“Kurrë nuk kam hypë në aeroplan”

  • Rreth kësaj bisede
  • Lokomotivën e vazhdojmë me bisedën për lirinë e lëvizjes dhe ndikimet e pasojat që i ka kufizimi i kësaj lirie. Para bisedës, më 5 maj do ta shfaqim filmin e shkurtër dokumentar “I have never been on an airplane” (Kurrë nuk kam hypë në aeroplan), nga regjisori Redon Kika. Ai e punoi këtë dokumentar në kuadër të shkollës jo-formale një mujore të Kino Armata, Neo_School. Protagonistët – të rinj e të reja të Kosovës, rrëfejnë se si e përjetojnë izolimin si qytetarë të Kosovës.

    Pandemia Covid-19, që bllokoi e kufizoi udhëtimet anembanë botës, për Kosovën është veç një sfidë e re. Dyfish të izoluar, një herë si rezultat i dështimeve të vazhdueshme në skenën politike për t’i mbajtur premtimet për liberalizimin e vizave e tani si rezultat i pandemisë, është momenti të flasim për këtë problem që as nuk ka ardhur me pandemi, e si duket as nuk do largohet me të. Malet me dokumente, pagesat e shumta para dhe gjatë aplikimit për vizë, pritjet përpara ambasadave, frika për refuzim e edhe refuzimi janë veç disa prej mundimeve që i shtohen rinisë, e cila edhe ashtu bartë mbi shpinë një mal brengash tjera.

    Këtë bisedë për liberalizim të vizave nuk duam ta bëjmë me politikanët që shpesh shpëtojnë prej pritjeve nëpër sportele e prej halleve të marrjes së vizave a frikës së refuzimit, por me të rinj e të reja, të cilët i kanë ndier nga afër kërkesat e panumërta, të shtrenjta financiarisht e të lodhshme, i kanë ndier refuzimet, për shkak të të cilave janë privuar nga mundësi të ndryshme për zhvillimin e rritjen kulturore, akademike e profesionale. Dëshirojmë që pikërisht përmes rrëfimeve e shtjellimeve të tyre, ta kthejmë vëmendjen kah një tregim i kahmotshëm i diskriminimit e përjashtimit.

    Projektimi i këtij filmi-dokumentar do të shërbejë si pikënisje e bisedës për lirinë e lëvizjes, me:

    Roni Idrizaj, drejtor ekzekutiv i Sbunker

    Redon Kika, regjisor i filmit

    Kjo bisedë do të moderohet nga redaktorja kontribuese dhe gazetarja e K2.0, Dafina Halili.

    Ju ftojmë të na bashkoheni më 5 maj, online në faqen e Kosovo 2.0 në Facebook. Filmi do të shfaqet në 17:30, kurse biseda vazhdon prej orës 17:40. Nëse ju duhet përkthim në gjuhën angleze apo serbe, na shkruani. Filmi do të ketë titra shqip dhe anglisht.

    Ngjarja mbështetet nga Prince Claus Fund.

    Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    5:30 pm

    Place:

    Facebook LIVE

    Date:

    05/05/2021