Blogbox | Ambienti

Kundër ‘strategjisë së normalizimit’ të ndotjes së ajrit

Ndotja e ajrit konsiderohet si problem serioz vetëm gjatë stinës së dimrit, ndërsa gjatë tre stinëve të tjera ajo mbyllet në sirtarët e harresës kolektive.

Pothuajse në dy-tre vitet e fundit ekziston një rutinë sa i përket ndotjes së ajrit në Prishtinë. Gjatë periudhës prill-shtator kemi një heshtje pothuajse komplete për ndotjen e ajrit në kryeqytet, duke përjashtuar disa debate televizive. Diku rreth mesit të tetorit situata fillon të ndryshojë: moti fillon të ftohet, konsumi i energjisë fillon të rritet. Termocentralet fillojnë të rrisin kapacitetin e tyre të prodhimit dhe rrjedhimisht ndotja gjithashtu fillon të rritet.

Nga mesi i tetorit deri në mes të marsit kemi një emergjencë të situatës: publikime të pambarimta të fotove të niveleve të larta të ndotjes në rrjete sociale; debate televizive me ekspertë të fushës, anëtarë të shoqërisë civile dhe zyrtarë institucional; protesta me maska në qytet dhe në fund, të gjithë pajtohen me rezolutën e rradhës të aprovuar në Parlamentin e Kosovës dhe një numër masash të marra nga Komuna e Prishtinës për një kohë të caktuar. Me ardhjen e pranverës gjërat përsëri ndryshojnë. Debati dhe aksioni për ndotjen e ajrit largohen nga diskursi publik. Ndotja nuk është më në mes nesh. Situata rikthehet në normale.

Është pikërisht ‘strategjia e normalizimit’ ajo që synon ta praktikojë në vazhdueshmëri Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Sa herë të ketë revoltë ndaj ndotjes së ajrit, ajo duhet të neutralizohet përmes normalizimit të saj. Ekzistojnë tri sekuenca esenciale të cilat tregojnë se rezistenca ndaj ndotjes së ajrit duhet të shndërrohet në rezistencë 24 orëshe dhe gjatë gjithë vitit kundër një Ministrie e cila si synim ka menaxhimin e krizës duke e normalizuar atë.

Sekuenca e parë: Marrëveshjet e harruara

Në shkurt të vitit 2017, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni nga BE kanë mbajtur në Prishtinë takimin e parë të nën-Komitetit për Transport, Ambient, Energji, Klimë dhe Zhvillim Regjional në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Të dyja palët, Qeveria e Kosovës dhe BE, kanë arritur marrëveshje në katër pika sa i përket ndotjes së ajrit. Në fakt, këto janë katër detyra elementare për Qeverinë e Kosovës, përkatësisht MMPH, për ta redektuar ndotjen e ajrit.

    1. Adoptimi i Planit të Veprimit për Ndotjen e Ajrit 2017-2019 mbi të cilën janë dakorduar dyja palët. Kjo detyrë, sipas marrëveshjes, është dashur që të kompletohej në tre-mujorin e tretë të vitit 2017, gjeëgjësisht deri në fund të muajit shtator 2017. Edhe pse një strategji e tillë gjendet në sirtarët virtual të MMPH-së, ajo mbetet një listë dëshirash që çdo qytetarë i Kosovës i aspiron.
    2. Instalimi i softuer-it qendror për monitorim të ndotjes së ajrit në kohë reale është detyra e dytë e cila si afat të implementimit kishte tre-mujorin e parë të vitit 2018. Edhe pse me dy muaj vonesë, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës AMMK në fund të majit të këtij viti njoftoi qytetarët që sistemi i monitorimit të ajrit në kohë reale është instaluar dhe publikuar online. Por, ekzistojnë një numër pikëpyetjesh në lidhje me këtë sistem: së pari, sistemi ende është në fazën e testimit, prandaj të dhënat nuk janë të sakta dhe të besuara; e dyta, faqja online ngjason më shumë me faqet e internetit të viteve ‘90-ta sesa me një sistem serioz modern; e treta, një sistem i tillë ende nuk përmbushë as standardet minimale për t’i njoftuar qytetarët në kohë reale për ajrin që ata e thithin; e katërta, nuk ka asnjë informacion mbi metodologjinë e monitorimit, tipologjinë e senzorëve, etj. Një punë e tillë tingëllon më shumë si një punë e kryer sa për të përmbushur një obligim në raportimet burokratike sesa punë e cila tenton që ta ndryshojë pozitivisht situatën në terren.
    3. Monitorimi i cilësisë të ajrit në kohë reale, në gjithë Kosovën për gjashtë muaj rresht dhe publikimi i të dhënave online si dhe dorëzimi i të dhënave tek Komisioni Evropian. Kjo ka qenë detyra e tretë të cilën MMPH është dashur ta kompletojë deri në tre-mujorin e tretë të vitit 2017. Të dhënat e tilla janë publikuar pjesërisht në faqen zyrtare të AMMK-së, por të dhënat e publikuara kanë dy probleme fundamentale: 1) ato nuk janë publikuar në kohë reale; 2) të dhënat e publikuara janë jo të besueshme duke marrë parasysh rekomandimet e Raportit të Progresit të BE-së prej vitit 2014 e deri më sot.
    4. Identifikimi i burimeve të ndotësve të ajrit dhe fillimi i menjëhershëm i implementimit të masave për reduktim të ndotjes. Kjo ka qenë detyra e katërt dhe e fundit për MMPH e cila është dashur të kompletohej deri në tre-mujorin e tretë të vitit 2017 (identifikimi i burimeve të ndotësve të ajrit), respektivisht tre-mujorin e katërt të vitit 2017 (fillimi i menjëhershëm i implementimit të masave për reduktim të ndotjes). Përsëri edhe në këtë detyrë, Lëvizja Shkenca për Ndryshim nuk ka mundur të gjejë ndonjë dokument apo publikim në faqet zyrtare të MMPH dhe AMMK-së.

Por tregimi i marrëveshjeve të pa-përmbushura nuk përfundon këtu. Në mars të vitit 2018, Qeveria e Kosovës dhe BE kanë mbajtur në Prishtinë takimin e dytë të nën-Komitetit për Transport, Ambient, Energji, Klimë dhe Zhvillim Regjional në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Ky takim, sipas gjitha gjasave, është dashur të shërbejë si një lloj evaluimi të punës së MMPH-së në lidhje me detyrat e përmbushura.

Sipas komunikatës për shtyp të BE-së, “në fushën e ambientit, Komisioni nga BE ka shprehur shqetësimin për progresin e kufizuar në këtë fushë duke ditur rëndësinë e saj për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Komisioni kërkon implementimin e masave të menjëhershme për reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit, ashtu siç është kërkuar nga Parlamenti i Kosovës në Shkurt të 2018-ës.”. Ky citim nga komunikata, jo vetëm se tregon më së miri për dinamikën e punës së MMPH-së dhe AMMK-së, por na sjell edhe tek sekuanca e dytë e cila meriton një analizë të shkurtër.

Sekuenca e dytë: Rezolutat e harruara

Gjatë dhjetorit 2017 dhe janarit 2018, Prishtina përjetoi një nga periudhat më të ndotura. Të dhënat e Ambasadës së SHBA-së dhe matjet e Lëvizjes Shkenca për Ndryshim tregonin nivele të jashtëzakonshme të ndotjes. Kjo dërgoi edhe në një mobilizim tek qytetarët që për herë të parë po protestonin në një numër kaq të madh për ndotjen e ajrit. Kështu, në shkurt të vitit 2018 Parlamenti i Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës miratuan rezoluta kundër ndotjes së ajrit.

Teksti i rezolutës së Parlamentit të Kosovës përfshinë 19 pika konçize të cilat mund të shërbejnë si një pikënisje e mirë për punën e MMPH-së. Megjithëse në këtë tekst nuk kemi hapësirë që t’i trajtojmë pikat një nga një, ekzistojnë disa pika të cilat janë shumë të matshme në rast të aplikimit të tyre.

Parlamenti i Kosovës do të duhej që të kërkonte përgjegjësi nga MMPH në lidhje me implementimin e pikave të rezolutës kundër ndotjes së ajrit.

Kështu për shembull kemi rastin me pikën numër 4: “Të bëhet kontrolli i cilësisë së karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi dhe të sigurohen kapacitetet e duhura deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 për të siguruar kontroll cilësor.”. Meqenëse jemi pothuajse në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, asnjë informacion nuk ekziston mbi këtë pikë.

Prandaj, Parlamenti i Kosovës do të duhej që të kërkonte përgjegjësi nga MMPH në lidhje me implementimin e pikave të rezolutës kundër ndotjes së ajrit.

Ekziston gjithashtu një tendencë, të cilën MMPH po e shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyeshme, që dokumente të tilla të rëndësishme të tingëllojnë bukur por të mbesin vetëm si tingull dhe jo si aksione konkrete të praktikueshme në terren. Jo më kot, menjëherë pasi rezoluta u miratua dhe Komuna e Prishtinës mori disa hapa për një periudhë të shkurtër, revolta u ndalua dhe situata u kthye në normale.

Janë pikërisht dokumentet e tilla sikurse rezoluta kundër ndotjes së ajrit, rekomandimet e Raportit të Progresit të BE-së, apo marrëveshjet në kuadër të MSA-së të cilat duhet të shfrytëzohen nga qytetarët për një revoltë të vazhdueshme e koherente, dhe në asnjë nga këto dokumente nuk duhet të shëndërrohen si vegla për normalizim të revoltës nga përgjegjësit kryesor.

Sekuenca e tretë: Gjetjet e Auditorit Gjeneral

Në Maj të vitit 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës, që është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, që me Kushtetutë dhe ligjet e vendit gëzon pavarësi funksionale, financiare dhe operative, publikon një raport mjaft interesant: Raport i Auditimit të Performancës “Mekanizmat Institucional për Rregullimin Ligjor, Monitorimin dhe Raportimin e Cilësisë së Ajrit”.

Ky raport, që çuditërisht nuk bëri jehonë të madhe në diskursin publik, ishte një lloj validimi i të gjitha rekomandimeve që Raporti i Progresit të BE-së i ka dhënë Qeverisë së Kosovës që nga viti 2014 në fushën e cilësisë së ajrit. Raporti analizon performancën e punës të tri institucioneve kyçe që merren me mjedisin dhe monitorimin e cilësisë së ajrit: MMPH, AMMK, dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Pa dashur që ta analizojmë detajisht raportin e Auditorit Gjeneral, ne dëshirojmë që t’i përmendim katër pika kryesore në lidhje me cilësinë e ajrit.

  1. Fushën e parë të cilën Zyra e Auditorit Gjeneral e ka analizuar ka qenë korniza ligjore e cilla rregullon me ligj një numër parakushtesh për cilësinë e ajrit. Konkluzioni kryesor i Auditorit në lidhje me kornizën ligjore thotë kështu: “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk i ka vendosur të gjitha parakushtet e nevojshme ligjore për rregullimin e gjendjes së cilësisë së ajrit në Kosovë si dhe nuk e ka azhurnuar të gjithë kornizën e nevojshme ligjore sipas gjendjes aktuale të cilësisë së ajrit në vend”.
  2. Fusha e dytë të ciën Auditori Gjeneral e ka ekzaminuar ka qenë monitorimi dhe raportimi i cilësisë së ajrit. Të gjeturat e Auditorit janë negative: “Vetëm 17% e stacioneve monitoruese kanë qenë funksionale gjatë pjesës më të madhe të vitit 2017 ndërkohë që 33% e stacioneve kanë qenë jashtë funksionit për më shumë se 7 muaj gjatë vitit. Për më shumë, këto stacione ishin dislokuar disa herë, raportimi i të dhënave ishte jo i rregullt dhe jo i plotë, mungon siguria dhe mbikëqyrje e vazhdueshme e stacioneve monitoruese, si dhe mungon sistemi qendror për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave që gjenerohen nga stacionet monitoruese”.
  3. E gjetura e tretë shqetësuese e Zyrës së Auditorit Gjeneral ka të bëjë me mos-funksionimin e stacioneve të monitorimit në zona që karakterizohen me ndotje të lartë të ajrit. “Ajo që është shqetësuese gjatë vitit 2017 është fakti se ka ende stacione të monitorimit të cilat janë të vendosura në zona që karakterizohen me ndotje të lartë të ajrit (siç janë Palaj në Obiliq, Hani i Elezit, Gjilani) të cilët kanë pasur mungesë të të dhënave për disa prej parametrave më shumë 6 muaj gjatë vitit. Stacioni i vendosur në Palaj të Obiliqit është i rëndësishëm për të pasur të dhëna të raportuara gjatë tërë vitit pasi që gjendet në një afërsi të madhe me ndotësin e ajrit Termocentralin B. Ndërkohë që si gjatë vitit 2016, ashtu edhe gjatë vitit 2017, ky stacion është karakterizuar me mangësi të mëdha në raportim të të dhënave.”.
  4. Dhe, pika e katërt të cilën raporti i Auditorit Gjeneral e përshkruan si tejet shqetësuese është mos-informimi i saktë, transparent dhe në kohë reale i qytetarëve në lidhje me cilësinë e ajrit. “Me këtë sistem të monitorimit dhe raportimit qytetarëve nuk u jepet një pasqyrë reale e gjendjes së cilësisë së ajrit në vend, e sidomos jo në kohë reale si dhe një sistem i tillë përbën rrezikun që të jetë jo funksional e pa të dhëna. Po ashtu, parregullsitë e tilla në sistemin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave e bëjnë shumë të vështirë për vendimmarrësit identifikimin e masave konkrete për tu ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.”.

Sigurisht që këto katër pika nuk paraqesin raportin e përgjithshëm të Zyrës së Auditorit Gjeneral, por ne i morrëm si pika kryesore të cilat ndikojnë direkt në gjendjen në të cilën është sot Prishtina, por edhe Republika e Kosovës sa i përket ndotjes së ajrit.

Për fund, ju rikujtojmë qeverisë së Kosovës, përkatësisht MMPH-së, se pika e parë e rezolutës së aprovuar në Kuvendin e Kosovës thotë: “Mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës”. Ndërsa, rezoluta mbyllet me pikën e nëntëmbëdhjetë, e cila thotë: “Në rast se qeveria e Kosovës nuk zbaton masat e propozuara, Kuvendi i Kosovës duhet të fillojë procedurat për ndryshimin e nenit 52 të kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që e drejta në ajër të pastër dhe në ujë të pastër të përfshihet si e drejtë e njeriut e garantuar me kushtetutë.”

Lëvizja Shkenca për Ndryshim do të monitorojë detajisht punën e MMPH-së në fushën e cilsësisë së ajrit dhe nëse në muajt në vijim nuk ka ndonjë hap konkret nga ana e MMPH-së në përmirësimin e gjendjes, Lëvizja Shkenca për Ndryshim është e detyruar që të avokojë tek Parlamenti i Kosovës. Përkatësisht tek Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, si dhe tek institucionet e tjera përgjegjëse, për inicimin e procedurave për ndryshimin e nenit 52 të kushtetutës së Kosovës në mënyrë që e drejta në ajër të pastër dhe në ujë të pastër të përfshihet si e drejtë e njeriut e garantuar me kushtetutë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO