Në një pasdite të ftohtë dimri, jashtë njërës prej klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, një burrë qëndron para hyrjes kryesore duke pirë një cigare me pasion, ndërkohë që shikon në xhamin e derës dhe lexon një njoftim për një epidemi serioze të gripit.
Korridori i hyrjes kryesore të Klinikës së Pulmologjisë është i mbushur me njerëz, kryesisht të moshuar, të cilët presin me durim para një dritare të vogël të recepsionit për të marrë leje për të biseduar me mjekët për problemet e tyre.
Një kat më lartë, korridoret janë shndërruar në punëtori për shkak të një renovimi të cilit i është nënshtruar objekti. Më poshtë korridorit, në një dhomë në të majtë, një nga katër pacientët duket në disponim jo të keq, teksa rri i shtrirë në një prej shtretërve ku i është nënshtruar trajtimit mjekësor.
Isan Bulliqi, të cilin motrat medicinale dhe pacientët e thirrin “profesor”, shprehet i gatshëm për të biseduar, mbase për ta thyer atmosferën e zymtë të dhomës së errët, që prishet kohë pas kohe nga vajtja e ardhja e infermiereve dhe familjarëve të pacientëve.
Bulliqi ka disa ditë që është në spital, pasi ishte sëmurë nga një inflamacion i rëndë i mushkërive dhe disa probleme tjera me traktin e frymëmarrjes. Ai është i bindur se për gjendjen e tij një pjesë të madhe të fajit e ka ajri i ndotur në lagjen e tij, në Tophane.
Në dimër, Isan Bulliqi vuan nga problemet me traktin e frymëmarrjes dhe të mushkërive, të cilat ai beson se janë të lidhura thelbësisht me ajrin e ndotur të Prishtinës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Zakonisht, nëpërmjet transportit publik ai shkon në punë, në administratën e Pallatit të Drejtësisë, një kompleks i madh i gjykatave dhe institucioneve të tjera të drejtësisë në periferi të Prishtinës.
“Kur dal për të shkuar në punë, më duhet të eci pak nga shtëpia deri te stacioni i autobusëve në lagjen Qafa”, thotë ai. “Gjatë ecjes e mbuloj gojën me shall që të mos e thithi ajrin e ndotur”.
Bulliqi beson se shkaktarët kryesorë të ndotjes në lagjen e tij janë trafiku i dendur dhe djegia e qymyrit për ngrohje, praktikë e zakonshme për shkak të kostos më të ulët në krahasim me alternativa të tjera.
“Unë vet kam djegur qymyr në shtëpinë time”, thotë ai. “Kjo nuk është diçka që duhet ta fshehim”.
Por, si shumë banorë dhe vizitorë të Prishtinës, ai i ndjenë efektet në trupin e tij.
“Shëndeti im përkeqësohet kryesisht nga ndotja e ajrit; veçanërisht në dimër, sepse gjatë verës ajri është më i mirë”, thotë ai. “Kjo nuk ka ndodhur vetëm në vitet e fundit; efektet negative nuk bëhen të dukshme brenda natës. Ndotja i prodhon këto efekte me kohë”.
‘Vrasësi i padukshëm’
Nuk është fshehtësi që kryeqyteti i Kosovës është i pushtuar nga ndotja e ajrit, veçanërisht gjatë kohës së dimrit kur ajri është i mbushur me grimca të rrezikshme dhe era e rëndë e tymit të mbetet në hundë për një kohë të gjatë.
Por, nga marsi i vitit 2016, Indeksi për Kualitetin e Ajrit i Ambasadës së SHBA-së ua ka mundësuar qytetarëve ta shohin gjendjen e ajrit në kohë reale, me informata të hollësishme në lidhje me nivelet e ndotjes.
Të dhënat e pajisjeve matëse që janë instaluar në ndërtesën e Ambasadës i alarmuan qytetarët në dimrin e vitit 2016, për shkak se matjet treguan që Prishtina ishte lart në listën e qyteteve më të ndotura të Evropës; ajo gjithashtu shpesh ishte lart në mesin e vendeve më të ndotura në botë, bashkë me disa qytete në Kinë, Indi dhe shtete tjera me industri shumë të zhvilluara, që gjerësisht konsiderohen si një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në botë.
Pasi që qytetarët tani kanë mundësi ta shohin online kualitetin e ajrit në kohë reale, ndërgjegjësimi civil për problemin e ndotjes së ajrit — dhe rrjedhimisht reagimi ndaj tij — janë bërë temë e nxehtë, dhe për herë të parë, institucionet e Kosovës filluan ta ndjejnë presionin nga qytetarët nëpërmjet protestave ku kërkohej kualitet më i lartë i ajrit.
Në dhjetor 2016, Peer Educators Network dhe Science for Change Movement bënë përpjekje për ta ngritur nivelin e përgjithshëm të ndërgjegjësimit për “vrasësin e padukshëm” dhe pasojat e tij për shëndetin e njerëzve duke organizuar protesta me veprime simbolike në qendër të Prishtinës.
Një vit më vonë, në janar 2018, qindra qytetarë protestuan para Teatrit Kombëtar në Prishtinë duke ngritur zërin dhe duke bërë thirrje për vendime të qarta nga institucionet për ta luftuar ndotjen. Pasi pajisjet matëse shfaqën nivele “të rrezikshme” të ndotjes për disa ditë, kjo protestë e shënoi kulmin e reagimit dhe shqetësimit publik për praninë e ndotësve në ajër.
Megjithatë, hulumtimet e fundit tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve kosovarë ende nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm për rrezikun potencial që paraqet ndotja e ajrit për ambientin dhe shëndetin e tyre.
Një raport i UNDP-së, Pulsi Publik, i publikuar në shkurt të vitit 2019, gjeti se 55 përqind e kosovarëve kanë pak apo aspak njohuri për rreziqet potenciale që paraqet ky ambient për shëndetin e tyre, ndërsa 38 përqind raportuan se janë deri diku të informuar për këto çështje.
Një raport tjetër, i publikuar më 2018, thotë se Kosova ka shumë arsye për t’u shqetësuar.
Raporti për kualitetin e ajrit i publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) i paraqiti rezultatet e analizave të përbërësve atmosferikë që janë të pranishëm në ajër në formë të grimcave PM2.5 — lëndë atmosferike me diametër më të vogël se 2.5 mikrometra, apo 3 përqind i diametrit të një fije floku — dioksidi i azotit dhe ozoni.
Sipas raportit, në Kosovë është shënuar vlerë e lartë e përqendrimit të grimcave PM2.5 në Evropë, përkrah Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Ndikimet që i ka ky përqendrim në shëndetin e njerëzve, relative për madhësinë e popullsisë, thuhet se janë më të rëndat nga këto shtete.
EEA deklaroi se në 2015, 3700 njerëz në Kosovë pësuan vdekje të parakohshme për shkak të ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, ndërsa 190 të tjerë vdiqën nga ekspozimi ndaj ozonit dhe dioksidit të azotit.
Megjithatë, disa i kanë vënë në dyshim shifrat e këtij raporti.
Skënder Baca, doktor specialist në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë, thotë se përderisa ndotja e ajrit është një nga faktorët që kontribuon në keqësimin e sëmundjeve që lidhen me sistemin pulmonar, ajo nuk është domosdoshmërisht shkaktari kryesor i vdekjeve që lidhen me këto probleme.
“Duhet ta gjejmë një lidhje logjike të shkakut dhe efektit ndërmjet ndotjes së ajrit dhe efekteve të saj në trupin e njeriut”, thotë ai. “Fatmirësisht, efektet e saj në trupin e njeriut janë relativisht të ulëta, pavarësisht sasisë së madhe të ndotjes që e kemi kohë pas kohe”.
Doktori e pranon se ndotja e ajrit mund të ndikojë tek trakti i frymëmarrjes dhe se mund të ndikojë në pjesët tjera të trupit, si në sistemin hematopoietik, që përfshinë formimin e qelizave të gjakut. Kjo është sidomos e vërtetë për rastet e helmimit nga emetimi i gazrave nga veturat, thotë ai, që përmbajnë sasi të konsiderueshme të metaleve të rënda, si plumbi.
“Ne duhet ta mbrojmë veten duke konsumuar lëngje, në mënyrë që sistemi mbrojtës i traktit të frymëmarrjes të mos mbetet kurrë i tharë” thotë ai. “Tharja në sistemin respirator është e pafavorshme për shkak se ngjiten më lehtë viruset, pluhuri dhe alergjenet”.
Michael Brauer, profesor i shëndetësisë publike në British Columbia University në Kanadë, thotë se ndikimet negative të ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut janë të rënda.
“Kur marrin frymë, njerëzit i gëlltisin miliona grimca shumë të vogla të ajrit të ndotur, që trupi i identifikon si trupa të huaj dhe mundohet t’i eliminojë”, thotë ai. “Kur nuk ka mundësi ta bëjë këtë, krijohet inflamacion pasi trupi vazhdimisht mundohet t’i eliminojë këta agjentë pa sukses. Në thelb, është sikur t’i shkaktosh trupit lëndime të vazhdueshme”.
Brauer thotë se rrjedhimisht trupi hyn në një gjendje të lartë mbrojtëse dhe prodhon vazhdimisht molekula për të luftuar elemente të huaja, duke bërë që dëmi të përhapet në të gjitha pjesët e trupit, përfshirë këtu zemrën dhe organet tjera vitale.
Një studim i publikuar nëntorin e kaluar nga Universitety of Chicago thotë se ajri i ndotur tejkalon konsumimin e duhanit, alkoolit dhe drogës si shkaktar kryesor i vdekjeve të parakohshme në botë. Sipas studimit, ndotja e ajrit të emetuar nga djegia e lëndëve fosile është duke e shkurtuar jetëgjatësinë mesatare në nivel global për 1.8 vjet, dhe si e tillë po bëhet shkurtuesi kryesor i jetës së njeriut.
Brauer nuk pajtohet plotësisht me konkluzionet e nxjerra nga këto të dhëna, megjithatë, duke nxjerrë konkluzione të ngjashme me ato të Bacës për korrelacionin e drejtpërdrejtë ndërmjet ndotjes së ajrit dhe vdekjes së parakohshme, ai thotë se kjo nuk vlen për shkaktarët e tjerë të vdekjes së parakohshme, si duhanpirja, dhe se problemi më i madh me ndotjen e ajrit është fakti se numri i njerëzve të ekspozuar ndaj tij është shumë më i lartë se në rastin e rreziqeve tjera për shëndetin publik.
Ai thekson se ndotja e ajrit ende është faktor serioz që kontribuon në problemet shëndetësore dhe se frymëmarrja e ajrit të ndotur për disa vite të njëpasnjëshme është e mjaftueshme për t’i ekspozuar shumë më lehtë njerëzit ndaj sëmundjeve të rënda.
“Ndotja e ajrit kontribuon në sëmundje; për shembull, nëse një person është duke vuajtur nga ndonjë sëmundje, si diabeti i moderuar, apo është konsumues i duhanit apo alkoolit, ndotja e ajrit e keqëson problemin”, thotë ai. “Njerëzit e moshuar dhe fëmijët janë më të prekshëm, sepse ndotësit madje e pengojnë edhe luftën kundër infeksioneve bakteriale në traktin pulmonar”.
Gjithnjë më shumë shkencëtarë po deklarojnë se efektet e ndotjes së ajrit në trupin e njeriut me gjasë janë më të përhapura se që është menduar më parë. Studimet kanë treguar se ndotja e ajrit mund të ketë ndikim në inteligjencë dhe në shëndetin mendor.
Edhe efektet tek gratë shtatzëna mendohet se mund të jenë të rënda.
Një studim i kryer në Queen Mary University of London tregoi se ka lidhje të fortë ndërmjet ndotjes së ajrit që e thithin gratë gjatë shtatzënisë dhe dëmtimit të fetusit.
Si pjesë e studimit, ato i ekzaminuan pesë gra që nuk pinë duhan dhe lindën foshnje të shëndetshme. Duke i izoluar qelizat që janë pjesë e sistemit imunitar, shkencëtarët erdhën në përfundimin se grimcat e tymit dhe blozës i kaluan filterët e mushkërive dhe depërtuan deri te placenta.
Edhe pse nuk dihet ende niveli i saktë i dëmit të shkaktuar nga grimcat e tymit në placentë, nëpërmjet studimeve tjera, shkencëtarët kanë argumentuar se grimcat e ajrit e rrisin mundësinë për lindje të parakohshme dhe lindje të foshnjave me nënpeshë; kjo pastaj mund të ketë efekte negative të përhershme në shëndetin e fëmiut.
Luftimi i burimit të ndotjes
Ndonëse efektet e ndotjes së ajrit po hulumtohen e dokumentohen gjithnjë më shumë, veprimet kundër tyre në Kosovë po dalin të jenë më të vështira për t’u realizuar.
Nezakete Hakaj, e cila drejton Departamentin për Mbrojtje të Mjedisit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se të paktën një pjesë e problemit është se topografia e Prishtinës është e papërshtatshme.
Hakaj thotë se për shkak që një pjesë e madhe e qytetit ëshë e shtrirë në një luginë që është e rrethuar me kodra, grumbullimit të ndotësve i kontribuon mjegulla natyrale që shpeshherë qëndron mbi qytet në dimër dhe kur është moti i ftohtë, e kjo i mbanë pluhurin dhe ndotësit e tjerë më afër tokës.
Ky fenomen njihet si anasjellja e temperaturës dhe ndodh në shumë qytete që janë të rrethuara me kodra, përfshirë këtu Shkupin. Efekti i saj është kapja e ajrit më të ftohtë — dhe ndotësve që janë brenda tij — nga ajri më i ngrohtë, që normalisht është më afër sipërfaqes së tokës.
Gjatë ditëve të dimrit, Prishtina shpeshherë mbulohet nga një mbulojë e smogut të dendur e të rrezikshëm, problem ky që pjesërisht mundësohet nga rrethina topografike dhe kushtet klimatike. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.
Ekspertët pajtohen se ajri në Prishtinë dhe në disa zona përreth është i ndotur praktikisht gjatë gjithë vitit, por se kushtet atmosferike luajnë rol të rëndësishëm në keqësimin e problemit në dimër. Të dhënat e mbledhura nga Science for Change Movement konfirmojnë se kualiteti i ajrit në Prishtinë është më i keq gjatë dimrit, veçanërisht gjatë janarit, ndërsa ajri është më së pakti i ndotur në qershor.
Ndonëse nuk mund të bëjmë shumë për kushtet natyrale të ambientit, niveli i ndotësve të emetuar është faktor njerëzor.
Për shkak se djegia e qymyrit për ngrohje shihet si kontribues i madh për ndotjen e ajrit, në shtator Ministria e Arsimit vendosi ta ndalojë përdorimin e tij në çdo ndërtesë të shkollave parauniversitare. Por ndonëse plot shkolla me sa duket e kanë zbatuar këtë ndryshim, qymyri ende është burimi kryesor i lëndëve djegëse për shumë shtëpi.
Emetimet nga veturat janë një tjetër faktor kontribues. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova i ka rreth 300,000 automobilë, shumë prej të cilëve janë prodhuar para më shumë se 10 vitesh, dhe janë larg përmbushjes së standardeve që i ka BE-ja për emetimet nga veturat e reja.
Megjithatë, shkaktari më i madh i ndotjes së ajrit në Kosovë konsiderohet gjerësisht të jetë djegja e linjitit në termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq, vetëm 10 kilometra larg kryeqytetit. Të ndërtuara në vitet e 60-a dhe 80-a përkatësisht, termocentralet janë të vjetra dhe në mesin e ndotësve më të këqinj në Evropë. U planifikua që Kosova A të komisionohej në vitin 2017, por kjo nuk ndodhi dhe ajo vazhdon të çalojë, edhe pse dy nga pesë njësitet e tij nuk janë më në përdorim.
Kosova ka një burim të pasur të linjitit, një formë e qymyrit që përdoret gjerësisht për ngrohje të shtëpive, si dhe në dy termocentralet e vjetra në Obiliq në afërsi të Prishtinës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Pasi që infrastruktura e vjetër dhe energjia e prodhuar nuk janë të mjaftueshme për ta përmbushur kërkesën e Kosovës, qeveria ka zhvilluar plane për ta ndërtuar një termocentral të ri të thëngjillit, Kosova e Re. Megjithatë, në tetor 2018, Banka Botërore vendosi të tërhiqet nga planet për financimin e projektit për shkak të shqetësimeve në lidhje me ndikimin e tij tek ambienti dhe alternativave të ripërtërijshme që po bëhen gjithnjë më të përballueshme sa i përket kostos, ndërsa edhe BE-ja ka shprehur shqetësimet e saj për mbështetjen e Kosovës në energji të bazuar në qymyr. Sidoqoftë, qeveria nuk ka hequr dorë nga planet e saj dhe është duke kërkuar financim alternativ.
Këmbëngulja institucionale për qymyr duket se është në kundërshtim me përpjekjet — të paktën ato të shkruara — për ta ndërtuar një strukturë të fortë legjislative për ambientin.
Ligji për Mbrojtje të Mjedisit ka qenë në fuqi prej vitit 2009, ndonëse ky ligj bën pak për ta luftuar specifikisht ndotjen e ajrit. Nga viti 2010, Kosova e ka një Ligj specifik për Mbrojtje të Ajrit nga Ndotja, megjithatë nuk konsiderohet të jetë në përputhje me standardet e BE-së.
Tani po nxjerret një Projektligj i ri për Mbrojtje nga Ndotja, që ka për synim t’i targetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë burimet e ndotjes së ajrit dhe të ofrojë një spektër më të gjërë të instrumenteve ligjore, si dhe t’i caktojë obligimet e bizneseve dhe tjerëve sa i përket veprimeve të tyre për ta luftuar ndotjen. Projektligji është aktualisht në fazën e komitetit, pasi që është miratuar në lexim të parë në Kuvend.
Në 2013, qeveria e Kosovës e miratoi një Strategji për Kualitetin e Ajrit 2013-2022, nëpërmjet të cilës bëri përpjekje për t’i identifikuar elementet kyçe të problemit të ndotjes së ajrit në Kosovë dhe lajmëroi se çfarë veprime i parasheh për ta përmirësuar kualitetin e ajrit dhe ambientin në përgjithësi. Megjithatë, Strategjia vështirë se i trajton efektet e ndotjes së ajrit në trupin e njeriut, pasi që vetëm një paragraf i shkurtër merret me këtë çështje:
“Dihet se ndotja e ajrit mund të ketë efekte negative në ambient dhe në shëndetin e rehatinë e njeriut. Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet niveli i këtyre efekteve. Disa studime janë kryer për efektet e ndotjes së ajrit. Këto studime tregojnë se ndotja e ajrit jo vetëm që e dëmton shëndetin, por edhe ambientin”.
Mbase nuk vjen si befasi që qytetarët kanë vërejtur se pak është përmirësuar kualiteti i ajrit në vitet e fundit. Prandaj edhe protestat arritën kulmin në janar 2018.
E ballafaquar me këtë presion publik, Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, bëri përpjekje për ta ulur urgjentisht nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet duke ndaluar shitjen e qymyrit brenda kufijve të qytetit dhe duke krijuar një zonë të ndaluar për vetura rreth qendrës së qytetit. Por ky kufizim ishte jetëshkurtër dhe u shfuqizua brenda 48 orëve.
Në janar 2018, Komuna e Prishtinës reagoi ndaj presionit publik për ajrin e rrezikshëm duke ndaluar përkohësisht ngasjen e veturave në qendër të kryeqytetit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Kjo e detyroi Kuvendin të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën deputetët e miratuan një rezolutë kundër ndotjes së ajrit.
Rezoluta e Kuvendit, e cila i përmbanë 19 pika, parashesh që qeveria ta prioritizojë punën për përmirësimin e kualitetit të ajrit, dhe t’i ndërmarri disa veprime konkrete për ta arritur këtë synim, përfshirë këtu instalimin e filterëve adekuatë në termocentrale deri në fund të vitit 2018, ndalimin e djegies së qymyrit për ngrohje në ndërtesa kolektive dhe rritjen e investimeve kapitale për ndërmarrjen Termokos, me synim ta zgjerojë rrjetin e ngrohjes qendrore në Prishtinë dhe qytete tjera.
Kur u pyet për zbatimin e rezolutës së Kuvendit, Hakaj nga Ministria e Ambientit thotë se Ministria gjithmonë ka punuar shumë për ta luftuar ndotjen e ajrit, por se qeveria në përgjithësi është detyruar ta prioritizojë këtë çështje më shumë prej publikimit të matjeve të kualitetit të ajrit nga Ambasada e SHBA-së.
Hakaj gjithashtu i nxiti njerëzit të jenë të matur në pritjet e tyre për rezultate të afatit të shkurtër dhe argumentoi se luftimi i ndotjes së ajrit është çështje komplekse me plot faktorë të ndërlidhur.
“Për ta luftuar ndotjen, shumë e rëndësishmë është gjendja e përgjithshme ekonomike e popullsisë”, thotë ajo. “Ne pajtohemi se përdorimi i qymyrit në shtëpi është një nga faktorët që e ndotin ajrin, por duhet të kemi kujdes sepse nuk mund t’i ndalim me forcë njerëzit që të mos djegin qymyr për t’i ngrohur shtëpitë e tyre”.
Hakaj gjithashtu ngul këmbë se Ministria ka nevojë për buxhet më të madh për ta ngritur efikasitetin në luftën kundër ndotjes.
Ndonëse qeveria vazhdimisht ka thënë se lufta për ajër më të mirë është një nga prioritetet kryesore të saj, planet buxhetore nuk po i reflektojnë saktësisht fjalët e tyre.
Pavarësisht faktit se Departamentit për Mbrojtje të Mjedisit i është ndarë një buxhet më i madh në vitin 2019 se në vitet e kaluara — 3.5 milion euro në krahasim me 1.2 milion në 2018 dhe 0.4 milion në 2017 — kjo rritje vlen pothuajse ekskluzivisht për investime kapitale, asnjë prej të cilave nuk lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e kualitetit të ajrit.
Ngjashëm, pjesa e buxhetit të Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK — institucion që e ka si qëllim specifik mbrojtjen e ambientit) e ka parë alokimin e buaxhetit të lidhur me monitorimin e kualiteti të ajrit të ngrirë në vitet e fundit, duke mbetur me vetëm 150,000 euro për vit.
Me mungesën relative të veprimeve institucionale, mbase nuk vjen si befasi që kushtet e ajrit në kryeqytet përsëri ishin të rrezikshme në dimër, duke i lënë qytetarët si Isan Bulliqi t’i ndjejnë këto efekte.
Ardhja e pranverës mund të sjellë lehtësim të përkohshëm dhe për shumëkënd do të jetë një punë “larg syrit, larg mendjes”. Por pa përpjekje të bashkërenduara dhe plan afatgjatë, ndotja e ajrit do të vazhdojë të jetë vrasësi i heshtur i Kosovës.K
Foto kryesore: K2.0.