-
Time:
6:00 pm
Place:
Kopshti i K2.0
Date:
23/08/2018
Kulturë: Pavarur apo pa pare?
-
Kronikë dhe fotografi nga ngjarja
-
K2.0 FLET PËR PAVARËSINË KULTURORE NË EDICIONIN E FUNDIT TË BISEDË E SHKURTËR
Nga Cristina Mari- 24.08.2018
Qytetarët dhe Ministria e Kulturës diskutojnë progresin e kulturës.
Kultura ishte në fokus të edicionit të fundit të Bisedë e Shkurtër që organizohet nga K2.0 që u mbajt të enjten më 23 gusht. Rreth 40 njerëz u mblodhën në oborrin e K2.0 për të biseduar për gjendjen e kulturës dhe pavarësinë e punëtorëve dhe organizatave të kulturës në Kosovën e sotme.
Nën titullin “Kultura: e Pavarur apo e Varfër?”, kjo Bisedë e Shkurtër përfshiu pjesëmarrjen e panelistëve të ftuar Burbuqe Deva-Bakija, një nga zëvendësministret e kulturës, rinisë dhe sportit; Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFest; Arif Muharemi, menaxher i programit Culture for Change, që menaxhohet nga Qendra Multimedia; dhe Albert Heta, bashkëthemelues i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor dhe drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK). Ares Shporta, drejtor i Fondacionit Lumbardhi, e moderoi këtë diskutim publik.
Pjesëmarrësit u pajtuan se ky duhet të jetë i pari nga shumë diskutime pikërisht për gjendjen e sektorit të kulturës, sektor të cilin Muharremi dhe Nurkollari e përshkruan si “të fragmentuar”.
Në fillim, Heta theksoi mungesën e integrimit të politikave nga Ministria e Kulturës që e marrin parasysh shëndetin e sektorit të pavarur kulturor dhe politizimin e institucioneve kulturore, përfshirë këtu vet Ministrinë. Si zë kritik në skenën e pavarur kulturore në Kosovë, Heta theksoi mungesën e kritereve publike dhe llogaridhënies në lidhje me prodhimet kulturore të Ministrisë nëpërmjet institucioneve qendrore publike të saj.
Nga hulumtimet e kryera në vitet e fundit nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Heta erdhi në përfundim se “institucionet publike, për shembull Galeria Kombëtare e Artit apo Teatri Kombëtar, dizajnojnë programe që më vonë aprovohen pa asnjë lloj vlerësimi – aprovohet nga Ministria pa kritere dhe e tëra që diskutohet, nëse edhe ajo ndodh, është buxheti – por kurrë nuk refuzohet ndonjë program [artistik]”.
“Nuk ka politikë që fokusohet në zhvillimin kulturor dhe që investon në një vizion, por thjeshtë garanton subvencione dhe bën përpjekje për ta blerë qetësinë [në sektor]”, tha Heta. Në lidhje me këtë, ai pretendoi se punëtorët e pavarur kulturor injorohen në zhvillimin e strategjive kulturore të cilat, për mendimin e tij, e marrin parasysh vetëm punën e institucioneve publike (dhe punëtorëve publik), “duke diskriminuar” sektorin e pavarur si tërësi.
Duke folur për çështjen e zhvillimit strategjik, Muharremi gjithashtu u pajtua se strategjitë duhet të vendosin mënyra më të mira të integrimit të punëtorëve kulturor, duke shkuar përtej disa intervistave me zëra aktiv në të ashtuquajturin procesin e konsultimit.
Megjithatë, Muharremi gjithashtu nguli këmbë se kemi nevojë për një dialog më të fortë ndërmjet punëtorëve kulturor. “Punëtorët e pavarur kulturor nuk kanë dialog, jo ndërmjet vete, jo me vendimmarrësit – është e fragmentuar”, tha ai.
Për mendimin e tij, ndikimi i donatorëve ndërkombëtar që kanë mbështetur nisma të pavarura kulturore gjatë viteve nuk e përjashton rëndësinë e institucioneve kulturore kombëtare sa i përket mbështetjes së nismave të pavarura. “Ministria ka përgjegjësi të madhe në lidhje me këtë”, tha ai.
Duke vazhduar në të njëjtën linjë si Heta dhe Muharremi, Veton Nurkollari nguli këmbë se Ministrisë i mungon një vizion i qartë. “Nuk ka strategji dhe nuk ka kritere”, tha ai. “Nuk dihet se si realisht mund të merren fondet [sa i përket kritereve të vlerësimit], dhe gjithçka e shkruar në këto kritere është e përgjithshme – nuk dimë çfarë kritere ka ministria, nuk dimë çfarë kritere ka Komuna e Prizrenit; ata i krijojnë këto komisione të vogla [për vlerësim të projekteve] dhe nuk i dimë kriteret e tyre të vlerësimit – qe 17 vjet nuk i kam ra në fije”.
Nurkollari paralajmëroi rreziqet që i sjell skena e fragmentuar duke e krahasuar me atë të Shqipërisë, ku ai tha se skena e pavarur është shumë më e vogël e edhe më e fragmentuar. “Nuk mund ta bëjmë të njëjtin gabim. Na duhet një strategji e re që na ndihmon ta kuptojmë se për çfarë ka nevojë ky shtet në kulturë dhe pastaj duhet të luftojmë për ta realizuar dhe për të qenë më të bashkuar”.
Zëvendësministrja e Kulturës, Burbuqe Deva Bakija, shpjegoi se sivjet ministria pret ta zhvillojë një projekt strategji për kulturën. “Aktualisht jemi në proces të zhvillimiit të projekt strategjisë për kulturë”, tha ajo. “Një dokument ekzistoi por ishte shumë i kritikuar… mendoj se në këtë mandat, sivjet, ne do të fillojmë me projekt strategjinë për kulturë dhe ajo do t’i përfshijë organizatat e shoqërisë civile dhe OJQ-të që punojnë drejtpërdrejtë me promovimin dhe krijimin e vlerave kulturore”.
Zëvendësministrja gjithashtu kishte kritika për mungesën e pjesëmarrjes së akterëve të pavarur në proceset e Ministrisë dhe në lidhje me kriteret dhe komitetet e vlerësimit që i vlerësojnë projektet e dorëzuara që kërkojnë fonde publike.
“Në rastin e komisioneve për vlerësim të projekteve kulturore, ne kemi bërë thirrje publike, për shembull, për dy anëtarë pjesëmarrës të një komisioni: Ne donim një anëtar të jetë nga një OJQ që punon në sektorin e kulturës dhe një anëtar nga shoqëria civile, një ekspert i këtyre lloj proceseve në sektorin e kulturës”, tha ajo.
“Më besoni, jemi ballafaquar me probleme sepse jemi detyruar ta përsëritim apo shtyejmë afatin e fundit – asnjë OJQ në sektorin kulturor nuk aplikoi dhe në disa raste ekspertët e pavarur nuk morrën pjesë në proces”.
Zëvendësministrja tha se shpreson që strategjia me koncept të ri për zhvillim kulturor do të ketë më shumë përfaqësues kulturor se në konsultimet e së kaluarës.
Në këtë frymë, moderatori i diskutimit, Shporta, inkurajoi zëvendësministren dhe pjesëmarrësit e tjerë ta përdorin këtë projekt strategji të re për kulturën si mundësi për ta zhvilluar një dialog të sinqertë dhe për ta themeluar një udhërrëfyes për kulturën që është pjesëmarrës dhe i reflekton nevojat, objektivat dhe agjendën e përbashkët të ekosistemit kulturor të Kosovës.
-
Rreth kësaj bisede
-
Bashkohuni në Bisedën e Shkurtër të enjten, më 23 gusht 2018 në kopshtin e K2.0.
Arti dhe kultura kanë qenë gjithmonë një mjet për shprehje sociale dhe për kritikë politike. Që nga fundi i luftës dhe pas pavarësisë, Kosova ka zhvilluar një nga skenat më të gjalla kulturore në rajon.
Megjithatë, skena e pavarur kulturore është larg nga të qenurit e përsosur. Në vitet e fundit institucionet lokale dhe ato kombëtare tradicionalisht nuk e kanë konsideruar kulturën dhe artin, në veçantit kulturën e pavarur – si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, që do të kontribuonin për një strukturë të shëndoshë shoqërore. Shumë nga organizatat kulturore aktualisht mbështeten nga fondet e huaja dhe në fakt do të ishte e vështirë të funksionojnë pa ndihmën e tyre. Megjithëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përkrah artin dhe kulturën, është ende e paqartë se çfarë kriteresh ka për financim pasiqë nuk ka një strategji për artin dhe kulturën.
Për më shumë se një dekadë, aktorët e pavarur kulturorë të Kosovës kanë qenë të suksesshëm në bartjen e mesazheve të fuqishme jashtë vendit si dhe kanë kontribuar në krijimin e një imazhi pozitiv të shtetit të ri. Por artistët kosovarë ende përballen me pengesa të shumta shoqërore dhe politike. Edhe pse arti njihet si një mjet për të rrënuar barrierat, kërkesat e rrepta të vizave po izolojnë artistët kosovarë, duke i mbajtur larg nga skena ndërkombëtare e artit dhe nuk po lejojnë përhapjen e artit të tyre dhe vendosjen e Kosovës në hartën kulturore ndërkombëtare.
Pra, çfarë mund të bëhet për të krijuar kushte më të mira për skenën e pavarur kulturore? Si i ndan Ministria fondet për organizatat kulturore? Çfarë implikimesh kanë fondet institucionale për organizimin e aktiviteteve kulturore “të pavarura”? Me cilat probleme të tjera strukturore ballafaqohet skena e pavarur kulturore në Kosovë? Si e shohin artistët rolin dhe të ardhmen e artit dhe kulturës në Kosovë? Deri në çfarë mase janë të lirë artistët të cilët mbështeten nga institucionet shtetërore të kritikojnë çështjet socio-politike?
Bashkohuni me ne në ora 18:00 të enjten, më 23 gusht në kopshtin e K2.0 ku do të diskutojmë të gjitha këto çështje dhe më shumë në bashkëbisedimin tonë të shkurtër.
Për të nisur diskutimin kemi ftuar:
– Burbuqe Deva-Bakija – Zëvendës Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport
– Arif Muharremi – Menaxher i Projektit të Kulturës për Ndryshim
– Veton Nurkollari – Drejtor Artistik i Dokufestit
– Albert Heta – Bashkëthemelues i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK)
Biseda do të moderohet nga Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi. K
Përkthimi në gjuhën angleze do të sigurohet.
-
Shikojeni këtë edicion tani
-
-
Rreth folësve/eve
-
Time:
6:00 pm
Place:
Kopshti i K2.0
Date:
23/08/2018