Sot (7 shtator) anëtarët e ri të Kuvendit të Kosovës, të cilët u zgjodhën në qershor, para gati tre muajve, e zgjodhën liderin e PDK-së, Kadri Veselin, si Kryetar të ri të Kuvendit, pas odisesë së mosmarrëveshjeve. Në këtë seancë, e cila ishte planifikuar të fillonte në ora 11:00 por u shtye deri në ora 14:00, Veseli u zgjodh me 62 vota në favor të tij..
Zgjedhja e Veselit u bë e mundur pasi u arrit një marrëveshje ndërmjet koalicionit PAN (të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën) dhe partisë së Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re (AKR). Kjo parti paraprakisht hoqi dorë nga koalicioni parazgjedhor të cilin e kishte krijuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Me këtë marrëveshje, 39 deputetëve të PAN-it dhe 20 deputetëve të cilët i përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kosovë iu bashkuan tre deputetë të AKR-së, dhe kështu u mblodhën më shumë se 60 vota, prag ky i cili duhej kaluar për ta zgjedhur Veselin. Deputeti i katërt i zgjedhur i AKR-së, Korab Sejdiu, dha dorëheqje nga kjo parti pasi u arrit marrëveshja me PAN-in. Sejdiu votoi kundër mocionit për ta emëruar Veselin Kryetar të Kuvendit.
Në fjalimin e parë të mandatit të tij të ri Veseli i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës të jenë të bashkuara për pesë çështje, duke theksuar se arritja e konsensusit ishte e mundur dhe e domosdoshme. Pesë çështjet të cilat i përmendi ai ishin: zhvillimi ekonomik dhe rritja e nivelit të punësimit, çështjet e shëndetësisë dhe arsimit, punët në lidhje me kriteret e liberalizimit të vizave, procesi i ballafaqimit me të kaluarën dhe dialogu me Serbinë, si dhe themelimi i ushtrisë.
Veseli i ftoi të gjithë deputetët në Kuvend, duke përfshirë edhe ata të opozitës, ta shndërrojnë Kuvendin në një vend bashkëpunimi, “nga një shesh i akuzave në një shesh të ideve”.
Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e deputetëve – të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së dhe Alternativës – munguan gjatë fjalimit të Veselit. Deputetët e këtyre tri partive i lëshuan karriget e tyre kur Veseli u ul në karrigen e tij. Kjo lëvizje tregoi një unitet në mesin e opozitës, e me gjasë edhe paralajmëroi një mandat të vështirë për Veselin si Kryetar i Kuvendit.
Marrëveshja ndërmjet AKR-së dhe PAN-it u arrit të hënën (4 shtator) në një takim i cili u mbajt në orët e vona në hotelin e Pacollit, Swiss Diamond. Sipas marrëveshjes, mbështetja që AKR-ja i dha Veselit tani u garanton anëtarëve të tyre udhëheqje të katër ministrive në qeverinë e re, pavarësisht faktit se AKR-ja i ka vetëm tre deputetë në Kuvend.
Mediave kosovare kryesisht nuk iu lejua pjesëmarrja në këtë takim, i cili u mbajt prapa dyerve të mbyllura. Sipas lmediumit të vetëm i cili u ftua për të raportuar në këtë mbledhje, partia e Pacollit do t’i zgjedhë ministrat e ri në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. AKR-ja do të zgjedhë gjithashtu shtatë zëvendësministra dhe do ta emërojë një kandidat për postin e Presidentit në mandatin e ardhshëm – kandidat për këtë post pritet të jetë Pacolli.
Për mbështetjen që i dha koalicionit PAN, Lista Serbe pritet të drejtojë tri ministri tjera: Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Seanca e mbajtur sot ishte përpjekja e gjashtë për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit që prej 3 gushtit, kur seanca e themelimit të Kuvendit u mbajt për herë të parë pasi ishin certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme.
Koalicioni PAN, i cili ishte koalicioni fitues në zgjedhje, më parë nuk kishte arritur të emërojë kandidatin e vet për Kryetar të Kuvendit për shkak të mungesës së votave në Kuvend, si dhe si pasojë e rezistencës së fuqishme të opozitës kundër emërimit të Veselit për Kryetar të Kuvendit. Më 24 gusht, tri javë pasi u hap seanca e themelimit (3 gusht), zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se PAN-it i duheshin edhe dy javë për t’i siguruar votat e nevojshme.
Përkrah Veselit u zgjodhën edhe pesë zëvendëskryetarë të Kuvendit: Xhavit Haliti nga PDK-ja, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-ja, Mufera Shinik nga Koalicioni i minoriteteve joshumicë, dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe. Tri deputetë shqiptarë u zgjodhën në mënyrë unanime, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe disa deputetë të LDK-së abstenuan gjatë votimit për Shinikun dhe Simiqin, për shkak të pranisë së deputetit të Listës Serbe.
Tash që Veseli dhe deputetët e tij i kanë siguruar vendet, seanca për themelimin e qeverisë së re pritet të mbahet të shtunën (9 shtator). Ramush Haradinaj pritet të bëhet Kryeministër, ndërsa ministritë të ndahen ndërmjet PDK-së, AAK-së, Nismës, Listës Serbe dhe partnerit të ri koalicionit, AKR-së.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.