Për disa vite, Bashkimi Evropian, si dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare dhe qeveri të shteteve të tjera, e kanë përshkruar sundimin e ligjit në Kosovë si të dobët; me sistem të dobët të drejtësisë, llogaridhënie të dobët nga gjykatësit dhe prokurorët, paaftësi gjyqësore, zbatim të kufizuar të ligjeve dhe strategjive që lidhen me të drejtat themelore, histori të dobët të luftës kundër korrupsionit.
Me sa duket Kosova po e arrin pikën ku karakterizimi i sistemit të sundimit të ligjit si ‘i dobët’ nuk e reflekton saktë realitetin – në fakt, me sa duket është më saktë të flasim për një krizë të sundimit të ligjit.
Fjalori Merriam-Webster e definon ‘krizën’ si një kohë apo gjendje e paqëndrueshme në të cilën po afrohet një ndryshim vendimtar, një moment vendimtar me mundësi të dalluar për ta sjellur një rezultat shumë të padëshiruar, pikën kthyese për të mirë apo për të keq. Zhvillimet e fundit, kur i shtohen asaj që deri më tani është perceptuar si dobësi e sundimit të ligjit, tregojnë se gjendja e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë është më e keqe se që është perceptuar.
Dimensionet e kësaj krize zbulohen nga një projekt padi kundër disa politikanëve të lartë për manipulim të listës së veteranëve të luftës që kanë të drejtë për ndihmë financiare, dorëheqja e prokurorit publik i cili e kishte hetuar këtë rast dhe reagimi publik ndaj këtyre akuzave nga ana e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryeprokurorit shtetëror dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Sipas projekt padisë së përgatitur nga ish-Prokurori Special Elez Blakaj, politikanë dhe zyrtarë të lartë janë përfshirë në mashtrim kriminal dhe shpërdorim të detyrës duke listuar më shumë se 19,000 persona si veteranë të luftës ndonëse ata nuk kualifikohen ligjërisht për këtë status. Ish-Prokurori Special Blakaj, deklaroi publikisht se kryeprokurori i shtetit i bëri presion për shkak se ai kishte intervistuar politikanë të lartë, në mesin e tyre edhe kryetarin e Kuvendit, si dëshmitarë. Ai kishte folur gjithashtu për kërcënimet dhe përpjekjet për ta frikësuar atë. Ai e justifikoi dorëheqjen e tij me argumentin se sistemi i drejtësisë ishte aq i korruptuar dhe i kapur sa që nuk kishte mënyrë efektive për t’i adresuar shqetësimet e tij.
Se a janë të vërteta apo jo akuzat që i bëri ai në projekt padi, mbetet të vendosin gjykatat (me shpresë që janë profesionale dhe të paanshme). Por e rëndësishme është se reagimet publike nga kryeministri, kryetari i Kuvendit, kryeprokurori i shtetit dhe kryeprokurori special, të cilat e quajtën frikacak joprofesional me projekt padi të papërfunduar i cili e ka lënë Kosovën për t’u pasuruar jashtë vendit. Sulmet personale kundër Blakajt nga kryeministri ishin veçanërisht agresive dhe fyese, dhe ishte e qartë se ai kishte për synim ta zhvlerësonte moralisht atë.
Është e qartë se eprorët e Blakajt kanë interes ta zhvlerësojnë, sepse ai ka implikuar se Prokuroria Shtetërore është e kapur dhe e ndikuar politikisht. Është e dukshme gjithashtu se disa avokatë janë munduar ta zhvlerësojnë moralisht Blakajn sepse ata mund të presin të punësohen nga politikanët që janë përmendur në projekt padi, në mënyrë që t’i mbrojnë ata në rast se ngritet padia.
Zhvlerësimi moral i prokurorit i cili e përgatiti padinë, është mënyrë e arsyeshme për ta zhvlerësuar padinë para se të ngritet. Por e vështirë është të kuptohet pse politikanët e lartë, dhe veçanërisht kryeministri, përdorin gjuhë kaq fyese dhe ofenduese kundër ish-prokurorit nëse nuk i kanë të përfshirë interesat e tyre. Edhe nëse ata absolutisht nuk janë të implikuar në skandalin e veteranëve të luftës, mënyra si reaguan publikisht e bën të duket se kanë interes ta zhvlerësojnë prokurorin dhe projekt padinë për ndonjë qëllim të paligjshëm.
Është sekret publik se një numër i madh i atyre që janë në listën e veteranëve të luftës në fakt nuk janë veteranë. Kryetari i Kuvendit e konfirmoi këtë, madje edhe komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Rrahman Rama, ishte i befasuar me numrin e madh të veteranëve. Kjo do të thotë se dikush i lartë në qeveri me gjasë e ka shpërdorur autoritetin për t’i përfshirë këta persona në listën e veteranëve të luftës.
Çfarëdo qofshin implikimet kriminale, nëse del se politikanët e lartë po e shpërdorin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën e çlirimit të Kosovës për përfitime personale, nëse del se po i manipulojnë politikat publike dhe kushtet ekonomike për t’i shtuar këto përfitime, nëse del se po praktikojnë patronazh politik duke nxjerrë përfitime të cilat nuk i meritojnë nga taksapaguesit e Kosovës dhe nga ekomomia më e varfër në Evropë, atëherë kjo do ta zhvlerësojë UÇK-në më shumë se akuzat e Dick Martyt, i cili tha se disa anëtarë të lartë të UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të organeve dhe krime ndërkombëtare.
Çfarëdo qofshin implikimet kriminale, shfrimet publike kundër ish-prokurorit kanë potencial për ta shkatërruar shpresën e fundit se elitat politike duan sundim të ligjit. Pavarësisht mbështetjes së pasinqertë për reforma të sundimit të ligjit, elitat politike tregojnë pak interesim për to.
Gjatë punës sime si këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë vitin e kaluar, një grup i vogël prej neve u munduam të nisim reforma të caktuara për përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin e drejtësisë, duke ruajtur pavarësinë e tij. Disa raporte të përgatitura nga ekspertët e Bashkimit Evropian (BE) tregojnë se Zyra e Këshillit Disiplinor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës ishte pikë e dobët e sistemit. Ndonëse kishte përgjegjësi hetimin e shkeljeve disiplinore të gjykatësve dhe prokurorëve, operoi si kuti e zezë pa transparencë, pa llogaridhënie dhe me mundësi për shantazhim të gjykatësve dhe prokurorëve, dhe anashkalim të hetimeve të cilat realisht duhej të kryheshin.
Idea ishte të thyhet kjo kuti e zezë, të garantohet transparenca dhe llogaridhënia e hetimeve duke fuqizuar qytetarët me zgjidhje ligjore, duke përfshirë Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokatin e Popullit për ta mbikëqyrur sistemin pa autoritet për të ndërhyrë në hetime, duke ruajtur pavarësinë e dy Këshilleve për të vendosur për shkelje disiplinore të cilat janë subjekt i rishikimeve gjyqësore nga Gjykata Supreme.
Siç pritej, propozimi u rezistua fuqishëm për shkak se reforma të tilla radikale do t’i detyronin gjykatësit dhe prokurorët të jepin llogari dhe do t’i bënin procedurat disiplinore transparente. Shpejtë u bë e qartë se këto reforma nuk ishin të dëshiruara, as nga gjykatësit e as nga prokurorët, as nga politikanët në qeveri, sepse kishte mundësi për t’i ekspozuar marrëveshjet e fshehta ndërmjet gjykatësve, prokurorëve dhe politikanëve. Ishte vetëm për shkak të mbështetjes aktive dhe publike nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që qeveria e miratoi projektligjin. E kujtoj se si Ambasadori i SHBA-së, bëri thirrje publike për ta miratuar ligjin për prodecura disiplinore për gjykatës dhe prokurorë; kujtojmë edhe serinë e fundit të Raportit Shtetëror të BE-së për Kosovën, në të cilin u bë thirrje për miratimin e këtij ligji.
Ky projektligj tani ka ngecur në Kuvendin e Kosovës ku, paradoksalisht, partitë opozitare po mundohen t’i dobësojnë dispozitat, gjë që rrezikon shkatërrimin e ekuilibrit të ndërtuar me kujdes ndërmjet llogaridhënies gjyqësore dhe pavarësisë gjyqësore, duke prishur kështu qëllimin e ligjit.
Është shumë e çuditshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbrojnë një ligj në Kuvendin e Kosovës për të promovuar llogaridhënie dhe transparencë gjyqësore. Me sa duket asnjë nga partitë politike nuk kanë interesim për këtë; ata që janë në pushtet për shkak se mund ta përdorin një sistem të papërgjegjshëm gjyqësor për avantazh politik, e ata në opozitë për shkak se presin ta bëjnë të njejtën gjë kur e marrin pushtetin.
Nëse elitat politike nuk janë të gatshme apo të interesuara t’i ndërmarrin reformat e nevojshme për ta përmirësuar sundimin e ligjit, atëherë qytetarët e Kosovës po e arrijnë pikën ku dështimet e qeverisë për garantimin e sundimit të ligjit mund të nxisin rezistencë paqësore civile. Kur strukturat qeveritare të zgjedhura në mënyrë demokratike dështojnë të sjellin sundim të ligjit dhe respekt për të drejtat e njeriut, qytetarët kanë të drejtë legjitime për ta përdorur të drejtën e tyre për rezistencë për ta reformuar shtetin. Se a thirren në shkeljen e kontratës sociale nga ana e qeverisë, apo shkeljen e ligjit natyror apo të drejtave të njeriut, justifikime për të drejtën e rezistencës ka me bollëk.
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut deklaron në mënyrë të qartë se ‘është thelbësore, për të mos e detyruar njeriun t’i kthehet rebelimit kundër tiranisë dhe shtypjes si zgjidhje të fundit, që të mbrohen të drejtat e njeriut nëpërmjet sundimit të ligjit’. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut është drejtpërdrejtë e zbatueshme në Republikën e Kosovës dhe në rast të konfliktit ka prioritet para dispozitave të ligjeve dhe dokumenteve tjera të institucioneve publike. Për shkak se Kushtetuta e Kosovës thotë se sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli dhe i përket popullit, mund të flasim edhe për detyrën për të rezistuar kur dështimet e qeverisë janë të tilla që e rrezikojnë shtetin dhe ekzistencën sovrane të tij.
Kush duhet ta miratojë një të drejtë të tillë për rezistencë? Sigurisht jo partitë politike, qofshin në pushtet apo opozitë. Kosovës i duhet një lëvizje e re për të drejtat civile, një koalicion i qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile që kanë vullnet dhe janë të përkushtuara, dhe që do t’i bëjnë presion në mënyrë paqësore qeverisë, në mënyrë që ajo t’i ndërmarrë reformat e nevojshme.
Lëvizja e të drejtave civile në SHBA mund të shërbejë si model. Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut nuk janë të dhëna dhe duhet të fitohen dhe të mbrohen vazhdimisht nëpërmjet veprimeve politike dhe ligjore. Siç shkroi filozofi ligjor gjerman Rudolph v. Jhering në librin e vitit 1872, “Struggle For Law” (Lufta Për Ligj): “të gjitha ligjet në botë janë arritur nëpërmjet konfliktit. Secili parim ligjor fillimisht është shkulur me forcë prej atyre që e kanë mohuar: secila e drejtë ligjore – të drejtat ligjore të kombeve si dhe ato të individëve – supozon një gatishmëri të vazhdueshme për mbrojtjen e saj. Ligji nuk është vetëm teori, por forcë e gjallë”.
Ky është një test për shoqërinë civile të Kosovës, për të parë nëse është e aftë të sjell ndryshime vendimtare për t’iu shmangur krizës. Nëse është e vërtetë që secili popull e meriton qeverinë që e ka, mund të ketë ardhur koha që populli i Kosovës të tregojë çfarë qeverie e meriton me të vërtetë.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.