Rruga nga lagja “Bazhderhane” deri tek Hamami në Prizen, në të dy anët është e mbushur me dyqane me veshje nusërie dhe dyqane që shesin ari apo argjend. Për ta kompletuar veshjen e një nuseje, mjafton t’i biesh asaj rruge. Por, nëse nuk bën zgjidhje, atëherë adresa e radhës është tregu “Qylhani”.
Në këtë treg mund të gjindet krejt çka duhet — nga valixhet e mëdha e deri tek rruazat e vogla, që e gjejnë vendin në ndonjë pjesë veshjeje apo stoli. E vogël është rruaza, por hapësira që mbush në treg është e madhe. Shkëlqimi, ngjyra dhe apo format e ndryshme të rruazave kërkohen në veshjet që të duken më të veçanta.
Në një dyqan të vogël në rrugën e tregut te “Qylhani” gjendet parajsa e rruazave, shiritave me rruaza dhe kurorave.
“Mbi 1,000 produkte nëse i numërojnë veç e veç janë”, thotë Erkan Cukiqi, pronari i këtij lokali të rruazave, teksa brenda hyn një grua. Ajo provon një kurorë që zakonisht vihet në në ditën e martesës, teksa plot tjera i renditen para syve.
Pasqyrat në dyqan dyfishojnë shkëlqimin e rruazave, disa prej të cilave vijnë si lëndë e parë dhe më pas përpunohen nga Erkani.
Ai është 34-vjeçar dhe këtë zanat e ka trashëguar nga babai dhe xhaxhai i tij. Ata ishin marrë me rruaza dhe dekorime të tilla, si zanat të trashëguar nga nëna e tyre e cila në vitet ’70 shiste rruaza për veshje të nuseve.
Si qytetar nga komuniteti rom, Erkani thotë se nuk ka ndierë ndonjë vështirësi. Për këtë i falenderohet babait, i cili edhe sot punon me të.
“Mua më ka përkrahur babi shumë. Unë veç kam ecë përpara, nuk kam ndie kurgjo”, thotë ai. Si 17-vjeçar kishte nisur rrugëtimin nëpër Evropë për të gjetur risi, që të zgjeronte gamën e produktit që babai i tij veçse e kishte.
Kishte arritur të shiste penjë të dredhur, që në Gjakovë përpunohen me një mjet që njihet si çëkërrk, i cili sillet sikur rrotë biçiklete.
“Kërkesën e kisha të madhe. Arrita me i bë të miat 10 copë, por thash kadal se dikush ka makinë për këtë send dhe nisa me kërku”, thotë Erkani, që në fund kishte arritur t’i siguronte makinat e duhura. Sot, 9 punëtorët e Erkanit punojnë 24 orë me tri ndërrime.
Tash për tash, këto rruaza pëveç që mbulojnë një pjesë të tregut të Kosovës dhe të Maqedonisë, Erkani po ashtu i eksporton edhe përtej rajonit. Edhe pse për shumë vite në Kosovë janë ndarë subvencione për bizneset e komuniteteve jo-shumicë, Erkani nuk ka përfituar ndonjë deri vitin e kaluar. Përmes subvencionit që ka fituar në vitin 2023 nga qeveria e Kosovës, ka blerë makina të reja, të cilat do ta ulin importin e një lloji të perit, i cili përdoret për dredhje me ari për qepjen e veshjeve tradicionale si jelek ari apo dallama, të cilin do ta prodhojë vetë.
Gama e produkteve që ai planifikon t’i prodhojë nuk përfundon me këtë linjë të perit, pasi synimet i ka që të shtyjë caqet edhe më tej, duke krijuar vetë të gjitha fazat e produktit.
Fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.