Pikëpamje | LGBTI

Krenari dhe paragjykim (ndaj njerëzve gej)

Nga - 22.02.2023

Rritja e rasteve të sifilizit nuk është problemi më i madh i komunitetit gej në Serbi.

Rritja e rasteve të infektimeve me sifiliz në Serbi është vetëm njëra prej shumë informatave shqetësuese në të cilat kemi hasur gjatë javëve të fundit. Të dhënat e mbledhura nga Dr. Milan Jovanović Batut i Institutit të Shëndetit Publik të Serbisë, të publikuara në mes të janarit, sugjerojnë atë që mund ta kemi hamendësuar: Covid pengoi monitorimin e mirëfilltë të rasteve të sifilizit. Për këtë arsye, tani kemi shkallën më të lartë të regjistruar të rasteve në 10 vitet e fundit.

Siç thuhet në raport, nga 238 raste të regjistruara në Serbi, numri më i madh (129) është regjistruar në Beograd, prej të cilëve 124 janë burra, “me supozimin se pjesa e rasteve të regjistruara në mesin e burrave, që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra (MSM), është i njëjtë me atë në vitin 2019 dhe 2020”.

Ndonëse raporti nuk shkon përtej këtyre supozimeve dhe megjithëse nuk mund të supozoj se ndokush do ta lexonte raportin, përveç për ta kontrolluar ndonjë date — e cila duhet të krahasohet me raporte të tjera përkatëse nga institutet dhe organizatat evropiane — do t’ia lejoj vetes ta shkruaj pjesën tjetër të këtij artikulli si një varg supozimesh.

Poezi, ndëshkim dhe klikime

Por para kësaj, le t’i shqyrtojmë disa fakte që shkojnë përtej supozimeve. Siflizi është infeksion seksualisht i transmetueshëm (IST), që shkaktohet nga bakteri Treponema pallidum. Para zhvillimit të penicilinës dhe përdorimit të gjerë të saj, sifilizi ishte sëmundje e pashërueshme.

Çka e bën sifilizin kaq të dëmshëm është fakti se mund të mos vihet re. Për këtë shkak, infeksioni bakterial mund të jetë i pranishëm për një kohë të gjatë para se të diagnostikohet dhe trajtohet.

Bakteri transmetohet me kontakt të drejtpërdrejtë me mukozën ose lëngjet e infektuara nga lezionet e hapura ose të fshehura të lëkurës, si dhe lëngjet trupore të një personi të infektuar gjatë marrëdhënieve seksuale. Gjithashtu, është e mundur që bakteri të transmetohet nga nëna tek fëmija nëpërmjet placentës ose gjatë lindjes. Infektimi nëpërmjet transfuzionit të gjakut është i mundur nëse dhuruesi i gjakut është në fazën latente të sëmundjes.

Emri i sëmundjes u krijua nga poeti italian i shekullit XVI, Girolamo Fracastoro, në poezinë e tij, ku një bari i ri i quajtur Sifiliz u ndëshkua me një sëmundje, që iu dërgua nga vetë perëndia Apollon. Gjatë gjithë historisë së sëmundjes, ajo është perceptuar si ndëshkim për shkeljet (seksuale).

Në anën tjetër, sëmundja është romantizuar edhe sot e kësaj dite, sepse mediet theksojnë faktin se shumë artistë vuanin nga sifilizi (edhe çka?).

Që nga publikimi i të dhënave për rritjen e individëve të infektuar në Serbi, mediet kanë rrëshqitur në modelin e njohur të prodhimit të titujve që marrin klikime.

Që nga publikimi i të dhënave për rritjen e numrit të të infektuarve në Serbi, mediet kanë rrëshqitur në modelin e njohur të prodhimit të titujve që marrin klikime — epidemiologët të tronditur nga rishfaqja e një sëmundjeje të pa zhdukur, shoqëria serbe po cilësohet si e infektuar me sifiliz e kështu me radhë.

Fajin për këtë problem ua lënë prirjeve morale të individëve. I inkurajuar nga aplikacionet online për takime midis njerëzve dhe dëshira për kënaqësi të menjëhershme, individi nuk arrin të mendojë për shëndetin e komunitetit, nuk lufton për ta çliruar atdheun, etj. Edhe pse mund ta diskutojmë rolin e përgjegjësisë morale të individëve — mbi të gjitha, ndaj shëndetit të dikujt — i gjithë problemi i rishfaqjes së sifilizit nuk qëndron aty.

Pjesërisht haptazi

Me daljen e këtij raporti dhe artikujve medial që erdhën pas tij, më lejoni ta jap një përmbledhje se si shkojnë gjërat në të vërtetë. Le ta zëmë se shtatë ditë pas lajmit për rritjen e infeksioneve me sifiliz, të vjen një mesazh nga një ish-partner/e që thotë: “Kam sifiliz, testohu”.

Për ta pasqyruar skenën, le të supozojmë se je, njësoj si autori i këtij teksti, një homoseksual i moshës së mesme, i cili ka dalur haptazi vetëm pjesërisht për seksualitetin e vet, me pagë mesatare për një punë me orar të plotë dhe disa punë me orar të pjesshëm, në të cilat performanca e tij është mediokër. Le të supozojmë gjithashtu se shqetësimi yt për shëndetin manifestohet në kontrolla sporadike te mjeku, ku kontrollimet mbi shëndetin riprodhues bëhen vetëm më vonë, pas ndërgjegjësimit tënd dhe më pas frika, se infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) do të zhvillohen dhe do të krijojnë kaos në jetën tënde edhe ashtu kaotike.

Nuk i viziton organizatat lokale, që punojnë për të parandaluar IST, sepse dikush mund të të njohë — madje e bind veten se do të gjykojnë.

Pas tronditjes fillestare dhe mosbesimit, rrethi vicioz i keqardhjes për veten, abstinencës post-koitale (“s’ka shans të bëj seks më”), pastaj besimi i zbehur se asgjë nuk të ka ndodhur, e ndjekur nga një kolaps mendor që të bën t’i mendosh vetëm skenarët e rasteve më të këqija, në ditët e para, turbullira jote mendore krijon një boshllëk.

Pas disa ditësh, fillon kërkimet në Google “sifilizi dhe trajtimi i tij”. Google shpërthen me informacione eksplicite dhe fotografi edhe më eksplicite, të cilat rri e i shikon për orë të tëra. Fillon ta kontrollosh trupin tënd sepse sapo e mësove se një skuqje e lëkurës mund të jetë një nga shenjat e sifilizit.

S’kalon shumë kohë dhe e dallon një pikë të kuqe poshtë kërthizës tënde. Nuk të dhemb kur e prek, por sigurisht është e madhe dhe e kuqe. Ndonëse e ke parë shumë herë më parë dhe ndoshta është vetëm një qime e rritur brenda ose puçërr — me siguri asgjë e rrezikshme —  truri yt bën gjithçka që të të bind se është një lezion sifilitik, gjurmë e dukshme e gabimeve tua.

 

Drama queen

Krejt papritur, të vjen ndërmend se s’mund të dhurosh më gjak, ndonëse s’ke dhuruar ndonjëherë. Mendon t’i tregosh gjithçka një shoku a shoqeje që s’do të të gjykojë apo s’do tallet me ty — sepse kush ka sifiliz këto ditë, seriozisht e ke? Në fund, vendos të heshtësh, sepse pse ta fillosh një dramë dhe të shpjegosh se çka po bëje me ish-in tënd dhe pse s’keni përdorur mbrojtje?

As që të shkon në mendje ta vizitosh qendrën shëndetësore ose departamentin e sëmundjeve infektive sepse motrat të punojnë aty dhe nuk dëshiron që ato të mësojnë nga të dhënat tua digjitale të shëndetit diçka që mund ta zbulojë historinë tënde seksuale (t’i tregosh familjes tënde se je gej është një gjë, por është krejtësisht diçka tjetër nëse të duhet ta pranosh një sëmundje që vjen nga praktikat tua seksuale).

Nuk i viziton organizatat lokale, që punojnë për të parandaluar IST, sepse dikush mund të të njohë — madje e bind veten se do të gjykojnë. E zgjedh një laborator afër banesës tënde, i cili, siç fatmirësisht e vëren, ka zbritje në testimin për IST. Është i njëjti vend ku u testua ish-i yt, i cili nuk e kupton dot se përse nuk po testohesh, sepse laboratori është jashtëzakonisht diskret.

Për momentin, e largon mendjen nga ajo se çka mund të ndodhë nëse ke sifiliz. E cakton një takim dhe futesh që ta marrë gjakun tekniku mjekësor goxha i lezetshëm (për shkak se je i/e mërzitur, e hap rrjetin social/aplikacionin “Grindr” për të parë nëse dikush është afër; kupton që aty nuk është se ka ndonjë teknik të lezetshëm). Ai t’i bën disa pyetje. Ti i tregon se partneri të ka thënë se ka sifiliz dhe se duhet ta bësh një test. E pret një vështrim plot paragjykim dhe kurreshtje, por kjo nuk ndodh.

Tekniku ta merr gjakun shpejt, të thotë se rezultatet do t’i pranosh me postë elektronike në dy-tri ditët e ardhshme dhe largohesh nga vendi, në dukje duke u ndier i lehtësuar sepse të paktën ke nisur procesin dhe je kontrolluar. Ende nuk dëshiron ta mendosh se çka do të ndodhë nëse ke sifiliz, por këto mendime të tmerrshme nxiten edhe më fort nga të dhënat që i ke parë në internet. Mendon për shokë e shoqe që janë mjekë/e, që me siguri mund të të japin penicilinë nëse rezulton pozitiv — askush nuk ka nevojë ta dijë sekretin tënd.

Çlirimi euforik

Më në fund i pranon rezultatet pas pesë ditësh pritjeje, të ndërthurura me shpërthime fetare (të lutem Zot, jo kësaj here), duke kaluar kohë në “Grindr” për shkak të mërzisë depresive (Për çfarë je i interesuar? — jo diçka specifike, thjesht duke lexuar kot) dhe dy emailet adresa të shkruara gabimisht sepse e ke një mbiemër qesharak, të cilin askush nuk ka arritur ta shqiptojë apo ta shkruajë siç duhet.

Treponema pallidum nuk është i pranishëm në trupin tuaj dhe, të paktën tash për tash, je i sigurt.

Gjithçka është në rregull tani, por çka do të bësh kur të plakesh dhe s’do të kesh askënd për t’i folur apo për t’iu ankuar?

Me një shpërthim euforie dhe me lumturinë që je gjallë — ndonëse njerëzit nuk vdesin nga sifilizi këto ditë, të paktën jo kaq lehtë — mendon se e ke shpëtuar veten dhe se ky është shansi yt për të filluar nga e para. Del për një shëtitje, e trajton veten, blen një akullore të madhe, kujt ia ndien, por pastaj si mendim i mëvonshëm, frika e padëshiruar të kaplon.

Sepse, gjatë tërë kësaj përvoje ishe vetëm. Gjithçka është në rregull tani, por çka do të bësh kur të plakesh dhe s’do të kesh askënd për t’i folur apo për t’iu ankuar?

E kupton se sa shumë po të shkatërron homofobia jote e brendshme, se mund të jetë një sëmundje nga e cila nuk do të shërohesh kurrë dhe se nuk ka të dhëna apo institucione përkatëse në shoqërinë tonë rreth saj. Mendon se çka ndodh me ata 124 burra, që supozohet se bëjnë seks me burra të tjerë, nëse edhe ata e kalojnë krejt këtë të vetmuar dhe sa prej tyre përballen me sifilizin dhe homofobinë e brendshme.

Mund të imagjinosh një përmbledhje të tërë tregimesh, që do të përshkruanin sifilizin nga këndvështrimi i klasës dhe gjinisë, por qëllimi i përmbledhjes së tregimeve sigurisht që do të ishte se është sëmundje me të cilën pakkush merret ose punon për ta trajtuar — ndonëse ka  shkatërruar kaq shumë jetë.

Disa gjëra janë të (pa)shërueshme

Imagjinoni sa shumë njerëz gej kanë vdekur nga homofobia, sa jetë janë ndërtuar në gënjeshtra dhe konformitet të përjetshëm, që ua pamundësoi njerëzve të ngriteshin në këmbë. Imagjinoni sa martesa janë shkatërruar. Imagjinoni sa prej tyre duhej të përballeshin me këtë dhe sëmundje të tjera vetëm sepse diku thellë brenda, besuan se nuk meritonin më mirë, se për shkak të asaj që janë, duhet të fshehin gjithçka për veten e tyre, veçanërisht statusin e shëndetit të tyre.

Sëmundja që ka rrënuar pothuajse të gjitha shoqëritë në Ballkan prej vitesh është, në fakt, homofobia.

Dhe kur të kuptoni për tërë ata njerëz të palumtur, gjithë ato jetë të humbura, ku sëmundjet (përfshirë ato seksuale) janë vetëm një pjesë e ekzistencës së tyre, do ta kuptoni se sifilizi nuk ka shpërthyer në Serbi dhe vende të tjera, as nuk është një epidemi që na kërcënon. Sëmundja që ka rrënuar pothuajse të gjitha shoqëritë në Ballkan prej vitesh është, në fakt, homofobia. Dhe për momentin nuk ka asnjë mënyrë për ta larguar në mënyrë efikase këtë sëmundje, qoftë me parandalim apo duke zbuluar një kurë unike për urrejtjen ndaj tjetrit.

Në një institut të ri, i cili do të merrej vetëm me hulumtimin e homofobisë, në vend të supozimeve të gabuara, shkencëtarët mund të punojnë për ta zhvilluar një kurë që cak i ka individët që e kanë të përbrendësuar homofobinë, të cilët ndihen të kërcënuar nga sjelljet urrejtëse ndaj vetvetes dhe nga sjelljet tjera (vetë)shkatërruese.

Bashkë me këtë, nëse në një shoqëri imagjinare, fëmijët do të ndjekin një lloj edukimi seksual në shkolla që nga puberteti, ndoshta do ta shmangnim rishfaqjen e sifilizit në vitin 2023, si një lloj sëmundjeje e harruar, ashtu siç do të mund të shpresonim se homofobia do të ishte një sëmundje tashmë e harruar.

Në atë rast, ky artikull s’do të ekzistonte, krejt këto supozime do të ishin të panevojshme. Megjithatë, kur institucionet, që duhet të kujdesen si për shëndetin e individit ashtu edhe për shëndetin e komunitetit, hyjnë në sferën e supozimeve, mund të supozosh se do të të duhet t’i marrësh vetë vendimet tua.

Ndoshta një ditë do të infektoheni me sifiliz, por më besoni, është homofobia ajo që do të na vrasë të gjithëve, herët ose vonë.

Imazhi i ballinës: Igor Čoko.