Në thelb | Politika

Qeveria e Kosovës shpallet jokushtetuese

Nga , - 22.12.2020

Presidentja pritet të shpallë zgjedhjet në fillim të vitit 2021.

Kosova do të mbajë zgjedhje të hershme per herë të dytë gjatë 18 muajve të fundit pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar pasditen e së hënës (21 dhjetor).

Vendimi thotë që mënyra sipas të cilës është formuar qeveria e koalicionit të udhëhequr nga Avdullah Hoti në qershor është jokushtetuese dhe që presidentja duhet të shpallë zgjedhje të reja. Këto zgjedhje duhet të mbahen brenda 40 ditëve pasi të shpallen.

Vendimi i gjykatës — pas një kërkese të 17 deputetëve të Vetëvendosjes të ngritur më 11 qershor — gjen se deputeti Etem Arifi nuk ka pasur mandat të vlefshëm për të marrë pjesë në votimin e Kuvendit më 3 qershor ku u votua qeveria sepse ai paraprakisht ishte dënuar me burgim nga një vendim final i gjykatës. 

Pa votën e Arifit, vendimi i Kuvendit për të zgjedhur qeverinë — e cila kaloi me një votë të vetme — nuk ka mbështetje nga një shumicë e deputetëve, siç kërkohet nga Kushtetuta. 

Mandati i një deputeti të Kuvendit "mbaron ose bëhet i pavlefshëm" nëse ai/ajo dënohet me një ose më shumë vite burgim.

Pasi kjo ishte tentativa e dytë zyrtare për të formuar një qeveri, gjykata ka vendosur që kërkohen zgjedhje të reja duke u bazuar në nenin 95.4 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese më herët kishte vendosur që tentativa e parë kishte dështuar kur partia fituese e zgjedhjeve të fundit — Vetëvendosja — nuk arriti të formojë qeverinë pas rrëzimit të saj me mocion të mosbesimit

Koalicioni i tanishëm qeveritar i udhëhequr nga Hoti do të mbesë në detyrë deri sa të zgjedhet një qeveri e re, ndërsa gjykata ka theksuar që vendimet e marra nga administrata në detyrë mbesin në fuqi. 

Arifi, deputet nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, u dënua për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës në prill 2018 dhe fillimisht iu shqiptua dënimi me kusht për 18 muaj. Më pas iu zgjat në dënim me burgim prej 15 muajsh pas apelit të sukseshëm nga Prokuroria Speciale që u konfirmua në gusht 2019 — para zgjedhjeve të përgjithshme të cilat u mbajtën më 6 tetor 2019.

Sipas nenit 70.3 të Kushtetutës së Kosovës, mandati i një deputeti të Kuvendit “mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai/ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vite burgim”.

Në kohën e publikimit, asnjëra nga partitë e koalicionit në largim nuk kanë bërë reagim zyrtar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Fundi i një epoke (të shkurtër)

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është kulmi i gjashtë muajve të trazuar për administratën e udhëhequr nga Hoti, e cila që nga fillimi është cenuar me polemika dhe akuza për jolegjitimitet.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Hotit bashkoi forcat me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet pakicë — duke përfshirë këtu Srpska Lista (Listën serbe) të mbështetur nga Beogradi — pasi u ftuan të formojnë qeverinë nga Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi. 

LDK-ja njëherë ishte partneri i dytë në koalicion me Vetëvendosjen (VV) para rrëzimt të qeverisë pjesë e së cilës ishte edhe vetë përmes votës së mosbesimit në mars, vetëm 52 ditë pas marrjes së mandatit. Mocioni i mosbesimit erdhi në mes të kundërpërgjigjes fillestare të Kosovës ndaj pandemisë, kur qeveria po tentonte të merrte hapa urgjentë për të kufizuar përhapjen e virusit, dhe qytetarët nuk mund të dilnin nga shtëpitë e tyre për shkak të ngujimit të rreptë; shumë prej tyre shfaqën kundërshtimin përmes protestave në ballkone ku përplasnin tigane e tenxhere.

Administrata Hoti me vështirësi është përpjekur për ta shtënë nën kontroll pandeminë COVID-19.

Vetëvendosja — e cila fitoi zgjedhjet në tetor 2019 me premtime për ndryshim dhe me zotimin për ta luftuar korrupsionin e institucionalizuar — pretendonte se vendimi i Thaçit për ta ftuar LDK-në të formojë qeverinë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ishte jokushtetues dhe se duhej të mbaheshin zgjedhje të reja. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në maj vendosi që ishte kushtetuese të formohej qeveria e re pa zgjedhje të reja. 

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani — kandidatja popullore e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e tetorit e cila mori gjerësisht merita për kthesën e fatit të partisë së saj në vendvotime — foli zëshëm kundër manovrimit të partisë së saj dhe nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit për të votuar qeverinë Hoti. Osmani kishte propozuar një qeveri teknike të përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme.

Polemika ka vazhduar edhe gjatë vetë votimit në Kuvend pasi një deputet i Nismës i cili paraprakisht kishte thënë që nuk do ta mbështeste formimin e qeverisë, deklaroi që ka ndërruar mendjen pas një vizite në shtëpinë e tij nga Thaçi — të cilit si President i kërkohet nga Kushtetuta të qëndrojë politikisht neutral — dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. 

Në detyrë, administrata Hoti me vështirësi është përpjekur për ta shtënë nën kontroll pandeminë COVID-19, me rritjen e kohëpaskohshme të rasteve dhe paralajmërimet e rregullta që sistemi i veçse i papërshtatshëm i shëndetësisë i Kosovës është në rrezik të mbingarkohet. Me një mandat kaq të dobët, qeverisë iu deshën më shumë se katër muaj për ta kaluar Ligjin e vet për Rimëkëmbje Ekonomike përmes Kuvendit pas disa tentativave të dështuara, dhe për shumë kohë ka pasur thashetheme që koalicioni është në zgrip të shembjes. 

Peizazhi politik i ndryshuar

Kjo fushatë parazgjedhore duket se do të jetë shumë më ndryshe nga ajo e tetorit 2019 pasi ka pasur ndryshime të rëndësishme në peizazhin e partive politike. 

Nga tri partitë kryesore në zgjedhjet e kaluara, vetëm fituesja Vetëvendosje me gjasë do të garojë me kandidatin e njëjtë për kryeministër, pas jostabilitetit të brendshëm në LDK dhe PDK në muajt e fundit. 

Ish-kryeministri Albin Kurti pritet që prapë të udhëheqë garën e VV-së, pasi shpejt u demantua spekulimi fillestar që vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mund të zhvleftësojë kandidaturën e tij potenciale.

Pas një takimi me Presidenten në detyrë Vjosa Osmani për t’u konsultuar rreth periudhës kohore për zgjedhje të parakohshme, ai u ka thënë mediave që nuk kanë folur për një datë konkrete por ka shprehur interesimin e tij për t’i mbajtur sa më shpejt që është e mundur.

“Së pari duhet të marrim aktgjykimin e e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varësisht nga data se kur na vjen ai vendim i plotë neve si palë”, ka thënë ai. “Ne jemi të interesuar të mbajmë zgjedhjet pasi kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet të ecim sa më shpejt që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit, ta restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re dhe kompetente e cila e nxjerrë Kosovën nga kriza e shumëfishtë”.

Udhëheqësi dhe ish-kandidati i PDK-së për kryeministër Kadri Veseli është në Hagë duke u përballur me padi për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Osmani, e cila si ushtruese e detyrës së presidentes është duke u takuar me përfaqësues të të gjitha partive të mëdha të martën (22 dhjetor), nuk do ta udhëheqë fushatën e LDK-së kësaj radhe pas shkëputjes së lidhjeve me partinë në shtator.

Në qershor, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e shkarkoi atë nga dy pozitat udhëheqëse në parti pasi ajo refuzoi të ndiqte radhët e partisë në manovrimet e tyre për të formuar një qeveri. Ajo ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke aluduar për dallimin në vota të zgjedhjeve të fundit në mes të saj dhe figurave të tjera kryesuese të LDK-së, disa prej të cilëve nuk kishin garuar fare. 

“Jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje [në zgjedhjet e ardhme], por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër”, ka shkruar ajo. “Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”.

Në ndërkohë, udhëheqësi dhe ish-kandidati i PDK-së për kryeministër Kadri Veseli është në Hagë duke u përballur me padi për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, bashkë me paraprijësin e tij si udhëheqës i PDK-së Hashim Thaçin. Në ditën kur aktakuzat u konfirmuan publikisht, Veseli deklaroi që po jepte dorëheqje nga të gjitha “aktivitetet publike dhe politike përgjatë periudhës së këtij procesi”. 

Në mungesë të Veselit, Enver Hoxhaj është kryetari në detyrë i PDK-së, e cila ishte në pushtet për më shumë se një dekadë para se të kalonte në opozitë në zgjedhjet e fundit. Partia ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në një postim në Facebook, duke thënë që në zgjedhjet e ardhme do të kandidojë “me program dhe propozime konkrete për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën e kanë futur partitë që kanë qeverisur vendin nga zgjedhjet e fundit”.

Shahu parazgjedhor

Ende nuk është e qartë nëse partitë do të kërkojnë të formojnë koalicione parazgjedhore.

Në fushatën e vitit të kaluar, VV dhe LDK tentuan t’i bashkojnë forcat përmes një koalicioni parazgjedhor i cili në fund nuk ndodhi pasi të dyja partitë insistonin që kandidati i tyre për kryeministër duhej të ishte në krye të listës zgjedhore. Pas mbështetjes së madhe nga populli për të dy kandidatët në vendvotime, dhe pas negociatave paszgjedhore të cilat zgjatën pothuajse katër muaj, Kurti u bë Kryeministër dhe Osmani Kryetare e Kuvendit. 

Përderisa ka pak gjasa për një koalicion VV-LDK kësaj here pas përfundimit të ashpër të periudhës së shkurtër të udhëheqjes së tyre të përbashkët, një ndër faktorët që pati vështirësuar formimin e asaj qeverie mbetet çështje e pazgjidhur, dhe ndoshta është bërë edhe më e komplikuar përgjatë muajve të fundit: vendi që do të lirohet për pozitën e Presidentit të Kosovës.

Gjatë zgjedhjeve të fundit, posti presidencal nuk pritej të lirohej deri në përfundimin e mandatit pesëvjeçar të Thaçit në prill 2021. LDK-ja donte mbështetjen e VV-së për kandidatin e tyre kur të vinte koha për përzgjedhjen nga Kuvendi, ndërsa VV-ja insistonte që pasi Kushtetuta përcakton që presidenti “përfaqëson unitetin e popullit”, do të duheshin ta kalonin atë urë kur t’i afroheshin.

Osmani ende nuk ka konfirmuar nëse ajo do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, pozita e presidentit në fund të fundit u lirua herët, më 5 nëntor, kur Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën kundër Thaçit, Veselit, udhëheqësit të grupit parlamentar të VV-së Rexhep Selimit dhe bashkëthemeluesit të Nismës Jakup Krasniqit. Thaçi dha dorëheqje nga presidenca dhe sipas Kushtetutës, Osmani — si Kryetare e Kuvendit —  u bë ushtruese e detyrës

Osmani ende nuk ka konfirmuar nëse ajo do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, por duke marrë parasysh rolin neutral të presidentit, ajo nuk do të lejohej të mbajë ndonjë pozitë politike në parti përderisa është në detyrë. Kushtetuta nuk e cek në mënyrë eksplicite kush duhet të bëhet president në detyrë nëse ushtruesi i detyrës së presidentit jep dorëheqje.

Në ndërkohë, pozita e presidentit në detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj, përgjatë së cilës kohë Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin e ri. Një ekspert kushtetues paraprakisht i ka thënë K2.0 që nëse Kuvendi nuk arrin ta votojë presidentin e ri gjatë asaj periudhe, automatikisht shpallen zgjedhje të përgjithshme.

Anëtarja e koalicionit të tanishëm qeveritar, AAK-ja, të cilët kanë dalë të katërtit në zgjedhjet e fundit në koalicion me Partinë Social-Demokrate (PSD), më herët ka propozuar kryetarin e saj Ramush Haradinajnpër rolin e presidentit, por është e paqartë nëse kjo do të ndryshojë duke marrë parasysh shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. 

Ndaras, PSD u është nënshtruar zgjedhjeve të brendshme pasi ish-kryetari Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë pasi partia mezi kaloi pragun e zgjedhjeve të kaluara me një deputet të vetëm. Partia tash udhëhiqet nga Dardan Molliqaj, i cili ishte njëri ndër antarët më të spikatur të VV-së të cilët ngritën zërin lidhur me mosmarrëveshjet me Kurtin para se të ndaheshin dhe të formonin PSD-në. Ende nuk kanë lëshuar ndonjë reagim formal ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese.  

Behgjet Pacolli, udhëheqës i Aleancës Kosova e Re (AKR), u është përgjigjur lajmeve të zgjedhjeve të parakohshme duke deklaruar në një postim në Facebook që “këto janë kohërat më sfiduese politikisht të Kosovës” dhe u ka bërë thirrje partive të kandidojnë “me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje dhe inate”.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Shënim i redaktorit: Ky artikull fillimisht është publikuar si lajm në zhvillim e sipër. Gjatë ditës së 22 dhjetorit është plotësuar për të shtuar kontekst dhe prapavijë ndaj lajmeve fillestare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.