Makfire Ilazi-Veselit, për abuzimet që po i ndodhnin.

Më 29 janar 2019, ajo e denoncoi në polici 20 vjeçarin Sefedin Osmani për së paku dy apo tri raste të dhunës seksuale, psikologjike dhe fizike ndaj djalit të saj të mitur. Policia e Kosovës i ka konfirmuar pretendimet e Makfires se denoncimi u bë në atë datë.

Ama vetëm më 15 prill 2019, policia ngriti kallëzim penal ndaj të dyshuarit. Edhe Qendra për Punë Sociale ishte prononcuar se gjatë shkurtit e marsit të vitit 2019, 11 vjeçari u kishte rrëfyer atyre për dhunën seksuale që po e përjetonte.     

Të enjten e 11 korrikut 2019, 11 vjeçari u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në Fushë Kosovë.    

Sipas obduksionit, i mituri ishte dhunuar seksualisht dhe më pas ishte goditur në kokë me mjete të forta, duke rezultuar në vdekjen e tij. Obduksioni konstatoi se ai ishte dhunuar seksualisht së paku tri herë para se të vritej.

Protestuesit kërkonin përgjegjësi nga shteti dhe ndëshkim për këdo që e kishte neglizhuar rastin.

Për familjen me përkatësi rome, as obduksioni nuk ishte i nevojshëm. Nëna e të miturit që të nesërmen kishte ngritur gishtin në media drejt atij personi, të cilin e kishte denoncuar në polici rreth 6 muaj më parë. I dyshuari Sefedin Osmani pranoi se e kishte bërë krimin kur u përball me organet e drejtësisë.    

Për këtë rast pati reagime nga qytetarët.

U organizuan protesta në Fushë Kosovë e Prishtinë, ku përpos që akuzoheshin organet e drejtësisë që nuk arritën ta siguronin jetën e viktimës, kërkohej edhe hetim ndaj stacionit policor në Fushë Kosovë. Hetimi ndaj stacionit policor kërkohej për shkak të dyshimit se arsyeja pse nuk u ndërmorën masa për dy muaj e gjysmë kishte të bënte edhe me përkatësinë etnike të viktimës. Protestuesit kërkonin përgjegjësi nga shteti dhe ndëshkim për këdo që e kishte neglizhuar rastin.

Protestuesit kërkojnë të ndalet racizmi dhe diskriminimi në shoqëri. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Edhe Avokati i Popullit reagoi përmes një raporti rreth vdekjes të së miturit, duke konstatuar  ‘‘…se në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e së drejtës për jetë…’’.      

Në këtë raport, Avokati i Popullit tha se shteti dështoi të mbrojë fëmijët ‘‘nga dhuna dhe nga keqtrajtimi’’, duke vazhduar se ‘‘autoritetet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, e as standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës së viktimës, të zbatueshme në Republikën e Kosovës”.   

Për këtë, në bazë të analizave, vlerësimeve e konstatimeve, Avokati i Popullit i ka adresuar rekomandime Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. 

Abuzim i shumëfishtë me të miturën

Në fund të tetorit të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave, për: “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”; “nxitje të akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës”; “shtytje në ndërprerjen e palejuar të shtatzënësisë”, dhe; “frikësim gjatë procedurës penale”.

Akuzat janë ngritur pasi dyshohet se gjashtë personat kanë abuzuar me një vajzë të mitur nga Drenasi. 

Në shtator të 2016, 16 vjeçarja kishte shkuar në polici, ku e kishte akuzuar profesorin e saj për dhunë seksuale dhe mashtrim.

Organet shtetërore u akuzuan se dështuan ta mbrojnë të miturën nga abuzimet, megjithëse ajo e kishte denoncuar rastin vite më parë.

Sipas të miturës,  polici V.V. i cili u mor me rastin, në vend që t’i dilte në ndihmë, abuzoi autoritetin zyrtar dhe filloi ta shantazhojë. Pasi ia mori numrin e telefonit, polici i bëri fotografi — kinse për procedura hetimore — dhe nisi ta kontaktojë intensivisht e ta shantazhojë, dhe më pas ta abuzojë seksualisht për më shumë se një vit. E mitura mbeti shtatzënë dhe me 15 janar të këtij viti u detyrua nga polici V.V.  të abortojë në një klinikë private në Prishtinë. 

Mjeku i klinikës private është poashtu në listën e të akuzuarve nga prokuroria. Edhe avokati që sinjalizoi rastin është i akuzuar nga prokuroria për keqpërdorim seksual të së miturës dhe frikësim gjatë procedurës penale. 

Ngjarja e njohur si ‘rasti i vajzës nga Drenasi’ nxiti reagime të shumta. U organizuan protesta nga aktivistë për të drejtat e njeriut në Prishtinë e Drenas. Reaguan edhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Qytetarët duke protestuar para selisë së Policisë në Prishtinë. “Përdhunuesit në burg!” ishte një nga slloganet. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Organet shtetërore u akuzuan se dështuan ta mbrojnë të miturën nga abuzimet, megjithëse ajo e kishte denoncuar rastin vite më parë. Ndër ata që akuzuan shtetin ishte edhe Avokati i Popullit. 

Torturim në stacionin policor

Më 9 tetor të këtij viti, portali Sinjal publikoi një video tronditëse, ku shihen pesë policë duke e torturuar një qytetar të prangosur brenda stacionit policor në Gjakovë. Ngjarja kishte ndodhur më 18 nëntor 2018. Një qytetar po qëndronte në parkun e qytetit — sipas tij — në orët e para të mëngjesit, kur e ndalën katër policë. Ai pretendon se policët nisën ta rrahnin dhe ta tërhiqnin zvarrë nga parku deri në stacionin policor, edhe pse ishte i prangosur. Dhuna ndaj tij nuk u ndal as në stacion. 

Kamerat e stacionit policor regjistruan dhunën që ai përjetoi aty. Nga incizimi u pa se viktima kishte shenja dhune prej para se të sillej në stacionin policor. 

Pasi e futën në hollin e stacionit, me duart e lidhura nga mbrapa, ai u godit vazhdimisht nga njëri prej policëve, përderisa të tjerët shikonin. Viktima mbeti i shtrirë për dysheme për disa minuta. Pak më vonë, aty erdhi edhe komandanti i policisë, Kristë Gjoka, që po ashtu goditi viktimën me grushte. I dëmtuar fizikisht, viktima qëndroi i shtrirë në dyshemenë e hollit të stacionit për disa minuta, teksa dyshemeja u gjakos dhe dikush u kujdes ta pastrojë atë. 

Por dhuna nuk u krye me kaq.  

Viktima u dërgua në një dhomë tjetër — pa kamera të sigurisë —  ku ai pretendon se u rrah edhe më. Prej aty, u dërgua në dhomën e ndalimit policor, ku ka kamera të sigurisë, të cilat nuk u penguan policëve ta vazhdonin dhunën ndaj viktimës. Aty u grushtua dhe u kap për fyti nga policët.

Rasti ishte lajmëruar nga viktima, por vetëm rreth 10 muaj më vonë policët u suspenduan nga puna, për t’u kthyer sërish në punë në shtator të këtij viti. Mirëpo, kah fundi i nëntorit 2019, prokuroria ngriti aktakuzë ndaj gjashtë policëve, në krye me komandantin Gjoka. Ata po akuzohen për ‘’keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, si dhe ‘‘keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Nga aktivistë e Avokati i Popullit, ngjarja është konsideruar si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. 

Mbrojtje selektive e qytetarëve

Në nëntor të vitit të kaluar, Kallxo.com publikoi një video të xhiruar brenda objektit të një stacioni policor. Dy persona po merreshin në pyetje nga policia përderisa dikush tjetër po xhironte. Njëri prej tyre pretendonte se nën kërcënim me thikë, tjetri ia kishte marrë 10 euro. 

Policët që shihen e dëgjohen në video, më shumë sesa për të kryer punën e tyre, ishin të interesuar të talleshin me dy personat dhe të përdornin gjuhë fyese ndaj tyre.

Këto nuk janë rastet e vetme në të cilat Policia e Kosovës dështoi ta kryejë punën e saj.

Personi i akuzuar për kanosje me thikë e pranoi se e bëri një veprim të tillë, por policët ishin më të interesuar të dinin nëse ata kishin kryer marrëdhënie seksuale. Kjo pasi i akuzuari tha se ishin marrë vesh që për 10 euro të kryenin marrëdhënie seksuale, ndërsa akuzuesi e mohoi këtë.  

‘‘A je gej?’’, është pyetja e njërit prej policëve në drejtim të akuzuesit. 

Polici tjetër dëgjohet duke insistuar me fjalë fyese nëse dy personat kanë pasur marrëdhënie seksuale. Të tjerët qeshin dhe ofendojnë vazhdimisht denoncuesin, përderisa ai kërkon t’i kthehen paratë që pretendon se ju morën me dhunë.  

‘‘Ta ka kajt k***, ta ka jep k***, s`ka pare ma…’’, ishte përgjigja e policit në drejtim të tij.

Policët nuk ngritën kallëzim penal për rastin.

Pesë policë u hetuan dhe më pas u suspenduan nga Inspektorati Policor, pasi dyshoheshin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Personat LGBTI dhe organizatat që luftojnë diskriminimin në bazë të orientimit seksual, reaguan duke e cilësuar rastin si dëshmi se si Policia e Kosovës trajton personat LGBTI. Sipas tyre, qasja e tillë e policisë i dekurajon personat LGBTI që ta raportojnë dhunën ndaj tyre. 

Këto nuk janë rastet e vetme në të cilat Policia e Kosovës dështoi ta kryejë punën e saj. Policë të Kosovës vazhdojnë të akuzohen për dhunë nëpër stacione, tubime publike, protesta, e ambiente tjera, dhe për reagime selektive. Megjithëse qytetarët kanë treguar besim te Policia e Kosovës, në shumë raste, pjesëtarë të policisë e kanë shkelur besimin e tyre, duke ua shkelur të drejtat elementare.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky publikim është botuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ECMI Kosovo dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.