Diskutimin tonë të radhës në programin tonë Lokomotiva po ia kushtojmë të drejtave LGBTIQ+ në raport me religjionin. Për ta nisë këtë diskutim, Kosovo 2.0 sjell filmin dokumentar “When Pride Came to Town” (Kur Krenaria Erdhi në Qytezë).
Regjisoret e “When Pride Came to Town”, Julia Dahr dhe Julie Lunde Lillesæter, u takuan me 52 vjeçarin Bjørn-Tore dhe përmes rrëfimit të tij, shpërfaqën përplasjen midis religjionit dhe lirisë seksuale, pikërisht në njërin prej shteteve më liberale të Evropës, në Norvegji. Tensionet më së shumti u shoshitën kur për herë të parë, mu në vendlindjen e Bjørn-Tore, po organizohej parada e parë e krenarisë në një zonë rurale në Norvegji.
Rikthimi në vendlindje, nga e cila iu desh të ikte për shkak të homofobisë së përditshme, i kthen atij emocione të përziera, të cilat, në radhë të parë, flasin zëshëm për arsyet që e shtynë atë të ikte prej aty. Ndër tjera, përmes këtij filmi kuptojmë nuancat përbrenda vetë grupeve religjioze, në mënyrën se si ato e përjetojnë dhe manifestojnë fenë e tyre në raport me personat LGBTIQ+.
Projektimi i këtij filmi-dokumentar do të shërbejë si pikënisje për diskutimin për marrëdhënien komplekse midis religjionit dhe të drejtave të njeriut, gjegjësisht të drejtave LGBTQI+. Duke marrë parasysh kontekstin historik, në të cilin me shekuj të tërë religjioni i ka kufizuar liritë dhe të drejtat e personave LGBTQI+, a mund të shpresojmë për nisjen e një diskutimi të hapur përbrenda religjionit për të drejtat themelore të njeriut, gjegjësisht ato LGBTIQ+? A ka ndonjë udhë përmes së cilës mund t’i shtyejmë përpara të drejtat dhe liritë e njeriut, pikërisht përmes rishikimit dhe rimendimit të praktikave religjioze deri më tash? A ka shpresë që këto tensione të shuhen a reduktohen? Çfarë mund të bëhet për ta adresuar dukurinë e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTQI+ të shprehur nga plot predikues fetarë në Kosovë dhe Shqipëri?
Diskutimit tonë do t’i bashkohen:
- Xheni Karaj, bashkëthemeluese dhe drejtore ekzekutive e OJQ-së Aleanca LGBT në Shqipëri
- Sead Zimeri, filozof
Ky diskutim do të moderohet nga:
- Dafina Halili, gazetare dhe redaktore kontribuese në K2.0.
Ju ftojmë të merrni pjesë në ngjarjen tonë më 9 mars 2021, online në faqe ne Kosovo 2.0 në Facebook. Filmi do të shfaqet në 17:30, kurse diskutimi vazhdon prej orës 17:50.
Nëse ju duhet përkthim i diskutimit në gjuhën angleze apo serbe, na shkruani që t’ua mundësojmë qasjen në audio kanalet e përkthimit në platformën Zoom. Filmi do të ketë titra shqip dhe anglisht.
Kjo ngjarje mundësohet me mbështetjen e Prince Claus Fund.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.