Të premtën, me 25 nëntor, stacioni hekurudhor i Prishtinës mbajti një takim publik për të diskutuar atë se si të mbrohet më së miri trashëgimia kulturore e Kosovës që është e ndërtuar përbrenda këti mjedisi. Kjo ngjarje ishte pjesë e fushatës #KtheKrytë, që u lansua në tetor nga Cultural Heritage ëithout Borders (CHëB – Trashëgimi Kulturore pa Kufij), OJQ e pavarur që i përkushtohet ruajtjes dhe shpëtimit të trashëgimisë kulturore.
“Ne synojmë që t’i ruajmë ndërtesat e shpërfillura”, tha Sali Shoshi, kreu i CHëB në Kosovë. “Nëpërmjet kësaj fushate, po synojmë që të rrisim nivelin e ndërgjegjësimit për disa prej këtyre ndërtesave, dhe të restaurojmë funksionalitetin e tyre për t’iu përshtatur jetës dhe kushteve të sotme”.
Diskutimi i së premtës u fokusua në infrastrukturën hekurudhore në Kosovë; u tha se kjo infrastrukturë ishte shpërfillur nga institucionet dhe organizatat relevante, përfshirë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Infrakos, një kompani publike përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës së hekurudhave në Kosovë.
Kaltrina Thaçi bashkëpunëtore profesionale e CHëB. Ajo u tha atyre që u mblodhën në takim se stacionet hekurudhore në Kosovë kanë rëndësi të madhe, dhe përfaqësojnë trashëgiminë industriale të Kosovës. “Ka më shumë se 30 stacione të trenit në Kosovë”, tha ajo. “Ato paraqesin një kujtesë të çmuar kolektive, dhe si arkitekturë kanë shumë vlera”.
Stacionet hekurudhore në Kosovë u përfunduan të gjitha në 1936, dhe u projektuan nga një kompani franceze (ndërtimi i linjave hekurudhore nisi edhe më herët, rreth vitit 1879). Arkitektura e tyre u konsiderua nga panelistët si unike për Evropën Lindore; pjesët e jashtme, dhe ndonjëherë edhe ato të brendshme, shpeshherë u ndërtuan me gurë të bukur të cilët burim e kishin vet Kosovën.
“Shumë pak stacione hekurudhore në Kosovë funksionojnë sot për qëllimin e tyre origjinal”, theksoi Thaçi. “Por disa prej tyre u adaptuan dhe shërbejnë me funksionalitete tjera”. Thaçi theksoi shembullin e Bahnhof, klubit të natës që gjindet në stacionin hekurudhor të Prishtinës, ku edhe po mbahej ky diskutim. Ajo zbuloi se stacionet tjera janë adaptuar si restorane ose vendbanime, por se tjerat janë në gjendje shumë të keqe. “Disa për shkak të keqmbajtjes, e tjera për shkak të motit e arsyeve tjera”, tha ajo.
Thaçi tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e vendosi linjën hekurudhore Drenas-Pejë (bashkë me stacionet shoqëruese dhe nëntë ndërtesa tjera) nën listën e trashëgimisë kulturore, por deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë veprim për ta përmirësuar gjendjen e tyre aktuale.
Valdrin Kasumaj, përfaqësues nga Infrakos, tha se degradimi hekurudhës dhe stacioneve nisi në 1995 për shkak të mungeës së investimeve dhe mbrojtjes. Ky keqësim i gjendjes arriti kulmin me shkatërrimin masiv gjatë luftës.
“Kapacitetet tona financiare janë shumë të kufizuara”, tha Kasumaj, duke shpjeguar se me mbështetjen financiare që merr Infrakos nga qeveria është e pamundur të bëhet diçka më shumë se mirëmbajtja e linjave të trenit. Ai tha se Infrakos e ka kuptuar se kudo që nuk kalon rregullisht treni, ato linja dhe strukturat shoqëruese humben për shkak të vjedhjes dhe elementeve.
Ksaumaj tha se ekziston një nevojë e dalluar për ta ruajtur këtë trashëgimi kulturore, por meqë Infrakos nuk i ka mjetet për ta bërë këtë, ai i bëri apel institucioneve, të rinjve dhe organizatave, që ta mbështesin mbrojtjen e këtyre monumenteve.
“Veçanërisht dhemb ndërhyrja e qytetarëve”, tha Kasumaj “Dëmet që ata i kanë shkaktuar [linjave hekurudhore dhe stacionëve] për interesa e përfitime personale janë shumë të mëdha, dhe shpeshherë më shumë i kanë dëmtuar financiarisht hekurudhat se sa që kanë përfituar për vete”.
Në debat u përfshinë edhe prezantime për ndërtesa dhe monumente tjera të trashëgimisë kulturore. Shpresa Shala, drejtoreshë e Departamentit për Kulturë në komunën e Vushtrrisë, foli për kështjellën në Vushtrri, një lokacion arkeologjik që së fundmi është rinovuar. Ajo tha se ajo që ndodhi me këtë kështjellë ishte sukses i madh; i ka pranuar 4,000 vizitorë vetëm sivjet, dhe ka qenë nikoqire e rreth 600 aktiviteteve.
Një shembull tjetër u dha nga Albert Heta, drejtori artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor. Ndërtesa që i përkiste Klubit të Boksit në Prishtinë ishte pranë shembjes, para se ta merrte pronësinë e saj Stacioni. Heta tha që edhe pse ndërtesa nuk ishte e listuar institucionalisht si element i trashëgimisë kulturore, ai besonte që duhet të jetë, meqë klubi i boksit më parë ishte vendi ku ushtronin boksierë që u bënë kampionë të Jugosllavisë, e edhe Evropës.
Orgesa Arifi është nismëtare e fushatës #KtheKrytë, dhe punon në CHëB si tregimtare. Ajo i tha dy tregime të transformimeve të suksesshme të infrastrukturës hekurudhore; Promenade plantee në Paris dhe The High Line Park në Qytetin e Nju Jorkutl dy parqe të ngritura u ndërtuan në lokacionet e linjave të vjetra hekurudhore. Ndërtimet i The High Line Park filluan me nismë të qytetarëve, që ishin të shqetësuar për gjithë ato linja të prishura hekurudhore në mes të një zone të frekuentuar.
Dy miq, Joshua David dhe Robert Hamond, formuan një organizatë private si grup i vogël i komunitetit, me qëllim të ruajtjes dhe transformimit të kësaj strukture historike, që planifikohej të shkatërrohej nga komuna. Duke nxitur mbështetje publike për kauzën e tyre ata arritën që ta ruajnë strukturën dhe ta adaptojnë në një park të ngritur.
Arifi shpjegoi për audiencën se shembulli i David dhe Hammond ndihmoi që ta gjallëronte fushatën #KtheKrytë. “Nuk është se vetëm neve në Kosovë nuk na dërgjojnë institucionet”, tha ajo. “Në shumicën e vendeve në botë, institucionet përkatëse nuk e kanë vëmendjen te qytetarët”. Ajo shtoi se kjo fushatë është me shpresë që t’i motivojë dhe nxis qytetarët e Kosovës për të bërë diçka vet.
“Shpesh kemi parë se kur protestojnë njerëzit, ka rezultate”, tha Arifi, duke shpjeguar se si parku High Line ishte bërë tani atraksion për turistë, vend ku njerëzit shkojnë thjeshtë për të ngrënë drekë, ku artistët mbledhën e punojnë; ky vend tani është i dekoruar me murale dhe frekuentohet prej muzikantëve që performojnë vepra karakteristike. Megjithatë, është gjithashtu park i rëndësishëm për banorët e Qytetit të Nju Jorkut që jetojnë në atë zonë.
Për Arifin, linja në mes të Drenasit dhe Pejës mund të shërbejë si një High Line tjetër, por jo në kuptimin e plotë të fjalës, meqë nuk është e ngritur. Ajo nguli këmbë duke thënë se strukturat dhe ndërtesat e tilla duhet të t’i adaptohen nevojave të popullsisë, dhe se shembujt e rifunksionalizimit janë çdokund përreth nesh; shembulli më i afërt është qyteti i vjetër i Beogradit.
Debati më pas u përcoll me komente dhe pyetje nga audienca. Një anëtar i kolektivit Termokiss ishte i pranishëm dhe argumentoi nga përvoja personale se, ndonëse rritja e nivelit të ndërgjegjësimit të qytetarëve është veprim i mirë, nuk është i mjaftueshëm për t’i nxitur ata që të veprojnë.
Tjerët sugjeruan që të krijojnë një grup të madh të OJQ-ve dhe organizatave të pavarura për të ndihmuar me arritjen e synimeve të përbashkëta, si ndryshimin e ligjit që lejon dhënien e pronave publike vetëm për biznese private dhe ofertën më të madhe.
Debatit i erdhi fundi me një përfundim të përbashkët: që duhet të intensifikohet presioni mbi institucione, sa i përket ruajtjes dhe mirëmbajtjes së trashëgimisë kulturore që është e pranishme në mjedisin e ndërtuar në Kosovë. Hapi që duhet të bëhet menjëherë është rritja e ndërgjegjësimit për stacionet hekurudhore në Kosovë, dhe gjetja e zgjidhjes sa më parë.K
Fotografitë: Anyla Berisha.