Në thelb | Kulturë

Kujt i përket qyteti?

Nga - 28.09.2020

Qyteti i Prishtinës është zgjeruar, por në çfarë drejtimi?

Prishtina është qytet ku brutalizmi jugosllav ndeshet me trashëgiminë osmane dhe kiçin kapitalist. Është një grumbull improvizimesh, mospërshtatjesh dhe përpjekjesh të atypëratyshme arkitekturore. Përgjatë viteve të fundit, turistët nga e tërë bota po vënë re skenën e çakërdisur të ndërtesave dhe rrugëve ndërsa flasin për ndërrimin e rrymave ideologjike nga kolonizimi i dikurshëm drejt neoliberalizmit. Sado që mund të lartësohet një qytet i pashoq sikur Prishtina, ka shumë hapësirë për përmirësime për qytetarët që mund ta ndreqin cilësinë e jetës në afat të gjatë.

Jo vetëm turistët, por edhe ekspertët e fushës së planifikimit urbanistik dhe arkitekturës janë kureshtarë për kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë. Me ekzistencën e potencialit për të pasur ndikim transformues, Prishtina është rast interesant për ata që kanë lexuar, kanë zhvilluar dhe kanë gdhendur metodologjitë dhe veglat për ta kapur marrëdhënien mes qytetarëve dhe hapësirave, thotë Bekim Ramku, drejtor i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, bashkëthemelues i Fondacionit Kosovar të Arkitekturës (KAF), drejtor themelues i Degës Kombëtare të DoCoMoMo në Kosovë dhe bashkëthemelues i Future Architecture Platform.

Me udhëheqjen e tij, edicioni i tetë i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë ka nisur punën online nga 15 shtatori dhe do të zgjasë deri më 15 tetor.

Ligjërues dhe ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë janë ftuar ta ndajnë diturinë e tyre dhe të angazhohen në transformimin e peizazhit urban të Kosovës. Ramku përshkruan Prishtinën si një përzierje të “pjesës aziatike të Stambollit dhe një qyteti të bllokut Lindor”. Si arkitekt, ai mahnitet nga peizazhi urban eklektik dhe i larmishëm i Prishtinës. Megjithatë, ai ndihet i frustruar me shumë gjëra që i kanë ndodhur qytetit në vitet e 90-ta dhe pas luftës kur dizajni urban ka pasur potencial të madh, por është penguar nga politika.

Sivjet është përvjetori i tetë i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë dhe festivali ende mëton të sjellë ndryshim në Prishtinë dhe në Kosovë.

Tema e sivjetme e festivalit, “Publikësia”, lidhet me thelbin e zhvillimeve të përvojës së drejtpërdrejtë të prishtinalinjve, atyre që kanë përjetuar ndërrimin ideologjik nga socializmi, okupimi dhe demokracia neoliberale akoma e paarritur.

Duke e mbështjellë dhe çmbështjellë konceptin e Publikësisë, festivali është i përkushtuar t’i ballafaqojë kufijtë gjithnjë e më të pakthjellët dhe të paqartë mes publikes dhe privates.

Duke u nisur nga ideja se arkitektura duhet t’i shërbejë së mirës publike, Publikësia prek thelbim e zhvillimeve të tanishme duke shqyrtuar në mënyrë kritike se kush ka kapacitetin t’i qasë hapësirat dhe t’i përdorë për dobinë e tyre.

Të frymëzuar nga lufta e nismave vendore me zyrtarët qeveritarë dhe agjencitë e privatizimit gjatë viteve të fundit, Ramku dhe ekipi i tij rrokin rastet e kontestuara të ndërtesave socialiste në zemër të qytetit.

“Nga çështjet e shumta që do të mund t’i shndërronim në tema të përgjithshme, ne vendosëm të përqendroheshim në ‘Publikësinë’ me frymëzim nga ‘Arkipelagu i Qytetit’ që përbëhet nga ndërtesat socialiste në zemër të qendrës së qytetit, gjegjësisht Hoteli Grand, Boro Ramizi, Armata, Rilindja dhe Gërmia, të cilat i trajtojmë si ‘ishull’ publik historik dhe i diskutojmë brenda kornizës së keq- dhe ripërvetësimit të tyre nga nismat publike dhe kulturore që janë ndërmarrë”, thotë Ramku, i cili përmend një studim mbi këtë çështje për Bienalen Arkitekturore të Venedikut që është shtyrë për vitin tjetër.

“Duke marrë parasysh se në një kohë këto hapësira janë ndërtuar për t’i shërbyer publikut, më e keqja e mundshme ndodhi pas luftës, pra privatizimi i egër i këtyre hapësirave që çoi në keqpërdorim rrënjësor të tyre duke i shndërruar në ndërmarrje private që u shërbejnë përfituesve individualë”, thotë Ramku, për të cilin përpjekja e vazhdueshme e nismave lokale kulturore është “zhvillim pozitiv për këo  hapësira që ballafaqohen me keqpërdorim”.

Sivjet janë 36 ligjërues prej anekënd botës që vijnë nga disiplina të ndryshme, prej atyre teknike sikur inxhinieria deri te arti dhe antropologjia.

Për shkak të masave kundër COVID-19, i gjithë festivali mbahet online. Ky edicion përfshin 36 ligjërues, tetë nga të cilët janë pjesë e seksionit Future Architecture 2020 Selected Creatives. Përgjatë katër javësh, nga një ligjëratë do të transmetohet në orën 18:30 deri në 19:30 nga e marta deri të premten. Programi mund të ndiqet online dhe mund të ripërcillet kurdo në faqen e Festivalit të Arkitekturës në Kosovë në Facebook.

Më 25 shtator, arkitekti italian Alessio Rosati shqyrtoi rimendimin e konceptit të hapësirës publike si transformim radikal jo përmes blerjes së saj por me shfrytëzimin e saj për takime, shkëmbime dhe demokraci.

Arkitekti, studiuesi dhe redaktori Dr. Boštjan Bugarič dha një ligjëratë më 24 shtator për qytetin historik të Koperit, i cili përbëhet nga peizazhe të larmishme historike që i janë nënshtruar komercializimit dhe mbrohet nga një lëvizje shoqërore që prodhon materiale për hapësirën publike si shesh i përbashkët takimesh.

Zanafilla

Ramku vendosi ta themelonte festivalin për shkak të një hendeku të dijes mes Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua për Inxhinieri Arkitekturore në nivelin baçelor, dhe Asociacionit Arkitekturor në Londër, ku kreu masterin për Strehim dhe Urbanizëm.

I merakosur për vendlindjen e tij Prishtinën, Ramku ishte i etur ta zbatonte dijen e tij dhe idetë e bazuara në praktikë në domenin publik në Kosovë, por entuziazmi iu shua kur u përball me mosbesimin dhe injorancën e zyrtarëve qeveritarë dhe delegacioneve të nivelit ministror, sipas tij.

Lufta e hapësirave publike dhe private është luftë mes popullit dhe atyre në pushtet.

Festivali filloi në vitin 2012 dhe qindra të ftuar nga Prishtina por edhe nga pjesët e tjera të rajonit sikur Shkupi erdhën dhe e mirëpritën përpjekjen e Ramkut. Për shkak të kërkesës së lartë numri i ligjëruesve u rrit çdo vit, ndërsa sivjet janë 36 ligjërues prej anekënd botës që vijnë nga disiplina të ndryshme, prej atyre teknike sikur inxhinieria deri te arti dhe antropologjia.

Mbështetja për të Përbashkëtat

Sidoqoftë, festivali është më shumë se një varg ligjëratash. Ai po ashtu ka për qëllim të jetë hapësirë aktivizmi dhe t’i theksojë çështjet e moshuara të studimeve arkitekturore të Kosovës. Në vend se të përdoret arti vetëm për frymëzim dhe shprehje, festivali e përdor atë si vegël aktivizmi dhe nënvizon përpëlitjet e vazhdueshme në Kosovë, sidomos në Prishtinë.

Lufta e hapësirave publike dhe private është luftë mes popullit dhe atyre në pushtet. Marrëdhënia mes qytetarëve, qytetit dhe hapësirës publike ka përjetuar shumë shndërrime dhe sfida në Kosovë pas luftës; prona publike ose është shndërruar në mall, ose është lënë në harresë, e braktisur dhe e rrënuar.

Sipas Ramkut, zhvillimet pozitive veçohen vetëm nga qëndresa ngulmuese e inicuar nga organizatat e shoqërisë civile kundër privatizimit të këtyre ndërtesave. Kolektivat dhe qytetarët organizohen për t’i dhënë fund apatisë dhe mosveprimit, duke luftuar për hapësira të përhershme ku aktivitetet socio-kulturore ripërtërijnë shoqërinë. Megjithëkëtë, veprimi i suksesshëm duhet të shihet si përpjekje e vazhdueshme prej rastit në rast, meqë hapësirat publike janë të cenueshme nga ndryshimet politike.

Një rast studimi: OJQ Hapësira

Kur flitet për publikësinë, pashmangshmërisht vihet në një pikë ku duhet të reflektohet për çështjen se kush është publiku në Kosovë. Popullsia më e re në Evropë ballafaqohet me papunësi të thellë dhe liri të mangët të lëvizjes, por OJQ Hapësira i përgjigjet këtij publiku duke dhënë shpresë përmes ofrimit të hapësirave dhe ngjarjeve alternative me interes të përbashkët. Parimet e qasshmërisë dhe solidaritetit me ata që janë më pak të privilegjuar qëndrojnë në thelb të ngjarjeve të tyre, meqenëse çmimi i hyrjes është i ulët dhe të ardhurat kryesisht shkojnë për familje në nevojë përmes OJQ-së “Social Responsibility Fund”.

Hapësira ka luftuar për më shumë se katër vjet për përdorimin e Deposë së Rilindjes, ish-magazinës së shtëpisë botuese ikonë të shqiptarëve, dhe përmes “goditjes së skenës së teknos” me ndejat e muzikës elektronike ajo është lëvduar nga kosovarët dhe të huajt. Nga larg duket si luftë mes industrisë së argëtimit të klubeve dhe shtetit për një hapësirë industriale. 

“Hapësira” në gjuhën shqipe ka dy kuptime: lirinë dhe shtrirjen, gjë që përshtatet me përpjekjen për ta ringjallur shpirtin e rilindjes brenda mureve ku dikur lëshoi rrënjë dhe lulëzoi.

OJQ-ja përmbledh qëllimin e saj me një frazë të vetme “Ndonëse shumica e ngjarjeve që kanë dalë në skenë gjatë viteve të fundit në Kosovë mësyjnë ta rrisin maksimalisht fitimin, ngjarjet e organizuara nga Hapësira mësyjnë ta rrisin maksimalisht kapitalin njerëzor”.

“Një popullatë që nuk njeh historinë e vet nuk mund të krijojë vizione të së ardhmes për veten.”

Arbnor Dragaj, bashkëthemelues i organizatës Hapësira

Kapitali njerëzor është fjala kyçe për bashkëthemeluesin Arbnor Dragaj, i cili e përshkruan Hapësirën si ekip individësh nga një mori disiplinash, e përbashkëta e të cilëve është se arti, kultura, muzika dhe edukimi mund të sjellë ndryshime pozitive brenda shoqërisë bashkëkohore kosovare, një ndryshim drejt vlerave të përbashkëta kulturore që burojnë nga bashkëpunimi, biseda dhe kolektivizmi përmes praktikave kulturore.

Hapësira krijon hapësirë për një stil alternativ të jetesës që nxjerr të rinjtë nga kufijtë hapësinorë dhe socio-ekonomikë. Krahas netëve argëtuese, Dragaj dhe ekipi i tij po ashtu ofrojnë punëtori dhe edukim muzikor në hapësirën e Rilindjes, por për shkak se janë ndaluar ta marrin atë me qira me orar të plotë, ata nuk kanë mundur ta zhvillojnë programin plotësisht. “Them se kemi mundësinë t’i zbatojmë vetëm 20-30 % të ideve tona, kurse vazhdon të jetë vështirë ta marrim hapësirën madje për një ditë të plotë”.

Beteja e Hapësirës me qeverinë për ta mbajtur Depon e Rilindjes si hapësirë të tyren vazhdon. Sipas Dragajt, ajo mbetet nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i cili duhet të kërkojë leje çdo herë për t’i zhvilluar ngjarjet në këtë hapësirë. AKP-ja nuk ka dhënë koment për këtë artikull.

Apatia dhe luftërat ideologjike 

“Narrativat për Veten krijohen brenda hapësirave të trashëgimisë kulturore… por trashëgimia jonë është e groposur, andaj duhet të kërkojmë vizione prej së përtejmes”, thotë Dragaj. Për të, ruajtja e ndërtesës së Rilindjes në trajtën origjinale dhe mbajtja e shpirtit të rilindjes brenda mureve të njëjta është hap drejt vetëkonsolidimit dhe shërimit shoqëror që akoma pritet të ringjallet përmes punës dhe ndryshimit të rrënojave mbi të cilat qëndron shlyerja e historisë, prej arkitekturës te arkeologjia.

“Një popullatë që nuk njeh historinë e vet nuk mund të krijojë vizione të së ardhmes për veten”, thotë Dragaj.

Sipas Ramkut, Hapësira nuk është marrë seriozisht: “Prishtina u takon qytetarëve, por kur flasim për hapësirat e spikatura në qendrën e qytetit që mund të përdoren për të mirën shoqërore, ato hapësira ruhen për elitat e korruptuara”.

Komodifikimi i ish-ndërtesave publike socialiste ka ndezur polemika përgjatë viteve.

Historianja e artit Vesa Sahatçiu thotë: “Nëse humbet pothuajse krejtësisht Prishtina e vjetër, është tepër e rëndësishme ta ruajmë Prishtinën e re dhe jo të mundohemi ta ndryshojmë deri në pikën ku bëhet e padallueshme”. Ndërkaq Ramku konsideron diskutimet për zhvillimin urban si të lidhur me një ideologji që mendon vetëm brenda traditës Perëndimore.

Sahatçiu po ashtu thotë se një nga mënyat si elitat kanë rrëmbyer qytetin është duke ia kapur ndërtesat dhe hapësirat. 

“Gjithnjë e më tepër kam përshtypjen se antagonizmi kundrejt arkitekturës moderniste nga këto elita nuk është as ideologjik, as estetik, por më fort çështje e ndërmarrësisë; pra sa një zonë e caktuar apo ndërtesë është financiarisht e vlefshme dhe sa fitimprurëse mund të jetë”, thotë ajo.

Sot, shumë aktivistë kanë humbur vullnetin për të luftuar kundër këtyre interesave. Meqë vullneti institucional është fuqimisht kundër tyre, akti i përpjekjes për t’i shpëtuar këto struktura moderniste bëhet akt i dëshpëruar romantik që nuk shpie askund.

Punëtorizimi i Prishtinës

Sado dramatike dhe të rënda të jenë zhvillimet në Prishtinë, hapësira publike në qytete ka kaluar në private anembanë botës. Metropolet sikur Londra, Parisi ose Nju-Jorku kanë zvogëluar qasjen në hapësira publike deri në pikën ku edhe parqet dhe sheshet e hapura janë në duart e privatëve dhe nuk mund të shfrytëzohen nga publiku. Shumë nga ligjëruesit e ftuar për të marrë pjesë në festival kanë përvojë nga hulumtimi në terren por gjithashtu kanë punuar në kontekste të ngjashme.

I ftuari më i spikatur në festivalin e sivetëm është dizajneri urbanistik dhe drejtori i ekzekutiv i Komisionit për Dizajn Publik të qytetit të Nju-Jorkut Justin Garrett Moore. Qasja e tij për planifikimin dhe dizajnin urbanistik lidhet ngushtë me nismat artistike dhe planifikimet që kanë për bazë komunitetin dhe përçojnë potencialin për të qenë vërtet transformativ në të komunikuarit se si sfera publike mund ta përmirësojë cilësinë e jetesës kur ushqen qasshmërinë, larminë dhe gjithpërfshirjen përmes artit dhe kulturës.

Ndërkaq, ligjëruesi Raza Ali Dada është partner menaxhues në Nayyar Ali Dada & Associates, një firmë e njohur pakistaneze dhe laureate e shumë shpërblimeve, përfshirë Çmimin Aga Khan për Arkitekturë dhe Medaljen e Artë Arcasia.

Në ligjëratën e tij, ai diskuton për strategjinë e invazionit të përkundërt për t’i formësuar dhe identifikuar rrjetet që përbëjnë qeverinë, aktivistët dhe ekspertët që do të bashkohen për të krijuar ose për të marrë përsipër hapësira për publikun. Kjo forcohet më tej në kuptimin filozofik duke shtuar programimin intelektual në fushën e artit për të nxitur angazhimin e publikut në një hapësirë që është e tyre për ta shfrytëzuar.

Ndonëse teoritë dhe metodologjitë sigurisht janë vegla për ta qasur botën, ky festival dallohet duke ftuar ligjërues që kanë diçka për të ofruar, ose diçka që është në kontekst të ngjashëm me Kosovën, ose duke hulumtuar veçori lokale për të cilat bëhet fjalë. “Në secilin edicion kemi ftuar arkitektë të njohur e të vlerësuar botërisht të cilët thjesht të frymëzojnë me ligjëratat e tyre për shkak të shpikjeve dhe analizave të tyre. Por ne po ashtu kujdesemi të ftojmë njerëz, përvoja e të cilëve rezonon me ndonjë aspekt të trashëgimisë kosovare dhe situatës së tanshme”, thotë Ramku.

Një thirrje e hapur e përvitshme rezulton në 600 aplikime për të marrë pjesë si hulumtues aktivë në punëtoritë e festivalit, prej të cilëve zgjidhen vetëm 10 grupe çdo vit. Pyetja e aplikimit bazohet në një problem të kontekstualizuar që KAF e përkufizon duke i shtyrë pjesëmarrësit t’i përdorin metodologjitë dhe ekspertizën e tyre për hartëzimin e statuskuosë dhe për ofrimin e zgjidhjeve praktike.

Një nga punëtoritë e sivjetme mbahet nga kolektivi “Urban Architettura” dhe përshtatet me klimën ideologjike që tashmë ekziston brenda urbanizmit që është i ngarkuar nga politika. Ata shkojnë më thellë në këto hapësira që janë të dizajnuara ta rregullojnë publikun përmes komodifikimit, kufizimit dhe zbutjes. I lënë në “një gjendje të kalbjes së kontrolluar”, përshkruan varrat e një shteti të dështuar të mirëqenies dhe lokalizon këto lëshime në mishërimin e tij gjeografik.

Nismat kulturore që avokojnë për të drejtën e publikut të shfrytëzojë hapësira për qëllime kolektive janë pjesë e një lëvizjeje shoqërore që shkon nga poshtë lart dhe është shumë e nevojshme.

Nga 3 deri më 13 tetor, grupi do të thellohet në këtë subjet për ta bërë një kontribut pozitiv përmes burimeve për t’i ripërtërirë mënyrat e bashkëjetesës. Duke u angazhuar me Arkipelagun Publik të Prishtinës, një shqyrtim i afërt i Hotelit Grand dhe paradigmës së tij të publikësisë do të kryhet në bashkëpunim me tetë pjesëmarrës, të cilët nga shtëpitë e tyre do të punojnë së bashku për të gjetur mënyra të shprivatizimit të grumbullit të dhomave në Hotelin Grand.

Arkitektët e njohur lokalë, planifikuesit urbanë, kuratorët dhe ata që janë të angazhuar në sferën e kulturës janë po ashtu pjesë e secilit edicion. Këtë vit, Arkipelagu Publik i Prishtinës është diskutuar në një panel me Arbër Sadikin, i cili ka studiuar Pallatin e Rinisë dhe Sportit Boro Ramizi; arkitektja e re Donika Luzhinca, e cila përqendrohet në studimin e ndërtesës së Gërmisë si hapësirë potenciale për art dhe diskutim, arkitektja Eliza Hoxha për Hotelin Grand, Nol Binakaj për “trekëndëshin” brutalist dhe Kryetari Shpend Ahmeti për atë se si e paramendon qytetin e Prishtinës. Diskutimi i panelit mund të shikohet këtu.

Të bësh ndryshimin

Rezultatet e diskutimeve të festivalit kanë qenë shkas për disa ide lidhur me projekte të vogla ose të mëdha për ta ndryshuar statuskuonë e politikave të urbanizimit, por pavarësisht prej disa riorganizimeve të vogla dhe ndërhyrjeve të lehta dhe jo të shtrenjta, nuk ka ndodhur ndonjë realizim i madh.

Në edicionet e kaluara, 50% të punëtorive dhe ligjëratave janë marrë me hapësirën publike dhe përmirësimin e saj, thotë Ramku, i cili ka ftuar departamentin e Planifikimit Urbanistik të qytetit të Nju-Jorkut ta bëjë një hartëzim të qasshmërisë së rrugëve në Prishtinë për njerëz me nevoja të veçanta, gjë që shndërruan rrugën Garibaldi dhe Dëshmorët e Kombit në rrugë të qasshme. Megjithatë, pavarësisht nga disa implementime jo të kushtueshme si rezultat i festivalit, zyrtarët nuk janë treguar të hapur për të investuar në planifikim të qëndrueshëm.

Publikësia në Kosovë është përpjekje e vështirë, meqë grupet e vetme besnike për ndryshimin e mirëqenies janë OJQ-të, nismat kulturore dhe artistët për ta rimarrë qytetin dhe për ta formuar një shoqëri të bazuar në vlera komunitare. Publikësia po ashtu do të thotë ridemokratizimi i demokracisë në një krizë kolektive. Nismat kulturore që avokojnë për të drejtën e publikut që të shfrytëzojë hapësira për qëllime kolektive janë pjesë e një lëvizjeje shoqërore që shkon nga poshtë lart dhe është shumë e nevojshme.

Sado radikale që mund të tingëllojë për ata që janë në pushtet, ky nuk është akt radikal por akt në të mirë të qytetarisë aktive dhe pjesëmarrjes demokratike, qassmërisë në hapësirën publike, strehimit të përballueshëm, drejtësisë dhe qëndrueshmërisë. Por, me organizimin e festivalit më të madh arkitekturor në rajon dhe ftuarjen e studiuesve ndërkombëtarë, Ramku shpreson t’i nxjerrë këto çështje në pah dhe t’i frymëzojë arkitektët e rinj në Kosovë që të mos heqin dorë nga ëndrra dhe vëmendja për përmirësimin e jetës publike.

Edhe nëse rezultatet nuk tregojnë efekte të menjëhershme, avokimi për të drejtat, nxitja e debateve dhe shpërndarja e dijes hapin shteg për shërimin e marrëdhënies së lënduar mes qytetarëve dhe qytetit të Prishtinës. Siç thotë Dragaj, themeluesi i Hapësirës: “Jemi mësuar ta thërrasim qytetin tonë ‘Prishtinë’, që do të thotë “ti po prish” [nëse zbërthehet] fjalë për fjalë. Por duhet ta quajmë ‘Pristine’, që do të thotë e pakorruptuar, origjinale dhe e dëlirë.

Edhe pse shumë kanë tentuar ta ndryshojnë Prishtinën, kanë dështuar dhe kanë hequr dorë, disa sikur Hapësira dhe Festivali i Arkitekturës në Kosovë vazhdojnë të përpiqen.K

Imazhi i ballinës: Festivali i Arkitekturës në Kosovë.