Në thelb | Viza

Kosova dhe Bosnja: Puthje artistike në ajrin e Beogradit

Nga - 04.10.2016

Prishtina dhe Sarajeva takohen në zemër të Beogradit, qytetit që lindi atë që i mbanë ato të ndara.

Artistja boshnjake Lana Cmajcanin dhe kolegu e miku i saj kosovar Alban Muja shpeshherë takohen për të diskutuar bashkëpunime të ndryshme në punime artistike – qoftë në Beograd, Vienë apo kudo tjetër, larg Sarajevës e Prishtinës. Regjimi strikt i vizave në mes të Bosnjes e Hercegovinës (BiH) dhe Kosovës nuk u jep shumë zgjedhje tjera.

Mungesa e lirisë së lëvizjes në mes të shteteve të tyre përkatëse përmendet shpesh nëpër biseda; do të jetë gjithashtu pikë qendrore e projektit të tyre të ri, një instalacion që ata ia kanë dhënë titullin e punës “The Kiss” (Puthja).

“Pamundësia për t’u takuar në territor gjeografik të njërës prej vendlindjeve tona na jep vetëm një zgjidhje – të takohemi në një lokacion të tretë”, thotë Cmajcanin. “Ky ‘vend i tretë’ është hapësira që ne jemi të interesuar që ta ekzaminojmë brenda këti projekti”.

BiH mbetet i vetmi shtet i ish-Jugosllavisë – përveç Serbisë – që nuk e njeh Kosovën. Ndonëse si rezultat i dialogut Kosovë-Serbi qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Serbi vetëm me letërnjoftime, në vitet e fundit BiH e ka ushtruar një regjim strikt të vizave për qytetarët e Kosovës dhe nuk i ka njohur pasaportat e Kosovës deri në vitin 2012.

"Idea është që të takohemi diku në ajër, ku edhe do të ndodh puthja... puthja është metafor mes miqve, artistëve dhe komuniteteve. Idea është që të tregojmë se sa afër e larg jemi në të njejtën kohë".

Alban Muja

BiH e vënë një regjim të veçantë të udhëtimit për kosovarët në 2004, por pasi Kosova shpalli pavarësinë në 2008 – dhe skaduan më pas pasaportat e Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – nuk i njohën menjëherë dokumnetet e lëshuara nga Kosova, duke e bërë hyrjen shumë më të vështirë për kosovarë; entiteti i dominuar prej serbëve në BiH, Republika Srpska, refuzon që të lejojë njohjen e Kosovës, dhe kështu Kosova në 2014 morri masa të reciprocitetit të vizave për qytetarët e Bosnjes.

Arti nuk njeh kufij

“The Kiss” planifikohet që të mbahet në pllatonë para Parlamentit serb në Beograd si aluzion i regjimi të Slobodan Milosevic gjatë 90-ave, pasojat e së cilit vazhdojnë të kenë ndikim në komunikim në mes të shteteve të ish-Jugosllavisë.

“Ky projekt e trajton problematikën edhe në nivel politik e edhe në një nivel shumë personal, nëpërmjet përvojave tona gjatë 1990-ave”, tha Cmajcanin. “Lokacionet si Parlamenti në Beograd do të alternohen në hapësira intime”.

Duke diskutuar për projektin, Muja thotë se “The Kiss” do të shfaqë një takim në mes të miqve, e në të njejtën kohë do të shfaqë mungesën e komunikimit në mes të Kosovës dhe BiH.

“Idea është që të takohemi diku në ajër, ku edhe do të ndodh puthja… puthja është metafor mes miqve, artistëve dhe komuniteteve. Idea është që të tregojmë se sa afër e larg jemi në të njejtën kohë”, thotë Muja. “Ne vendosëm që ta bëjmë në ajër, sepse ne besojmë se ajri nuk i përket askujt”.

majlinda-hoxha-alban-muja_

Alban Muja. (Foto: Majlinda Hoxha)

Qytetarët e BiH dhe qytetarët e Kosovës duhet që ta vizitojnë një shtet të tretë në mënyrë që të aplikojnë për vizë e ta vizitojnë njëri tjetrin. Qytetarët e BiH që duan të udhëtojnë në Kosovë duhet të udhëtojnë në Tiranë ose Zagreb për të aplikuar në njërën prej Ambasadave të Republikës së Kosovës. Ndërkohë qytetarët e Kosovës duhet të udhëtojnë në Shkup ose Podgoricë ku ambasadat e BiH janë të autorizuara të lëshojnë viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, dhe tek pas pranimit të aprovimit nga Ministria e Punëve të Jashtme në BiH mudn të aplikojnë për vizë.

“Qytetarët e dy vendeve, përfshirë artistët, po paguajnë shtrenjtë për pasojat e politikave aktuale dhe politikave të 90-ave”, thotë Cmajcanin.

“Me ‘The Kiss’ ne po avokojmë një rol social për artistët dhe përfshirjen e jetës reale në art. Siç e dimë, arti ka potencial të fuqishëm për t’u bërë kanal që mund t’i bëjë të dukshme e të pranishme rrëfenjat. Ne jemi të interesuar që të eksplorojmë se si mund ta hartojmë dhe prodhojmë një hapësirë për diskutim të hapur dhe kritik për realitetet socio-politike, dhe për atë se çfarë mund të bëjmë që t’i avancojmë ato”.

Ndonëse qeveritë e Kosovës dhe BiH përkatësisht nuk po tregojnë gatishmëri që t’i heqin vizat, aktivistët dhe artistët po u bëjnë thirrje qeverive të tyre që t’i ndryshojnë politikat e vizave; si Muja e Cmajcanin që po përpiqen që të rrisin ndërgjegjësimin për kufizimet e lirisë së lëvizjes, edhe individë tjerë nga sfera kulturore janë munduar gjatë viteve që ta bëjnë më të dukshëm këtë problem.

lana_cmajcanin_almin_zrno_1

Lana Cmajcanin. (Foto: Almin Zrno)

“Pavarësisht faktit se është vështirë që të gjejmë shembuj të bashkëpunimit, ende janë disa”, thotë Cmajcanin. “Definitivisht nuk është e mjaftueshme dhe duhet të zgjerohet shumë, por po na tregon që gatishmëria dhe nevoja për komunikim janë ekzistente; ekzistojnë dhe janë mjaft të fuqishme për të sjellur sukses dikur, dhe për të depërtuar në këtë labirint të pamundshëm”.

Vet Muja përjetoi burokracitë e ashpra të aplikimeve të vizave kur udhëtoi në BiH. Në 2013 ai mbajti një ekspozitë personale në programin kulturor zvicrran. Në po atë vit ai gjithashtu morri pjesë në Konjic Biennale of Arts.

“Për gjithë këta projekte më duhej që të merrja ftesa zyrtare prej zyrtarëve, dhe të shkoja shumë herë në Shkup”, thotë Muja. “Për të shkuar në Bosnje të duhen të paktën dhjetë orë. Duhet ose të fluturosh kah Viena, ose të shkosh kah rruga e keqe… nuk ka ndjenjë më të keqe se ta kalosh atë kufi. Gjithë ato pyetje. Prandaj mungesa e lirisë dhe gjithë këto penges e kanë bërë jetën shumë të vështirë për shumë njerëz; është më e lehtë të marrësh vizë të Amerikës se sa të Bosnjes.

Por nuk është vetëm ana e Bosnjes ajo që po krijon probleme sa i përket çështjes së vizave. Jeton Neziraj, dramaturg i bazuar në Prishtinë, organizon një festival të përvjetshëm të poezisë, si pjesë e kompanisë së tij të produksionit, “Qendra Multimedia”.

Ai rikujton se si një prej mysafirëve të festivalit të vitit të kaluar, një poet boshnjak, mbeti për një kohë të gjatë në Ambasadën e Kosovës në Zagreb si rezultat i burokracive.

“Si artist dhe qytetar i këti shteti, nuk mund ta pranoj këtë”, thotë Neziraj. “Nuk mund ta pranoj se një qytetar i Bosnjes, ose i cilitdo vend tjetër, kalon nëpër procedura të paimagjinueshme burokratike, në mënyrë që ta vizitojë Kosovën. Argumentet tjera nuk më interesojnë”.

Ai është në mesin e disa kosovarëve që janë përfshirë në shumë bashkëpunimet me skenën kulturore të Bosnjes; organizat e tij vazhdimisht fton autorë e poetë nga BiH.

Në 2011, shfaqja e Neziraj “Shkatërrimi i Kullës së Ajfelit” ishte pjesë e festivalit ndërkombëtar të teatrit “MESS”, dhe e pati premierën në Teatrin e Luftës në Sarajevë (SARTR). Në pozitën e drejtorit artistik në teatrin kombëtar të Kosovës, ai gjithashtu bashkëpunoi me regjisorin boshnjak Dino Mustafic. Ky i fundit e bëri regjinë e “Rock n Roll”, një prej shfaqjeve më të njohura në skena të Kosovës prej luftës.

“Dino sigurisht se nuk u ftua në Kosovë si ‘regjisor boshnjak’ por si ‘regjisor i mirë'”, thotë Neziraj. “Unë e konsideroj bashkëpunimin rajonal si shumë të rëndësishëm, së pari sepse i zgjeron mundësitë e ‘kualitetit artistik’, dhe gjithashtu për faktin se ka ndikim të rëndësishëm në lehtësimin e tensioneve ndëretnike në rajon. Në rastin e Bosnjes dhe Hercegovinës, bashkëpunimet e tilla janë veçanërisht të domosdoshme”.

Neziraj dhe Mustafic bashkëpunuan për shfaqjet “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, që pati premierën në Shkup në 2009, dhe “Hipermarketi Patriotik”, me premierë në Beograd në 2011.

Më herët gjatë vitit, Mustafic – me aktorë boshnjak e kosovarë – e bëri regjinë e një performance të quajtur “Tude srce ili Pozorisni trakat o granici” (Zemra e tjetër kujt: Traktat Teatror për Kufijtë), që e pati premierën në SARTR dhe eksploron ndjenjat e poshtërimit dhe izolimit për shkak të pezullimit të lirisë së lëvizjes dhe pritjeve të gjata para ambasadave.

Për Arban Mehmetin, që specializon në diplomaci kulturore, mungesa e marrëdhënieve të mira diplomatike në mes të Kosovës dhe BiH i bënë sektorin kulturor dhe OJQ-të akterët e vetëm me kanale të hapura të komunikimit në mes të dy shteteve dhe shoqërive.

“Sektori kulturor mund të luajë rol të rëndësishëm, jo vetëm për t’i mbajtur gjallë marrëdhëniet në mes të dy shoqërive”, thotë Mehmeti. “Luan rol shumë të rëndësishëm edhe në thyerjen e paragjykimeve dhe ndryshimin e imazhit të tjetrit për të mirë”.