Vijojnë pretendimet ndaj Policisë së Kosovës për dhunë, diskriminim e mungesë profesionalizmi.
Migjeni* bashkë me vëllain dhe një shok, në pasditen e së shtunës së 14 nëntorit po ktheheshin në shtëpi pasi kishin ngrënë drekë jashtë. Pak metra larg qendrës së Fushë Kosovës, ata hasën në një veturë të policisë që strehonte dy policë. Njëri prej policëve ia bëri me shenjë për t’u afruar Migjenit — i cili ishte pa maskë — dhe i tha t’ia sillte letërnjoftimin.
“S’kam letërnjoftim, i kam 14 vjet”, thotë Migjeni se i ishte përgjigjur.
Polici i tha se do ta çonte në stacion të policisë për t’i verifikuar pretendimet e tij. I mituri ia ktheu se donte ta thërriste babain në telefon, ndërsa vazhdonte t’i tregonte se nuk është në moshë madhore. Ai pretendon se polici e kapi për krahu dhe duke e shtyrë e futi në veturë për ta nisur drejt stacionit policor. Përgjatë vozitjes me veturë të policisë nëpër Fushë Kosovë, i mituri u kërkoi edhe njëherë policëve ta lejonin ta përdorte telefonin për ta njoftuar babain se e kishin marrë policia.
“Gjatë rrugës [për në stacion, polici i njëjtë] e ka fy e i ka bërtitë, veç pse djali i ka thanë ‘A ban ta thirri babin?'”, janë akuzat e Refik Hysenit, babait të të miturit, kundrejt policit me numër 2085 të Stacionit të Policisë në Fushë Kosovë.
Djali tjetër i Hysenit, 16-vjeçar, ishte dëshmitar atë ditë kur pak minuta pas orës 16 Migjenin e shoqëruan për në polici. Ai e thirri në telefon babain, i cili ishte në shtëpi në fshatin Miradi e Epërme, dhe e njoftoi se çka kishte ndodhur.
“Veç i kom hypë kerrit edhe jam nisë; kish pasë kolonë te rrethi n’Fushë Kosovë, p’e dini ma”, kujton ai rrugëtimin për në stacion.
Me t’u futur në stacionin policor i kërkoi informata recepsionistit. “Vallahi e kanë pru dikon, po s’e di kon”, pretendon se ishte përgjigja që mori. Në pak minuta, ai kujton se në holl u shfaq polici që i shoqëroi djalin. “Ma ke marrë djalin i nderuar, qe 40 minuta s’më ke lajmëru, është 14 vjeç”, thotë t’i ketë thënë policit, emrin e të cilit e ka bërë publik tashmë.
“Kur i thashë që është 14-vjeçar po get i rroplloi, edhe m’u kap që s’kisha maskë, edhe nisi me m’bërtitë”, vazhdon ai, që thotë se vazhdimisht e përsëriste se do ta paguante gjobën për mosmbajtje të maskës, por se donte të dinte ç’kishte ndodhur me djalin e tij.
Pas këtij shkëmbimi, ai thotë se telefonoi Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK), dhe i njoftoi për sjelljet e policit ndaj djalit të tij të mitur. Përgjigja që mori në telefon ishte se në ato momente inspektorët e kishin të pamundur të shkonin në stacionin policor në Fushë Kosovë pasi nuk kishin kapacitete “për shkak të pandemisë”, dhe tregon se i thanë të shkonte në selinë e IPK-së për të dhënë deklaratë të hënën, më 16 nëntor.
"Vallahi babë m'kanë rrehë", i ishte drejtuar 14-vjeçari të atit.
Ndërkaq sa ishte në stacion thotë se e futën në një dhomë me arsyetimin se po e kundërshtonte policinë, edhe pse ai pretendon se veç kërkoi të dinte ku është djali i tij dhe se po të shikohen incizimet e kamerave në hollin e stacionit mund të vërtetohen pretendimet e tij. K2.0 ka kërkuar nga stacioni policor përkatës t’i mundësohet qasja në incizimet e kamerës rreth asaj kohe, por nuk ka marrë përgjigje.
Hyseni doli nga dhoma e policisë me gjobë për mosmbajtje të maskës dhe jo për kundërshtim të personit zyrtar. Ai insistoi të merrte me vete edhe djalin e tij, i cili po mbahej në një dhomë tjetër, por polici që e kishte shoqëruar atë në stacion e njoftoi se kjo gjë s’ishte e mundur pa paraqitur certifikatën e tij të lindjes. Kështu, ai u kthye në shtëpi dhe e mori dokumentin që vërtetonte moshën e Migjenit dhe statusin e vet prindëror.
“Nuk hina mrena ma [në stacion]”, tregon ai, duke thënë se nuk donte ta takonte më policin dhe kur e shpuri dokumentin, ia dorëzoi një polici tjetër para stacionit.
Pas pak minutash Migjeni doli nga stacioni i policisë. Babë e bir u nisën me veturë për në shtëpi, dhe Hyseni thotë se gjatë rrugës tentoi edhe njëherë të telefononte IPK-në, por pa sukses. K2.0 ka kontaktuar IPK-në për t’i verifikuar këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje.
“Vallahi babë m’kanë rrehë”, i ishte drejtuar 14-vjeçari të atit me ta ndalur ai thirrjen e dështuar. “Meniherë e ktheva kerrin kah ambulanta”, thotë Hyseni.
Nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në Fushë Kosovë mjekët e liruan të miturin pas kontrollës: “‘Mirë është’, më thanë, a pulsi 145, djali 14 vjeç pa vrapu pa sen”, e kujton ai vizitën mjekësore. Për personat deri në moshën 15-vjeçare, pulsi normal i zemrës është nga 70 deri në 100 rrahje për minutë.
Kur u kthyen në shtëpi, ai thotë se Migjeni “vjelli e dridhej” prandaj me bashkëshorten vendosën ta dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Shkuan në Emergjencë, e nga aty i drejtuan te Klinika e Pediatrisë. Në pediatri e pranuan djalin si pacient pasi pediatrët konstatuan se e kishte të lartë tensionin e gjakut dhe Hyseni e la aty në kujdesin e mjekëve.
Refik Hyseni ka denoncuar dhunën policore ndaj djalit të tij të mitur përmes një postimi në Facebook. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Të nesërmen, më 15 nëntor, inspektorët e policisë e vizituan të miturin në spital. Sipas fjalëve të babait, ata i thanë që sapo të lirohej nga spitali të shkonte për të dhënë deklaratë. Migjeni u lëshua nga spitali të hënën në mesd itë dhe shkoi për ta dhënë deklaratën në Inspektorat, ku foli me inspektorët policorë për më se një orë në prani të babait të tij.
Deri më tash, të vetmet informata që ka lëshuar IPK-ja për këtë rast janë se “hetuesit e IPK-së kanë filluar një hetim preliminar. Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”. Në atë njoftim është përmendur edhe telefonata, më 14 nëntor, e Hysenit drejt IKP-së.
Akuzat për dhunë “brenda katër mureve” të stacioneve të Policisë së Kosovës (PK) janë të moçme, bile janë përcjellë me regjistrime audio e video.
‘M’ka mëshu shuplakë edhe jom rrëzu’
Mbrëmjen e 24 prillit 2018, në parkun para Fakultetit të Arteve në Prishtinë disa shokë e shoqe po bëheshin gati ta tymosnin një joint, kur dy persona me rroba civile dhe me çanta të vogla nën krah iu afruan para se ata të mund ta ndiznin cigaren me marihuanë. Dy civilët nxorën distinktivët dhe i njoftuan të rinjtë se janë policë.
“Ma gjetën barin”, thotë Agani*, njëri prej atyre të rinjve, për të vazhduar se “pak ma shumë se 1 gram [marihuanë ishin]”; kjo sipas matjeve që policët ia kishin thënë në stacion.
“Besoj se m’kanë përcjellë kur e kom ble, se direkt te unë kanë ardhë”, kujton ai kontaktin e parë me ta. Shokët e shoqet e tij u ndanë paq me dy policët pasi kur u kontrolluan nuk iu gjet asgjë ilegale. Dy policët e prangosën Aganin dhe në këmbë e çuan te stacioni policor në Mëhallën e Muhaxherëve, gati 1 kilometër nga kampusi i Universitetit të Prishtinës ku e kapën.
Ai pretendon se e morën vrullshëm edhe pse s’rezistoi. “M’kujtohet se m’shtinën me kalu rrugën [te Ministria e Arsimit, në dalje të kampusit] me semaforin në të kuqe”, ndërsa po e mbanin për krahu, pretendon ai.
Posa e ulën në një prej zyrave të stacionit të policisë ku e priste një polic tjetër, pyetja e parë që pranoi ishte: “Prej kujt e ke ble?”, të cilës ai thotë se iu përgjigj me: “Veç me dalë në park në ato orë ndokush të afrohet dhe të ofron”.
Përgjatë intervistës në stacion ai kujton se i ndejtën përmbi krye së paku tre policë të tjerë. Duke u ndier nën trysni, i riu 20-vjeçar në atë kohë, pa u parë nga policët arriti të regjistrojë në telefon bisedën brenda stacionit.
Që në minutat e para të incizimit dëgjohet se njëri nga policët ushtron dhunë ndaj Aganit.
Rreth një muaj më parë është shpërndarë nëpër mediat kosovare një audio shtatë-minutëshe e intervistës së Aganit me policët e stacionit te Muhaxherët, ndërsa K2.0 ka siguruar edhe pjesën tjetër të regjistrimit mbi një-orësh të asaj nate. Aty dëgjohet marrja në pyetje, dhuna e njërit prej policëve ndaj Aganit, trysnia verbale nga të tjerët, si dhe tërheqja e tyre pasi Agani këmbënguli se i njeh të drejtat e tij brenda një stacioni policor në Kosovë — qoftë edhe pasi është zënë duke e shkelur ligjin.
Një fragment disa-minutësh i marrjes në pyetje që Agani e ka ndarë me K2.0.
Që në minutat e para të incizimit dëgjohet se njëri nga policët ushtron dhunë ndaj Aganit. “Ai polici që edhe m’ka arrestu — qel u kanë — m’ka mëshu shuplakë edhe jom rrëzu prej karrigës”, kujton Agani.
Në fillim të marrjes në pyetje ai u kërkon policëve ujë, si dhe kërkon avokat. Njëri prej policëve dëgjohet duke i refuzuar kërkesat e tij. “A ki pare për avokat”, “nuk vjen për qëkaq pak [gram marihuanë]”, “pa pare s’vjen”, janë disa nga llafet e policit.
Agani dëgjohet teksa insiston se për çkado qoftë ai ka të drejtë për avokat, duke ua përmendur atyre se edhe më parë kishte qenë në një stacion policor, diku në Dukagjin, pasi ishte dëshmitar i një rrahjeje masive ku ishte i përfshirë edhe shoku i tij, dhe thotë se policia e kishte shoqëruar dhe i kishte siguruar avokat, si dhe babai i tij ishte lejuar t’i rrinte pranë.
I riu që në 2018 u mor në pyetje nga policia thotë se i di të drejtat e tij brenda një stacioni policor. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Përveç akuzave për përdorim të dhunës, ka pasur akuza nga qytetarët për policë të Kosovës që janë treguar të ashpër me fjalë dhe kanë përdorur gjuhë raciste.
‘A thu që ka ende diskriminim?’
Dy policë po rrinin në hyrjen jugore të sheshit qendror të Ferizajt. Atë mbrëmje të 4 nëntorit, pak pas orës 19 andejpari po i binte edhe Kadri Keraku që po kthehej me bicikletë në shtëpi. Vendi ku ai punon ndodhet gati 10 kilometra nga fshati i tij Dubravë, dhe ai e bën vazhdimisht të njëjtën rrugë me bicikletë. Atë natë, dy policët e ndalën për mbajtje të maskës nën hundë.
“Hunën çelë e kom pasë, s’muj me rrejt”, thotë Keraku. Policët ia kërkuan letërnjoftimin dhe pasi e identifikuan, e gjobitën me 35 euro.
Ai s’ishte i bindur se meritonte dënimin: “Disa kalimtarëve tjerë që kalojshin pranë aty vetëm vërejtje iu jepshin, ‘Vendosne maskën mirë’”, insiston ai. Nëntorin që shkoi, në Kosovë brenda një jave janë shqiptuar gjithsej 1,100 gjoba dhe janë dhënë mbi 270 vërejtje sipas PK-së.
“Me vërejtjet e saj policia ka ndikuar në shkallën e vetëdijesimit, ndërgjegjësimin dhe ngritjen e nivelit të respektimit të masave […], pa anashkaluar edhe sanksionimin në përputhje me dispozitat ligjore për të gjithë ata që nuk kanë respektuar masat e nxjerra, përkundër vërejtjeve policore”, thuhet në buletinin informativ të PK-së.
Pasi u gjobit, Keraku u largua disa hapa prej dy policëve dhe nxori telefonin për të fotografuar veten, si dëshmi se si po e mbante maskën, e po ashtu si po e mbanin njerëzit përreth tij. Ai thotë se njëri prej policëve u afrua dhe ia mori telefonin, por jo para se ta sulmonte verbalisht me të shara dhe gjuhë raciste. “Mos me m’ardhë keq ta kisha qi maxhupin e nanës, t’kisha shkelmu”, kujton fjalët që ia kishte thënë polici.
Ai është pjesëtar i komunitetit ashkali dhe e lidh ndalimin e dënimin me përkatësinë e tij etnike. “Masi m’panë të zi kështu, pak me ngjyrë në ftyrë, besoj se për qato ma banën atë”, është akuza e tij ndaj dy policëve.
Aq sa e kishin rënduar fjalët e policit, aq edhe ishte çuditur pasi më parë nuk ishte ndier ndonjëherë i diskriminuar "në shkollë, në punë, e në qytet" për shkak të prejardhjes së tij etnike.
Me t’u kthyer në shtëpi atë natë, nisi ta shkruante një reagim në Facebook. “A thu që ka ende diskriminim e racizëm në Kosovë?”, pyeste ndër të tjera. Reagimi i tij u shpërnda shpejt e në numër të madh në rrjet. Qindra komentues i shprehnin mbështetje dhe i bënin thirrje ta paraqiste rastin në polici për procedura të mëtejme.
“Njani prej Austrisë m’shkrujti e m’tha: ‘Ami [të dhënat e nevojshme], t’i çoj paret me pagu dënimin'”, tregon Keraku.
Përderisa shumë e mbështesnin, disa të afërm e shokë i sugjeronin ta fshinte postimin e të mos merrte asnjë veprim nga frika se mund t’i hakmerreshin. Keraku thekson se aq sa e kishte rënduar sjellja e policëve, aq edhe ishte çuditur pasi më parë nuk ishte ndier ndonjëherë i diskriminuar “në shkollë, në punë, e në qytet” për shkak të prejardhjes së tij etnike.
Mes këtij pështjellimi ai vendosi që njëherë ta paguante gjobën e pastaj të shihte e të bënte. Më vonë, sipas tij, një i afërm polic i tha se dy policët “i kishin ra pishman”. Ama çfarë e stepi në fund për të mos ndërmarrë ndonjë veprim tjetër ishin zhvillimet e asaj dite me Gjykatën Speciale.
“E kishin pas marrë Hashim Thaçin, [Rexhep] Selimin e këta; mos me thanë që edhe unë po çoj pluhën e s’po ia du t’mirën Kosovës, e lashë krejt”, thotë Keraku, i cili thotë se ishte ndier mirë nga përkrahja që mori prej shumicës së njerëzve që reaguan në postimin e tij.
Qytetarët kërkojnë që hetimet të vazhdojnë
Policia e Kosovës është denoncuar për shkelje të detyrimeve edhe në të kaluarën — bile edhe nga institucione të tjera shtetërore si Avokati i Popullit.
Një rast që ka bërë bujë, pas angazhimit të qytetarëve aktivistë dhe shoqërisë civile, është ai i Kujtim Veselit, 11-vjeçarit nga Fushë Kosova. Ky fëmijë ashkali përveçse përballej me kushte të rënda ekonomike dhe detyrohej të bënte punë fizike, edhe po dhunohej seksualisht. Ai i kallëzoi nënës së tij, Makfire Ilazi-Veselit, për abuzimet që po i ndodhnin.
Më 29 janar 2019, ajo e denoncoi në polici 20-vjeçarin Sefedin Osmani për dy apo tri raste të dhunës seksuale, psikologjike dhe fizike ndaj djalit të saj të mitur. Policia e Kosovës i ka konfirmuar pretendimet e Makfires se denoncimi u bë në atë datë. Edhe Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë ishte prononcuar se gjatë shkurtit e marsit të vitit 2019, 11-vjeçari u kishte rrëfyer atyre për dhunën seksuale që po e përjetonte.
Ama vetëm në prill 2019 policia ngriti kallëzim penal ndaj të dyshuarit, i cili gjatë një intervistimi e pranoi fajin para policëve të stacionit në Fushë Kosovë. Për gati tre muaj pas kësaj Osmani u la i lirë, ani pse kishte një grumbull dokumentesh në polici e prokurori për krime — ai kishte edhe 26 kallëzime penale të tjera dhe 15 padi kundër tij, përfshirë një për vrasje.
Të enjten e 11 korrikut 2019, 11-vjeçari Veseli u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në Fushë Kosovë. Obduksioni kallëzonte se i mituri ishte dhunuar seksualisht e pastaj ishte vrarë nga goditje me mjete të forta në kokë. Për familjen e të miturit, obduksioni nuk ishte i nevojshëm. Që të nesërmen e vrasjes, nëna e tij para mediave ngriti gishtin kah Osmani.
Për këtë rast pati reagime nga qytetarët.
Aktivistë për të drejtat e njeriut në Kosovë denoncuan neglizhencën policore në rastin e Kujtim Veselit përmes mjeteve të ndryshme, ndër to protestat. Foto: Pamje xhirimi nga arkivi i K2.0.
U organizuan protesta në Fushë Kosovë e Prishtinë, ku përpos që akuzoheshin organet e drejtësisë që nuk arritën ta siguronin jetën e viktimës, kërkohej edhe hetim ndaj stacionit policor në Fushë Kosovë. Hetimi ndaj stacionit policor kërkohej për shkak të dyshimit se arsyeja pse nuk u ndërmorën masa për mbi dy muaj e gjysmë kishte të bënte edhe me përkatësinë etnike të viktimës. Protestuesit kërkonin përgjegjësi nga shteti dhe ndëshkim për këdo që e kishte neglizhuar rastin.
Avokati i Popullit përmes një raporti rreth vdekjes të së miturit konstatonte se “në rastin konkret ka pasur shkelje të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut, përkatësisht shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për mbrojtjen e së drejtës për jetë”.
Në këtë raport, Avokati i Popullit thoshte se shteti dështoi të mbrojë fëmijët “nga dhuna dhe nga keqtrajtimi”, dhe se “autoritetet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, e as standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e jetës së viktimës, të zbatueshme në Republikën e Kosovës”.
“Trupat hetues kanë dështuar që të jenë efektivë në arrestimin dhe dënimin e të dyshuarit, në vlerësimin e rastit, si dhe në vendosjen e masave ligjore për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurat penale”, thuhet po ashtu në raport. Edhe Avokati i Popullit iu bashkëngjit thirrjeve të aktivistëve protestues për hetim të trupit hetues në Fushë Kosovë që ishin të lidhur me rastin.
E gjitha që ka ndodhur deri më tash është dënimi i Sefedin Osmanit, më 20 tetor 2020, me 25 vite burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Përfaqësuesit ligjorë të familjes së të miturit të vrarë, përpos që kërkojnë rritje të dënimit të vrasësit, vazhdojnë të insistojnë që të hetohen edhe më tej policët dhe prokurori i rastit të Kujtim Veselit.
E përgjatë masave kundër përhapjes së pandemisë policia i kishte duart plot.
Javën e kaluar Shaban Beqiri nga Mitrovica publikoi fotografi me kokën e çarë. Në disa media u raportua se në mëngjesin e hershëm të 11 dhjetorit, 19-vjeçari po qëndronte me tre shokë afër stadiumit të vjetër të Mitrovicës gjatë orës policore. Ata kishin ndezur zjarr për t’u ngrohur, kur dy policë patrullues iu afruan dhe u dhanë urdhër ta fiknin zjarrin dhe të largoheshin.
Të rinjtë iu bindën urdhërave, por u kthyen sërish pas disa minutash. Edhe policët u kthyen dhe njëri prej tyre e goditi të riun duke ia çarë kokën. I riu mori ndihmë mjekësore në spital, ndërsa polici i dyshuar u suspendua derisa të “kryhen hetimet”.
Megjithëse shumë qytetarë kanë treguar besim te Policia e Kosovës, ka raste kur pjesëtarë të policisë e kanë shkelur besimin e tyre, duke ua shkelur të drejtat elementare.
Përderisa Keraku u fye në baza racore dhe u gjobit për vendosje nën-hundë të maskës, një qytetar tjetër u rrah nga dy policë në qendër të Prishtinës nën arsyetimin se u rezistoi urdhërave të policëve, po ashtu për mosvendosje të duhur të maskës — video xhirimi i këtij rasti është përhapur gjerësisht në media dhe rrjete sociale, ku kërkohej hetim ndaj policëve të përfshirë.
Këto nuk janë rastet e vetme në të cilat Policia e Kosovës dështoi ta kryejë punën e saj. Policë të Kosovës vazhdojnë të akuzohen për dhunë nëpër stacione, protesta, e ambiente tjera, si dhe për reagime selektive.
Megjithëse shumë qytetarë kanë treguar besim te Policia e Kosovës, ka raste kur pjesëtarë të policisë e kanë shkelur besimin e tyre, duke ua shkelur të drejtat elementare. A mund të ketë edhe raste që nuk janë paraqitur asnjëherë?
Sidoqoftë, “Kur i shoh [policët] tash e ndërroj rrugën”, thotë Agani për K2.0, duke vazhduar të insistojë se për muaj nuk ishte ndier mirë psikologjikisht pas rastit që i kishte ndodhur brenda stacionit policor, ngjarje e cila e përcjell edhe sot.
E Hyseni thotë se është munduar t’i edukojë fëmijët e tij që “sa herë keni naj problem, [shkoni] drejt e te policia”. “Tash del ky zotnia [polici që i shoqëroi djalin] dhe ma qet [këshillën] poshtë krejt”.
“Ma mirë s’po thom si kush m’u dukën policët, se po m’vjen keq”, është vërejtja e fundit e Kerakut.
*Shënim i redaksisë: Një të mituri dhe një personi tjetër u janë ndryshuar emrat për të mbrojtur identitetin e tyre.