Në thelb | Demokraci

Kurrfarë arsye për të votuar!

Nga - 08.06.2017

Çka thonë votuesit potencialë nga rajoni i pakënaqur i Dukagjinit?

“Për kë me votu?” i përgjigjet Arlind Juniku pyetjes nëse do të votojë në zgjedhjet parlamentare të sivjetme. “Secili është ma i mbrapshtë se tjetri!”

Në njërën prej shumë kafeterive në Gjakovë, i riu e konfirmon këtë pohim thuajse thjeshtë po e thotë një fakt. “Unë them se ata nuk kanë bërë kurrgja për të zhvilluar diçka, për të çuar diçka përpara, diçka që mund ta përmirësojë gjendjen e rinisë”.

Gjakova, së bashku me Pejën, Deçanin, Dragashin, Istogun dhe Klinën shtrihen në pjesën perëndimore dhe veri-perëndimore të Kosovës, apo siç njihet më mirë, në rajonin e Dukagjinit. Asnjë prej këtyre qyteteve nuk kishte dalje më të madhe se 40 përqind në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2014, zgjedhje në të cilat dalja mesatare në nivel të vendit ishte 42,6 përqind. Në Gjakovë për të votuar kishin dalë diku vetëm 35,5 përqind të votuesve të regjistruar, duke u ranguar në qytetet me përqindjen më të vogël të votuesve në nivel të Kosovës atë vit.

“Qeveria nuk ka bërë kurrgja për Gjakovën. Kurrgja, zero, as edhe një përqind”, pohon Juniku, i zemëruar. Ai beson se kjo është për shkak se qeverisja lokale, e drejtuar që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 nga ish-anëtarja e AKR-së e tani anëtarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, është udhëhequr nga partitë të cilat nuk kanë qenë në pushtet në nivel qendror dhe për këtë arsye nuk kanë pasur mbështetje nga niveli qendror.

Arlind Juniku beson se s’ka kujt t’ia jap votën, sepse secili kandidat është “më i mbrapsht se tjetri”. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Këtë e ka theksuar edhe vetë Kusari-Lila. Përveç trashëgimit të një borxhi të madh nga administrata e kaluar e udhëhequr nga Pal Lekaj i AAK-së, në vitin 2015, ajo tha se hasi në pengesa edhe në “shumë probleme” nga institucionet qendrore, siç është Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila sipas saj i kishte vonuar planet e komunës për të krijuar Parkun Industrial.

Parku i planifikuar industrial parashihet të jetë zonë e dizajnuar ekonomike, me kushte specifike biznesore dhe tregtare të cilat kanë për qëllim rritjen e tregtisë, investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe administrimin efikas. Sipas Kusari-Lilës, AKP-ja kishte ngecur t’i siguronte komunës shfrytëzimin e dy objekteve kyçe, e të nevojshme për shkak të mungesës së hapësirave të përbashkëta. Kusari e kishte bërë AKP-në edhe përgjegjëse për vonesat e mëpasshme të projektit, të cilat kanë bërë që një numër investitorësh serioz të tërhiqen.  

Dy objektet në fjalë, Kompleksi Metaliku i cili është pjesë e kompanisë së makinerisë metalurgjike e cila përpara ishte pronë e Trepçës, dhe impianti i procesimit të duhanit ish-Virxhinia, dikur punësonin diku 16,000 punëtorë industrialë të Gjakovës gjatë ditëve të arta të ekonomisë së qytetit, në pjesën e dytë të shekullit të kaluar. Sot, gjendja e tyre e braktisur dhe e rrënuar shërben si metaforë e ekonomisë së qytetit, ku vetëm 20 përqind e popullsisë mund të mbështetet në punë si burim primar i të ardhurave për jetesë.

"Kujt me ia dhanë votën? Për kë me votu? Për hajna?"

Ardian Kastrati

Gjakova gjithashtu tradicionalisht ka qenë qyteti ku kultura është vlerësuar shumë, në gara të mirëfillta me Pejën. Por në një ligjeratë të Culture for All të vitit 2015, ekspertët ndërkombëtarë të kulturës vunë në pah se ditët e shkëlqimit të kulturës së Gjakovës janë zbehur, dhe në disa raste as që mund të rimëkëmben.

Ardian Kastrati drejton gishtin nga premtimet e pambajtura të politikanëve, si dhe tek vjedhjet e votave në zgjedhjet e kaluara si arsye për të mos pasur besim në zgjedhje. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Ardian Kastrati, pronar i një shitore të vogël me rroba, vjen nga fshati Shishmin i Gjakovës dhe thotë se përkundër faktit se është ende i ri, teposhtëza të cilën e ka parë në qytet nënkupton se ai nuk do të marrë pjesë fare në zgjedhje. “Për kë me votu? Për kë? Për hajna? Shikojini qytetarët në jetën e tyre të përditshme, bizneset dhe gjithçka — ne po humbim, nuk po fitojmë! [Ne] po shkatërrohemi dalëngadalë…” përfundon ai duke e ulur shikimin me shqetësim.

Kastrati thotë se nuk ka marrë kurrfarë ndihme nga ndonjë institucion për ruajtjen e biznesit të tij. Një studim i vitit 2013 nga Instituti Gap përmend se kurrfarë mbështetje ekonomike nuk është ofruar nga administrata e kaluar e AAK-së, përkundër premtimit se do të mbështeten bizneset e vogla. Në prill të vitit të kaluar, Kusari-Lila pati përmendur një grant prej 70,000 eurove për biznese të vogla dhe të mesme, që për prioritet kishte gra dhe të rinj. Por edhe ky është një hap i vogël për të mbajtur gjallë njërin prej burimeve kryesore të të ardhurave të qytetarëve të Gjakovës – bizneset e vogla.

Kastrati është i pangushëllueshëm, duke thënë se politikanët dhe partitë janë “krejt me një thes”, dhe thjeshtë i shtyjnë përpara interesat e tyre dhe jo interesat e qytetarëve.  “Rrena”, deklaron ai, si përmbledhje e asaj që ai dëgjon nga politikanët. “Qe 18 vjet po përsëritet e njëjta gjë. ‘Punësim, pastaj viza, kjo e ajo’, por ne po vuajmë që 18 vjet”.

Ai beson se votimi në Kosovë është i kotë, meqë as nuk beson se vota e tij do të numërohet. “Pavarësisht nëse dalim apo s’dalim [të votojmë], ata do t’i vjedhin krejt votat”, thotë ai.

Dëshmitë e vitit 2010 flasin se Kastrati ka arsye të mirë për të qenë skeptik. Prokurori i Shtetit ka pranuar 1,594 ankesa penale pas zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti, që kishin të bënin me parregullësitë të cilat ish-ambsadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, i quajti “vjedhje industriale” të votave. Përkundër kësaj, shtatë vjet më vonë, vetëm 206 persona janë ndjekur me sukses për krime zgjedhore të periudhës 2009-2014.

Ramadan Radosta, një burrë rreth të katërdhjetave, thotë se qeveria qendrore ia ka kthyer shpinën Gjakovës që nga paslufta, përkundër faktit se Gjakova është qyteti i cili “ka derdhur më së shumti gjak, dhe meriton gjithçka për guximin e vet”.

Një prej qyteteve më të vjetra në Kosovë, me zeje e tregti historike, Gjakova gjithashtu ka pasur fabrika të suksesshme siç ishte Gorenje Elektromotor, një prej eksportuesve më të mëdhenj të lavatriçeve në ish-Jugosllavi. Megjithatë, qyteti u godit keq nga dekada e shtypjes gjatë viteve të ’90-a, para se të shkretohej nga dhuna dhe shkatërrimi gjatë luftës. Pas përfundimit të luftës, shumë prej kompanive të mëdha industriale, të cilat ishin drejtuar nga ndërmarrjet amë në Serbi, zgjodhën të zhvillonin biznes tjetërkund.

Ramadan Radosta thotë se pa marrë parasysh sakrificat e shumta të Gjakovës gjatë luftës, ky qytet megjithatë është lënë pas dore nga politikanët. Foto: Agan Kosumi / K2.0

“Ata [politikanët e Kosovës] e kanë lënë atë vërtet të pazhvilluar —para lufte Gjakova ishte një prej qyteteve më të pasura për fabrika”, thotë ai, duke iu referuar sidomos industrisë metalurgjike dhe asaj të tekstilit të cilat lulëzonin në qytet. “Dhe tash kurrgja…” pauzon ai. “Ne gjithashtu dimë që Gjakova ka njerëz të mençur, gjeni për arsim, për punë e për gjithçka”.

Deri vonë qyteti madje ka pasur edhe aeroport, të cilin e shfrytëzonte KFOR-i, e i cili në një moment u konsiderua nga ministrja e atëhershme e tregtisë dhe e industrisë, Mimoza Kusari-Lila, si mundësi e madhe për zhvillim ekonomik. Por, para 18 muajve, përkundër një shume prej më shumë se 30 milionë euro të cilat raportohej se ishin investuar nga KFOR-i, aeroporti u mbyll. Derisa fushata  zgjedhore po merr hov çdo ditë e më shumë, kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, përsëri po premton se aeroporti do të rihapet dhe do të bëhet funksional.

Por premtimet e tilla shumëkush i sheh me skepticizëm. “Kush është i mirë? Kurrkush!” thotë Granit Kastrati, një i ri në të njëzetat, i cili së bashku me motrën e tij ka ardhur për vizitën e tij të rregullt në Kosovë nga shtëpia e tyre diku në BE. Si shumë kosovarë të tjerë të cilët jetojnë në diasporë, ai e sheh procesin e regjistrimit të votuesve si problematik, dhe nuk është i sigurtë nëse do të jetë në gjendje të votojë. Por nëse do të votojë, ai thotë se votën do t’ia japë vetëm Vetëvendosjes. “Kjo është shpresa jonë e fundit”, thotë ai.

Sikur shumë Kosovar që jetojnë në diasporë, Granit Kastrati ka pas vështirësi me procesin e regjistrimit për votim. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Shpresë për ditë më të mira

Jo shumë larg Gjakovës shtrihet qyteti i Pejës, rivali dhe njëkohësisht miku më i ngushtë i Gjakovës. Qytetarët e këtyre dy qyteteve për shumë kohë e përqeshin njëri-tjetrin, gjë që shihet si një garë e shëndoshë kulturore, si dhe debat në lidhje me atë se kush e ka ushqimin më të mirë. Megjithatë, edhe kjo po zbehet.

Si në rastin e Gjakovës, edhe ekonomia e Pejës është larg prej të qenit e suksesshme, dhe shumë votues potencialë janë të pashpresë — vetëm 39,5 përqind të votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në zgjedhjet e vitit 2014.

“Mund të shihet përditë se të rinjtë janë të dëshpëruar dhe disi në iluzione”, thotë Eldin Jevriç, një i ri në të njëzetat. “Nuk e di sa do të zgjasë kjo, dhe nëse do të ndryshojë diçka pas votimit. Shpresoj të ndodhë më e mira, por është vërtetë zor”.

Më zgjedhjet lokale të vitit 2013, LDK-ja fitoi në Pejë, duke e mundur koalicionin AAK-LDD me rezultat të ngushtë, ndërsa Gazmend Muhaxheri u bë kryetar. “Nuk shoh se diçka po ndryshon, së paku jo në këtë moment”, thotë Jevriç. “Por si çdokush, edhe unë shpresoj se do të vijnë ditë më të mira”.

Eldin Jevriç thotë se do ta konsideronte si opsion migrimin jashtë vendit, si pasojë e mungesës së mundësive në Pejë. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Jevriç sapo ka diplomuar, por të mbarosh fakultetin në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, apo në cilindo Universitet në Kosovë, nuk është kurrfarë garancioni se do të gjesh punë, dhe ai është pjesë e 58-përqindëshit të të rinjve — dhe 33 përqindëshit të popullsisë së përgjithshme — të cilët janë të papunë, në Kosovë. Po që se i jepet një mundësi më e mirë jashtë vendit, ai thotë se nuk do të mendojë dy herë për t’u larguar nga vendi. “Pse jo”, thotë ai. “Pikë së pari, këtu nuk humb asgjë”.

Ai mendon se fryma e dëshpërimit e ka ngulfatur rininë në Pejë. “Kjo është kohë kur njeriu e humb shpresën në vendin e tij, dhe fillon të mendojë për diçka më të mirë”, thotë ai me një ton të nënkuptueshëm.

Dy ndërmarrje të e mëdha i kanë selitë e tyre në Pejë, Grupi Elkos i cili punëson rreth 3,000 njerëz në mbarë Kosovën, dhe Korporata Devolli me rreth 800 punëtorë, dhe e cila, sipas kryeministrit në largim, Isa Mustafa, bashkëpunon me 15,000 bujq të vendit.

Qyteti ka filluar të investojë në turizëm, me qëllim të zhvillimit të rolit të tij si pikë ndalese për të vazhduar në rrethinën, me pamje si në panorama, të Bjeshkëve të Nemuna dhe lumenjëve Lumbardhi e Drini i Bardhë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, hotelet e Pejës kanë pranuar rreth 33,000 vizitorë vitin që shkoi, rreth 9,000 vizitorë më shumë se vitin paraprak dhe 20,000 më shumë se në vitin 2008.

Shumë votues në Pejë kanë besim të paktë në politikanë, sepse konsiderojnë se injorohen nga ata që janë në pushtet. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Gjithashtu ekziston edhe premtimi për zhvillimin ekonomik. Pas dështimit të projektit prej 400 milonë eurove për zhvilllimin e rezortit të skijimit në Brezovicë, qeveria së fundmi së bashku me komunën e Pejës, ka hapur tender për zhvillimin e një rezorti të ri turistik, vetëm 900 metra nga qendra e Pejës në malet e Kopaonikut. Projekti i partneritetit publiko-privat me vlerë prej 60 milionë eurove do të krijojë një rezort të quajtur “Borea”, sipas perëndeshës ilire apo greke, varësisht prej asaj se kush ta jep shpjegimin për të.

Sipas kryetarit Muhaxheri, rezorti Borea duhet të përfundojë brenda 20 deri 24 muajsh. Duke qenë funksional gjatë gjithë vitit si pikë ndalese, kryetari tha se shpreson se rezorti i ri do të tërheqë 240,000 vizitorë çdo vit dhe se mundësitë e krijuara do të ndihmojnë që të ndalet ekzodi i qytetarëve të Pejës drejt Prishtinës.

Megjithatë, pasi kontrata për projekt i ishte dhënë konzorciumit italiano-slloven ‘Leitner AG SPA and FILAV SA’ në prill, ishin ngritur dyshimet për autenticitetin e procesit të tenderimit nga disa organizata te mediave duke përfshirë edhe Kohaplus-in, ta cilat pretendonin se aty kishte korrupsion dhe shpërlarje të parave.

Zhvillimet e tilla nuk kanë bërë asgjë për të nxitur kulturën e besimit në politikanë në Pejë. “Po të kisha mundësi, të gjithë këta njerëz të cilët janë në krye [të qeverisë] do t’i çoja në shtëpi pa pension”, thotë një grua e cila punon në një sallon ondullimi, e cila nuk dëshiron ta zbulojë emrin. “Sa herë që kemi pasur nevojë, shteti nuk na ka ndihmuar”.

Shoqja e saj flet nga mbrapa, duke shpjeguar se ajo ka punuar për 30 vjet “dhe më kanë përjashtuar pa pension”.

Frizerja beson se të gjithë zyrtarët e qesin veten përpara, dhe vetëm nëse mbetet diçka, atë ua japin qytetarëve. “Ata kanë para për veti për të shkuar në pushime 10 herë në vit, por nuk kanë para për të sëmurët”, thotë ajo e zemëruar.

Florim Poçesta thotë se edhe pse ka votuar në të kaluarën, tashmë nuk ka kurrfarë arsye për të votuar përderisa të rinjtë, sikurse edhe fëmijët e tij, kanë shumë pak perspektivë. Foto: Agan Kosumi / K2.0

“E po, nuk di për kë do të votoj”, thotë dyqanxhiu i moshuar, Florim Poçesta. Ai konsideron se për 17 vjet që nga paslufta gjërat nuk janë materializuar siç ka përfytyruar ai. “Qeveria është e njëjtë. Sapo [qeveria e re] e marrin [pushtetin] e njëjta gjë ndodh”, thotë ai me një shikim të papërqendruar. “Për mua është njëjtë, nuk ka asgjë të re”.

“Për kë të votoj?” pyet ai, duke e parashtruar pyetjen e cila sa vjen e përsëritet në rajonin e Dukagjinit. “Të rinjtë janë të papunë — pse të votoj për dikë?”.

Poçesta ka një dyqan ku shet artikuj të vegjël, e të lirë — jelekë e shallë dhe rroba të tjera — me çka e mban gjallë familjen prej pesë anëtarëve. “Në familjen time askush nuk punon”, thotë ai. “Të gjithë ne varemi nga ky dyqan, të cilin e kemi marrë me qira. Pesë anëtarë të familjes. Vajza ime ka përfunduar fakultetin juridik, dhe është e papunë. Djali im i ka 23 vjet — i papunë”.

Poçesta thotë se përderisa fëmijët e tij janë të papunë, ai nuk mund të paramendojë të votojë për dikë. “Çka tjetër të mendoj?” thotë ai. “Kur shteti nuk mendon për ty, nuk kam pse të dalë e të votoj. Deri tash kam votuar, por nuk do të votoj më”.

Kur u pyet nëse ai sheh përparim në Pejë, ai tha se shihet se infrastruktura ka nisur të rindërtohet aty-këtu por kjo nuk mjafton. “Të rinjtë nuk kanë punë dhe nuk kanë perspektivë”, thotë ai. “Përderisa nuk kanë punë, nuk mund të paramendoj të votoj për dikë. Nuk jam i kënaqur me njerëzit [politikanët]”, pohon ai duke shtuar se gjatë fushatës së shkurtë zgjedhore bëhen shumë premtime, por qytetarët shpejtë i harrojnë ato.

Pronari i dyqanit thotë se do të shqyrtojë mundësinë të votoj përsëri vetëm me një kusht: nëse sheh se “gjërat po ndryshojnë për së mbari”. Por duket se kësaj radhe është shumë vonë. Nga 39,919 personat që votuan në zgjedhjet e vitit 2014, lirisht mund të hiqet njëri prej tyre i cili nuk beson më se ka ndonjë arsye për të votuar.K

Foto Kryesore: K2.0.