S`fundmi | Politika

Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Nga - 22.08.2019

Votimi do të mbahet brenda 45 ditëve.

Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme pasi deputetët votuan për ta shpërndarë Kuvendin.

Mocioni i Kryesisë së Kuvendit për ta shpërndarë Kuvendin, morri 89 vota për dhe 1 kundër, dhe u prit shumë të miratohet pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj muajin e kaluar.  

Publikisht, gati të gjitha partitë politike në Kuvend kishin deklaruar që zgjedhjet janë të domosdoshme dhe e vetmja alternativë, ndërsa kryeministri në largim kishte deklaruar në fjalimin që e mbajti pasi dha dorëheqje se “duhet të ja japim fjalën sovranitetit”.

Presidenti Hashim Thaçi tani duhet ta lëshojë një dekret që e shpërndanë formalisht Kuvendin dhe duhet ta caktojë datën e zgjedhjeve që më së largu mund të jetë pas 45 ditëve. 

Para se të pajtohen për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët e miratuan marrëveshjen ndërkombëtare IPA e cila do të sjell rreth 100 milion euro investime të BE-së në Kosovë për projekte të ndryshme. 

Haradinaj dha dorëheqje më 19 korrik pasi u ftua nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime të luftës. Pasi e kishte mbajtur postin e kryeministrit për më pak se dy vite, ai tha se nuk mund ta lejonte Kosovën të përfaqësohet në stolin e të dyshuarve.  

Megjithatë, pasi e kreu intervistën me prokurorët e Speciales, ai vazhdoi të thirrte mbledhje të qeverisë, të merrte pjesë në përurime, dhe të lobonte për projekte të cilat nuk i kishte përfunduar – apo as nuk i kishte filluar – gjatë kohës së tij si kryeministër.

Veprimet e tij nxitën kritika dhe u interpretuan nga disa analistë politikë si shkelje e Kushtetutës nga ana e kryeministrit në largim. Haradinaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një interpretim për atë që duhet të ndodhë në rrethana të dorëheqjes së kryeministrit për t’iu shamngur vakumit institucional, por ende jemi në pritje të vendimit të gjykatës.

Në disa qarqe, dorëheqja e tij u pa si lëvizje cinike politike për të mobilizuar vota.

Përgatitjet veç se kanë nisur

Prej dorëheqjes së Haradinajt, skena politike është karakterizuar nga “fushatat e hershme” dhe bisedat për “koalicione parazgjedhore”. 

Në muajt e fundit, dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, filluan të negociojnë më njëra tjetrën për t’i përafruar qëndrimet mes vete. Ato fillimisht i nisën takimet në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për ta rrëzuar Haradinajn nga posti, dhe për ta arritur një marrëveshje mes vete që “nesër” ta qeverisin vendin së bashku. 

Edhe pse zyrtarët e lartë të dy partive – përfshirë dy liderët Isa Mustafa dhe Albin Kurti – u shprehën në favor të arritjes së marrëveshjes, bisedimet janë intensifikuar prej kur u mbajtën zgjedhjet e brendshme të LDK-së më herët gjatë muajit, në të cilat Mustafa u rizgjedh si lider i partisë.

Pavarësisht faktit që dy partitë e konsideruan njëra tjetrën si opcionin e vetëm për të formuar koalicion, deri sot nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Ndonëse të mërkurën (21 korrik) ato lajmëruan se kishin formuar “grupe të punës” për t’i zhvilluar më tej këto bisedime.

Kryeministri në largim Haradinaj u tregua më i shpejtë, pasi formoi koalicion parazgjedhor me ish-kolegët partiak të Kurtit, me Partinë Social Demokrate të Kosovës (PSD). Më 19 korrik, partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe PSD arritën një marrëveshje zyrtare për t’i hyrë së bashku garës zgjedhore, me Haradinajn si të nominuar për postin e kryeministrit. 

Në një debat televiziv pas zyrtarizimit  të koalicionit, Haradinaj e përshkroi këtë si vendim si “pjekuri politike” për shkak të pozitës së Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë, ndërsa lideri i PSD-së Shpend Ahmeti tha se duhet të lihen anash qasjet moraliste.

Ahmeti gjithashtu e lavdëroi rezistencën e Ramush Haradinajt ndaj presionit ndërkombëtar për ta larguar taksën 100 përqindëshe mbi produktet nga Serbia dhe Bosnja & Hercegovina, si dhe gatishmërinë e tij për ta larguar shtetin e Kosovës nga përgjegjësia në Gjykatën Speciale, duke thënë se kjo duhet të merret parasysh nga kushdo qoftë. 

Haradinaj ja ktheu komplimentet duke thënë se e vlerëson bashkëpunimin që e pati partia e tij me Ahmetin gjatë kohës së tij si kryetar i komunës së Prishtinës, si dhe gatishmërinë e PSD-së vitin e kaluar për të votuar në favor të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri. 

Koalicioni ndërmjet dy partive u kundërshtua nga analistët dhe partitë tjera politike. Me të madje u tallën edhe në rrjete sociale, posaçërisht ish-kolegët e PSD-së në Vetëvendosje, të cilët për një kohë të gjatë e kanë akuzuar grupin e shkëputur për mbështetje të qeverisë. Duket se ka dallime ideologjike ndërmjet dy partive – pasi që AAK e përshkruan vetën si parti e qendrës së djathtë, ndërsa PSD si social demokratë – dhe në të kaluarën figurat brenda PSD-së (që në atë kohë ishin anëtarë të Vetëvendosjes) kanë shprehur akuza të rënda kunëdr partisë së Haradinajt, duke e etiketuar si parti të haraqit dhe krimit të organizuar.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka qenë në qendër të vëmendjes. Partia e Kadri Veselit nuk e ka përjashtuar mundësinë për koalicione, por shumica e partive politike janë të rezervuara për t’u bërë pjesë e koalicioneve bashkë me partinë që ka qenë në pushtet prej vitit 2007, përfshirë këtu edhe partnerët e tyre aktualë në koalicionin qeverisës, Nismën Social Demokrate, të cilët kanë thënë se duan të jenë me një parti të veprimit, jo të fjalës.

PDK ka lajmëruar që fushata e saj do të fokusohet rreth “Dekadës së Re”, me objektiva për ta luftuar më në fund korrupsionin dhe nepotizmin. Veseli e ka bërë të ditur që PDK-ja nuk mendon të ja dorëzojë postin e kryeministrit asnjë partnerit potencial për koalicion.

Partneri tjetër i koalicionit të qeverisë në largim, Aleanca Kosova e Re (AKR), pësoi një goditje këtë javë kur kryetari i vetëm komunal në radhët e saj, Agim Bahtiri i Mitrovicës, lajmëroi se do të kalonte në Lëvizjen Vetëvendosje.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.