Në një kthesë drejt përdorimit të burimeve të ripërtritëshme, qytetarët dhe bizneset në Kosovë po ecin drejt së ardhmes së qëndrueshme energjetike. Megjithatë, procedurat e gjata burokratike po e vështirësojnë këtë tranzicion.
Kosova vazhdon që bazën e energjisë elektrike të prodhuar në vend ta ketë thëngjillin, burim energjetik, të cilin dalëngadalë shumë vende në botë po zotohen ta eleminojnë në luftën botërore kundër krizës klimatike. Teksa 90% e energjisë së prodhuar në Kosovë vjen nga thëngjilli, vetëm 7.9% gjenerohet nga burimet e ripërtritëshme si era dhe dielli.
Tranzicioni energjetik nga thëngjilli në burime të ripërtritshme vazhdon me ritëm të ngadatë për shkak të procedurave të gjata burokratike. Kjo e vështirëson edhe përmbushjen e synimit të Qeverisë së Kosovës, me Ministrinë e Ekonomisë si ministri e linjës, që deri në vitin 2031, konsumi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtritshme të energjisë të jetë 35%.
Numri i licensave të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE), tregon për trendin në rritje të konsmatorëve që duan të prodhojnë për vete energji të ripërtritshme. Ndonëse sot shembujt janë të shumtë, përdorimi i burimeve të ripërtërishme në Kosovë nuk ka histori të gjatë.
Pioner i kësaj fushe në Kosovë është kompania “Elen Solar”, me pronarë Lulzim Syla bashkë me vëllezërit e tij, Afrimin dhe Avniun. Me një përvojë mbi 30-vjeçare në instalime elektrike në shtëpi e ndërtesa, ata gjithmonë kishin ndjekur trendin e tregut duke përcjellur panaire të elektrikës. Ato u ndihmuan që të ishin në hap me zhvillimet e kohës e kështu të nxjerrin ide të reja.
“Kudo që shkoja në panaire e shihja që tash po vjen kohë e re me [energji] solare. Në fakt, në Evropë vetëm kishte ardhur. Por, me vete thashë po ia nisim edhe na kësaj pune”, tregon Lulzim Syla, për kohën kur kishte filluar ta nxiste kompaninë për t’u marrë me zhvillimin e energjisë diellore 10 vite më parë.
Teksa planifikimet strategjike të rritjes së kompanisë i takonin atij si ekonomist me profesion, në projeksionet e atëhershme nisi që të ndajë buxhet, kohë dhe investim në zhvillimin e energjisë diellore nëpërmes paneleve foto-voltaike — një panel drejtkëndësh që shtrihet me sy ka dielli. Ai është i mbushur me qeliza foto-voltaike, të cilat kur rroken me rrezet e diellit, shpërbëjnë elektronet, duke i bërë të lëvizin. Lëvizja e elektronëve krijon tensionin që me diferencën e tij krijon energjinë elektrike.
Kjo teknologji, e zbuluar në vitet e ’70-a në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte ndjekur një trajektore të fuqishme duke kaluar nga një eksperiment në përdorim të gjerë pasi ulte shumëfish koston e energjisë elektrike. Në vitin 1999, Gjermania kishte lansuar një program në vlerë prej 500 milionë dollarësh që quhej “100,000 kulmet diellore”, teksa në më pak se një dekadë, në vitin 2007, investimet botërore në energjinë e pastër tejkaluan 100 miliardë dollarë, me energjinë diellore si teknologjinë kryesore të energjisë së pastër.
Fotografia: Dina Hajrullahu / K2.0.
Kompania “Elen Solar” nisi punën në energjinë diellore gjatë viteve 2012-2013. Megjithatë, entuziazmi i madh i Sylës u ballafaqua me terrenin krejtësisht të ri për këtë energji në Kosovë. Institucionet vendore nuk kishin as rregullore të gatshme dhe plot sfida i prisnin përpara.
“Na është dashur ta shtyjmë përpara procesin me gjoks. Herë më lehtë, herë më zor. Na është dashur që ne të ulemi të flasim me KEDS, me ZRrE, që tek në 2017-2018 me u bë e mundshme që tepricën e energjisë elektrike me na pranu KEDS”, thotë Syla. Këto zhvillime i kishin hapur rrugë edhe më shumë investimit në energji diellore, kur në prill të vitit 2017, ZRrE nxorri Rregullën e procedurës së autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja bazuar në burime të ripërtritshme të energjisë.
Kosovarët të gatshëm për teknologji të reja, institucionet jo aq
Megjithëse kishte bindur veten dhe vëllezërit e tij që t’i hynin këtij angazhimi diellor, Syla nuk e dinte se çka e priste në treg e nëse ndokush do të ishte i interesuar për të instaluar panele diellore.
“U prit prej njerëzve shumë interesant. Kur iu folshe për solare, qoftë në tavolinë, në panaire, në media sociale, në televizione, pritja ishte shumë e mirë, sepse e shihnin si diçka shumë të madhe që po vjen”, thotë Syla, duke shtuar se kostoja e investimit në vitet 2012-2013, e cila ka qenë disa herë më e madhe se sot, i bënte njerëzit të ngurronin. Në krahasim me koston për instalimin e energjisë diellore, çmimi i energjisë elektrike në atë kohë ishte shumëfish më i ulët se sot.
Për këtë shkak, duhej një shtytje që familjet dhe kompanitë të fillonin të investonin në energji diellore. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD-BERZh) në tetor të vitit 2013 nisi mbështetjen me anë të Kornizës së Projekteve të Energjisë së Qëndrueshme (KoSEP), me 12 milionë euro të vetat dhe tre milionë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kurse pjesa teknike e projektit u mbështet nga qeveria norvegjeze.
Korniza ishte krijuar për t’i inkurajuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe familjet për të investuar në teknologjinë e efiçencës së energjisë dhe përdorimin racional të energjisë. Sipas kësaj kornize, BERZh u jepte hua institucioneve financiare pjesëmarrëse, të cilat më pas, ato t’u jepnin kredi huamarrësve vendas.
Bankat dhe institucionet mikrofinanciare pjesëmarrëse përfituan nga zgjerimi i gamës së shërbimeve të tyre. Kështu binin edhe normat e interesit nga bankat, për shkak të mbështetjes nga BERZh. Sipas Sylës, kjo nxiti në masë më të madhe interesimin për investim në energji diellore.
Ekipi i inxhinierëve të kompanisë ElenSolar duke punuar në një projekt të ri për gjenerimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Fotografitë: Majlinda Hoxha / K2.0.
Por, ai nuk e harron kurrë ndjenjën e shitjes së parë të një sistemi diellor, kur jë fermer, i cili kishte fituar grant nga Ministria e Bujqësisë kishte investuar. “Realisht, ndjenja u kanë fantastike kur e kemi shitë se e kemi shitë me çmim minimal. Vetëm e vetëm që me shitë dhe me promovu si diçka. Krejt javën kemi qenë happy [të lumtur] sepse arritëm një gur kilometrik”, thotë ai, duke kujtuar se në fillim ishin një ekip i vogël.
Sot, për të instaluar një kapacitet prej gjashtë kilovatësh, çmimi sipas Sylës është tek 7,500 euro. Ekipi i kompanisë është rritur në 55 persona, të cilët mbulojnë proceset e tranzicionit në energji diellore nga planifikimi, nxjerrja e dokumenteve të nevojshme e deri tek futja në punë të një sistemi të energjisë diellore.
Kompania “Elen Solar” kishte realizuar edhe kalimin e supermarketit “Interex” në Pejë në energji diellore. Sot, mbi 1,000 panelet e instaluara i kthejnë rrezet që bijnë mbi qytetin e Pejës në energji elektrike. Në kulmin e tyre të objektit, 1,367 panelet diellor zënë hapësirë prej 2,732 metrash katrorë, sipërfaqe që arrin një kapacitet prej 750 kilovatë energji elektrike.
Sipas "Elen Solar", rezultatet e këtij projekti brenda 1 viti janë:
- Emetimi i 1,003,473.02 kg CO2 më pak, barazvlefshëm me ruajtjen e 99,886 pemëve;
- Lirimi i gati 400 kg më pak pluhur;
- Sasia e energjisë që u prodhua mjafton për t’u mbushur 77,654,666 telefona të mençur.
“Ne si Interex kemi parë rëndësinë e investimi në energji solare dhe tashmë kemi vendosur që në të gjitha pikat ku jemi dhe në ato që do t’i hapim në të ardhmen, të instalojmë sistemin solar për gjenerim të energjisë elektrike”, thotë Selajdin Kelmendi, arkitekt mbikëqyrës në “Interex”, që është marrë drejtpërsëdrejti me këtë projekt të realizuar në pjesën e dytë të vitit 2022.
Fatura e energjisë së madhe që përdorin në ftohjen e frizave, ndriçimit dhe klimatizimit të hapësirave të supermarketit tash u vjen shumë më ulët. Me një përllogaritje vjetore, ata kanë paguar 50% më pak energji elektrike.
Fotografia: Arkivi i ElenSolar.
Sistemi të cilin kanë instaluar është “On-Grid”. Energjinë që e prodhojnë e përdorin për nevoja të objektit, kurse energjinë e tepërt e fusin në rrjet të shpërndarjes së energjisë, tek operatori KEDS. Energjinë që e fusin në rrjet mund ta kthejnë kur të kenë nevojë.
Por, kalimi në këtë mënyrë e gjenerimit të energjisë s’është rrugë e shpejtë as e lehtë.
Procedurat burokratike po ngadalësojnë tranzicionin në energji të qëndrueshme
Aprovimi institucional për instalimin e panele foto-voltaike në kulmin e shtëpisë apo biznesit, sikur prosumers, pra për përdorim individual, merr deri ose mbi një muaj.
Radha e dokumenteve dhe ecejakeve nga një institucion tek tjetri është e gjatë dhe kjo ka shtyrë që shumë kompani që instalojnë panele diellore, sikur edhe “Elen Solar”, të shtojnë këtë shërbim për klientët e tyre. Ata marrin përsipër që të kryejnë të gjitha procedurat deri në instalim.
Për të instaluar panele diellore, edhe si konsumator individual, duhet autorizimi i ZRrE. Më pas procedurë pas procedure, sipas rregullores së së ZRrE të nxjerrë në vitin 2022, qytetarët duhet të sigurojnë dëshminë nga operatori i sistemit për konsumin vjetor të energjisë, vlerësimin e prodhimit vjetor të kWh nga vetë-gjeneratori i propozuar, marrëveshjen për kyçje me operatorin e sistemit dhe tutje pëlqimin e komunës për instalimin e pajisjeve për vetë-konsum, nëse kërkohet me legjislacion përkatës për ndërtim.
Në rastet e kompanive, procedurat janë më të gjata pasi shkojnë deri në 13 hapa — kërkohen dokumente që lidhen me bordin e kompanisë,studime fizibiliteti teknik e financiar kur bëhet fjalë për prodhim energjie mbi 1MW dhe dokumente tjera.
Kapacitetet e konsumuesve individualë
Të dhënat e fundit për vetëkonsum ose prosumers në ZRrE tregojnë se kapacitetet e instaluara në vend janë 8927.06 kW ose thuajse 9 MW. Në anën tjetër në autorizimet finale, projektet në operim me kornizë të rregulluar dhe projektet që presin autorizimin final për operim janë në total 185 MW. Kurse 29 projekte janë në pritje të autorizimit dhe në total kanë kapacitet 84.27 MW.ß
Lulzim Syla, prej të parëve që u mor me institucione për të hapur rrugën që këto procedura të thjeshtohen, është edhe udhëheqës i Klasterit për Energji të Ripërtëritshme në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. Nëpërmes kërkesave të shumta prej aty dhe jo vetëm, ai bashkë me komunitetin kanë arritur që të ndikojnë tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI) që të largohet kriteri i marrjes së lejes ndërtimore për instalimin e solareve.
Më 5 shtator të vitit të kaluar, ministri i MPHI, Liburn Aliu bëri të ditur se nuk kërkohet leje ndërtimore, rrjedhimisht, qytetarët nuk do të kenë nevojë që të pajisen me leje ndërtimore për vendosjen e paneleve diellore fotovoltaike për konsum familjar, me kapacitete të instaluara deri në 7 kWh. Mirëpo, Syla thotë se ky është vetëm një hap i vogël në krahasim me atë që mund të bëhet, duke përmendur që objekti ku vendoset sistemi i paneleve diellore duhet të jetë i legalizuar me leje ndërtimi. Në të kundërtën, investitori nuk mund ta marrë pëlqimin nga komuna përkatëse, pa të cilin s’mund të aplikojë për vendosjen e paneleve.
“Në Kosovë janë mbi 350,000 objekte pa leje, pothuajse të gjitha fshatrat janë të ndërtuara pa leje dhe ato shtëpi janë të lidhura në kanalizim, në ujësjellës, furnizohen me rrymë elektrike, për më tepër paguajnë edhe tatim, por për me vendos panele solare duhet leje. Më thuani nëse nuk është absurd”, thotë Syla, që tregon se bizneset ende i kanë rregullat e vjetra për leje ndërtimore.
Ndonëse Syla nuk e mohon nevojën për një leje të tille, sipas tij, ky proces do të mund të kryhej online duke i futur të dhënat e objektit dhe statikën e tij në një sistem, që të procedohet shpejt. Megjithatë, ai mendon se, në institucionet e vendit ka pasur progres.
“Dikur e gjitha kjo ka qenë e panjohur për zyrtarët komunalë dhe në institucione qendrore. Neve na ka ndodhur të endemi poshtë e lart me muaj të tërë. E tash e kanë më të qartë dhe ecën më mirë”, thotë ai, duke përmendur që ZRrE është institucioni kryesor mund të bëjë ndryshimin.
“Veç di t’ju them që për 1kW duhet me u mbledhë bordi i ZRrE me votu edhe me aprovu”, thotë ai.
Strategjia e Energjisë
- Të zhvillohen 1.2GW kapacitete të reja të energjisë me erë dhe foto-voltaike;
- 100MW të jenë të gjeneruara nga prosumerët dhe 170MW të ketë kapacitete të baterive;
- Kapaciteti i prodhuesve vetë-konsumues deri në 2025 të jetë 30MW, kurse deri më 2031 të jetë 100 MW.
Caqet për energjinë e ripërtritëshme të Qeverisë së Kosovës deri në vitin 2031 janë që 35% e energjisë të gjenerohet nga burimet e ripërtritëshme.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, nëpërmes Ministrisë së Ekonomisë, ka hapur ankandin e parë për energji diellore me kapacitet 100 MW. Ankandi do të jetë i hapur deri në fund të janarit të vitit 2024 dhe më pas do të shpallet fituesi që do të fillojë ndërtimin në fshatin Kramovik të Rahovecit.
Ankandi do t’u ofrojë investitorëve sigurimin e çmimit të garantuar të shitjes së energjisë për 15 vjet, procedura administrative të harmonizuara me agjencitë qeveritare dhe sigurimin e tokës pa kosto. Fitues pritet të shpallet kompania ose konsorciumi që oferton me çmimin më të ulët të garantuar të blerjes së energjisë.
Imazhi i ballinës: Arkivi i ElenSolar.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
Mendoj se në vitin 2025 do ti vendosi panelat solar p,dhe ather kisha pas nevoj për ju ju përshëndes